Nga Karl-Peter Schwarz, 30 Janar 2012
Frankfurter Allgemeiner Zeitung
Përpara një viti katër demonstrues u vranë përpara selisë së kryeministrit shqiptar. Prokurori që po heton është nën presion nga qeveria dhe opozita
Të premten, më 21 janar 2011, përpara selisë së kryeministrit Sali Berisha, në Tiranë, u qëllua mbi demonstruesit, që ishin thirrur nga lideri i opozitës, Edi Rama. Pati katër të vdekur. Në tubim kishte edhe rreth 300 protestues të armatosur me shkopinj, gurë dhe kokteje molotov, të cilët luftuan për orë të tëra kundër kordonëve të policisë dhe rrethuan godinën.
Hetimet e kryeprokurores Ina Rama (mos e ngatërroni me kryetarin e PS), të drejtuara ndaj atyre që qëlluan, por edhe ndaj atyre që organizuan trazirat, u penguan që në fillim. Kur një televizion transmetoi një video, në të cilën shihej se si forcat e sigurisë nga oborri i ndërtesës qeveritare qëllonin mbi demonstruesit, kryeprokurorja lëshoi urdhër-arresti për gjashtë komandantë të Gardës, përgjegjëse për sigurinë e kryeministrit.
Por me urdhër të ministrit të Brendshëm këto urdhër-arreste nuk u zbatuan. Me këtë kërkesë, tha Berisha, Ina Rama rrezikon mbrojtjen e rendit kushtetues. Ajo vetë është e përfshirë në një komplot të nxitur nga Edi Rama për rrëzimin e qeverisë. Kur presidenti Bamir Topi bëri thirrje për një hetim të pavarur të ngjarjeve nën drejtimin e Prokurores së Përgjithshme, Berisha e akuzoi edhe atë për puç.
Me presionin e Uashingtonit dhe Brukselit, Berisha më në fund u pajtua për hetimin e gjashtë oficerëve. Ina Rama kërkoi ndihmë nga FBI, ekspertët amerikanë mbërritën në Tiranë. Kryeprokurorja ishte e shqetësuar se rezultatet e hetimit të tyre mund të kundërshtoheshin nëse nuk konfirmoheshin nga ekspertë neutralë ndërkombëtarë.
Javën e shkuar zonja Rama bëri të ditura rezultatet paraprake të hetimit. Testet balistike të FBI tregonin se një nga demonstruesit ishte qëlluar nga arma e Ndrea Prendit, komandantit të Gardës Republikane. Për të mbrojtur veten, Prendi kishte ndërruar tytën e armës së tij me atë të shoferit.
Përveç kësaj, prokurorja kërkoi të ndalohet edhe Armando Kasaj, shef i departamentit të IT në kryeministri. Hetimet e FBI kishin treguar qartë se Kasaj kishte fshirë nga serveri pamjet e kamerave të sigurisë natën e 22 janarit 2011. Në bazë të një kërkese të prokurorisë, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave kishte deklaruar se nuk ka pasur asnjë pamje pasi kamerat kishin ndaluar së punuari prej kohësh. Tani ekziston dyshimi se provat për një krim shtetëror janë shkatërruar nga qeveria me qëllim.
Kodi i procedurës penale në Shqipëri parashikon dërgimin në paraburgim për ata që akuzohen për krime të rënda. Por Prendi, shoferi i tij dhe Kasaj u lanë në arrest shtëpie nga një gjykatës. Prokurori i Përgjithshëm ka paraqitur një ankesë përkundrejt kësaj. Megjithatë Berisha vazhdon të pretendojë fort tek grushti i shtetit. Ai ka njoftuar se do e rihetojë ngjarjen kur Ina Rama të zëvendësohet me një prokuror të përgjithshëm të ri. Më pas Berisha do arrestojë presidentin Topi dhe të gjithë puçistët e tjerë.
Për shkak të hetimeve për organizatorët e dhunës në demonstratë, zonja Rama është edhe nën presionin e shefit të Partisë Socialiste dhe ish- kryebashkiak i Tiranës për një kohë të gjatë, Edi Rama. Kryeprokurorja tha se policia ka ndihmuar shumë pak për të hetuar personat pas trazirave. Mbështetur në hetimet e zyrës së saj, ajo ka kërkuar heqjen e imunitetit për tre deputetë të PS, që dyshohet se kanë nxitur trazirat. Edi Rama i dërgoi asaj një letër të hapur ku i thoshte se në vend që të ndjekë anëtarët e opozitës, të hetojë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, kryebashkiak i Tiranës dhe ish- ministër i Brendshëm, që janë përgjegjës për gjakderdhjen.
Tubimi që përfundoi në gjakderdhje ishte kulmi i një fushate që kishte nisur Partia Socialiste ndaj mashtrimeve të supozuara zgjedhore, që dyshohet se janë kryer nga PD e Berishës në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009.
Përveç korrupsionit, ndikimi politik mbi gjyqësorin dhe pengimi i drejtësisë janë disa nga problemet më të mëdha që kanë penguar hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Në rrugën drejt Bashkimit Europian, Shqipëria është parakaluar edhe nga Mali i Zi fqinj.







