LMN bashkë me Berishën, kundër PS-së

0
21

LMN

E.J. 31.01.2010

TIRANË – Pesë deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS kanë tentuar pesë ditë më parë që t’u ndryshojnë mendjen socialistëve të KE-së për të mos mbështetur bojkotin e Partisë Socialiste.

Paralel me rezolutat që propozoi Partia Demokratike në KE, pjesa kryesore e të cilave u rrëzuan nga ana Këshilli i Europës, deputetëve socialistë u ka shkuar edhe një letër e firmosur nga Kastriot Islami, Ben Blushi, Arben Malaj, Marko Bello dhe Andis Harasani.

Duke e quajtur veten si bashkëthemeluesit e Partisë Socialiste, pesë deputetët i kanë kërkuar përfaqësuesit të grupit parlamentar socialist, Andreas Gross, që të mos miratojë qëndrimin e socialistëve shqiptarë.

Por, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga ana e Gross dhe socialistëve në KE, të cilët kanë insistuar deri në miratimin e rezolutës që kërkon hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapje të kutive të votimit.
“Ne, të nënshkruarit, jemi anëtarë të parlamentit nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Ne jemi bashkëthemeluesit e Partisë Socialiste 18 vjet më parë dhe jemi aktivisht të përfshirë dhe të përkushtuar në reformimin e saj nga një parti komuniste në një anëtare të Internacionales Socialiste gjatë viteve 1991-2009.

Gjatë qeverisjeve të mëparshme socialiste, ne kemi qenë ministra. Ne jemi shumë të shqetësuar për rrugën që ka ndërmarrë Partia Socialiste pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, e cila e ka lënë PS-në jashtë parlamentit”, – thuhet në letrën e pesë deputetëve.

Sipas tyre, PS humbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Këto zgjedhje u monitoruan nga një mision vëzhguesish dhe u certifikuan si të lira dhe të ndershme, edhe pse kishte parregullsi.

Por, përpos këtyre konkluzioneve, PS ka bojkotuar parlamentin, duke parandaluar përfaqësuesit e saj për të bërë betimin si deputetë. Pesë deputetët shkruajnë në letër se institucionet kryesore ndërkombëtare dhe vendet kryesore të Bashkimit Europian dhe të NATO-s i kanë kërkuar PS-së që të mbarojë bojkotin dhe të arrijë një marrëveshje të negociuar me mazhorancën për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri.

“Ne i kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme Partisë Socialiste që të heqë dorë nga bojkoti parlamentar dhe të zërë vendet e saj në Kuvend.

Por, deri tani, jemi pajtuar me vendimet politike të PS-së. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më gjashtë mars 2010 përfundon mandati për deputetët e pa betuar dhe detyron zëvendësimin e tyre me deputetë të tjerë nga lista e kandidatëve. Kjo mund të ketë pasoja ekstreme për të ardhmen e Partisë Socialiste”, – thuhet në letër.

Sipas saj, klima e acaruar politike dhe dështimi i PS-së për të hyrë në Kuvend, shumë mirë mund të ketë impakt negativ në vendimin që mund t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në BE.

“Ne ndajmë këto shqetësime me pothuajse një të tretën e anëtarëve të kryesisë së PS-së, një të tretën e Asamblesë Kombëtare dhe më shumë se 40% të delegatëve të Kongresit”, – përfundon letra e pesë deputetëve.

PESË FIRMËTARËT
Kastriot Islami
Deputet, sekretar për çështjet elektorale, ish-ministër i Jashtëm
Ben Blushi
Deputet, anëtar i kryesisë së PS-së, ish- ministër i Arsimit
Arben Malaj
Deputet, anëtar i kryesisë së PS, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave
Marko Bello
Deputet, sekretar rajonal, ish-ministër i Integrimit
Andis Harasani
Deputet, sekretar për programin e PS
Një përfaqësi e lartë e Asamblesë Parlamentare të KE-së do të vizitojë në fillim të shkurtit Tiranën

*************************************

KE, gati delegacioni që do të negociojë krizën

Për negocimin e marrëveshjes mes PS dhe PD do të vijë në Tiranë Presidenti i Asamblesë Parlamentare, Mevlyd Cavoshuglu dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Thorbjorn Jagland

Këshilli i Europës nuk humbet kohë, por menjëherë pasi miratoi rezolutën për situatën në Shqipëri ka vendosur të zbresë në terren për të zgjidhur krizën që ka mbërthyer klasën politike shqiptare.

