Fushatë kundër vetvetes

0
94

Afrim Krasniqi

NGA: AFRIM KRASNIQI

Gjatë turit evropian në fushatën presidenciale amerikane, kur gazetarët e pyetën kandidatin Barak Obama rreth qëndrimeve kritike të kandidatit rival Xhon McCain, ai u përgjigj se kishte vlerësime pozitive mbi kundërshtarin, duke sqaruar se “në SHBA të dy jemi rivalë, por jashtë SHBA-së, të dy jemi amerikanë”. Qëndrimi i presidentit Obama nuk është i ri për praktikat amerikane të sjelljes politike. Kështu ka vepruar çdo president, politikan dhe zyrtar amerikan sa herë që është ndodhur në vizitë jashtë vendit, apo para një audience të huaj mediatike.

Kështu ndodh edhe me elitat politike në vendet e tjera me demokraci solide, siç janë Britania, Franca, Gjermania, Italia, apo shtete më të vogla deri edhe Kroacia apo Sllovenia fqinje. Në asnjë rast, asnjë politikan i këtyre vendeve nuk ka ndodhur të mbajë fjalime, të etiketojë apo të denigrojë rivalët e brendshëm politikë përpara një auditori të huaj. Sepse në konceptin perëndimor, një shtetar dhe një politikan i përgjegjshëm është njëherësh edhe një shtetas e qytetar i përgjegjshëm, i cili për asnjë arsye nuk mund të lobojë e promovojë qëndrime që ndikojnë në imazhin e vendit të tij.

Në kontrast të thellë me këto sjellje dhe praktika pozitive, të shndërruara tashmë në norma politike e morale për elitat politike, vjen përvoja e disa vendeve të doktrinuara ish- komuniste, si Shqipëria, ku ende rivali politik konsiderohet një e keqe e madhe për vendin, kombin dhe rajonin. Duke refuzuar kritikën dhe garën e ndershme politike për pushtet, fituesi dhe humbësi i zgjedhjeve shohin tek njëri-tjetri as më pak e as më shumë se një armik, një keqbërës, një rrezik për demokracinë, një individ që duhet denigruar me çdo formë dhe mjet. Dhe pasi mbushin me sulme e sharje podiume e sheshe, faqe të porositura gazetash, ekrane televizive dhe konferenca shtypi ia lejojnë vetes të përdorin kredencialet e shtetit shqiptar për të vijuar fushatën denigruese edhe në institucionet politike e publike ndërkombëtare.

***

Më 1993-1995, shteti shqiptar harxhoi energji të mëdha për të bindur ndërkombëtarët (përfshirë edhe fjalime politike në Strasburg, Bruksel dhe Vjenë) se lideri i opozitës së atëhershme ishte hajdut ordiner dhe një komunist i pandreqshëm, rrezik për demokracinë në rajon. Më 1997-1999, shteti i atëhershëm harxhoi energji të pafundme për të bindur politikën dhe opinionin perëndimor (përfshirë fjalime zyrtare në kryeqytete europiane) se opozita dhe lideri i saj ishin terroristë, kriminelë, nacionalistë dhe si të tillë, një kërcënim për paqen në vend e në rajon. Më 2003-2004, të njëjtat energji u harxhuan në fushatën politike midis qeverisë dhe opozitës, me dallimin se këtë herë etiketimi kryesor lidhej me nivelin e korrupsionit të secilës palë.

Çdo njoftim zyrtar mbi takimet apo pjesëmarrjet ndërkombëtare, i partive të mëdha, i institucioneve kryesore si qeveria apo parlamenti etj, nuk përmend çështje të biseduara në të mirë të problematikës dhe axhendës shtetërore, por vetëm deklarata e reagime që lidhen me politikën e ngushtë të ditës, kryesisht pro dhe kundër aksioneve politike të vet partive të mëdha. Ne jemi gjithashtu dëshmitarë aktivë të përsëritjes së fenomenit në ditët, javët dhe muajt e fundit, ku secila palë mban fjalime në Berlin, Bruksel, Strasburg apo Romë kundër palës tjetër, duke e etiketuar rivalin e brendshëm politik si mafioz, terrorist, të korruptuar dhe diktator. Dhe në fund, ashtu siç ndodhi me ata të viteve 1993-1995, 1997-1999 apo 2003-2004, edhe këtë herë protagonistët janë gati për marrëveshje politike nën presionin ndërkombëtar.

