Promovohet “HESHTJA E DASHURISË” e Malsore Llapashticës

0
37

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ditën e enjte, më 29 tetor 2015, në orën 12, promovohet përmbledhja me poezi “IL SILENEZIO DEL AMORE” (“Heshtja e dashurisë”) e Malsore Llapashticës. Përmbledhja në fjalë është botuar paralelisht në gjuhën italiane dhe në gjuhën shqipe.

Përmbledhjen me poezi e ka përkthyer Klara Kodra, kurse redaktore e librit është Fatime Kulli, që të dyja nga Shqipëria, ndërkaq e ka botuar Shtëpia botuese Saentobook në Lecce të Italisë. Libri ka 39 poezi në gjuhën shqipe dhe po aq në gjuhën italiane. Vlen të përmendim edhe faktin se kjo përmbledhje me poezi është promovuar në dhjetorin e vitit kaluar edhe në Panairin e Librit “Fiera salentina” në Lecce.

Përndryshe, kjo është përmbledhja e tretë me radhë e krijueses së re Malsore Llapashtica nga Prishtina. Në fakt, Malsore Llapashtica në Kosovë ka botuar përmbledhjet me poezi: “ZOGU I MBYLLUR” (1997) dhe “I KAM MËRZITUR VRASËSITË” (2000). Ajo tash punon në Itali, ku edhe e ka botuar përmbledhjen me poezi “IL SILENEZIO DEL AMORE” (“Heshtja e dashurisë”).

————–

Në promovimin e Librit “Heshtja e Dashurise” e Malsore Llapashtica

Në ambientet e Biblotekës Kombëtare “Pjetër Bogadani” Prishtinë, sot u promovua libri “Heshtja e dashurisë” (shqip-italisht) e autores Malsore Llapashtica, e cila udhëtoi nga Italia për të qenë prezent në këtë takim letrar shumë interesant dhe impresionues.
Takimin e drejtoi Frrok Kristaj, shkrimtar, studiues, publicist. Merrnin pjesë një auditor i përzgjedhur nga fusha letrare. Në takim mori pjesë edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Tima Kadrija, e cila në fjalën e saj, mes tjerash, tha, se “poetët duhen mbështetur në misionin e tyre artistik e kulturor.
Për librin së pari foli Frrok Kristaj. Ai ndër të tjera tha se: “Sot jemi tubuar këtu, në shtëpinë e librit, për të promovuar përmbledhjen me poezi të Malësore Llapashticës “Heshtja e dashurisë”, që kohë më parë u botua paralelisht në gjuhën shqipe e në gjuhën italiane. Këtë përmbledhje e nxori në dritë shtëpia botuese Saentobook në Lecce të Italisë.
Libri ka 39 poezi në gjuhën shqipe dhe po aq në gjuhën italiane. Vlen të përmendim edhe faktin se kjo përmbledhje me poezi është promovuar në dhjetorin e vitit kaluar edhe në Panairin e Librit “Fiera salentina” në Lecce.
Përndryshe, kjo është përmbledhja e tretë me radhë e krijueses së re Malsore Llapashtica nga Prishtina. Në fakt, Malësore Llapashtica në Kosovë ka botuar përmbledhjet me poezi: “ZOGU I MBYLLUR” (1997) dhe “I KAM MËRZITUR VRASËSITË” (2000). Ajo tash punon në Itali, ku edhe e ka botuar përmbledhjen me poezi “IL SILENEZIO DEL AMORE” (“Heshtja e dashurisë”).
Përmbledhjen me poezi e ka përkthyer Klara Kodra, kurse redaktore e librit është Fatime Kulli, që të dyja nga Shqipëria.
Dashamirë të fjalës së shkruar artistike që në fillim dua të them se poezinë si art të fjalës, si ngushëllim shpirtëror, poetët e përftojnë me qëllim të kominikimit me vetveten, përkatësisht me qëllim të ballafaqimit me vetveten, por edhe me dukuritë që na rrethojnë dhe na preokupojnë, për të ngadhënjyer mbi vështirësitë jetësore, pra mbi dhembjen, pikëllimin, vetminë dhe heshtjen.
Në rrëfimin poetik të Malësore Llapashticës jeta pasqyrohet në një rrjedhë të trazuar, e ngjizur me shqetësimin, me dhembjen, vuajtjen dhe heshtjen, si dëshmi të ekzistenës shpirtërore dhe jetësore. Së kendejmi, poetja thotë:
Për ta mbjellë farën e dashurisë
Nga fjala e fryma.

