
Mentor Nazarko, 05.02.2010
Me pranimin nga ana e zotit Berisha të … Presidentit Topi si ndërmjetësues të tryezës eventuale me kreun e opozitës Rama, jemi në një moment të veçantë të krizës së gjithanshme ku ka hyrë vendi. Por para se të shpjegojmë pse ky është moment i veçantë, le të shpjegojmë pse jemi në një krizë të gjithanshme, sa kohë që rreth ekzistencës së saj nuk biem dakord. Kriza është jo vetëm politike, siç thotë rezoluta e fundit e Këshillit të Evropës, por dhe institucionale, sepse parlamenti funksionon me vështirësi, një pjesë e konsiderueshme e deputetëve s’janë betuar, kanë mbetur pa u miratuar ligje të rëndësishme për institucione të caktuara, dhe sa kohë që pritet të miratohen emrat e anëtarëve të institucioneve të pushtetit gjyqësor, për të cilët nevojiten shumica të cilësuara.
Ndërkohë, kur kriza politike dhe institucionale takohet me krizën ekonomike, që duket nga rënia e pritshme e investimeve publike, rënia e kreditit, zhvleftësimi i lekut, etj, parathënës të stopimit të rritjes ekonomike, situata është e frikshme. Ndërkombëtarët hynë me një angazhim kaq masiv, pikërisht për shkak të acarimit në këtë nivel të situatës politike dhe institucionale, që bashkangjitur krizës ekonomike mund të krijojnë pasoja të dëmshme në stabilitetin e vendit. Pas një periudhe të gjatë mosndërhyrjeje, duke besuar në aftësitë e një vendi normal anëtar të NATO-s, për zgjidhjen e krizës, ndërhyrja ndërkombëtare dëften se ne nuk konsiderohemi dhe aq normalë sa duhet. Zgjidhja në të cilën po hyjmë, duket bujari e ndërkombëtarëve: po ju japim një shans ta zgjidhni vetë, pastaj hyjmë ne, ashtu si dimë ne!
Le të mundohemi të kuptojmë diçka më shumë ç’po ndodh ndërsa këto ditë pritet të realizohet një tryezë presidenciale. Jo nga këndvështrimi i interesave partiakë, pra kush fitoi, kush fiton prej rezolutës apo tryezës nga palët politike, por nga ai i interesit publik. Për herë të parë pas shumë kohësh kemi një rezolutë të Këshillit të Evropës për Shqipërinë. Jo lavdëruese, por kritike, që cënon imazhin e vendit. Nëse rezoluta do të ishte e pandjekur nga hapa të tjera, mund dhe të mos shqetësoheshim shumë, nisur nga rëndësia e kufizuar që ka ky institucion evropian. Por në momentin kur arrijmë në njëlloj koncerti perëndimor, dhe rezoluta pasohet nga takime të njëkohshme, jopublike të ambasadorëve evropianë dhe amerikanë me përfaqësuesit e palëve, atëherë duhet të mendojmë se presioni ndërkombëtar ka arritur një nivel të lartë. Pikërisht për shkak të këtij niveli të lartë presioni dhe zoti Berisha hoqi dorë nga refuzimi për një rol ndërmjetësues të zotit Topi. Ky presion nuk mbaron këtu: ndërkombëtarët do të monitorojnë tryezën, dhe pse jo kanë që tani të përcaktuar axhendën e saj, apo një formulë zgjidhëse të krizës politike që mund ta imponojnë në momentin e fundit.
