Me filizat që rrit Tropoja

2
56

(Intervistë nga Gjin Musa, me poetin Besart Ramiz Tafaj)

Diku në nji shkrim timin kam thanë se ne Tropojë njerëzit e krijimtarisë mbijnë si bari i njomë. Kesaj radhe kam zgjedhur nji talent, nji krijues brilant, ai vjen nga Tropoja dhe eshte Besart Tafaj.

1-z.Besart është kënaqësi që ju intervistoj për shtypin e ditës. Fillimisht do na tregosh se kush është Besart Tafaj,ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria e juaj ?

1. Kënaqësia ime është dhjetë fish ma e madhe, mbi të gjitha është nji nder i madh për mua të intervistohem nga ju miku im i nderuem z. Gjin Musa. Ndër gjërat që unë nuk i pëlqej , është të flasë për vetveten. Mirëpo , duke pasur parasysh se kjo është e nevojshme, do të them në mënyrë të përmbledhur gjithçka nga vetvetja. Unë kam lindur më 20 qershor të vitit 1994 në Shipshan të Tropojës. Jam fëmija i madh në familje, duke theksuar se unë jam binjak me një moter. Kam pasur fatin të rritem në një familje, ku jam mësuar qysh i vogël me ndjenjen e llogari dhënies, korrektësisë, rrespektit të ndërsjelltë dhe vlerave njerëzore. Dhe e gjithë kjo falë edukatës që prindërit e mi kanë përcjellun tek unë. Ç’të iu them, për fëmijërinë time ? Iku shpejt momenti më i bukur i jetës. Nuk di nëse unë i kam qëndruar larg fëmijërisë apo fëmijëria më qëndroi larg mua. Nuk e kam shijuar sa duhet atë kohë, pasi ma shumë kam dashur të rritem dhe t’i kuptoj gjërat më në thellësi. Mund të iu them se më merr malli për fëmijërinë time, ndonëse jo fort të hershme. Qysh fëmijë, tek unë është kultivuar ndjenja e besimit në tërësi. Pra jetën, me gjithë peripecitë e saj unë e shikoj me syrin e një ‘Optimisti’….

2-Mësimet fillestare ku i kryet? Po ato të mesme? Dhe si je ndjerë në këto vite të shkollimit,në moshën rinore ?

2. Mësimet fillestare dhe bazë, unë i kam kryer pranë shkollës 9 – vjeçare ” Haxhi Zenuni “, Buçaj. Mbetet e paharruar për mua, mësuesja e klasës së parë Hajrie Kucaj, për të cilën deri ditën që do të vdes , gëzoj një rrespekt të veçantë dhe një mirënjohje të thellë. Shkollën e mesme e kam kryer në Tropojë të Vjetër , pranë Shkollës së Mesme të Bashkuar” Ali Iber Nezaj ” – Tropoje. Gjatë kohës që unë kam qenë në shkollë, kam marrun rrespekt dhe vlerësim si nga shoqëria ashtu edhe nga mësuesit e mi. Jam shumë i bindur se do të mbetem borxhli ndaj rrespektit të tyre . Mosha rinore, sidomos vitet në shkollë janë vitet ma të bukura dhe më të paharruara të jetës . Lënda që unë kam pasur ma për zemër ka qenë Letërsia . Pastaj vijnë Matematika, Historia dhe Kimia. Jam aktivizuar shumë në aktivitete të ndryshme që organizoheshin në shkollë. Do të bëja gjithçka që koha të kthehej pas dhe t’i përjetoja dhe njëherë ato vite në shkollë, që nga klasa e parë e deri në Maturë. Pa çka se kjo nuk do të ndodhë kurrë . Fatkeqësia më e madhe për mua është se asnjëherë nuk kam mbajtur ditar personal me kujtimet ma të bukura të jetës, edhe pse gjithmonë e kam dashur dhe vlerësuar ditarin. Jam penduar shumë për këtë. Di të iu them vetëm një gjë ,’ i lumi ai që është në shkollë dhe ia di rëndësinë asaj dhe mjerë ai që në shkollë shkon sa për të kaluar kohën.’

