Një sofizëm për universitetet private

0
45

MIMOZA HAFIZI, 17 Mars 2013

Një strategji për arsimin e lartë, e shpallur më 8 mars të këtij viti nga Ministria e Arsimit, është hedhur në mjedisin universitar për të trazuar shpirtrat e përgjumur, të përkundur nga bindja se kësaj qeverie nuk i ka ngelur më kohë për dëme të reja në arsimin e lartë. Por ja ku shfaqet një strategji në muajt e fundit para ikjes së kësaj qeverie, një dokument që përmes blabla- blave të recituara në vite lëshon dhe tezën e financimit me paratë publike të universiteteve private, rreth së cilës sillen tashmë gjithë hamendjet, shqetësimet, frikërat, brengat a supozimet. E kam lexuar germë për germë atë dokument që të gjej arsyetimin e shprehur a të fshehur në mbështetje të një teze të tillë.

E gjeta diku nga mesi, shumë të strukur në rreshta të stërgjatur të stilit “Qeveria do të rishikojë mekanizmat e financimit të institucioneve të arsimit të lartë duke e bazuar atë në tregues të qartë e të matshëm të performancës akademike… Pjesa më e madhe e fondeve publike do të ndjekin studentin. Kjo është një filozofi e drejtë, në të cilën fondet publike shpërndahen kryesisht në bazë të performancës së universitetit… universitetet private… nën statusin e një organizate a biznesi jofitimprurës… bazuar në ekuitetin e shpërndarjes së përfitimeve publike… do të kenë mundësi të aplikojnë për fonde publike”. Arsyetim sofist që sintetizohet në silogjinë: Fondet publike duhet të ndjekin performancën e universitetit. Numri i studentëve tregon performancën. Fondet publike duhet të ndjekin studentin.

Shkurt, universitetet private mund të marrin pjesë nga buxheti i shtetit shqiptar për arsimin. Sepse aty mësojnë të rinj shqiptarë! Të rreshtuar si gjymtyrë fjalie në vargun e një sofizmi. Universitetet private, me një të shkruar e zezë mbi të bardhë, mund të marrin paret publike që historikisht dhe tradicionalisht u kanë takuar vetëm universiteteve publike. Kjo lojë logjike më çoi të kërkoja nëpër fjalorë se ç’është sofizmi: Një argument i gabuar me dukje korrekte, që përdoret në retorikën e rrenave. Për të mashtruar njerëzit. Po ku fshihet argumenti i gabuar në sofizmin e strategjisë së hedhur nga Ministria jonë e Arsimit?

Sigurisht, te pohimi se numri i studentëve të një universiteti lidhet me performancën. Le ta arsyetojmë duke treguar se si realizohen pranimet e reja në universitetet shqiptare, se si mbushen auditorët e tyre me studentë. Ekziston një mënyrë konkurrimi nëpërmjet procedurës së quajtur Maturë Shtetërore. Procedurë shumë e përfolur dhe e degraduar, porse është ajo makina e radhës që i vë në konkurrencë maturantët për të gjetur se kush e merimeriton hyrjen në universitet. Mbi bazën e pikëve të grumbulluara nga secili dhe përputhjes me dëshirat dhe aspiratat, rrjedh programi i studimit ku ai pranohet, në njërin nga 13 universitetet publike të Shqipërisë. Ky është një lloj konkursi kombëtar, që në një farë mënyre i jep argument lidhjes performancë universitarenumër studentësh.

E cila vlen, pra, vetëm në rastin e universiteteve publike. Lidhje që gjithsesi nuk mund të përdoret në formën e saj kaq të thjeshtë për financimin e universiteteve publike pa i vënë disa barriera të reja që lidhen me cilësinë dhe akreditimin. Duke kërkuar që financimi të jetë efikas e të shkojë në dobi të performancës së universitetit e përgatitjes dinjitoze të studentëve. Po në universitetet private? Me ndonjë përjashtim krejt të rrallë, aty shkojnë vetëm studentët që nuk e kanë fituar programin e dëshiruar në njërin nga universitetet publike.

Paguajnë shuma marramendëse në hyrje dhe marrin një diplomë në dalje. Askush nuk ka kontrolluar se ç’ndodh aty brenda, as Agjencia e Akreditimit, siç Ministria pretendon. Sepse kjo Agjenci ka akredituar çdo universitet privat që ka trokitur në derën e saj. Janë akredituar shumica ndërmjet 46 universiteteve private shqiptare, të lindur brenda një dhjetëvjeçari e që kanë dyfishuar brenda një trevjeçari numrin e diplomave të tyre. Janë akredituar pavarësisht se skandalet që ndodhin brenda tyre kanë marrë udhët e Europës. Janë akredituar pa dallim, ndonëse mes tyre ka dallime të dukshme.

Pra, a mund të quhet tregues i performancës numri i studentëve që frekuentojnë një universitet privat? Sigurisht që jo. Ai mund të jetë vetëm treguesi i kaosit të shtetit. I performancës së tij për të mashtruar e zhvatur qytetarët e vet. E këtu s’po futem në labirintin e preteksteve boshe për universitete private jofitimprurëse! Që, fitimprurëse apo jo, i rregullojnë aq sa duan vetë pagat e shpërblimet për drejtuesit a pedagogët e privilegjuar, siç kemi ngelur gojëhapur së fundmi me shumat marramendëse që shpërndahen në ato mjedise. U dashka pra që një popull i tërë të paguajë përmes taksave atë abuzim të dyfishtë.

Nëpërmjet buxhetit publik. Për simetri të situatës, po kujtoj silogjinë e thjeshtë e pa mashtrime sofiste që hedh herë pas here një koleg i imi fizikan, njeri shumë i njohur e me sens kritik: Paret tona i administron shteti. Ky shtet është kot. Paret tona shkojnë kot. Shkuan kot gjatë një mandati që e la arsimin e lartë shqiptar në dëshpërimin e pikëpyetjen më të madhe të historisë së vet. Mandatit të një qeverie që s’la goditje pa i dhënë këtij arsimi. Por që fatmirësisht po mbyllet. Edhe tre muaj! /Panorama/