Sërvet Pëllumbi: Berisha po përgatit 1996- 97-ën. Ai dhe Nano ishin të përzgjedhurit e Ramiz Alisë për zbatimin e Katovicës

0
46

TemA, 18 Mars 2013

Servet Pëllumbi, në një intervistë të gjatë për gazetën Dita, thotë se fushata zgjedhore tashmë ka nisur, por nuk ka një frymë llogaridhënieje nga pala qeverisëse për ngjarjet e rënda në këtë vend.

I pyetur për ngjarjen e majit 1996, kur ai u shfaq i gjakosur në Sheshin Skënderbej mes gazetarëve të huaj, Pëllumbi kujton: “Më kujtohet edhe i ndjeri Pjetër Arbnori, që kur e pyeti presidenti i Këshillit të Europës, Martinez, në takimin informues të Strasburgut më 20 qershor 1996: A është e vërtetë që u rrah opozita dhe vetë z. Pëllumbi ishte në shesh kryesor të kryeqytetit, ai u përgjigj: Po këta deshën të rriheshin vetë z.kryetar, që të akuzonin qeverinë”.”

I pyetur për mangësitë e qeverisjes Berisha, Pëllumbi ka një reflektim: “Kam qenë vërtet kritik, por jo dhe aq i rreptë sa e meriton kryeministri Sali Berisha”.

Më pas Pëllumbi thotë se Berisha po përgatit skenarin e vitit 1996- 1997.

Ai i 1996-97-ës është skenari që Berisha e ka përpunuar deri në hollësi dhe që e njeh mirë. Pritet që të bëjë vetëm disa retushime. Bie fjala, ditën e votimit më 23 qershor, nëse do të shohë që po humbet thellë, do të inskenojë rrëmujë në një numër qendrash votimi, do të ndërhyjë policia të nxjerrë jashtë komisionerë të opozitës, t’i zëvendësojë ose jo dhe t’i hapet rruga manipulimit. Nuk e quaj të rastësishëm ndryshimin e fundit në rregulloren e KQZ, që u lejon forcave të rendit të ndërhyjnë në QV, kur këtë e kërkojnë disa nga anëtarët e QV-së. Kujdes nga ata që nuk mendojnë dot në mënyrë demokratike,” tha Pëllumbi.

Në fund ai e mbyll duke pranuar se Berisha e Fatos Nano kanë qenë të përzgjedhurit e Ramiz Alisë për të zbatuar Katovicën.

“Të dy në heshtje kanë qenë të përzgjedhurit e presidentit Ramiz Alia për të ndjekur zbatimin e klauzolave të Katovicës dhe për të drejtuar majtas- djathtas dy partitë e mëdha në vend”.