Pse ngremë lart ato që na ulin, dhe ulim ato që na ngrenë lart!

0
22

Nga ARTAN FUGA, voal.ch | 30 shtator 2015

Ne e kemi të nxirë imazhin tonë në botë. Keq më vjen sepse e ndjen gjithandej nga shkon, ta thonë ose nuk ta thonë.

Ka dy arsye madhore.

E para, konjukturale, ne jemi paraqitur si të hurit e të litarit se e kemi qejf të dalim mbi të tjerët, e kur nuk mundemi për të mirë, e kemi qejf për të keq. Prishim shtetin si më ’97, ikim me anije nga sytë këmbët si më ’91, merremi me trafiqe drogash, lëre se çfarë bëjmë! Por, edhe kur vjen Papa paraqitemi thjesht e vetëm si vrasës priftërinjsh, duke ia nxjerrë ballazi fotot e martirëve para syve në një skenografi apokaliptike, turizëm duam të bëjmë duke u paraqitur si vendi i bunkerëve absurdë. Ja…

E dyta, sepse edhe kur vjen puna për traditat tona të së kaluarës nxjerrim ato tradita që janë vlerësuar gjatë kohës totalitare, atëhere kur me anë të tyre justifikohej izolimi. Edhe sot ashtu vazhdojmë, ndërkohë duhet shtruar pyetja: Vërtetë vetëm ato tradita janë, që duhet të nxjerrim në pah?

Ndërkohë kemi edhe tradita të tjera, që jam i bindur se po t’i nxirrnim në hap do të na jepnin shumë krah për identitetin tonë dhe për imazhin tonë përpara botës.

Mirëpo shkollarët që merren me traditat janë formuar në shkollën e komunizmit dhe nuk kanë bërë hap më tutje për ta revolucionarizuar strategjinë kombêtare të krijimit të imazhit të kombit. Ose paraqitemi sikur jemi si Zvicra, ose sikur jemi kriminela. Duam ose të parët ose asgjë. E kjo na bën që pikërisht ato tradita që kemi shumë të vlerta, t’i censurojmë, të kemi frikë dhe turp për to, sepse edhe popujt e tjerë na kanë bërë në shekuj të kemi turp për anët tona të mira, pikërisht për të na ulur e përulur.

Çfarë do të thoja unë na mungon?

E para, një zinxhir muzesh dhe vlerash muzeale që tregojnë se shqiptari jeton i përhapur në të gjitha kontinentet. Kemi rrënjët në shtetin kombëtar, por jemi edhe diasporikë. Muze për arbëreshët dhe nxjerrje nga hiri e historisë të tyre, për arvanitasit, për gjithë diasporat shqiptare në Ballkan, Europë dhe në botë.

Si nuk bënë çamët një muze për kulturën e tyre dhe ta këndonin me plot gojën se janë qytetarë grekë që kanë pësuar genocid. Jo, ore, heshtje si në kohërat e vjetra.

E dyta, qe ilirët që ne jemi pasardhës sigurisht e nuk do as mend as kalem, bashkëjetonin me romakët dhe grekët helenë. Por, në vend që muzetë tona të tregojnë kulturën ilire, u duket se kanë turp prej saj, sepse nuk i kishte kolonadat e botës romake dhe greko-helene. Edhe në muze po të shkosh, të premtojnë botën ilire dhe në fakt të tregojnë objekte romakë ose edhe më parë helenë. Qeshin turistët e huaj…

Këta nuk e dinë se ilirët ishin nga të konvertuarit e parë në kristianizëm nga Shën Pali dhe nuk guxojnë të ecin në këtë drejtim, sepse si dikur në monizëm feja ishte një gjë e keqe. Këta duan Perandorin Kostandin si ilir me origjinë kur atë nuk ta njeh njeri, ndërsa ilirët ishin krishterë qysh në periudhën e kristianizmit përpara se Roma ta njihte si fe me ligj.

Së treti, një muze për Ali Pashanë, more se sado i egër që ishte, nuk matej ajo kohë me nivelin e butësisë të robit. Po të ishte për vrasje, gjithë monumentet e Europës do të ishin rrëzuar, sepse mbretërit e tyre nuk lanë vëlla a nip pa vrarë. Kështu e kishte atëherë sundimtaria.

Së katërti, për nënë Terezën që kam frikë se do ta shtypi makina aty te rrotullamja e Rinasit ku ecën rrugës si plakë çmendanike që ka humbur rrugën për në shtëpi.

Së pesti, është zhytur në dhé kultura e Kanunit sepse gjoja ajo frymëzon sot ngujimin e fëmijëve. Harrohet se ajo është një tërësi normash që në Mesjetë i kishim aq aq të zhvilluara as popujt gjermanikë e anglosaksonë nuk i kishin. Kurse ne i zhysim në baltë. A thua se vetëgjyqësia në atë kohë nuk ishte rregull. Çfarë ishin dyluftimet me shpata të fisnikëve!!! Nuk ishin vetëgjyqësi në mes pallateve europianë të mbretërve!!!

Mos e zgjas, ne jemi bërë kontrapedalë, jemi mazokista, ngrejmë lart ato që bota na përbuz, bunkera, vrasje priftërinjsh, shkatërrime minaresh a kishash, dhe fshehim ato që do të na nderonin sikurse përmenda por edhe të tjera.

Ne kemi shumë se çfarë të tregojmë, por i kemi zhytur në dhé, dhe tregojmê ato që bëjnë të qeshin turistët me naivitetin tonë, kur u tregojmë ndonjë kishë që për ta nuk është më shumë se një kishë katundi në vendin e tyre.

Këtu duhen nxjerrë vlerat, sepse censura ideologjike dhe amnezia nevrotike i kanë lënë në harresë.

Shënim: Bravo Artan!