Ndoc Selimi
“FANOLISTËT MARTIRË TË PUKËS DHE DUKAGJINIT” ËSHTË LIBRI MË I RI I AUTORIT PRELË MILANI
Nëpërmes fakteve të pamohueshme, literaturës së bollshme të para luftës dytë botërore dhe të fshehur qellimisht pas kësaj lufte, nëpërmes kujtimeve të brezit që e perjetoi këtë drame dhe kangëve popullore për heronjt, autori Prelë Milani ka arritur të na përcjellë e të ndriçojë një nga periudhat më të rrezikshme e më të egër vëllavrasëse në Shqiperi; të një lufte civile të inicuar e projektuar nga vetë mbreti Zog dhe që historia jonë nuk ka shkruar asnjë rrjesht për këtë hakmarrje primitive që i ka kaluar kufinjt e masakrave serbe dhe te çetnikve te saj në Kosovë.
Jane vitet 1922 – 1923 kur i gjithë Dukagjini pozicionohet fuqishem me grupin demokrat të udhëhequr nga Luigj Gurakuqi , grupimin katolik dhe opozitën muslimane me në krye Xhemal Bushatin. Në ngjarjet e vitit 1924, popullsia dukagjinase manifestoi hapur gatishmerinë kunder forcave zogiste dhe hidhet në veprime konkrete në përkrahje të lëvizjes fanoliste me në krye udheheqësit historikë Ndokë Gjeloshi dhe Dedë Thani, lëvizje e cila konkretizohet me fitoren e 10 qershorit 1924. Por nuk ishte thëne të gëzohej kjo fitore, pasi natën e Krishtlindjeve, Zogu me ndihmen e Pashiqit kthehet në fron duke projektuar një hakmarrje të përmasave masakruese per popullsinë e pafajshme të zonave Dukagjin dhe Pukë.
Ai u bën thirrje përkrahësëve fanatikë matjanë, dibranë dhe lumjanë, turma të gatëshme për hakmarrje, shkatërrime, vjedhje dhe përdhunime me në krye te dhunshmit Ceno bej Kryeziu, Muharrem Bajraktarin dhe në mbrapaskenë pro serbin Halit Lleshi, të cilët nisin marshimin për në veri në pranveren e vitit 1926. Vetë Ahmet Zogu e përcjell këtë turmë deri të Ura e Matit dhe mbanë një fjalim luftënxitës kunder kundershtarëve politikë të tij në Pukë dhe Dukagjin. Në këto ndjekje hakmarrëse vriten patriotët më me emer si Bajram Curri (ne pabesi), varet në litar Gjeolosh Rama, hoxha i Bytyçit, hoxhë Zogu, Turçuk Rama etj. Muharrem Bajraktari kalon Drinin dhe shkreton e bastisë Bytyç, Gash, Krasniqe, Nikaj – Mertur.
Autori Prelë Milani me një penë brilante dhe me syrin e historianit hedh me detaje atë çka ka ndodh në këto reprezalje dhe gjeneratat shqiptare po kalojnë tre breza dhe akoma nuk ka dalë në dritë e verteta, ajo çka bëri ky mbret kunder popullsisë së pambrojtur , dinakria dhe harbutria e derdhur me mllef prej tij.
Autori jep me koopetencë të plotë fakte e ngjarje, vrasje e burgosje, denime e deportime, njerëz të thjeshtë e personalitete të vrara, perdhunim të kanunit e zakoneve. Në këtë pushtim të hordhive zogiste nuk mungoi dami ekonomik si çfarosja e bagëtive, prishja e te korrave, vjedhja e arkave të grave e sendet e kushtueshme, shkatërrimi i pasurive private, bletëve etj.
Janë të panumërt emrat e njerëzëve që koburja ahmetzogiste ua preu jeten, emra që historiani, publiçisti e shkrimtari Prelë Milani i vendos ne altarin e pavdekësisë me këtë studim, të cilin duhet ta lexojë çdo patriot i ndershëm shqiptar pa dallim ideshë.
Vargje të panumerta të këngëve trimërore që populli i ka stampuar në kujtesen e vet janë prezente në këtë punim. Ata kanë përjetsuar data, vite, heronjë, vende, tradhëtarë e kohë. Të pashembullt janë thënjët e trimava para litarit e plumbit. Ato thënje janë flamur i besës, janë filozofi e trimave, që edhe para jetes që shkimet gjeten kohë për t’u lanë brezave heroiken e pavdekshme të vdekjes.