Poezia e Malësore Llapashticës, thotë redaktorja e librit Fatime Kulli, zhytet si nëndetëse brenda karakterit poetik, për shkak të nuancave dhe lëvizshmërisë së gjendjes shpirtërore në aktin e krijimit lirik, me një tematikë të larmishme, në shumë këndvështrime.
Pra, nga vetë titulli i librit “Heshtja e dashurisë” të Malësore Llapashticës vijmë deri te një përfundim se kemi të bëjmë me një kontinuitet të larmishëm temash, dëshirash e ëndrrash si preokupime jetësore. Ndaj, karakteristikë e këtyre poezive është përmbajtja dhe të shprehurit e formës poetike të fjalës në mënyrë të përsosur, si shprehjet:

Ndjej frymë të ngjyrosur me ngjyra shpirti
Hijedrita e ëndrrës lëvizë me shpejtësi,
Kah lindja e rrezes, Kodrës së Diellit
Ku marrin ngjyra zërash, malet përreth…
Unë si zog shtegtar lëshoj flokët e mallit…
Shpirti bëhet njësh me buzët e Diellit,
Të puth shpirtin e tokës sime…
Të prekë ngjyra dashurie, tek ty vendlindje
Të puth të dashurit e mi, babë e nënë.

Në përmbledhjen ”Heshtja e dashurisë“ poetja Malësore Llapashtica vjen para publikut krejtësisht ndryshe nga si jemi mësuar ta lexojmë në dy përmbledhjen e para, sepse poezitë e kësaj përmbledhje, që është botuar paralelisht në gjuhën shqipe dhe italiane, shpalosin njëra mbas tjetrës ndjenjën e pastër, sublimen, dashurinë. Me lirikat e Malësore Llapashticës, që kanë gjetur strehim brenda kësaj përmbledhje, poetja i përmbahet ekskluzivisht dashurisë së dy personave. Duke qenë se poezia nuk është qëllim në vetvete dhe as testim i verbër, del se dashuria nuk mund të lindë nga asgjëja, por ajo lind nga ndjenjat ndaj njeriut, ndaj vendlindjes dhe ndaj jetës.
Poetja me lirikat e kësaj përmbledhje e simbolizon atdheun me dhimbjet e veta, i simbolizon mëngjeset e jetës, me rilindjet e dritës në agim të vendlindjes, përkatësisht të atdheut, duke evokuar ndjeshmërinë dhe ringjalljen e kësaj toke të të parëve tanë.
Si misionare e shpresës dhe e fateve të vendit, Malësorja e thërret jehonën e idealizmit të shpirtit të vet, për atë që përfaqëson, atë që duhet të kryejë dhe atë që duhet të rrëfejë, duke thënë:

Takohemi te rreziku…
Për të mbjellë farën e dashurisë
Nga fjala e fryma
Për të mos u shterur pusi i jetës.
Ose vargjet:
Fytyra ime, i ngjante vetëm vetes,
Me sytë prej loti…
Përkatësisht:
Ndihmomë o Zot
Ta prek trokën.

