OLTJONA SELAMAJ: PËRURON DY LIBRA POETIKË, NË “ART GALERY”

0
43

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues – Tiranë

1.

Tashmë, po bëhen të zakonshëm përurimet e librave në qendra kulturore e artistike. Në rastin konkret, e kam fjalën për përurimin e dy librave të rinj me poezi, nga autorja emigrante në Itali, Oltjona Selamaj. Në këtë udhë, ajo vazhdoi traditën, që po krijohet në kryeqytetin tonë, ku kanë përuruar librat e tyre bashkatdhetarë,që kanë ardhur nga trojet amtare në Kosovë, Maqedoni e Mali i Zi, por edhe nga diaspora shqiptare, deri në Amerikë e Kanada.

Gazetarja e re Kaludia Malaj u bë “kumbare” për shumë nga të ftuarit në veprimtarinë e përurimit të librave të Oltës. Përveç publikimit të njoftimit në Internet, ajo vetë mori në celular a telefon miq krijues, poetë, shkrimtarë e artistë.

Vendi i përurimit ishte i mirëmenduar. Pra, tubimi i të ftuarëve u bë në Qendrën Tregtare “ETC”, Rruga “Bajram Curri” e kryeqytetit, ku ndodhet AK “Art Galery”. Në katin e dytë të asaj ndërtese është një sallon i bukur, ku ka vendour mjaft piktura të frymëzuara, autori nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), Azem Kuçana. Aty i priti ai të gjithë të ftuarit, me dashamirësi e buzagas, por dhe administratorja, Vjollca Kuçana-Mema. Ndërmjet tyre ishin edhe arsimarja dhe krijuesja e njohur Zyba Hysa, sociologia Entela Binjaku, gazetarja e re Klaudia Malaj dhe mjaft familjarë, miq e kolegë të Oltës. Vërenim që vetë ajo ishte mjaft e emoconuar, në shoqërinë e tërë atyre dashamirësve të letersisë dhe artit. Këtë ndjenjë ia shtonte edhe fakti se ajo ndodhet familjarisht jashtë Atdheut dhe këtu ndjeu ngrohtësinë e dashurinë e bashkatdhetarëve të saj.

Pasi të ftuarit takuan autoren e dy librave, që përuroheshin dhe që kishte në duar një buqetë stërmadhe me lule shumëngjyrëshe, morën dhuratë nga një kopje të tyre, me nënshkrimin e saj dashamirës. Pastaj, pranë stendave me piktura të bukura dhe me ngjyra të ndezura, një pjesë nga të cilat me pamje nga natyra mahnitëse shqiptare, të gjithë ngritën dolli me pijen e shishes së shampanjës. Po kështu, bënë fotografi të përbashkëta, për t’i ruajtur kujtim të paharruar, nga kjo veprimtari mbresëlënëse.

Në mes të kësaj feste të librit, poetja Oltjona Selamaj iu drejtua të pranishmëve me pak fjalë përshëndetëse e falënderimi. Ajo shprehu kënaqësinë që ndodhej ndërmjet dashamirësve të letërsisë dhe artit e premtoi që, edhe në të ardhmen, do ta vazhdojë krijimtarinë e saj.

2.

Tani kam ndër duar njërin nga librat e Oltës, me titullin “Panorama e shpirtit”, ku ajo ka shkruar këto fjalë: “Me respekt, profesorit artdashës, z.Murat Gecaj”. Libri tjetër me poezi, në gjuhën italiane, e ka titullin “Angelica luce”(“Drita engëllore”).

Libri i saj poetik, në shqip, është publikuar nga “Botimet Barleti”(Tiranë, 2015). Ai ka 105 faqe dhe përmban 95 poezi, të ndara në katër cikle: “Pakëz qiell, nga ky qiell”, “Magneti i syve”, “Jam engëll i dërguar” dhe “E veçanta ime”. Hyrjen e librit e ka shkuar Kristaq F.Shabani. Ndërsa edhe vetë Olta ka pak radhë aty. Ndër të tjera, ajo shkruan me sinqeritet: “Në adoleshencë, shpërthimi i ndjenjave poetike ishte një llavë e pandalshme vullkani emocional, ku gjeja qetësi e paqe, në kërkim të botës dhe vetëvetes…Poezia ishte mikja ime më e sinqertë, pasqyra e çdo ndjenje të brendshme, e cila, me fjalët e saj, herë të ëmbla e herë të ashpra, më bënte të kuptoja më mirë ndjesitë e mia për botën e njerëzit, natyrën e problematikat sociale…”.

Siç është e kuptueshme nga lexuesi, do të duheshin radhë të tjera, për t’u ndalur e shprehur mendime rreth tematikës e realizimit artistik të poezive të Oltës. Po, në kornizat e një shkrimi informues për përurimin e dy librave të saj, po mjaftohemi vetëm duke thënë, se ajo ka një botë të pasur shpirtërore, të cilën na e ka pasqyruar me mjeshtëri përmes vargjeve të frymëzuar poetikë. Këto i gjemë të mishëruara në poezitë për të afërmit e saj të gjakut, për bukuritë e Atdheut e disa figurave të shquara të tij, për ndjenjat e natyrshme njerëzore e çështjet shoqërore etj.
Me këtë rast, i urojmë nga zemra autores Oltjona Selamaj: Shëndet të mirë, arritje në çdo fushë të jetës dhe krijimtari të pandërprerë poetike, sasiore dhe sa më cilësore!

Tiranë, 20 shtator 2015