Përulja ditë pas dite e kryeministrit Berisha

0
59

Mero Baze

Mero Baze / Faktori Plus, 05.02.2010

Tërheqja e kryeministrit Berisha nga pozicioni i tij komfort për mosnjohjen e krizës dhe mospranimin e rolit të presidentit Topi në organizmin e një tryeze të përbashkët, do të ketë ndikimin e saj, jo vetëm mbi qëndrimet e shumicës në pushtet, por dhe në qëndrimet e opozitës. Mënyra si deri tani Berisha ka menaxhuar këtë krizë, ka qenë ekstremisht joproduktive.

Ai u përpoq ta injoronte krizën, duke theksuar se ajo është çështje personale e zotit Rama, dhe kur kriza nxori në rrugë 100 mijë vetë, ai u përpoq ta eklipsonte atë duke startuar një fushatë sulmesh të paprincipta për një politikan, për jetën private dhe familjen e kundërshtarit të tij politik.

Kjo fushatë u pasua nga një fushatë linçimesh mbi medien kritike dhe bizneset afër saj, si dhe përdorimin e gjithë figurave politike të shumicës në një betejë, që përpiqej të largonte vëmendjen nga kutitë e votimit dhe kriza politike.

Por a ka vend për dyshime lidhur me vullnetin e Berishës për të zgjidhur krizën? Sigurisht që po. Në deklaratën e tij publike, edhe pse i rrënuar dhe i deprimuar nga presioni ndërkombëtar dhe ai vendas, Berisha la shteg të hapur për të futur procesin në rrugë pa krye.

Së pari, ai u përpoq të legjitimonte të kaluarën e tij para kësaj deklarate si periudhë konstruktive dhe gatishmëri për dialog. Kjo nuk është e vërtetë. Berisha vetëm dje ka shqiptuar një fjali të qartë për dialog. Fjalitë e tij të mëparshme nuk kanë qenë fjali që kanë pranuar dialogun, por fjali që kanë bërë thirrje për nënshtrim ose asgjësim të opozitës.

Nëse zoti Berisha vazhdon t’i qëndrojë atyre ideve, ai thjesht ka gënjyer dje. Nëse dje ka thënë të vërtetën, atëherë thjesht ka braktisur dhe tradhtuar të vetët dhe veten e tij, të disa ditëve më parë.

Një javë më parë në Strasburg, ai propozoi amendamente për mosnjohjen e krizës, për mosnjohjen e rolit të Presidentit Topi, mosnjohjen e presionit ndërkombëtar, etj.

Nëse ai tenton që deklaratat e tij të djeshme të lexohen si qëndrimet e tij të mëparshme, atëherë jemi para një gënjeshtre të re të tij.
Së dyti Berisha po tenton të hapë një spirale dështimi në bisedime, duke kërkuar atë që ai e quan takim të përgatitur.

Edhe pse për muaj të tërë ka akuzuar Ramën për mesazhe të fshehta dhe shpikje të tjera, tanimë ai po propozon zyrtarisht bisedime të fshehta dhe jo transparente, pra në një fare mënyre po kërkon pazar, para se të hyjë në bisedime.

Kjo e komplikon situatën, pasi kjo krizë politike nuk ka nevojë për negociata me PS, pasi ajo ka vetëm një kërkesë, hapjen e kutive që të hetohen zgjedhjet. Negociatat duhet të zhvillohen mes Berishës dhe ndërmjetësve për të pranuar këtë kërkesë.

Tentimi i Berishës për ta futur rrjedhën e bisedimeve në spiralen e përgatitjes apo takimeve të fshehta, është një mënyrë që ai të shmangë ballafaqimin përfundimtar dhe të fitojë kohë me shpresë se opozita do të gjunjëzohet.

Për këtë arsye, duhet që opozita të hyjë në këto bisedime vetëm me një tezë dhe një opsion, duke qenë e prerë dhe pa asnjë ekuivok në qëndrimin e saj me qëllim që Berisha të mos gjejë asnjë të çarë ku të ankorohet për të dështuar procesin duke fituar kohë.

Ai është sot shumë më i përulur dhe i pafuqishëm se një javë më parë dhe është ende i fortë, nëse do ta krahasojmë se si do të jetë një javë më vonë, nëse opozita ruan qëndrimin e saj të qartë dhe të prerë për zgjedhjet.