Në këtë teatër absurd problemi nuk lidhet me personat, por me sjelljen, efektet, pasojat në imazhin dhe politikën e jashtme të shtetit shqiptar. Imagjinoni çfarë përfitimesh do të kishte Shqipëria nëse disa qindra takime ndërkombëtare, disa dhjetëra intervista në median e huaj, disa mijëra takime në nivele politike etj, të ishin përdorur jo për konsum të brendshëm politik, denigrimin e rivalit të brendshëm politik, por në interes të projekteve konkrete ekonomike, politike, ushtarake, sociale e kulturore për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Imagjinoni sa gjëra të mira do të ishin bërë për shtetin shqiptar dhe qytetarët nëse të gjitha institucionet e shtetit, Kryeministria, Parlamenti, ministritë, gjykatat, KQZ, njësitë vendore apo partitë politike nuk do të harxhonin periodikisht pjesën më të madhe të kohës dhe potencialit të tyre njerëzor e administrativ për luftë politike ditore kundër kritikave të radhës.

Imagjinoni ndërkohë që çfarë mund të mendojë një eurodeputet europian, i cili prej 19 vjetësh dëgjon në foltoren e Brukselit liderët politikë shqiptarë të akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje vote, lidhje me mafian, imoralitet familjar, apo për akte kriminale e sjellje diktatoriale. Imagjinoni çfarë mendon realisht një politikan apo gazetar europian kur në pjesën e parë të bisedës bombardohet me fjali pafund mbi arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit, kurse në pjesën e dytë të bisedës i thuhet se opozita ose maxhoranca janë klane mafioze të lidhura me krimin dhe mafian në rajon! Imagjinoni si mendon realisht një eurodeputet në Strasburg, që merr brenda ditës 3-4 letra zyrtare të palëve e nënpalëve në Shqipëri, të cilat akuzojnë njëra- tjetrën për falsifikime apo mashtrime në raport me Këshillin e Europës.

Kjo formë sjelljeje tipike provinciale dhe feudale, ku prijësit lokalë kërkonin aleanca të huaja kundër princërve rivalë lokalë, të kujtojnë atë njeriun që pasi ka mbjellë një pemë, hipën në të dhe fillon të sharrojë me sharrë të gjitha degët e saj, pa e kuptuar se në fund nuk ka ku të mbahet dhe se vetë pema do të rrëzohet. Vetë bilanci politik flet kështu. Më 1991 dhe 1997-ën u deshën të na vijnë në ndihmë trupat ushtarake të NATO-s për të siguruar rendin, qetësinë, rrugët dhe furnizimet me ushqime. Më 2010-ën, në procesin integrues jemi 10 vjet pas, në të njëjtin grup me vende që kanë kaluar luftëra civile dhe kanë shkaktuar luftëra, madje janë bombarduar nga vetë shtetet kryesore të BE-së.

Në vend që të shfrytëzojmë prezencën tonë europiane (Bruksel, Berlin, Paris, Strasburg, Vjenë) për të lobuar bashkërisht për përafrim të procesit integrues, liberalizim të regjimit të vizave dhe shkëmbimeve tregtare, si dhe për njohjen dhe promovimin më shumë të shtetit të ri të Kosovës, ne e nisim vitin 2010 me një gjyq diskretitues politik në Strasburg, ku me të drejtë klasës politike të Tiranës i jepen ultimatume që të flasin, thjesht të takohen dhe të flasin me njëri-tjetrin për zgjidhjen e krizës së shkaktuar prej tyre.

Natyrisht që kriza aktuale politike do të ketë një zgjidhje, pavarësisht kohës dhe çmimit të momentit. Natyrisht që edhe vizat do liberalizohen, edhe Shqipëria nuk do ndryshojë vend në hartën europiane, aty ka qenë e aty do të jetë. Por, nëse nuk mësojmë të respektojmë njëri-tjetrin, mendimet dhe kritikat e gjithsecilit, nëse nuk mësojmë se demokraci do të thotë jo vetëm pushtet por edhe përgjegjësi, moral, integritet, atëherë ajo që po ndodh e do të ndodhë, do të jetë investimi pafund i një imazhi me pasoja negative dhe afatgjata për Shqipërinë, shtetin shqiptar dhe faktorin shqiptar në rajon.

Të gjithë u indinjuam kur presidenti i Kostarikës krahasoi modelet negative të Amerikës Latine me Shqipërinë, por të gjithë ndërruam mendje kur në mbrëmje pamë e dëgjuam ulërimat sharëse, fyese dhe denigruese në shqip e në anglisht të liderëve tanë kryesorë politikë dhe vendimmarrës. Sepse ashtu si Konica apo baladat e Rozafës, edhe ne po shohim se si aspiratat dhe projektet tona kombëtare nuk po pengohen nga të huajt, as nga fqinjët rivalë, por nga vetë një pjesë e shqiptarëve, paradoksalisht, nga ajo që është mandatuar të bëjë të kundërtën.