Një përfaqësi e lartë e këtij organizimi ndërkombëtar, përfshi Presidentin e Asamblesë Parlamentare, Mevlyd Cavoshuglu dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Thorbjorn Jagland, pritet të vizitojë vendin tonë në fillim të muajit shkurt për të negociuar zgjidhjen e ngërçit politik që është krijuar në vend që pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të shkuar.

Vizita

Kriza aktuale politike e ka detyruar organizmin e rëndësishëm europian, që përveç rezolutës së miratuar, ku i bëhej thirrje palëve të gjenin një zgjidhje urgjente, përmes hetimit të zgjedhjeve dhe rikthimit të opozitës në parlament, të ndërmarrë hapa konkrete, duke zhvilluar takime e bisedime me të gjithë aktorët politikë.

Vizita konfirmohet në faqen zyrtare të Këshillit të Europës dhe në të bëhet e ditur edhe niveli i lartë i përfaqësimit që do të ketë delegacioni që do të vijë në vendin tonë.

“Në përfundim të debatit të saj mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) i kërkoi Komitetit Presidencial, shoqëruar me bashkëpunimin e Komitetit të Monitorimit të raportuesit për Shqipëri, Jako Laakso (Finlandë, UEL) dhe David Uillshir (Mbretëria e Bashkuar, EDG), për të vizituar Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mbështetet procesi i zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe për të ndihmuar Presidentit Topi në rolin e tij i ndërmjetësimit dhe përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik”, – thuhet në njoftimin e Këshillit të Europës.

Siç edhe dihet, Komiteti Presidencial i KE-së përbëhet nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare, Mevlyd Cavoshuglu, Sekretari i Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, si dhe krerët e grupeve politike në të.

Vetë prania e drejtuesve më të lartë të këtij institucioni tregon qartë për rëndësinë që faktori ndërkombëtar po i kushton situatës politike në vendin tonë, e cila, siç edhe evidentohet në rezolutën e miratuar prej tij, rrezikon të penalizojë proceset integruese.

Ky delegacion pritet të japë ndihmën e tij kreut të shtetit shqiptar, Bamir Topi, për të organizuar tryezën e bisedimit mes krerëve më të lartë politik në vend, si dhe të bindë këta të fundit për pjesëmarrjen në të.

Kriza

Në të njëjtin njoftim KE vë edhe një herë theksin te baza e rezolutës së miratuar, duke evidentuar dy sugjerimet për dy partitë kryesore, rikthimin e deputetëve socialistë në Kuvend dhe lejimin e krijimit të një komisioni hetimor parlamentar nga ana e mazhorancës.

“Asambleja i bëri thirrje qeverisë shqiptare dhe e opozitës për t’i dhënë fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrë përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të vazhdojë me reformat e nevojshme jetike”, – thuhet më tej në njoftimin e KE-së.

Por, ajo nënvizon rolin që duhet të luajë në veçanti qeveria në ngritjen dhe hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Në veçanti, ai i bëri thirrje qeverisë për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar hetimor në zgjedhjet e qershorit 2009, dhe i bëri thirrje opozitës që të kthehen në parlament dhe të marrin pjesë plotësisht në punën e saj”, – theksohet në njoftim.

Asambleja vëren se mungesa e dialogut parlamentar pengon seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore. Më tej, duke iu përmbajtur thënieve të përfshira në rezolutë, KE shprehet e keqardhur për mungesën e plotë të dialogut parlamentar, retorikën boshe, çka sipas këtij institucioni mund të destabilizojë më tej vendit.

*******************************

Mazhoranca i përcakton kreut të shtetit, Bamir Topi, rolin që mund të luajë në negocimin e krizës politike

Negociatat, Rusmali: Presidenti ka vetëm fjalën

“I takon atij të thotë që nuk goditet Kushtetuta e vendit nëpërmjet rrugës, nuk goditen institucionet e vendit nëpërmjet protestave”

TIRANË – Megjithëse rezoluta që miratoi Këshilli i Europës, kërkon me ngulm që Presidenti Bamir Topi të ndërhyjë për të zgjidhur krizën politike në vend, mazhoranca kushtëzon rolin që mund të luaj ky i fundit në këtë situatë.

Gjatë një konference për shtyp, kreu i delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës, Ilir Rusmali, i ka kujtuar Presidentit hapësirën ku dhe mund të veprojë në këtë situatë, duke evidentuar se ai nuk mund t’i imponohet palëve në këtë debat, veçse t’i bëjë thirrje atyre për konsensus.

