PROBLEMI I LIGËSISË NË POLITIKEN SHQIPTARE

0
41

Shenasi Rama

Cfarë është Ligësia? Ligësia është dicka që bën dëm e keq, dicka që nuk është e pajtueshme me zhvillimin normal të qënies dhe që con deri ne shkaterrimin e saj. Jo më kot, problemi i Ligësisë është një problem që i ka munduar teologët e të gjithë feve sepse dikush duhet me shpjegue në se Zoti e ka krijuar vetë të keqen e Ligësinë, apo se nuk ka qënë i aftë ta ndalojë zhvillimin e saj e prandaj fuqitë e tij janë të kufizuara dhe ka dicka mbi vetë Zotin.

Në të njëjtën mënyrë, prania dhe efektet e Ligësisë, kësaj here si problem politik i kanë munduar të gjithë studjuesit e shoqërive njerëzore. Asnjë shoqëri nuk është e përsosur. Edhe pritshmëria se do të ketë një nivel të lartë përsosmërie në shoqëri, edhe në projektet utopike, sigurohet shpesh me izolimin e një shoqërie të caktuar nga të tjerët.

Në rastin e një shoqërie normale, e mira dhe e virtytshmja mbisundojnë të keqen e Ligësinë. Ligësia dhe e keqja janë të dënueshme me ligje e me norma morale. Hajnat, vrasësit, të korruptuarit e të gjithë që sillen në mënyrë të ligësht e të keqe dënohen, ostracizohen, izolohen, burgosen, apo dëbohen nga shoqëria. Për mes ritualeve të veta, normave morale, sistemit të nderimit e të shpërblimit, të mirënjohjes e të seleksionimit, shoqëria përzgjedh atë që është e mirë, e dobishme, e vyeshme, e drejtë, dhe e pranueshme për të gjithë e për të mirën e përbashkët. Në këtë mënyrë ndërtohen sistemet shoqërore ku njerëzit e pranojnë rendin shoqëror dhe i binden ligjit, sepse në mos tjetër, shprehimisht ligji është ndalesa e së keqes. Forca dhe dhuna përdoren për të ndaluar të keqen e Ligësinë, për ta përjashtuar atë dhe manifestimes e saj nga jeta publike e shoqërore.

Problemi i Ligësisë në shoqërinë shqiptare

Në rastin tonë si shqiptarë, prania e Ligësisë në procesin politik është massive dhe influence e Ligësisë është tejet komplekse. Së pari, Ligësia dhe e keqja është e gjithkundgjindshme në sistemin politik shqiptar. Së dyti, Ligësia ka përcaktuar moralin sundues dhe vlerat e shoqërisë shqiptare. Së treti, kjo prani kaq hegjemonike dhe sunduese e Ligësisë, si në vlera ashtu edhe në funksionimin e shoqërisë e ka vënë shoqërinë shqiptare në një hulli krejt tjetër nga shoqëritë e tjera normale. Së katërti, natyrshëm duhet shtruar pyetja se a duhet bërë gjë dhe në se po si duhet vepruar.

Normaliteti i Ligësisë dhe i të keqes

Së pari, në rastin tonë, gjatë tranzicionit drejt askundit dhe si askund tjetër, shoqëria shqiptare nuk ka se cka me tregue si mbrritje e kultivim të së mirës e të virtytit. Eonomia kombëtare është e shkatërruar dhe pasuria kombëtare është shpërdoruar. Një milion e gjysëm njerëz janë detyruar të emigrojnë. Këta ishin gjysma e popullsisë shqiptare. Tani po kthehen si njerëz me duart e arta, profesionistë, por që janë shpirtna të humbur, pa të ardhme, pa të shkuar e pa shpresë sepse mërgimi i ka thyer dhe në shtetin shqiptar nuk gjejnë më asgjë.

Shoqëria është e fragmentarizuar dhe nuk ka as elementët bazë të një morali të shëndoshë që ta mbajnë bashkë. Kriminalizimi është në rritje. Të gjithë janë të përfshirë në rrjetën e sjelljes jot ë ndershme, sepse nuk fundksionohet ndryshe. Materializmi është bërë ekstrem. Paria sunduese janë monstra të nivelit më të ulët që mund të gjinden. Kur e sheh nga jashtë shoqëria shqiptare duket si një kamp përqëndrimi ku njerezve iu është dhënë vetëm një mundësi që të hanë njëri tjetrin dhe të shpresojnë se atë vetë do ta hanë të fundit.

