ASKUSHËT FODULLË E TË PACIPË JANË BËRË PERËNDI, ZEUS!

0
37

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Është një shprehje, një thënie e hershme, të cilën e përdorë populli ynë për të ligun, për të liqtë në shpirt dhe moral. I ligu nuk e dinë kur është boll. Po ta gjeti ditën, të hypë në shpinë dhe nuk të zbret që andej, pa ia treguar dhëmbët, forcën. Kështu po i ndodhë edhe popullit tonë qysh prej 17 vitesh!

Anashkalimi i Kuvendit, Parlamentit për çështjet kruciale shtetërore e kombëtare, nga ana e Qeverisë, është anarki e fashizëm i kulluar. Për shpërfilljen e Parlamentit, madje në vijimësi, është shquar Hashim kryeministri. Këtë shkelje të rëndë, që përbën fajësi dhe vepër penale, veç të tjerëve, e ka denoncuar, madje më se njëherë, edhe ish-bashkëpartiaku i tij Jakup Krasniqi, përgjatë mandatit të tij, në cilësinë e e kryetarit të Kuvendit. Është pikërisht abuzimi dhe tejkalimi i skajshëm e kriminal i kompetencave të Hashim kryeministrit, që ka sjellur bllokimin e tanishëm të Kuvendit.

Nuk do të kishim as Asociacion as Demarkacion

Mospërfillja e strukturave të partisë në vendimmarrje, mungesa e debatit, rrjedhimisht, mungesa e demokracisë brenda partiake, është më shumë se rrugaçëri, është stalinizëm, enverizëm me tepëri. Dhe, këtë shpërfillje e kanë manifestuar, madje hapur e pa doganë fare, pothuajse, të gjithë shefat e partive politike në Kosovë. Tashmë, ata, liderucët partiakë, janë bërë zotër dhe strukturat e partive të tyre i përdorin si kondomë, duke flakur secilin, madje lehtësisht, që ka një mendim altërnativ me shefin e tij. Është kjo gjendje e krijuar, fatalisht tragjike për popullin dhe Kosovën, në partitë politike parlamentare, që hiçët fodullë dhe të pacipshëm janë bërë Perëndi, Zeus. Për krijimin e Perëndive në tokë, mbajnë përgjegjësi strukturat e partive dhe elektorati i tyre. Nëse gjendja në partitë politike do të ishte ndryshe, nga sa është, sot nuk do të kishim as “Zajednicë” dhe as Demarkacion në brendësi të tokave tona.

“Zajednica” është krijesë e PDK-së dhe AAK-së

Partitë banda: PDK-ja dhe AAK-ja, të zhytura në krime, gjatë dhe pas luftës, duke vrarë 1.800 shqiptarë të pafajshëm, kryesisht, ushtarakë institucionalë dhe veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për t`u mbrojtur më mirë nga drejtësia, veç bandave ilegale që i kishin në veprim, krijuan edhe bandat legale, të ligjshme, sië janë: “Organizatat dhe Shoqatat të dala nga lufta”, edhepse militantët e tyre as që kishin hyrë ndonjëherë në luftë!!! Në partitë e cituara, Serbia i kishte agjentët e vet potencialë. Me ndihmën e tyre, Serbia i organizoi protestat e mars – prillit 2004. Në ballë të këtyre protestave ishin venë kryetarët e “Organizatave dhe të Shoqatave të dala nga lufta”, të prirë nga kryetarët e “Veteranëve” si dhe kryetarët e kuadro të dy partive-banda nëpër komuna.

Protestat e mars – prillit 2004 – nismë për “Zajednicën”

Për t`u bindur në vërtetësinë e kësaj dëshmie faktike, kujtoni rreshtimet përgaditore për protesta të mars-prillit 2004. Kosova është e vogël, komunat gjithashtu dhe secili nga ne i njeh ato fytyra hafijesh të Serbisë, nëpër komunat e tyre, që i bënë gjëmën Kosovës, duke dhënë shkas për decentralizimin, rrjedhimisht, krijimin fshat e Enklavë (me shumicë serbë) dhe prej këtej fshat apo fshatra e Komunë serbe! Dhe, së fundi, krijesa makabre “Zajednica”!