Në këto vargje ka dhe ridimensionim idesh të tjera, ide që nëpërmjet frymës shprehin fuqinë magjike të fjalës së shkruar, si
Nëpër brendësinë e hallakatur
Jam e lodhur prej vuajtjes së bukur.
Në fakt, me shfletimin e faqeve të kësaj përmbledhje, lexuesi sikur i shpalos të gjitha ngjyrat e ylberit, në mënyrë që t’i jep jetës kolorit të merituar.
Poetja krijon vargje origjinale. Me këtë ajo i jep dashurisë vërtetësi ndjesie, pa vulgaritet, tamam ashtu si i ka hije një krijuese të denjë.
Në këtë libër të saj, të tretën e radhës, poetja përshkruan ndjenjën sublime në të gjitha aspektet e saj, kështu që lexuesit i hap shtigje të përjetojë gjithçka që autorja dëshiron të transmetojë.
Duke lexuar të gjitha poezitë në përmbledhjen “Heshtja e dashurisë”, në fakt shijojmë një simfoni të plotë dashurie, sepse lirikat e saj na dhurojnë dritë, shpresë, na dhurojnë ngrohtësi. Kjo përmbledhje, që të bën t’i rikthehesh shumë herë me përjetimet e leximit të parë, edhe leximeve të tjera, sepse nëpërmjet të këtyre lirikave poetja përcjell megjithatë aromën e arsyes dhe të dashurisë – aromën e jetës.
Vëllimi poetik “Heshtja e dashurisë” i autores Malësore Llapashtica meriton të radhitet në bibliotekën e çdo lexuesi dhe të lexohet me vëmendje pasi vjen në fondin e poetekës shqiptare plot dritë, i plotësuar me të gjithë karakteristikat e një arti në përsosje dhe, për më tepër, vjen si shprehishmëri e rrjedhës bashkëkohore letrare.
Në vazhdim, poetja dhe redaktorja e librit nga Tirana, Fatime Kulli, u shpreh në fjalën e saj:
“Vëllimi poetik, “Heshtja e dashurisë”, na intrigon dhe ysht për ta lexuar me ëndje, na fut në një botë të ndjeshme me shpirtin e thellë të dëshirave njerëzore në poezi. Në tërësinë e këtij libri, gjallon një poezi koncize e herë hermetike, që vetëm një lexues i kualifikuar mund të gërryej me “traponin”e trurit, për t’i gjetur thellësinë e asaj çka ka dashur të thotë autorja. Poezia e Malësores zhytet si nëndetëse brenda karakterit poetik, për shkak të nuancave dhe lëvizshmërisë së gjendjes shpirtërore në aktin e krijimit lirik, me një tematikë të larmishme, në shumë këndvështrime. Veçojë në këtë buqetë të larmishme me poezi: “Gjuha e prekjes”, “Hija e fytyrës”, “Bimët e fshehtësisë”, “Zjarrheshtur…” , “Skulptore e gjallë”, “Virgjëresha vdes e virgjër” , “Heshtja e dashurisë” e të tjera.
Shpirti poetik i autores Llapashtica, rreket me prekë çdo detaj poetik, nga ngjarjet apo ëndrrat e jetuara ose të ëndërruara… Poezitë e autores Malësore Llapashtica shfaqen brenda një bote të ndjeshme, ku lexuesit do t’i mbetet gjatë në mendjen metafora poetike “Heshtja e dashurisë” për shpirtin poetik, për artin e përdorur me mjeshtëri në çdo fjalë, në çdo varg, në çdo poezi.”
Poetja Kulli pas fjalës së saj, lexoi poezi nga libri ku u duartrokit nga auditori. Autorja Llapashtica e emocionuar nga vleresimet që i bënë kolegët, shprehu mirënjohje të thellë pjesmarrësve dhe mes të tjerash, tha: “Libri im është botuar në Lece të Italisë dhe është promovuar dy herë në Itali, por unë nuk ndjehesha mirë, pa e prezantuar librin në Kosovën time” . Promovimi u kthye në nje festë letrare, ku diskutimet e vlerësimet ndaj autores, vazhduan gjatë. Theksojmë se libri “Heshtja e Dashurisë ( shqip-italisht) ështe vlerësuar shumë në Itali dhe është botuar me kontratë mes autores dhe botuesit italian, e cil pret të botojë të tjera vepra të sajat në Itali.

BOX
Ky libër është përmbledhja e tretë me radhë e krijueses, Malsore Llapashtica nga Prishtina. Në fakt, Malsore Llapashtica në Kosovë ka botuar përmbledhjet me poezi: “ZOGU I MBYLLUR” (1997) dhe “I KAM MËRZITUR VRASËSITË” (2000). Ajo tash punon në Itali, ku edhe e ka botuar përmbledhjen me poezi “IL SILENEZIO DEL AMORE” (“Heshtja e dashurisë”).