Poeti që ende nuk e njohim

0
26

Nga Gazeta Shqip21 Korrik 2015

Hans Joachim Lanksch e kujton ende atë bisedë me profesorin e albanologjisë. Ishte një shëtitje e shkurtër në korridorin e gjatë të institutit që do ta ndizte më shumë pasionin për shqipen në jetën e studentit gjerman. “Profesori më bani pyetje se çfarë landësh studioja, çfarë më interesonte në këto studime, çfarë më interesonte përveç studimeve dhe me çfarë merresha në kohën e lirë. I thashë se më interesonte muzika klasike dhe se merresha me përkthimin e poezisë. ‘Çfarë po përktheni?’ – u interesue profesori. ‘Nji poet ekspresionist, konstruktivistin slloven, Sreçko Kosovel.’ ‘Interesante’, – tha. Kaloi nji copë herë, pastaj tha se ‘ju përktheni poezi, unë shkruej poezi’ dhe shtoi se ndonji ditë do të ma binte nji libër të tijin.

Nji ditë prej ditëve ma solli vëllimin ‘Njeriu më vete e me tjerë’”. Kështu e kujton Hans Joachim Lanksch fillimin e një miqësie që do të zgjaste gjithë jetën me Martin Camajn. Ai është i vetmi sot që mund të na ndajë kujtime nga jeta larg prej këtej e një prej personazheve më të mirë të letrave shqipe. Shqipja e tij është në gegërishten e Camajt, duke na treguar se jeta e tij ishte jeta e zakonshme e një profesori në një universitet gjerman. “Punën e merrte shumë seriozisht. Jepte ma shumë leksione sesa paguhej, vetëm e vetëm për t’i plotësue nevojat e studentëve. Ditën punonte. Në mbramje, kur u kthye nga puna, e shoqja Erika (me profesion mjeke), fillonte jeta private.

Mbas darkës shikonte ditarin televiziv, mbasandej fillonte koha e telefonatave me miqtë shqiptarë në Gjermani, Itali, SHBA dhe kudo në diasporë”, kujton Lanksch. Dita e tij niste me leximin e gazetave dhe revistave nga Shqipëria. “Profesori lexonte, sidomos gjatë udhëtimit me tren nga Lenggriesi për në Munih, ‘ZiP’-in, ‘Bashkimin’, ‘Nëntorin’, ‘Dritën’, ‘Rilindjen’ e Kosovës dhe gazeta nga disa rrathë të Shqipnisë. I lexonte këto botime jo se entuziazmohej për propagandën e regjimit në to …”, thotë Lanksch. Pas studimeve për filologji në Beograd më 1955-n, Camaj udhëton drejt Romës i ndihmuar nga Ernest Koliqi për të vijuar studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë. Këtu studion Letërsi Latine, Italiane, Filologji Romane e Sllave, si dhe Gjuhë e Letërsi Shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij.

Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit të Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shejzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi. Qysh më 1959-n, Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i 1960-s. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë.

Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Në janar 1960 vendoset në Munih të Gjermanisë falë një sistemi shkëmbimesh akademike. Bëhet lektor pranë Universitetit “Ludwig Maximilian” të Munihut dhe më 1964-n u bë Privatdozent. Më 1969-n ai lidh kurorë me Erikën, gjermanen me flokë të verdha, e cila do të jetë deri në fund të jetës së tij përkrah Camajt.

Më 1970-n bëhet profesor, e deri më 1990-n jepte Albanologji në të njëjtin universitet. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Më 12 mars të vitit 1992, ai mbyll sytë përgjithmonë në Munih me brengën e pashuar për Shqipërinë. Sot është 90-vjetori i tij i lindjes, një ditë për të kujtuar një personalitet të letrave shqipe, të cilin e njohim aq pak. Sot është një ditë për të reflektuar për këtë personazh të kujtesës sonë historike, kontributi i të cilit i përket vetëm kulturës sonë. Le ta lexojmë sot më shumë Camajn…