Protestat e organizuara nga Serbia, në koordinim me hafijet shqipfolës shqiptarë, e dëmtuan, madje me fund, Kosovën. Bota pa, ditën për diell, turma të çakërdisura, të cilat sulmonin serbë të moshuar, duke u vënë flakën shtëpive të tyre dhe kishave! Krime dhe marrëzira të tilla nuk kishin bërë në asnjë kohë shqiptarët. Për të shprehur një “gjynah”, mëkat të skajshëm, shqiptarët thonë: “Është gjynah, si me prishë kisha e xhamia”. Dhe, kisha vihet para xhamisë, sepse kishat kanë qenë faltoret e para të shqiptarëve. Paçka se xhihadistët shqiptarë, hafije dhe mërcënarë të Rusisë dhe të Serbisë, duan ta mohojnë këtë fakt të pa kontestueshëm.

Dhe, bilanci i protestave marroqe ishte: 18 të rinj shqiptarë, të mashtruar, të vrarë dhe 10 serbë. Por, shefave në shërbim të serbo-sllavisë, “nuk u hyri ferrë në këmbë!” U identifikuan dhe u arrestuan disa krerë të “veteranëve” të “UÇK-së”, u mbajtën pak muaj në paraburgim, hanin pula e pite dhe u liruan! Shqiptarët nga këto protesta “dolën me buzë të kuqe”: të vrarë, të fikur të koritur, të marruar, sepse shtëpitë dhe kishat u ndërtuan apo u riparuan me paratë nga buxheti i Kosovës. Por, humbja më e madhe ishte morale dhe mosbesimi i ndërkombëtarëve, përkatësisht, i Qendrave të Vendosjes ndaj shqiptarëve të Kosovës, ende më sakt, ndaj shtetit të ardhshëm të Kosovës. Dhe, pason ndëshkimi i rëndë: “Zajednica”, thënë troç: Serbia bëhet hisedare në Kosovën e çliruar nga NATO-pakti, më 12 qershor 1999.

Cinizmi ekstrem i kryehorrave të “jallan” Shoqatave të “UÇK-së”

Opozita, e instruktuar nga SHIK-u i Kadri Veselit dhe PDK-ja, vazhdon bllokimin teknik të Kuvendit, duke përdorur forcën fizike. Krerët horrakë të disa “biçim” shoqatash, kinse të dala nga “lufta”, ofrojnë ndërmjetësimin e tyre për çbllokimin e punimeve të Kuvendit. Thonë se turpi nuk ka mbytur askënd. Edhe këta dilinxhinj nuk do të pësojnë asgjë nga turpërimi i tyre. Cinizëm i pa fre. Janë ata filli iu kësaj tragjike, i kësaj “Zajednice”, të cilët jo rastësisht u ndodhën në krye të protestave të mars-prillit 2004.

Është shumë domëthënëse se protestat u shoqöruan dhe u begatuan me djegien e Flamurit të Dardanisë. Një mesazh ky i besnikërisë për padronët me qendër në Beograd. Ai Flamur para se të ishte i Presidentit Ibrahim Rugova, ishte Flasmuri i Dardanisë Antike, i Kosovës të sotme. Të gjorët, mendojnë se popullin e Kosovës e ka zënë “sëmundja e harresës” dhe nuk i kujton më të bëmat e tyre në shërbim të Serbisë!?! Tani duan të hiqen si shpëtimtarë, pajtimtarë në mes opozitës dhe pozitës. Sigurisht, ata llogarisin edhe ndonjë përfitim anësor pör vete.

“Organizatat dhe Shoqatat të dala nga Lufta”, janë krijesa fiktive, të cilat u shërbejnë individëve dhe grupeve kriminale përfituese. Militantët e këtyre Shoqatave të rrejshme, janë me dosje krimi ekonomik dhe vrastar. Për 16 vjet radhazi halabakët kapadahi kërcënojnë shtetin e brishtë të Kosovës. Duke përfituar nga mungesa e ligjit, e drejtësisë, pasi drejtësia është në duar të shefave të tyre partiakë dhe këto Shoqata janë krijesa të partive-banda, ata janë të mbrojtur, pavarësisht krimeve të tyre. Tashmë, këto Organizata dhe Shoqata janë sinonim i mbrojtjes të krimit dhe të së keqes në përgjithësi.

