Gjykata Kushtetuese në mbrojtje të diktaturës

0
48

Mark Marku

Mark Marku, 02.02.2010

Sipas informacioneve të botuara në media, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për të shpallur si antikushtetues ligjin e lustracionit të miratuar para disa muajsh nga Kuvendi i Shqipërisë. Edhe pse detajet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbardhur ende, një gjë është bërë e qartë: kjo gjykatë ka shpallur si antikushtetuese nenet e këtij ligji, që synojnë zbardhjen e veprimtarisë së personave të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe të emërtuar në nivelet e larta të disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit. Sipas këtij ligji, të zgjedhurit në Kuvendin e Shqipërisë dhe titullarët e disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, duhet të mos kenë asnjë implikim me organet e diktaturës si gjykatat, Prokuroria, sigurimi i shtetit, përndryshe me t’u miratuar ligji atyre u ndërpritet mandati dhe u ndalohet të zgjidhen apo emërohen në institucionet e parashikuara me ligj.

Në thelb ligji është përpjekja e parë serioze për t’u ndarë nga e kaluara komuniste. Është përpjekja e parë për të ndaluar infiltrimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit dhe ish-funksionarëve të lartë të institucioneve të diktaturës komuniste në institucionet demokratike. Edhe pse një ligj i vonuar, ai është një ligj i domosdoshëm. Vonesa në miratimin e këtij ligji ka qenë dhe vazhdon të jetë tregues i pamundësisë së shoqërisë shqiptare dhe të institucioneve demokratike për t’u ndarë nga e kaluara komuniste.

Kjo vonesë ka treguar se sa të vështirë e ka pasur dhe procesin e dekriminalizimit shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar. Por fakti që edhe pas një vonese kaq të madhe, prapëseprapë gjendet një institucion kaq i rëndësishëm si Gjykata Kushtetuese, që e pengon zbatimin e këtij ligji, na bën të kuptojmë se jo vetëm jemi shumë larg ndarjes nga krimet e diktaturës dhe institucioneve të saj kriminale, por edhe se një pjesë e institucioneve tona demokratike vazhdon të funksionojë ende si zgjatim i institucioneve të diktaturës.

Si argument kundër ligjit për hapjen e dosjeve është përdorur supozimi se ai shkel të drejtat dhe liritë e ish-funksionarëve të sigurimit të shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të ish-funksionarëve të lartë të aparatit shtypës diktatorial dhe kryesisht të drejtën e tyre për t’u zgjedhur dhe për të ushtruar detyrën e funksionarëve të lartë në disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Në vazhdim të këtij argumenti thuhet se ai nuk është në përputhje me demokracinë.

Një argument i tillë nuk është përdorur nga vendet evropiane në qëndrimin e tyre ndaj bashkëpunëtorëve të fashizmit pas Luftës së Dytë Botërore. Gjermania Perëndimore, jo vetëm që nuk i lejonte të zgjidheshin apo të ishin funksionarë të lartë të shtetit ish-bashkëpunëtorët e regjimit nazist, por edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i ndjekë dhe nëse i gjen diku të strukur, siç ka ndodhur me disa ish-oficerë nazistë të kapur në Argjentinë, i ka dorëzuar në gjyq. Po kështu edhe pas viteve ’90, po ky shtet ndër më demokratikët e botës, i ndaloi ish-funksionarët e diktaturës dhe ish-agjentët e shërbimit sekret gjermano-lindor, jo vetëm që të ishin anëtarë Parlamenti, por edhe që të ushtronin funksione të tilla si mësues shkolle e në ndonjë rast edhe të mos merrnin pjesë si sportistë në ekipet sportive olimpike.

E njëjta gjë, me përjashtime të rralla ka ndodhur edhe në vendet e tjera të Lindjes, ku rasti më i fundit ishte ai i para dy muajve, ku Presidenti polak ndërmori një iniciativë ligjore për përgjysmimin e pensionit të ish-funksionarëve të diktaturës komuniste dhe të ish-bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete. Iraku i pasluftës, ku ish-bashkëpunëtorëve të regjimit të Sadam Hyseinit u është ndaluar që të marrin pjesë në shumë nivele të qeverisjes dhe të administratës është një tjetër shembull.

Nuk ka kuptim që për Shqipërinë të kërkohet një standard tjetër. Shqipëria që ka përjetuar regjimin më të egër diktatorial e ka më të domosdoshme se askush tjetër një spastrim rrënjësor të institucioneve demokratike nga ish-funksionarët e regjimit shtypës të diktaturës dhe ish-bashkëpunëtorët e sigurimit famëkeq të shtetit.

Ata kanë qenë kontingjenti që ka mbajtur në këmbë gjithë ngrehinën e diktaturës. Nëse diktatura komuniste zgjati aq gjatë, kjo ndodhi sidomos falë tyre. Nëse kjo diktaturë ishte aq e egër kjo ndodhi sidomos për meritë të tyre. Nëse ajo ishte aq perverse, kjo ndodhi sepse mbahej në këmbë prej atyre farë krijesash njerëzore të quajtur sigurimsa. Pasi ndërtuan regjimin më të egër komunist të Evropës, ata u përdorën për ta bërë perverse dhe jo jofunksionale demokracinë shqiptare. Regjimi që po binte e konservoi dhe e rilindi veten brenda sistemit demokratik ,pikërisht nëpërmjet spiunëve dhe ish-funksionarëve të lartë të regjimit. Partia e Punës i nxori një pjesë të tyre nga dosjet e sigurimit dhe i hodhi në skenën politike. Partitë politike të pluralizmit dhe Parlamenti ishte i mbushur aq shumë me ta, sa p.sh në Parlament nuk mund të miratohej një ligj sepse spiunët përbënin shumicën dhe ligji rrezikonte të mos miratohej.

Dukej se pas kaq vitesh, ata e kishin humbur pushtetin e tyre. Dukej sikur më në fund një ligj, (edhe pse jo i plotë dhe me shumë mangësi), do të mund t’i nxirrte ata jashtë institucioneve shtetërore dhe jashtë Parlamentit. Por ja që del Gjykata Kushtetuese dhe e kthen edhe njëherë procesin në pikën e nisjes. Duke rikonfirmuar edhe njëherë faktin se shoqëria shqiptare nuk mund të dekriminalizohet aq lehtë.

Është detyrë e maxhorancës parlamentare aktuale që të përballet me sfidën që i ofrojnë organet që shërbejnë si zgjatime të diktaturës në demokraci. Në këtë kuptim do të ishte me vend që të miratohet një ligj edhe më i plotë, edhe më rrënjësor, por edhe më i paqortueshëm nga pikëpamja juridike. Një ligj që ta shkëpusë përfundimisht nga e kaluara dhe institucionet e saj. Vetëm pas këtij akti do të mund të flitej për legjitimitet moral të sistemit tonë demokratik. Deri atëherë legjitimiteti moral i sistemit tonë demokratik do të jetë i cunguar.