“Besoj që presidenti në çdo Republikë Parlamentare ka një mjet fondamental, fjalën, fjalën e urtë dhe presidenti i republikës e ka këtë mundësi në çdo lloj rrethane”, – tha Rusmali në fjalën e vet.

Më tej, kreu i delegacionit tonë në KE, nënvizoi se Presidentit Topi nuk mund të kryejë rolin e moderatorit për të zgjidhur krizën politike, porse atij i takon vetëm që të mbrojë Kushtetutën dhe të bindë opozitën që t’i japë fund bojkotit, duke bërë kështu të qartë se te qëndrimi i mazhorancës ai nuk mund të ndërhyjë.

“I takon atij të eksplorojë, i takon atij të hulumtojë brenda spektrit politik shqiptar, brenda ambientit politik shqiptar, i takon atij të theksojë publikisht ato mesazhe që theksohen dhe në rezolutë, i takon atij të thotë që nuk goditet Kushtetuta e vendit nëpërmjet rrugës, nuk goditen institucionet e vendit nëpërmjet protestave, i takon atij të thotë që bojkoti në një vend si Shqipëria është i dëmshëm, siç e thotë Asambleja Parlamentare nëpërmjet rezolutës të vet.

Dhe sigurisht është ai që duhet të bëjë përpjekjet që t’i thërrasë të paarsyeshmit drejt arsyes”, – u shpreh më tej Rusmali. Më tej, ai bëri të ditur se ishte kërkesa e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe jo kërkesa e mazhorancës, që Presidenti të luajë rolin e negociuesit për të ulur në tryezë dy liderët e forcave kryesore politike.

Sipas Rusamlit, Presidenti Topi nuk mund të presë asnjë sinjal nga mazhoranca dhe se ai duhet të kryejë atë që i ka ngarkuar Kushtetuta. Konteksti i amendamenteve që delegacioni ynë propozoi në Asamble, sipas Rusmalit, ka qenë pikërisht që të përqendrohen të gjitha përpjekjet, dhe të jepet e gjithë ndihma Presidentit të Republikës, me qëllim që ai brenda kuadrit që përcakton rezoluta të mund të eksploronte zgjidhjen.

Rusmali ka dalë kundër edhe disa amendamenteve të tjera që miratoi Asambleja e Këshillit të Europës, të cilat konfirmuan se në Shqipëri ka krizë politike dhe institucionet nuk po funksionojnë në mënyrën e duhur. Sipas Rusmalit, miratimi i rezolutës nuk evidentoi as krizë politike dhe as bllokim të proceseve integruese të vendit.

“Gjatë diskutimit dhe shqyrtimit në Asamblenë Parlamentare ju bënë dhe shtatë nene përmirësime të ndjeshme, përmirësime të cilat, për shembull, theksojnë fort që Shqipëria pavarësisht bojkotit, nuk ka krizë të institucioneve, theksojmë fort që nuk ka bllokim të proceseve tona integruese”, – theksoi deputeti i PD-së.

Ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e Qershorit, sipas Rusmalit, duhet të respektojë të gjithë kuadrin ligjor dhe nuk mund të dalë mbi vendimet që kanë dhënë gjykatat për zgjedhjet. “Komision hetimor për zgjedhjet në Shqipëri do të thotë në mënyrë përfundimtare komision që respekton kuadrin ligjor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, – u shpreh Rusmali.

Por, i pyetur se çfarë do të hetojë konkretisht ky komision hetimor, Rusmali u përgjigj se do të hetojë të gjitha çështjet përveç hapjes së kutive të votimit. “Do të hetohet në përputhje me të gjitha proregativat që kanë komisionet hetimore për të hetuar mbi çështjet, mbi fenomenet, mbi problemet, mbi zbatimet e ligjit”, – tha ai.

Rusmali argumentoi se komisionit hetimor nuk i lejohet të shkelë vendimet e gjykatave, sepse, sipas tij, është jashtë funksioneve kushtetuese. Sipas tij, pretendimet e kreut të opozitës, Edi Rama, bien poshtë kur shumica e kërkesave të tyre lidhet me vendimet përfundimtare që kanë dhënë gjykatat.