Lufta dhe rënia për Atdhe nuk është sakrificë, është detyrë

Dëshmorët bënë detyrën karshi Atdheut dhe ata janë përjetësisht të nderuar. Sakrificë konsiderohet kur të huajtë luftojnë apo veprojnë për ne, shqiptarët, siç bëri bota demokratike për lirinë e Kosovës. Krejt pacipërisht, e majta ekstreme e Kosovës, e cila identifikohet me PDK-në, AAK-në, Vetëvendosjen dhe bishtrat e tyre, e mohojnë ekskluzivitetin e çlirimit të Kosovës nga NATO. Gjenerali Napoleon urrente më shumë mosmirënjohësit, bukëshkalët, se sa edhe tradhtarët. Bastardët stalinistë anashkalojnë 12 Qershorin 1999, ditë-hyrjen tokësore triumfale të NATO-s në Kosovë, duke e ndjekur “me bishtë për shalë” pushtuesen afro një shekullore, Serbinë armike e vrastare.

Populli ynë vlerëson edhe invalidët e luftës, edhe veteranët e mirëfilltë. Kosova, edhepse e varfër, ka vlerësuar veprën e dëshmorëve edhe në aspektin material. Vonesa ishte subjektive, por kuota aktuale është reale, për kushtet dhe standartin e Kosovës. Invalidët e luftës janë maltretuar pameritueshëm. Për ata dhe veteranët e njëmendët kanë pasur mundësi punësimi, nëse pushtetarët të mos punësonin “me kucë e me micë” njerëzit e tyre.

Sidoqoftë, ata, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e vërtetë, nuk duhet të manipulohen nga krerët horrakë të shoqatave dhe nuk duhet t`u shkojnë pas, nuk duhet t`u binden urdhrave dhe thirrjeve të tyre djallëzore. Ka njëmijë e një arsye për të mos i njohur fare ata, të cilët dyshohen për shumëçka. Llogaritet se shqiptarët e Kosovës i janë përgjigjur, vullnetarisht, luftës vetëm me 1% pjesëmarrje. Shifra prej 66.000 luftëtarësh, është marrëzisht enorme, e fryrë, tullumbace!?

Korrupsioni, hajnia zyrtare është skajore. Është një vjedhje e shtetit, vjedhje e shtëpisë. Sikur nuk mjafton kjo, tani kryehajnat duan ta legalizojnë, zyrtarizojnë edhe një hajni tjetër masive, për ta rrënuar edhe atë pak buxhet të Kosovës, duke stimuluar parazitizmin dhe falsifikimin. Gjeneral Çeku, i bërë legen në sytë e shqiptarëve, duke bredhur nga partia në parti, kërkon një post ministri, ndërsa kryehorrakët e shoqatave fantomë, joshën për poste burokratike, pikërisht në përfaqësim të kësaj shifre “jallane” të rrejshme, 66 mijëshe! Mbase, kjo është edhe arsyeja e këtij falsifikimi shifror.

Adem Demaçi: “Kë ta zgjedhim? Kush është më i mirë se Hashimi”?!!

Përveç Shoqatave zhurmuese e shantazhuese të përhershme të “luftës”, më sakt, të pasluftës, edhe simboli i rezistencës shumëvjeçare të shqiptarëve të Kosovës, bacë Adem Demaçi, shprehu gadishmërinë e ndërmjetësuesit pozitë-opozitë. Kemi admiruar sinqeritetin, çiltërinë e Demaçit tonë luftarak e qendrestar. Por, këtë herë zhgënjeu opinionin gjithëshqiptarë, kur thotë se “nuk jam pjesë e asnjë partie!” Demaçi ka qenë dhe është gjithherë në parti, madje shumë aktiv, në ektremin e majtë, me një urrejtje patologjike karshi Presidentit Rugova dhe Lëvizjes së Tij madhore kombëtare – LDK-së.

Më shumë keqardhje, me gjithë respektin për të kaluarën stoike, qendrestare, vuajtjet e gjata burgjeve jugosllave të zotëri Adem Demaçit, për hir të së vërtetës, bazuar në fakte e deklarime të vet Demaçit, edhe ai është pjesë e “Zajednicës” të sotme. “Kë ta zgjedhim? Kush është më i mirë se Hashimit(?!!),- shtronte pyetjen në habitore Demaçi ynë!! Një thirrje e tillë autoritative e Adem Demaçit është jo reale dhe aspak logjike, kur dihet se Hashim Thaçi nuk është shquar për asgjë dhe se Kosova është mal kudrosh, me epërsi absolute morale dhe intelektuale, krahasuar me “heroin” e Demaçit.