3- Kur jeni dashuruar me poezinë? Dhe cili ka qenë motiviv ?

3. Kur jam dashuruar me poezinë..? Poezia është dashuria ime e parë do të thosha , pasi kam qenë në klasë të pestë kur unë shkrova të parën poezi me titull ‘Deshmorit Haxhi Zenuni’ . Kjo poezi i kushtohej një deshmori të atdheut , i cili ishte nga fshati im , ku emrin e të cilit e mbante shkolla e fshatit ku unë isha nxënës i klasës së pestë. Më kujtohet mirë kur unë ia prezantova këtë poezi në shkollë , Mësuesit të Letërsisë z. Sali Çekaj. Ishin mbledhur mësuesit në Këshillin Pedagogjik dhe po lexonin poezine time , e cila ishte e para që i kushtohej atij deshmori . Për rrugëtimin tim poetik , unë i jam shumë mirenjohës Mësuesit të Letërsisë z. Sali Çekaj, pasi ai e motivoi shumë frymëzimin tim dhe dashurinë time për poezinë. Falë përkrahjes së tij , unë kam marrun disa çmime në fushën e Letërsisë në shkallë Prefekture , si krijues i ri letrar dhe si recitues. Poezia ka mbirë si një lule në stinën e Pranverës tek unë dhe nuk do të thahet kurrë.

4-Studimet universitare ç’fare ishin për Besartin? Kujtimet tuaja që ndoshta edhe i keni hedhur në ndonji dorshkrim.

4. Studimet Universitare unë i vazhdoj në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, Dega Inxhinieri Matematike diçka krejt e kundërt me pasionin tim , poezinë. Studimet universitare , për mua janë një sfidë mjaft e madhe , për të cilat duhet punë dhe vullnet shumë i madh. Në studimet universitare ka sakrifica , nuk diskutohet ,por në fund të fundit kam besim se çdo gjë ka një shpërblim të caktuar . Do të doja shumë të isha për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe , Filozofi apo Shkenca Politike pasi këto degë i kam shumë pasion dhe do të kisha dhënë shumë nga vetja. Mirëpo edhe kjo degë në cilën unë jam , është shumë e mirë , por shumë e vështirë kur është pa pasion si dhe një gabim i vogël do të kushtonte shumë . Nisur nga eksperienca ime , unë mund të iu them se studimet universitare kërkojnë një formim të mirë nga shkolla e mesme. E thashë dhe pak më parë se , fatkeqësia me e madhe është se asnjëherë nuk kam mbajtur ditar personal . Kujtimet e mia i kam hedhur në ndonjë poezi , por të fshehura në figuracione letrare dhe ndonjëherë në kuptime të dyta. Besoj se në të ardhmen do të mbaj ditar për kujtimet që do të pasojnë.

5-Cili është krijimi i parë, sigurisht që keni botuar në shtypin e ditës, si je ndjer?

5. Frymëzimi im për poezinë ka ardhun nga poezia e Mjedës dhe Fishtës. Pra poezitë e tyne që unë i lexoja në shkollë, kanë qenë shkëndia ime e parë poetike. Krijimi im i parë i botuar në shtypin e ditës është një poezi me titull ‘ Shko moj Shqipe’ që i dedikohet atij që frymëzoi vargun tim poetik, At Ndre Mjedës. Këtë poezi e botova në Gazetën Letrare “Muzgu” , nga botuesi i mirënjohur, eseisti dhe shkrimtari Mark Simoni në Nëntor të 2014-ës. Kur doli nga shtypi kjo gazetë me poezinë time të botuar , nuk di se si ta përshkruej ndjesinë time. Dhe për këtë unë i jam shumë mirenjohës Profesor Markut. Pastaj ,unë kam botuar disa herë poezi në këtë gazetë. Profesor Marku, më ka përfshirë në disa Antologji Poetike , të Shtëpisë Botuese “Muzgu”, në mesin e shumë poetëve të tjerë. Veç Gazetës “Muzgu “, kam botuar edhe në Gazetën Kulturoro-Letrare “NACIONAL ” të shkrimtarit dhe botuesit Mujë Buçpapaj. Pra botimi i poezive të mia në këto Gazeta , sikur i dha krahët e një shqipje rrugëtimit tim poetik. Me një fjalë , më motivuan shumë.