Një moment tjetër i rëndësishëm i zhvillimeve të fundit kah zgjidhjes së krizës lidhet me rolin e Presidentit Topi. Pranimi i tij në rol ndërmjetësues nga ana e opozitës është dëshmi e njëlloj profili të pavarur të tij gjatë kësaj pjese të mandatit, dhe të njëjtën gjë e provon dhe mëdyshja e Berishës për ta pranuar këtë rol, që do ta forconte më tej figurën e Presidentit edhe në përplasjet eventuale të tij me kreun e shtetit, apo pse jo në rastin e një ripërfshirjeje të Topit në PD me mbarimin e mandatit. Investimi ndërkombëtar te Presidenti, jo thjesht tek emri i individit, por tek institucioni lidhet me rolin e rëndësishëm që kreu i shtetit mund të luajë në ruajtjen e ekuilibrave të sistemit, mjaft të rëndësishëm kur kemi të bëjmë me një kryeministër që kërkon të shtjerë në dorë gjithçka. Që Presidenti të luajë plotësisht rolin e tij ndërmjetës, do të duhet që njerëzit e tij të hartojnë bashkë me njerëzit e kryeministrit apo të kryetarit të opozitës një dokument bazë që të pajtojë pozicionet e palëve apo të identifikojë emëruesit më të vogël të përbashkët të palëve.
hapja e kutive
Siç duket emëruesi më i vogël i përbashkët i palëve është ngritja e një Komisioni Hetimor për zgjedhjet. Palët ndahen në ligjshmërinë e hapjes së kutive. Në këtë moment të dhënë, është vështirë të imagjinojmë nëse opozita e ka seriozisht hapjen e kutive nga e cila do të dalë se edhe ajo eventualisht ka prekur votat e aleatëve më të vegjël. Por le ta zëmë se ajo e ka seriozisht kërkesën e saj dhe të përpiqemi të hapim shkurtimisht një parantezë për këtë. Le të pranojmë të gjithë argumentet e shumicës se bojkoti i opozitës, kërkesa për hapjen e kutive është i lidhur me interesa personale të Ramës, etj, etj dhe se gjithçka është irracionale, pra nuk lidhet me interesat reale të vendit. Le të pranojmë se kjo kërkesë qëndron në themel të krizës politike. Por, shtrohet pyetja: a zgjidhet kriza, pra a merr fund bojkoti i opozitës nëse pranohet kërkesa e opozitës?
Duket se po. Atëherë çfarë e pengon shumicën që duhet të jetë më e interesuar se opozita, për imazhin e vendit, për axhendën legjislative të reformave, për liberalizimin e vizave, për procesin e integrimit evropian që të pranojë këtë kërkesë? Ajo përdor vetëm një argument: hapja e kutive shkel një vendim të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore parlamentare. Po a është e vërtetë kjo? Jo, dhe ka një arsyetim juridik shumë të thjeshtë. I vetmi vendim i pushtetit gjyqësor, gjegjësisht Kolegjit zgjedhor që mund të preket minimalisht prej punës së Komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet është ai i fundit që “nuk e konsideron automatike të drejtën e dy anëtarëve të KQZ-së, për rinumërim votash të caktuara.” Po a mund të preket ky vendim gjyqësor, pavarësia e pushtetit gjyqësor prej vendimit eventual të Komisionit Hetimor, “që të hapen kutitë në disa zona”? Sigurisht që jo: kemi dy objekte të ndryshme, në dy vendimet, për pasojë nuk kemi përplasje. Por edhe sikur ky arsyetim të mos jetë i bazuar juridikisht, sa kohë që për këtë çështje ka dy interpretime, atëherë një institucion si Gjykata Kushtetuese mund të vendosë. A mund të ngrihet një komision i tillë hetimor parlamentar? dhe a mund të kërkojë ligjshmërisht ai hapjen e kutive?
Siç shikohet rezistenca e shumicës për të mos pranuar është mbështetur mbi një argument të dobët, i cili vetëm sa është valëvitur në mënyrë monologuese nga kryeministri, por nuk është ballafaquar as në tryeza dhe asgjëkundi. Me kalimin e kësaj pengese, do të fitojmë shumë të gjithë. Kryeministri do të ketë më shumë kohë për t’u ballafaquar me sfidat reale të vendit, ato ekonomike për përballimin e të cilave nuk nevojiten mburrje monologuese, por angazhim me modesti dhe pa mburrje faraonike, para të cilave Obama vetëkritik do të turpërohej.







