Mbyllja e TemA-s, deklaratë e 4 organizatave të medias

0
24

Shekulli Online, 27.01.2010

‘Ne, gazetarët e Shqipërisë, të grupuar në organizatat më të mëdha profesionale në vend, shprehim keqardhjen dhe njëkohësisht shqetësimin tonë për mbylljen e një prej gazetave më të rëndësishme të shtypit shqiptar.

Shprehim keqardhjen, sepse ndalimi i botimit të gazetës “TemA” është një shenjë e qartë e thellimit të ngushtimit të hapësirës së lirisë për shtypin dhe mediat në Shqipëri. Ky akt i rëndë është një mundësi më pak për të gjithë ata që bësojnë ende në vlerat e lirisë së shprehjes dhe në gazetarinë e padeformuar nga interesat e ulëta dhe fuqia e pushtetit.

Mbyllja e gazetës “TemA” është një dëshpërim i madh për ata gazetarë që përpiqen të ruajnë integritetin e tyre profesional në këto kohë të vështira për mediat dhe shtypin në Shqipëri. Eshtë një mundësi më pak, një dritare e mbyllur dhe një zë i fikur për të parë dhe për të thënë të vërtetën. Është një betejë e humbur për të gjithë ne, në luftën e vazhdueshme mes lirisë së shtypit dhe pushtetit.

Kjo humbje nuk shkakton vetëm dëshpërim, ajo përbën një shqetësim të madh për ne, anëtarët e organizatave të gazetarëve në Shqipëri. Mbyllja e gazetës “TemA” nuk erdhi si pasojë e rregullave normale të konkurrencës në treg. Ajo erdhi si pasojë e presioneve të ndryshme, materiale, financiare dhe fizike ndaj redaksisë modeste të kësaj të përditshme. Gazetarët e “TemA”-s u nxorrën forcërisht nga zyrat e tyre dhe shtypshkronja e gazetës u nxorr jashtë përdorimit për më shumë se një vit me një vendim të njëanshëm të qeverisë shqiptare dhe pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor. Botuesi i “TemA”-s, Mero Baze, u sulmua fizikisht dhe u dëmtua materialisht duke i shtuar kështu vështirësitë në mbajtjen gjallë të gazetës në kushte të tilla presioni fizik e psikologjik. E po t’u shtosh këtyre kontrollet financiare dhe mungesën e qëllimshme të reklamës, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të botuesit, misioni i “TemA” u bë një mision i pamundur.

Ne, gazetarët e Shqipërisë ngremë sot zërin fort dhe jemi të alarmuar nga mënyra se si u veprua me një nga gazetat kryesore dhe me traditë disa vjeçare në shtypin shqiptar. Ne solidarizohemi me gazetarët e “TemA”, që sot janë të papunë, dhe protestojmë ndaj qeverisë jo vetëm për metodat e ndjekura ndaj një gazete, por edhe për përpjekjet që rastin e “TemA” ta përdorë si kërcënim për ata që nuk i shkojnë për shtat ineteresave të pushtetit.

Ne, gazetarët e Shqipërisë kërkojmë, sa nuk është vonë, që për këtë rast të sensibilizohen dhe të bashkohen me ne të gjitha organizatat e mbrojtjes së gazetarëve dhe shtypit të lirë në botë, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend dhe shoqëria civile. Lufta jonë për më shumë liri dhe hapësirë demokratike duhet të vazhdojë.

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Unioni i Gazetareve shqiptare

Forumi Shqiptar i Mediave te Lira