6-Si nji djal Tropoje me plot energji për të sotmen dhe të nesermen keni botuar një liber me poezi këtë verë , cila është pak a shumë përmbajtja e krijimeve tuaja ?

6. Kam privilegj të madh nga jeta , për vet faktin se unë jam nga Tropoja, vendlindja e shumë poetëve më në zë të letërsisë së sotme shqipe. I jam shumë mirenjohës vendit tim, me gjithë mrekullitë e tij që më bëri dhuratë poezinë. Në korrik të këtij viti , unë kam botuar librin tim të parë dhe të vetëm deri më tani me poezi me titull “ Akoma Besoj “, tek shtëpia botuese ” Muzgu “. Vlen ta theksoj se për sponsorizimin e këtij libri më ka ndihmuar z. Xhemë Nezaj , ndaj të cilit unë mbetem gjithmonë mirenjohës. Ai ka deshmuar dhe më herët respektin dhe konsideraten e tij ndaj poezisë duke ndihmuar edhe poet të tjerë . Për rrugëtimin tim poetik , kam falenderim të përzemërt për dy poetët më në zë të Vendlindjes sime , dy mjeshtërit e HAIK -ut , poetin Gjon Neçaj dhe poetin dhe njëherësh Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve , Tropojë z. Lulzim Logu. Kam pasur fatin e madh në jetë , të njihem me këta dy poet me një shpirt dhe zemër të madhe njerëzore , të cilët më kanë rrëfyer sadopak rreth poezisë dhe se si hapen portat e saj . Unë nuk e shoh poezinë si një mjet fitimi , sepse ‘poeti është i varfër financiarisht ,por shumë shumë i pasur shpirtnisht.’ Unë e dua poezinë , dhe me krijimet e mia dua t’i jap diçka nga vetja asaj. Unë nuk bëhem pjesë e Letërsisë për të konkuruar askënd , por kërkoj vendin që më takon , vetëm kaq dhe asgjë ma shumë. Ndonëse i ri në moshë , përmbajtja e krijimtarisë sime në thelb ka jetën reale , dhe motivet patriotike – atdhetare. Bërthama e gjithë krijimtarisë sime të deri tanishme mbetet , ndjenja e optimizmit. Qëllimi im është që të rikthehet fryma poetike e Mjedës dhe Fishtës . Nuk them t’i mbërrij ata , por të iu afrohem deri diku për të mos i lënë në harresë. E adhuroj shumë vargun poetik të rimuar.

7-Ju jeni shumë aktiv në fb,si e vleresoni komunikimin me miqtë dhe mikeshat tuaja? Ka raste qe Besarti nervozohet kur shef komente të dalura jashtë kontekstit njerëzor.

7. Rrjeti social Facebook , dashur e padashur ne , është bërë pjesë e secilit prej nesh. Si çdo gjë, edhe ky ka të mirat dhe të metat e tij. Në Facebook, më është dhënë rasti të njihem me shumë njerëz ndonëse virtualisht. Edhe në Facebook jam vetvetja ashtu siç jam në realitet. Komunikimi në këtë rrjet social për mendimin tim i kalon disa herë kufijtë dhe kjo më nervozon nganjëherë siç e pohoni dhe ju. Edhe Facebook-u kërkon orar dhe mirë administrim , pavarësisht se ka raste ku nuk e rrespektojmë as njërën e as tjetrën.

8-Ju jeni nji i ri që e doni të mirën në jetë,do angazhoheni në jetën politike apo do i kushtoheni jetës tuaj dhe dorshkrimeve?

