Vetëm në një gjë ia marrim botës: Kemi një kryeministër si ky që kemi

0
58

Nga Mustafa Nano, 30 Janar 2012

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha mbajti fjalimin e radhës, dhe mufkat nuk kishin të sosur. Do krahasime me botën i bëri për ta nxjerrë Shqipërinë e tij të parën ose të dytën. Mirëpo ne vetëm në një pikë ia marrim botës; kemi kryeministër këtë që kemi, i cili arrin të thotë gjëra si këto më poshtë:

– Ky vend është ndër të paktët në Europë që publikon online shpenzimet qeveritare. Dhjetëra vende kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë gjë, por ne patëm vullnetin dhe e bëmë. Ne do bëjmë gjithçka që rrezja e transparencës të penetrojë në çdo qelizë të kësaj administrate dhe të këtij shteti.

– Në rast se e ndiqni krizën e sotme evropiane dhe botërore, kjo krizë në themelin e vërtetë të saj ka mungesën e reformave, me të cilat ekonomitë e vendeve të lira duhej të përshtateshin me globalizmin. Rezulton se sot qeveritë në Europë po ndërmarrin masa që ne i ndërmorëm kohë më parë, liberalizim të lejeve, licencave, standarde të reja. Ju garantoj se kjo frymë do nxjerrë këto vende nga kriza.

– Sot nuk ka një vend të dytë privat siç është Shqipëria, e ne prapë kemi nevojë të privatizojmë. Ne do ecim me vendosmëri drejt privatizimit të plotë. Për këtë arsye kam kërkuar që të ndërmarrim privatizimin më të thellë të pyjeve. Shqipëria ka 1.6 milion hektarë pyje e shkurre që mund të përdoren gjerësisht për arrorë në shkallën më të gjerë.

respublica.al

http://respublica.al/artikuj/2012/1/30/vetem-ne-nje-gje-ia-marrim-botes-kemi-nje-kryeminister-si-ky-qe-kemi