Shtrohet pyetja: Kaq i painformuar qenka simboli Adem Demaçi, sa mos të dijë se çfarë ka ngjarë në Kosovë përgjatë dy dekadave të fundit?!!! Janë ekzekutuar 1.800 ushtarakë dhe kuadro e aktivistë të LDK-së, duke nisur nga viti 1997 me Ali Ukaj në Tiranë, shok i dhomës me Hashimin, për të vazhduar deri tek Sali Kastrati në Pejë. “Për arrestimin dhe dënimin me vdekje të Blerim Kuçit dhe të tjerëve, pyesni Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së”,- thotë Fatmir Limaj. Adresimi i zotit Limaj është absolutisht i saktë.

Megjithatë, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar heroin e gjallë të Kosovës, Adem Demaçin, ta dënojë LPK-në vrastare, krahun kundërshtar të Jusuf Gërvallës, me SHIK-un e saj kriminal, të cilët vazhdojnë të jenë në partitë e majta, në Qeveri, në Parlament, në shtet e pushtet!!! Dhe, po të mos ishte pajtuar, po të mos i kishte aprovuar këto krime makabre brenda shqiptare, mos, vallë, do ta kishim sot numrin 4 (katër) shifror të ekzekutimeve të shqiptarëve të pafajshëm: ushtarakë institucionalë, kuadro dhe veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ende nuk ishin fshirë gjurmët e gjakut, në një kalldrem të Tiranës, sa hyjnore aq tiranike, ende nuk kishin ndaluar së rrjedhuri lotët e shqiptarëve, për kolonel Ahmet Krasniqin, kur simboli i rezistencës të Kosovës, Adem Demaçi, nga valët e RTV Shqiptar, i pushtuar nga banditët e LPK-së, më 1998, njësoj si RTV i Prishtinës, më 1989, nga banditët e Millosheviçit, aprovonte vrasjen e Kolonelit dhe kërcënonte kolegët e tij ushtarakë dhe veprimtarët e se “kush na del para, do t`i qerojmë hesapet”!!

Profiterët e luftës janë turrur si hiena, në përvehtësimin e lavdisë së viktimave të tyre

Por, po të mos ishte organizimi profesional i luftës, bazuar në doktrinën moderne ushtarake, nga ministri i mbrojtjes , kolonel Ahmet Krasniqi; po të mos ishin në ballë të betejave në Koshare Sali Çekaj e Agim Ramadani me shokë; po të mos ishte kolonel Tahir Zemaj, me betejën e tij fitimtare në Loxhë; po të mos ishte Ekrem Rexha (Komandant “Drini”) me shokë, me rezistencën në Pashtrik, sot lehaqenët e LPK-së kriminale, (krahu kundërshtar i Jusuf Gërvallës), nuk do të kishin fytyrë, për ta përmendur luftën e pa bërë, ashtu siç nuk provojnë të përmendin, qoftë edhe një betejë të tyre, sepse shifra e tyre është zero (0)! Dhe, të mos flasim për “UÇK-në” e tyre, e cila kurrë nuk u krijua, sepse ai, kolonel Krasniqi, që kishte hedhur bazat për një – Ushtri Çlirimtare- të mirëfilltë, u ekzekutua nga mërcënarët e Serbisë në kupolën e LPK-së.

A e dinte Adem Demaçi, kur përjashtonte çdo alternativë për ta zëvendësuar Hashimin në kreun e Qeverisë, se njeriu që është peng i krimeve, nuk mund të këtë integritet moral, politik dhe intelektual?! A e dinte ai se njerëzit pa integritet tërhiqen lehtazi për hunde dhe ju mungon guximi qytetar për çfarëdo kundërshtie? Në Kosovë, më parë se lufta, ka ndodhur masakra: 13.500 shqiptarë të vrarë, kundrejt 323 serbëve të vrarë. Nuk është çështja e pretendimeve të Dick Marty-së, por janë shumë qindra varre të shqiptarëve të pafajshëm, anekënd Kosovës, të vrarë në prita e prapa shpine, nga SHIK-u kriminal i LPK-së. Serbia i kishte dhe i ka njertëzit e saj hafije në Kosovë, për rrjedhojë, edhe informacionin e ka të bollshëm. Prandaj, edhe shantazhon dhe e fiton “Zajednicën” dhe favore tjera.