8. Është shumë e vërtetë se e dua të mirën në jetë si për vete ashtu edhe për të tjerët. Sa i përket pyetjes suaj nëse do të angazhohem në politikë apo jo , unë mund të iu them se jam akoma i ri , por nuk e mohoj se një ditë do të jem ndoshta edhe pjesë e Politikës . Dua të theksoj se do ta ndaja Politikën me Letërsinë. Pra do të përpiqesha t’i ekuilibroja me njëra -tjetrën. Gjithsesi , jetës nuk i dihet ,por poezinë nuk do ta lë kurrë. Ajo ka lindur me mua , do të jetojë me mua dhe do të vdesë me mua.

9-Dy fjal për jetën politike në vend ,gjithmonë në këndvështrimin tuaj si poet?

9.Në këndvështrimin tim prej poeti, vendi ynë nuk ka pasur dhe as nuk ka një politikë të mirfilltë me ambicie për zhvillimin e Shqipërisë. Vendi ynë është i tej mbushur me parti politike , çka kjo vetëm dëm po i sjellin vendit. Politika tek ne nuk e ka frymën e bashkëpunimit kur bëhet fjalë për interesat Kombëtare. Kam bindjen se duhet zhdukur një herë e përgjithmonë kjo klasë politike , për tu lënë vendin të rinjëve për ta drejtuar vendin dhe politiken shqiptare. Shqipëria nuk e meriton gjithë këtë rrëmujë nga vet shqiptarët. Për vendin tonë asgjë nuk kanë qenë pushtimet çka po i bëjnë autopushtimet . Si pati thënë Faik Konica : “Zot ruaje Shqipërinë prej shqipëtarëve se prej armikut ruhet vet….” Dhe unë jam plotësisht dakord me fjalët profetike të Konicës. Nuk pajtohem fare me politikën aktuale. Dhe deri nesër po të bëhem pjesë e Politikës , unë nuk do të aderoj në asnjëren nga këto parti politike .

10-Duke e përfunduar këtë intervistë me juve i nderuari z.Besart,dy fjalë për të ardhmen tuaj.

10. Sa i përket të ardhmes time mund të them se kam shumë besim tek ajo. E ardhmja nuk mund të parashikohet edhe pse njerëzit përpiqen shumë për këtë . Di të iu them një gjë se e ardhmja sigurohet duke besuar dhe duke guxuar. Përfundimisht , të ardhmen time unë e shoh në shërbim të vendit tim në çfarë do lloj mënyre. Ju them shumë sinqerisht se nuk më intereson asgjë ma shumë se sa e ardhmja e sigurte e vendit tim. Unë them se “në jetë ,çfarë do që të jesh, asgjë nuk është më me rëndësi, se sa të qenurit Njeri…..” Duke iu falenderuar pafundësisht për intervistën tuaj , z. Gjin Musa, unë iu deshiroj suksese dhe gjithë të mirat në jetë, ju dhe familjes suaj!

Edhe nji here ju falenderoj nga zemra per bashkebisedimin qe patem ne realizimin e kesaj interviste me filizin e ri te Tropojes poetin Besart Ramiz Tafaj.

2 COMMENTS

  1. Nje interviste e ndjeshme, realiste, me pyetje pergjigje pa shabllone, por e thjeshte, e mbi te gjitha shtu siç jane protagonistete, i intervistuari dhe intervistuesi. Ndaj pergezoj publicistin Gjin Musa, njeheresh mikun dhe kolegun tim per kete interviste me shume tharm per poetin e ri te talentuar Besart Ramiz Tafaj.
    Urime!

  2. Ju falnderoj miku im Gjon!
    Vlersimi nga ana e juaj eshte nji shtysë per te permiresuar sa ma shum intervistat, ne jete me ka pelqyer te jem i drejtperdrejt, qoft ne intervista apo ne shkrime normale dhe me karakter politik.
    Ju falenderoj nga zemra juve z. Gjon, po me kete raste pershendes botuesin e “Fjales se Lire” z. Arben Çokaj, njikohesisht miku im i mire, qe me ka mbeshtetur ne ç’do raste.
    Me shum dashamiresi,
    Gjin Musa

Comments are closed.