As Dreqi nuk do të kishte punuar me kaq kujdes për të ndërtuar këtë system që ka ndërtuar paria e Tiranës. Ligësia është bërë normale, ligësia është parimi mbi të cilin funksionohet, Shteti dhe strukturat janë në shërbim të Ligësisë. Më e shumta që mund të bëjë njeriu i ndershëm, i moralshëm dhe i drejtë, ai që e don të mirën për vetë dhe për të tjerët ëshët që të ruajë veten e familjen e vet. Ata që besojnë drejtohen tek feja. Ata që nuk besojnë jetojnë në heshtje. Ata që nuk durojnë gjejnë një rrugë e sikterisen në mërgim. Dhe nga sipër e nga larg, duket sikur Ligësia ka triumfuar në shtetin shqiptar.

Ligësia dhe Morali shoqëror në Shtetin Shqiptar

Së dyti, ligësia ka përcaktuar moralin e pranueshëm shoqëror dhe normat në bazë të të cilave funksionon shoqëria dhe shteti. Me vjedhë, me grabitë, me rrënue, me poshtërue, me degjenerue e me zvetënue janë praktika të njohura. Shoqëria shqiptare është shoqëri e kriminalizuar deri në thelb. Në dukje me buzëqeshje me fjalë të ëmbla ‘respekte zoteri’ e me thikë mbas shpine e me poshtërsi. Gjithcka e ka një cmim dhe gjithkush e din cmimin që ka njeriu dhe veprimi. Krimet që janë bërë nuk kanë fund e nuk kanë të numëruar.

Dhe më e keqja është se të gjithë kanë brohoritur kriminelët e banditët, veglat dhe cubat, hajnat e trafikantët. Askush nuk flet. Edhe kur krimi të ndodh para syve. Të gjithë vjedhin. Vjedhin vota. Vjedhin prona. Vjedhin jetë. Vjedhin të ardhme. Vjedhin shpresë. Të gjithë vrasin. Vrasin me grurë kanceroz. Vrasin me qumësht të helmuar. Vrasin me ndotjen e ambjentit. Vrasin me injorancën e mungesën e edukimit. Vrasin me dëbimin masiv të njerëzve. Vrasin edhe me shkëputjen me dhunë të njerëzve nga trualli e nga vendi i tyre.

Dhe morali shoqëror thotë se ligjin e bën i forti ka legjitimuar poshtërsitë, krimet veset, ndyrësitë, veshjet, sjelljet, normat morale e e modelet, se me që ra fjala, sonte është Zhigoloja tek Big Brother, që do t’i mesojë shqiptarët se sit ë bëhen lojë për seks në tokat e në vendet e huaja. Në sipërfaqe duket se Ligësia ka triumfuar, por kjo është sipërfaqja se ka dalë llumi i parisë mbi ujë. Por tashmë shqiptarët nuk pajtohen më me këtë sjellje. Nuk përzihen uthulla me vajin dhe shqiptarët nuk e pranojnë këtë moral vecse nga halli që I ka zënë.

A jemi një shoqëri normale?

Tashti që të kuptohet qartë, Ligësia është si puna e kancerit. Trupi funksionon në një mënyrë të caktuar. Mirëpo, në një moment të caktuar dobësie, një nga qelizat shkon e zë vend në një vend ku ka qënë një plagë dhe aty fillon luftën kundër trupit të vet. Kjo qelizë bëhet armiku për vdekje dhe lufton deri sa e shkatërron organizmin. Ky është kanceri. Po ta përkthejmë këtë në nivelin e shoqërive, ne jemi një shoqëri që na ka zënë kanceri i poshtërsisë dhe i Ligësisë. Plaga që gjetën qeliza e jonë e keqe, paria e Tiranës ishte dhimbja që kishim përjetuar gjatë sistemit të kaluar dhe mjerimi material e zhveshja nga normat e moralit normal. Ata panë një mënyrë për t’u pasuruar e për të shfrytëzuar një popull që ishte tërësisht i lodhur dhe i coroditur. Dhe deri këtu duket se kanë triumfuar.

