SHI NË KËNETË
Një e dashur e bukur ma sjell diellin
ajo s´lejon të ma zë udhën mërzia
në betejat më përvlimtare me jetën
arti më ndihmon të jem një i fituar
Të krijosh poezi pa përparëse çasti
të krijosh poezi nga më të nxehtat e
kohës, duhet të jesh eseist i vargut
duhet të jesh i plotfuqishëm i vetes
Lea, ka vite që s´kujdesem për vete
Unë dhe poeti bëjmë luftën e ditës
Poshtë premtimi i atyre që po vijnë
Poshtë lavdia e atyre që po shkojnë
Nga cila kohë je natyrë e vjetëruar
uji kënetës te Rrënxa është thartuar
Njalat kanë ikur, s´duken gjëkundi
muzika e shiut në kënetë s´dëgjohet!..
ARGJENDARI I POEZISË
Kjo botë ëndërrisht e ashpër
kjo botë ëndërrisht pa prehje
ka shumë fytyra të pas-hijeve
balada të fshehura nëpër pemë
Në procesin e krijimit artistik
marrin pjesë të gjitha shqisat
trimosh nga jeta e përditshme
dhe trimosh nga ndjesitë tona
Ky dhe i të gjallëve të sotëm
nuk i frigohet shiut, as stuhive
I frigohet zogjëve që ikin larg
dhe zogut që nuk di të kthehet
Kjo botë ëndërrisht e ashpër
shumë pak e thotë të vërtetën
për të shkuarën e saj të rëndë
dhe për gjeniun e forcës së erës!..
Rrustem Geci – Dortmund, 2015