DEGA E LDK-së NË ZVICËR NUK I PËRKRAH VEPRIMET ANTIDEMOKRATIKE TË KRYETARIT TË LDK-së ISA MUSTAFA

0
58

Reagim i Degës së LDK-së në Zvicër

Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë mund të flet vetëm në emrin e tyre personal por në asnjë mënyrë nuk gëzojnë të drejtën të flasin edhe në emrin e anëtarësisë së gjerë të LDK-së, e aq më pak edhe në emrin e Degës së LDK-së në Zvicër, e cila vazhdimisht i ka kundërshtuar veprimet autokrate dhe antidemokratike të kryetarit Isa Mustafa dhe të klanit shkatërrues të mbledhur rreth tij.
Dega e LDK-së në Zvicër, konsideron se përkrahja blanko e kryetarit Isa Mustafa, edhe atëherë kur ai po dështon është e dëmshme dhe antidemokratike. Përkrahja e tillë që i bëhet Isa Mustafës nga kryesia qendrore e LDK-së do të ndikojë drejtpërdrejt në shkatërrimin e strukturave politike, dhe do të ndikoj negativisht edhe konceptin demokratik të LDK-së. Kjo përkrahje që i bëhet dështimeve të shumta të Isa Mustafës do të jetë me pasoja afatgjate për partinë dhe për Kosovën. Të përkrahet degradimi i proceseve që po iu prin Isa Mustafa dhe atë ta konsiderosh si sukses të qeverisë, për Degën e LDK-së në Zvicër është e papranueshme dhe antidemokratike, sepse gjendja reale në Kosovë do të duhej nga kryesia qendrore e LDK-së, edhe në aspekti deklarativ të reflektonte sinqeritet, por jo qëndrim teknokrate dhe diktatoriale.
Kosova në qeverisjen e Isa Mustafës nuk mund të flet për suksese, përkundrazi, sukseset e kryetarit Mustafa janë pjesë e proceseve afatgjate, për të cilat më së paku ka meritë Isa Mustafa. Por dështimi i njëpasnjëshëm që ka ndodhur në qeverisjen e tij dhe sidomos largimi i investitorëve të huaj, po vjen në saje të kaosit dhe degjenerimit institucional që Kosova ka pësuar pikërisht në kohën e Isa Mustafës, sepse kjo qeverisje e keqe po kritikohet nga faktor vendor dhe ndërkombëtar.
Në Kosovë po dominon një diktaturë e re, e cila me polici dhe shantazhin e përhershme ka nisur të instalojë kërbaçin, duke burgosur e ndëshkuar zërat kundërshtues dhe duke mos pranuar dialogun e mirëfilltë as brenda partisë, kulturë që nuk e ka e as nuk e njeh Isa Mustafa, përkundrazi ai e njeh vetëm zorin, pasi ai është i njohur për përbuzje dhe nënçmim, duke i shtypur dhe injoruar të gjithë kundërshtarët e tij politikë.
Kryesia qendrore e LDK-së duhet të jetë ma përgjegjëse ndaj situatës, sepse në Kosovë është instaluar një diktaturë e re, për të cilën ne mendojmë se moti ia kemi kthyer shpinën. Tashmë dihet se kundër sistemit komunist ka qen dr. Ibrahim Rugovës, por jo edhe Isa Mustafa, kurse për demokracinë dhe lirinë e Kosovës janë flijuar prof. Fehmi Agani e Latif Berisha, Xhemail Mustafa e Enver Maloku dhe me dhjetëra intelektualë të tjerë të LDK-së, kurse për lirinë e Kosovës kanë rënë dëshmorë të UÇK-së me mijëra e mijëra të tjerë, por Isa Mustafa dhe klani përreth tij janë vetëm manipulues dhe përftuesit e lirisë së ëndërruar.
Po ashtu Dega e LDK-së në Zvicër, kundërshton ashpër përdorimin e takimeve të rëndësishme politike e diplomatike për konsum të brendshëm politik, për t’i justifikuar Isa Mustafa dështimet e tij. Në këtë plan ka qenë takimi i Kryeministrit të Kosovës z. Isa Mustafa, kohë më parë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe takimi i fundit edhe me sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, të cilat pa fije turpi kryeministri i Kosovës po i konsideron si sukses i politikës së tij.
Isa Mustafa asnjë nga vërejtjet që i merr nga partneret strategjikë nuk ka bërë përpjekje t’i sendërtojë dhe t’i korrigjojë, përkundrazi kryetari i LDK-së ka vazhduar dhe po vazhdon avazin e tij shkatërrues kundër vlerave themelore të demokracisë.
Dega e LDK-së në Zvicër ia tërheq vërejtjen kryesisë qendrore të LDK-së që të mos bëhet pjesë e degradimeve të njëpasnjëshme që z. Isa Mustafa po ia bën LDK-së dhe Kosovës, dhe në të njëjtën kohë iu bënë ftesë publike personaliteteve politike të LDK-së, që të marrin situatën në dorë duke u mobilizuar në aspektin organizativ, dhe duhet fuqishëm ta ngritin zërin e tyre intelektual, duke i kundërshtuar veprimet negative të kryetarit të LDK-së z. Isa Mustafa, i cili me metodat më të shëmtuara dhe mbi falsifikime arriti ta pushtojë LDK-në, për ta shkatërruar demokracinë, të cilën tashmë e ka vënë buzë greminës.
Vetëm organizimi grupor, mundet shpejt të faktorizohet dhe do ta kenë fatin e udhëheqjes së LDK-së, pas rrokullisjes të pashmangshme, që do ta pësoj Isa Mustafa bashkë me klanin e tij të instaluar në kryesinë qendrore të LDK-së.
Dega e LDK-së në Zvicër kurrë nuk do t’i përkrahë politikat antidemokratike, të cilat i kanë sjellë kaq dëme partisë dhe Kosovës.
Dega e LDK-së Zvicër me aleatet e saj gjithmonë do të jetë pjesë avangarde e proceseve demokratike, që do të ndodhin në Kosovë!

Zvicër, 05.12.2015.
Shefqet Dibranikryetar