Problemi është se në shoqërinë e kombeve, ne nuk dukemi një shtet normal. Askush nuk na trajton si normal. Askush nuk na respekton. Askush nuk na nderon. Pasaporta e jonë nuk ka vlerë. Ne na shohin kudo që shkojmë si prostitute e kodoshë, trafikantë e njerëz që nuk e njhin ligjin, si vrasës e si hajna, si një plagë kanceroze në brinjë të Europës. Lufta kundër kancerit bëhet që ta mbash të izoluar. Edhe ne na kanë izoluar këtu. Sa e panë se vizat po shpërdoroheshin thanë do ti heqin. Sa e ndjenë veten keq ekonomikisht, nisën të na dëbojnë nga Europa.

Sa e shohin se edhe ne jemi pajtuar me të keqen, kanë nisur të na izolojnë edhe një herë që të hamë veten. Europa e njëh mirë Ligësinë dhe e din se asnjë trup njerezor, asnjë qenie, asnjë shoqëri, e as një shoqëri kombesh nuk do të mund të jetojë pa të keqen. Prej aty ku janë ata, ne jemi kanceri i tyre dhe Ligësia. Jemi edhe e keqja e domodoshme sepse nga diku duhet të vijnë drogat, femrat që kërkon Berlusconi dhe që ia premon Sali Berisha, pushtet, kodoshet, mishi i bardhe, armet, vrasesit, e gjithe llumi i shoqërisë. Cdo shtepi e ka një gjiriz dhe Ligësia e parisë n aka shndrruar në gjirizin e Europës.

Ligësia dhe e Ardhmja e shqiptarëve

E keqja mendohet gjithnje si dicka jashta nesh. Djalli vjen te fuse njeriun e mire ne ngasje. Por e keqja eshte ndryshe. E keqja vjen ne trajten e njeriut më të afërt e më të dashtun. Lisi cahet me pyken e vet, trupi njerëzor sëmuret nga qeliza e vet dhe shoqëria bëhet e ligë kur një qelizë fillon luftën kundër saj. Qeliza qe lufton kundër trupit të shëndoshë të shqiptarëve janë paria e tyre sunduese.

Në se nuk bëhemi një shtet-komb normal, dhe në se Europa nuk do të mudn të na izolojë, është vetëm ceshtje kohe para se të konsiderohemi si rrezik vdekjeprorës dhe të gjenden rrugë për të na minimiuar në numër, për të na bërë të pafuqishëm, për të na izoluar dhe për të na lënë që të hamë njëri tjetrin. Edhe kanceri vetë vdes kur i vdes një pjesë e qelizës. Në rastin tonë, kjo pjesë e keqe është paria e Tiranës. Njërezit tanë janë të mirë dhe këtë e shohim kur iu jepet mundësia. Edhe ata që në shtetin shqiptar sillen si llumi I botës, kur dalin jashtë ulin kokën e sillen mirë sese ka ligje e rend, sepse shoqëritë kanë moral dhe nuk pranohet të sundojë e keqja.

Këto zgjedhje i kemi të humbura, sepse paria e ka ndarë lojën dhe do të fitojë. Këta janë marrë vesh bashkë që të mos ndalen deri sa trupi I kombit të kthehet në një kancer gjigand. Por është koha, gjithnjë është koha me kthye rrugë, me pa nga e mira, nga normalja, nga e moralshmja, nga e duhura. Kurrë nuk është vonë me ndrrue rrugë dhe me u ba një shoqëri si gjithë të tjerat, një komb si gjithë të tjerët, një shtet si gjithë të tjerët. Ligësia nuk duhet lejuar të triumfojë. Ajo nuk ka triumfuar sepse masa e madhe e shqiptarëve din se sit ë sillet me nder. Masa e madhe e shqiptarëve e dinë se c’është frika. Ne jemi një popull që e ngritur në këmbë me një ngritje gishti një polic në stadium. Ndoshta kjo që ka ndodhur e që po ndodh nuk është tjetër por vetëm një reaksion ndaj asaj të keqe që përjetuam.

Por koha është për reflektim. Duhet të dalim nga mendësia e kampit të përqëndrimit. Ligësia që po shfaqim mund të jetë e kushtëzuar nga situate, Në kampet e përqëndrimit edhe njerëzit më të mirë e më të moralshëm janë sjellë si bisha. Ndoshta, po të bëjmë shtetin e duhur, të vendosim moralin e rendin e duhur shoqëror, Ligësia që po na sundon do të vdesë si kanceri që nuk e duron terapinë e fortë dhe tkurret e tkurret deri sa vdes.