Bota Sot | 20.07.2015 • Kolec TRABOINI
E trishtueshme, mijëra njerëz falen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që i takon gjithë popullit, falen e përfalen me kurriz nga Heroi Kombëtar në bronx, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Kurriz më kurriz, për të mos thënë diç tjetër të rëndë. Po fundja le ta themi përderisa dhëmb aq shumë në shpirtin e atdhetarëve, që kanë ideale kombëtare e nuk i zëvendësojnë ato me pasione fetare. Si mund publikisht në prani të mediave t’i kthesh masivisht të prapmen Heroit Kombëtar të gjithë shqiptarëve që është fytyra e dinjiteti i kombit shqiptar? Pse është zgjedhur pikërisht ky vend, kur xhaminë e Etem Beut e kanë në krah të monumentit? Antagonizëm i shprehur në vizion, të cilin, veç atyre që e kanë sajuar ligsht e me qëllime të mbrapshta mohimi të Gjergj Kastriotit, të mos pandehim se bota e civilizuar nuk di të kuptojë domethënien e mesazhin që përcjell ky kumt.
Myslimanët shqiptarë duke u falur në sheshin kryesor të Tiranës
Dhe ky nuk është një kuptim i mirë. Ai e dëmton prestigjin tonë si shqiptarë në sy të mbarë botës. Gjergj Kastrioti mbrojti qytetërimin europian, kulturën evropiane përballë hordhive të lindjes që vinin e shkatërronin çdo gjë shqiptare mbi faqe të dheut. A meriton ai këtë përbuzje publike për hir të interesave të një feje, që në fund të fundit u soll nëpërmjet një pushtimi shumë shekullor dhe tashmë është prezent dhe duhet ta respektojmë për hir të parimeve të lirisë, që na e mëson Europa e kulturuar me parimet e saj për lirinë e mendimit dhe besimit.
Gjithsesi, qoftë dalja masive dhe pozante e fesë nëpër rrugë është e frikshme. Cila është domethënia? Kështu nëpër vende publike nuk kanë dalë as në kohë të Ismail Qemalit, as në kohë të Vilhelm Vidit, as në kohë të Sulejman Delvinës, as në kohë të Ahmet Zogut, as në kohë të Enver Hoxhës. A është ky një revansh i qëllimshëm për të kundërshtuar apriori mendimin se raportet e përqindjeve të popullsisë, sa i përket besimeve, janë pothuaj të njëjta dhe shumica nuk është praktikante e rregullt e ritualeve të besimit të trashëguar nga prindërit.
Pse duhet të pushtohen rrugët e sheshet që janë të qytetarëve, pa dallime fetare. Pse duhet përpunuar lajmi mbi këtë dalje duke thënë se janë gjysmë milioni besimtarë myslimanë në shesh? Kujt i intereson kjo shifër e manipuluar, edhe kjo si gjithçka që manipulohet në këtë vend, duke e pesëdhjetë fishuar. Si qytetar shqiptar nuk dua që asnjë lloj feje të manifestojë nëpër rrugë e vende publike që i takojnë gjithë qytetarëve. Këto pamje nuk e përfaqësojnë Shqipërinë. As të gjithë shqiptarët. Kështu është vepruar vetëm në kohën e Haxhi Qamilit dhe të Musa Qazimit. Kush e di historinë e Shqipërisë i njeh këto persona regresivë e fanatikë ekstremistë fetarë, të cilët i lidhnin atdhetarët e shkollarët shqiptarë me litarë, e i hiqnin zvarrë shesheve si të ishin qen.
Kush na paska këto nostalgjira për kohë të perënduara. Çfarë është kjo ndodhi, si të ishim një vend i arab a i Lindjes se Mesme, që kryeministri shtron iftar. Le të shtrojë si e çfarë të dojë në shtëpi të vet e me shpenzimet e veta, por jo në institucionet e shtetit laik e paratë e popullit. Dhe nuk flet askush, vetëm mbllaçiten kameleonët e gazetarisë shqiptare, që i lëpihen qeveritarëve. Nuk kanë çfarë duan fetë në punët e shtetit, as në instancat e shtetit. Bëni të paktën atë që bëri Ahmet Zogu, meqë kohën e Enver Hoxhës e mallkojmë të gjithë, pa patur as durimin të gjykojmë me kthjelltësi një epokë sado absurde të ketë qënë. Shteti nuk duhet të japë asnjë qindarkë për fetë. Ato të mbahen nga besimtarët e vet dhe të propogandojnë fenë në institucionet e kultit e jo nëpër rrugë. E frikshme.
Ku po vemi kështu? Na sheh bota, na shohin edhe ata të ISIS-it e thonë e kemi terrenin e shtruar, ndaj do ta pushtojmë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Po a jemi ne në gjendje t’i bëjmë ballë mizorisë?! Nuk besoj. Atëherë pse nuk i ndalojmë këto manifestime nëpër rrugë që të mos u krijojmë edhe të tjerëve iluzione të rreme mbi identitetin tonë si shqiptarë. Pse duam të japim një fytyrë tjetër për kombin, një fytyrë tjetër nga se e kemi. Nuk jemi shtet fetar. E për më tepër nuk kemi aspak tolerancë, sepse po të ishim tolerantë, nuk do të pushtonim sheshet publike, që u takojnë gjithë qytetarëve. Me çfarë po bëjmë, nuk jemi pa rrezik, prandaj i përmblidhni pasionet e fesë brenda vetes dhe institucioneve fetare, objekteve të kultit që janë mbjellë anë e mbanë Shqipërisë.
Ta themi hapur, nuk mund të pranoj si qytetar shqiptar dhe atdhetar, të tilla dalje të çfarëdo feje a besimi nëpër rrugë e sheshe, i konsideroj revanshe madje të frikshme, jo thjesht për vete personalisht, por për fatin e popullit që aq shumë ka hequr në histori dhe meriton ndriçim të mendjes e përparim, si kombet e tjerë të Europës, sepse ne nuk jemi Lindje, e për më tepër shumë travaje kemi hequr nga Lindja në histori. Në jemi Perëndim, ne kemi qenë e mbetemi në zemër të Europës, si një arterie jetëdhënëse. Kemi luftuar jo sot, por pesë shekuj më parë për kulturën dhe qytetërimin, në të cilin edhe ne jemi pjesë e pandarë dhe jo mish i huaj i ngulfatur prej hordhive aziatike.
Prandaj të kthjellohemi, asnjë iluzion për rrugë tjetër nuk duhet të ketë për ata që e konsiderojnë veten shqiptarë dhe atdhetarë të vërtetë edhe sikur për mbrojtjen e këtij qëllimi të kërkohet çdo sakrificë. Hoxhallarët e priftërinjtë tanë të nderuar të mos i ndërsejnë besimtarët e vet për t’i nxjerrë në rrugë, sepse rrugët e sheshet janë të gjithë popullit, në të cilët përfshihen edhe ata, të cilët janë të shumtë ndër ne dhe zotin e vet e quajnë me emrin shkencë.
Një shkrim mjaft i domosdoshëm për këtë popull, i cili po e humbet rrugën në oborr të vet. Orientimi i shoqërisë sonë drejt punës e zhvillimit, drejt shkollës e dijes është orientim racional dhe i arsyeshëm, e jo drejt iluzuioneve fetare, që nuk sjellin dobi, vetëm nënshtrim. Fetë në Shqipëri le t’i krywejnë shëbesat e veta, për qytetarët shqiptarë dhe në interes të tyre, brenda objekteve fetare dhe pa e shqetësuar popullsinë, as me dalje në rrugë e as me zhurma arabe të panevojshme. AÇ