Hipokrizia e Opozitës është e tejdukshme

Radikalizmi i opozitës, tashmë, është ekstrem. Duke shmangur organet institucionale, Parlamentin, opozitarët kanë kaluar kodrinorët e Gollakut, për ta kërcënuar e shantazhuar kryeministrin Isa Mustafa, edhe në shtëpinë lindake, në Prapashticë. Një përdhosje të tillë e kanë huazuar nga SHIK-u i tyre, kur vriste kuadrotë, ushtarakët dhe veprimtarët e Ibrahim Rugovës, në oborrin e shtëpive të tyre, duke shkelur shenjtërinë e mjedisit familjar, intim.

Me sulmin e vrazhdët e brutal, me shqetësimin kulmor familjar, pinjollët e ideologjisë së mykur staliniste, kanë lënduar vatrat familjare shqiptare. Në shtëpi është bashkëshortja e Kryeministrit të Kosovës, është nëna e Besnik dhe Arben Mustafës, pjesëtarë aktivë të Emergjencës, që nga nisma e deri në mbarim të luftës, anëtarë të kryesisë të Shoqatës “Ulpiana”, e cila ka mbajtur barrën e madhe të Emërgjencës gjatë luftës, krahas shoqatës “Kosova” dhe firmave “Bereqeti” dhe “Etniku”; janë nuset e shtëpisë me kalamajtë e tyre. Të gjithë krejt të pafajshëm. Dhe, një sulm i kësaj natyre, është akt mizor dhe terrorist. Këta yryshxhi, sikur kanë dalë nga rruga, sikur janë kopilë dhe nuk njohin norma e kod familjar!

Hipokrizia e opozitës është e tekdukshme. Ajo bën të paditurin, sikur “Zajednica” filloi e mbaroi sot! Pse nuk kundërshtuan kur Hashim kryeministri mori nga rruga zonjushën e hekurosur dhe të pispillosur, lëvriçkën Edita Tahiri, e cila tallej me shqiptarët, duke lëshuar në etër gënjeshtrën e madhe se “bisedimet me Serbinë janë dhe do të jenë vetëm teknike!” Ju e mirëpritet këtë lëvriçkë, vetëm se ajo kishte provuar të matej me Ibrahim Rugovën; vetëm pse ajo hidhte baltë mbi LDK-në dhe fliste për “vizionaritetin” e padronit të ri, Hashimit!

Në çështjen e “Zajednicës” e gjithë e majta ekstreme është e implikuar, sepse ka përkrahur rrugaçërinë kriminale të protestave të mars-prillit 2004, të organizuara, qëllimshëm dhe enkas për “Zajednicën” e sotme nga Serbia. Janë protestat me veprimet vandaliste, njësoj si “DEBATIKËT” stalinistë të Vetëvendosjes sot, që diktuan decentralizimin, për të vazhduar me enklavizimin, enklavë e komunë, për të kulmuar me “Zajednicën”. Befasia e shtirur e opozitës aktuale është neveritëse.

Dy synimet e Opozitës: devalvimi i Gjykatës Speciale dhe pushteti

Deklarimi i Prof. Dr. Isa Mustafës se “Zajednica” nuk fillon me atë, është i saktë. Por, kjo nuk e amniston atë për nënshkrimin e berë. Është i gjithëpushtetshmi, është njeriu i zënë peng nga krimi, është njeriu i lig, që i ka hypë në shpinë popullit dhe shtetit të Kosovës, i mbështetur fort nga bashkëmendimtarët e tij stalinistë, ish-kryeministri monstër, Hashim Thaçi. Ai para se ta legalizojë “Zajednicën”, e ka ngulfatur administratën, qeverinë, shtetin me nepotikët e tij; ka krijuar komuna të reja, ndërkohë që shtetet përrreth i suprimojnë ato, me qëllim të kursimit të buxhetit shtetëror; ka hapur fakultet e qytet, duke dobësuar dhe rrënuar sistemin arsimor në nivel Kosove. Të gjitha këto të bëma unike, janë në funksion të pushtetit të tij personal e partiak, pavarësisht dëmit të madh që i bën Kosovës.