Perjetësimet që populli i ka bërë heronjve të vet kanë ardhë të gjalla deri sot:
Mark Milani i Shoshit gjysmen e jetës e kishte kaluar nder luftra dhe së fundi pritet në besë dhe populli e perjetson:
“Ka bien dielli, ka bien Hana
Mark Milan nuk ban ma nana
Se ban nana, as se ka Shoshi
hej medet ç’e pret konopi…
dhe kanga nuk lë jashtë rrethanat e kapjes ” Si mos t’kenke besa e Zotit, nuk ia pashë shtyllat konopit”. Gjelosh Rama në podin e shtyllave të litarit i lidhur nuk vdes pa marrë gjakun në një farë mënyre; ai i keput gishtin e dorës me dhëmbë xhendarit që e shau. Gjon Gazulli në fjalen e fundit ngre koken nga qielli e therret: “Rroftë Krishti mbret, Rrofte Shqipëria e shqiptarët”. Mandej vjen Lush Prela në këngë:
“Ai Lush Prela ça ka thanë
token e Shalës e paça lanë
mos me shkel tjeter me kambë
për sa t’jetë mbreti n’Tiranë”.
Kështu rresht pas rreshti në këtë liber vijnë heronjt, burrat e paperkulur të Dukagjinit e Pukës, hecin në kolonë njëri pas tjetrit në të njejtat gjurmë, në të njejten vijë duke trasheguar gjakun, besen, trimërinë. Ata shkrinë pranverat e tyre në mbrojtje të familjes, fisit, krahinës e Shqiperise. Edhe pse heshtja 90 vjeçare bëri punen e vet, ata nuk shkuan gjakhupë; nipat e tyne do të dinë ta vene nderin në vend, do të dinë të qetësojnë eshtrat e tyre, anipse kanë kaluar kaq kohë. Drita qe ndezi autori Prelë Milani në këtë liber asht më shumë se një meshë, ma shumë se një lutje e një qiri mbi vorret e martirve te harruar.
“Fajtorë për mos publikimin e kesaj ngjarje dhe fshehjen e saj – thotë autori – është historia zyrtare e Shqiperisë ( zogiste, komuniste dhe post komuniste) me trajtimin cinik dhe heshtjen hipokrite”.
Ky liber është gjamë e vetëtimë , është pasthirmë kunder shurdhesës 90 vjeçare dhe siç thotë autori ” …është një kazëm gërmuese për gjetjen e një sargofagu ku qëndrojnë të ndryrë në mënyrë misterioze gomila e eshtrave të fanolistëve të martirizuar antizogistë të Dukagjinit e të Pukës”.
Nga gjithë kjo që lexova dhe shtjellon ky liber më duket pardoks mbretërimi hijerëndë i bustit të Zogut në qënder të Tiranës, kur patriotët e vertetë plisbardhë, mëkati i vetëm i të cilëve ishte antizogizmi dhe të menduarit ndryshe, të dergjen pa një citat te koka e varrit, të humbin pa nje copë leter të shkruar prej brezave pasardhes. Dhe Prelë Milani vazhdon: “Unë jam gjak i gjakut të atyre martirëve, por sentimenti im nuk ngrihet mbi faktet dhe të vertetat historike të thëna e të pathëna”.
Komunistet dhe kalemxhinjtë e sistemit nuk lanë gjë pa thënë e shkruar kunder Zogut dhe regjimit tij dhe heshtje e plotë për këtë masakër kolektive që iu bë malësis. Pse?. Është e vështirë të dalë e verteta. Ndoshta nuk duhej atakuar krahu i djathtë H. Lleshi, ku pjesëmarres në këtë mënxyrë ishte edhe Halit Lleshi .
Në vitet 60 – 70′ te shekullit kaluar i kam dëgjuar me qindra herë, prej vuajtësve që ishin akoma gjallë, bëmat e çetnikëve shqiptarë kunder fshatarsisë së pambrojtur. “Kur na sulmoi Luma” ose “Kur na sulmoi Dibra” thuhej në popull kur ishte fjala për të treguar një kohëmatje të zezë që perjetoi zona e veriut.
Na perket ne brezit të tretë që të ngrejmë zërin në kupë të qielles që nderin dhe heroizmin që u pagua me jeten e gjysherve dhe stergjysherve tonë ta vemë në vend. Gjaku i tyre vazhdon të thërrasë edhe sot, por do të thërrasë edhe neser.
Pushofshi në paqe o fanolistë, heronjë të harruem!
Libri është i ndarë në tre kapituj , ku shtjellohen:
I – Ahmet Zogu vari dhe vrau lulën e patriotëve të Dukagjinit e Pukës.
II – Ahmet Zogu denoi me vdekje e burgim pjesën më elitare të inteligjences së Dukagjinit të formuar në perendim.
III – Ahmet Zogu dërgoi në litar, në plumb dhe burgosi me nga 101 vite parikët dhe gjyqtarët më të shquar të kanunit të maleve tona.
U falenderojmë perzemersisht Ju autor Prelë Milani për këtë material sesibilizues e të patjetersueshëm në sherbim të martirve fanolistë që shuan jeten për atdhe dhe ndihmen e madhe që i dhatë historisë së Shqiperisë!
Ndoc Selimi, 2015.
(Botuar “Gazeta Dukagjini” N° 145, fq. 10, nentor 2015)