Postuar nga Flutura Kuqan Malo në përvjetorin e ditëlindjes së Migjenit
MIGJENI (Sot dita e lindjes e të mrekullueshmit Millosh Gjergj Nikolla)
VJESHTA NE PARAKALIM
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër fytyrat tona.
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
Lëngon shpirt’ i smun ndër krahnore tona,
Dridhet jet’ e vyshkun ndër gemba të një plepi.
Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme –
(dëshirë e marrë e gjetheve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
Nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
Tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
“Jetë! Jetë due!” – e frymë merr prej fellit,
Si stuhi shkyn ajrin… por në fund ia nis vajit.
Dhe m’at vaj bashkohet horizont’ i mbytun
Në mjegull përpise. Pemët degët e lagun
Me vaj i mshtjellin në lutje – por kot! E dinë, të fikun,
Se nesër do vdesin… Vall! A ka shpëtim ndokund?!
Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
N’orën e vorresës, kur heshtin damaret,
E vorri naltohet nën qiella ma t’epra
Me klithëm dëshprimi që ne dhimbë të madhe zvarret.
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së varfun;
Rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
Që stolisin nëpër gemba të thamun.
Dërgoi për publikim: Gjin Musa