“Pretendimi i zotit Rama bie menjëherë poshtë sapo të konstatoni që të gjitha kërkesat ose pjesa kryesore e kërkesave të zotit Rama, lidhet drejtpërdrejtë me konkluzionet përfundimtare të vendimeve të gjykatës, të kolegjit zgjedhor, p.sh., me numërimet në Berat, me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Berat apo me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Fier”, – nënvizoi Rusmali. Ndërkaq, ai shtoi se asnjë nuk mund të vërë në dyshim përfundimet që ka dhënë në raportin e tij OSBE – OHDIR-i për zgjedhjet e 28 Qershorit.

**********************************

PS: Mazhoranca të pranojë tryezën e presidentit

TIRANË – Partia Socialiste i kërkoi dje Kryeministrit Sali Berisha që të mos pengojë dialogun politik midis forcave kryesore politike.

Gjatë një konference për shtyp, deputetja e kësaj partie, Arta Dade, theksoi se lideri i mazhorancës nuk duhet të fshihet pas fjalëve por të pranojë publikisht tryezën me Presidentit e Republikës, që do të mund të zgjidhte edhe situatën politike.

“Unë i bëj thirrje Sali Berishës t’u përgjigjet atyre me të njëjtin seriozitet dhe të mos pengojë dialogun me sponsorizime opozitarësh që flasin gjuhën e tij dhe as me lojëra fjalësh, por të shprehet publikisht për tryezën e presidentit, për të cilën ne jemi gati”, – tha dje Dade.

Ajo shtoi se ndërkombëtarët po e kërkojnë me ngulm zgjidhjen e ngërçit politik, të cilët kanë ofruar edhe formulën për daljen nga kjo situatë, ndërsa përsëriti angazhimin e selisë rozë për të zgjidhur krizën politike.

“Më lejoni të ripërsëris seriozitetin dhe angazhimin e Partisë Socialiste për daljen nga kriza gjithë dimensionale ku është zhytur vendi, krizë e cila evidentohet më se një herë në rezolutën e kaluar së fundmi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Kjo krizë ka mbërthyer jo vetëm vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, por i ka detyruar ata që me seriozitetin përkatës të angazhohen duke ofruar formulën për daljen nga kriza…”- u shpreh deputetja e PS-së.

***********************************

Ish-kreu i shtetit mbështet kërkesën e PS-së për hapjen e kutive, por kërkon prej saj të kthehet në Kuvend

Mejdani: Topi të kishte ndërhyrë më parë

Kreu i shtetit, Bamir Topi, nuk duhet të kishte pritur rezolutën e Këshillit të Europës, por duhet të kishte ndërhyrë më parë në kërkim të një zgjidhje të krizës që ka përfshirë klasën politike shqiptare.

Ky është vlerësimi që bënë ish-numri 1 i shtetit, Rexhep Mejdani, për rolin që ka luajtur pasardhësi i tij, Bamir Topi, në situatën e vështirë që ka përfshirë jo vetëm partitë politike, por edhe institucionet e vendit që pas zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit.

Duke folur pas prezantimit të libri të tij të ri mbi sistemet qeverisëse, ish-presidenti socialist ka komentuar edhe situatën politike në vend, ku natyrisht nuk nguruar të lëshojë kritika për Topin, i cili, sipas tij, duhet të kishte ndërhyrë më parë.

Pavarësisht kësaj, ai i rekomandon Presidentit nisjen sa më parë të negociatave për të thirrur një tryezë bisedimi mes palëve në konflikt, si pikënisje për një zgjidhje të ngërçit politik.

“Duhet të ishte pjesë e kësaj zgjidhjeje dhe kohë me parë. Sidoqoftë, ai mund të japë kontribut relativisht pozitiv edhe në fazën aktuale, sepse në gjykimin tim është një ngërç që duhet të zgjidhet.

Është një ngërç që nuk i shërben Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptare” – tha Meidani. Ish- kreu i shtetit, Rexhep Mejdani, njëherësh anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste mbështet kërkesën e partisë së tij për hapjen e kutive të votimit, por duke mos u pajtuar nga ana tjetër me politikën e bojkotit të ndjekur prej kësaj force.

Për këtë arsye, ai, ashtu si edhe rezoluta e KE-së, sugjeron që të hiqet dorë prej bojkotit, ndërsa qeveria të lejojë hapjen e kutive.

Për sa i përket zërave për një marrëveshje politike në kurriz të disa institucioneve kushtetuese si presidenca, shërbimi informative apo Prokurori i Përgjithshëm, Mejdani thekson se këto mund të konsiderohen pazare që nuk mund të sjellin zgjidhjen reale të krizës politike.