40 vjet nga ndarja me prozatorin e madh italian

0
74

Arjan Th. Kallço

Më 28 janar 1972 ndëroi jetë një prej figurave më të shquara të letërsisë italiane dhe që shumë prej nesh e njohim nga veprat e tij të mrekullueshme që ai shkroi. Buzzati nuk ishte vetëm një gazetar i njohur për penën e tij, por ishte gazetar, shkrimtar, dramaturg, libretist dhe piktor. Nuk po ndalem tek jeta e tij dhe veprat, shpresoj të kem kohë për një shkrim tjetër, por tek një prej mësimeve të tij më të vyera, modestinë dhe thjeshtësinë, pikërisht kur kërkonte me këmbëngulje një mendim të një miku dhe shkrimtari tjetër, lidhur me botimet e ndryshme që kishte ndërmend të realizonte.

Buzzati nuk ishte shkrimtari që nuk kishte nevojë për një këshillë të mirë, për një zë që të mund të vinte në dukje anët pozitive dhe difektet e veprës, por njeriu shkrimtar dhe gazetar që e vlerësonte dhe e merrte në konsideratë atë. E në një ballafaqim me kohën e sotme, edhe tek ne kur botimet e librave janë shtuar me një ritëm marramendës dhe kur promovimet nuk kanë në qendër të vëmendjes kritikën mbi librin, ky leksion i nxjerrë nga një letër, është testamenti më i vyer që ai ka lënë.

Kush të dojë, natyrisht brenda kufijve të dëshirës për të patur kritikën si udhërrëfyese në krijimtarinë e vet, duhet të mësojë prej modestisë së tij dhe ta marrë atë si shembull, që të mos thotë më pas se nuk e dija, apo nuk e mendoja kështu, apo nuk na më duhet kritika. Më poshtë po sjell letrën që ai ia dërgoi mikut të tij Vittorio Sereni, shkrimtar dhe poet. Italian i shekullit të kaluar…

I dashur Sereni,

para së gjithash, shumë urime nga zemra për vitin e ri. Kam qënë larg gati një muaj, në Amerikë, i ngarkuar nga gazeta. Duke u kthyer, shpresoja që të gjeja përgjigjen tënde për letrën time që ta dërgova rreth një muaj më parë, që lidhet me punën që synoj të bëj : librin, romanin, poemën me vizatime. E di mirë, ndoshta nuk do t’ia dal mbanë, ndoshta edhe do të gaboj. Por nëse ia dal mbanë, jam i sigurtë se do të jetë një gjë interesante dhe e denjë : pse jo, siç është aspirata ime e fshehtë, një vepër e vërtetë me poezi. Mirë. Heshtja jote më ka ngjallur dyshimin se ideja, e miratuar prej teje, ka gjetur objeksione gjetkë. A ka mundësi? Nga ana tjetër do të ma kishe thënë, mendoj.

Megjithatë, duke e shmangur a priori këtë hipotezë ogurzezë, po ta përsërit kërkesën për sqarime, pa të cilat nuk mund t’i futem punës. .. Po të mos zgjidhen të gjitha këto çështje me letër, të lutem të më ftosh që të flasim gojarisht për të. Mbi të gjitha të lutem të mos qeshësh, të mos besosh në një shaka apo lojë. Është puna që tash më intereson më shumë se çdo gjë tjetër. Të përshëndet dhe të falenderoj. Pres urdhëra.

Me dashuri

Dino Buzzati