Hashimi, me injorancën dhe arrogancën e tij, ka dëshmuar banditizmin e tij, në raport me Kuvendin. Ai ka privatizuar jo vetëm partinë, por edhe qeverinë dhe shtetin e Kosovës. Shkurt, kur të hypë i ligu në shpinë, nuk e dinë me të zbritë, nuk dinë kur është mjaft. Hashimi dhe e majta, bisht i tij, kanë qenë dhe mbeten fatkeqësia e Kosovës. Dhe, adresën e të keqës e dinë edhe opozita aktuale, aleate ideologjike dhe faktike e PDK-së.

Megjithatë, kjo opozitë i është sulur kryeministrit aktual, Isa Mustafa, përkatësisht, LDK-së, duke e parë si pengesë, për livadhisjet kriminale të tyre. Dhe, kjo nuk ka asnjë lidhje as me “Zajednicën” dhe as me Demarkacionin. “Lepuri flen gjetkë”,- thotë një urtësi. Janë dy arsyet madhore për opozitën, e cila lufton, dëshpërueshëm, për devalvimin dhe pengimin ose, të paktën, prolongimin, zgjatjen, shtyrjen në kohë të fillimit nga puna të Gjykatës Speciale. Tiradat fjalamane, fjalimet, të cilësuara si “historike” të eksponentëve të krimeve seriale, kanë zbuluar se më të zëshmit kundër themelimit të kësaj Gjykate, kanë qenë dhe janë pikërisht ata, mbi të cilët rëndon fajësia, krimi.

Një arsye tjetër është pushteti, të cilin, opozitarët e sotëm, nuk po e arrijnë dot në rrugë institucionale e parlamentare, me votën e popullit. Turrja e dhunshme për grabitjen e pushtetit, është përsëritje e asaj turrje të pasluftës, kur stalinistët e LPK-së vrisnin ushtarakët dhe pariiakët e Ibrahim Rugovës, veçse forma ndryshon. Por, nëse dështon rruga, mund të vijnë edhe krismat. Kjo do ta vuloste propagandimin e Serbisë se “shqiptarët nuk dinë të krijojnë dhe as të mbajnë shtet”.

“Fjolla bore” apo shkëmbijë bjeshkorë?!

Një nismë sa e mbrapshtë, aq edhe alogjike, idioteske: “Të bisedojmë me Serbinë marrëveshjet, të firmosim për ato në prezencë të faktorit ndërkombëtar dhe pastaj t`i aprovojë ose jo Kuvendi, Gjykata Kushtetuese”, – thonë dhe veprojnë zyrtarët! Asnjë transparencë, tejdukshmëri nuk bëhet, paraprakisht, për opinionin, për popullin. Sikur bisedohet për çështjet private, familjare dhe jo për marrëveshje zyrtare, shtetërore. “Por, marrëveshjet janë punë e kryer dhe nuk mund të zhbëhen”, – thonë ata! Politikanët tanë despotë, të mësuar me livadhisur brenda partive të tyre, të njëjtën praktikë duan t`ia imponojnë edhe Parlamentit, edhe popullit. Bëhet fjalë për “fjolla bore”, ndërsa, në fakt, dalin shkëmbijtë bjeshkorë! “Luaje macë kryet e buallit!”

Anashkalimi i Kuvendit, për çështje kaq madhore, nuk është “gabim”, siç e thjetëzon opozita aktuale. Terminologjia në jurisprudencë ka peshojë. Është faji që penalizohet dhe jo gabimi. Ndërsa në rastin e marrëveshjeve kemi të bëjmë me faj të rëndë, krim shtetëror, me tradhti kombëtare, nëse, vërtet, qendrojnë faktet e specialistëve, jashtë zyrave qeveritare. Atëherë, pse nuk emërtohen veprimet me termat adekuate?! Kujt i shërben kjo zbutje artificiale?!

Nuk ka dyshim se prof.dr. Isa Mustafa është kryeministri më i kualifikuar dhe më i përgadituri që nga paslufta e këtej. Të gjithë pararendësit e tij, madje pa asnjë përjashtim, kanë qenë profan, të paditur, të paaftë për këtë zanat. Asnjëri prej tyre nuk ka vlejtë më shumë se sa për një drejtor të vogël provincial. Paçka se “dimri e hanë kashtën”! Por, këtu nuk kemi të bëjmë asfare me aftësi profesionale, drejtuese. Punët i kishte kryer Hashimi dhe Isës ia la “këmbët e arushës në dorë”!