SEVËME FETIQI NË MES TË YLLËSISË SË FJALËS SHQIPE DHE IMAZHEVE TË RINGJALLURA

0
57

Xhemail Peci

Ashtu siç jetoi arti fisnik më gjatë se natyra fisnike, po ashtu ai ia kalon asaj edhe në gjininë frymëzuese që vazhdimisht formon dhe zgjon shpirtra. Prepare se e verbena at departure driven e saj ngadhënjyese në thellësitë e zemrës, poezia arrin t’i kapë këto rreze, duke bërë që edhe majat e njerëzimit të shkëlqejnë nga një dritë lëbyrëse, teksa nata e zymtë dhe ende e lagësht qëndron si e varur nëpër lugina.” (Fridirih Shileri: Letra e nëntë)

Poetja Sevëme Fetiqi
(Duke lexuar vëllimin poetik të Sevëme Fetiqit: Imazhe të ringjallura)

I.
Kur poetja frymëzohet nga imazhet e ringjallura
Poetja Sevëme Fetiqi me poezinë e saj lirike të këtij vëllimi poetik, me këngëtimet e shtresave të holla shpirtërore, me zërin e gjakut në kreshtën e fjalës e në maje të vargut, më kujton thënien e Gëtes: Sa e ëmbël tingëllon gjuha e nënës, në vend të huaj!
Përmbledhja poetike Imazhe të ringjallurahapet me një kushtim që në vete ngërthen përmasat e qëndresës në proporcionet koha dhe toka, një prolog ky që na e kujton zotimin e Petro Nini Luarasit se dhe njëqind herë po të biem, të njëqind e njëtën duhet sërish të ngritemi!
Nëpërmes projekcionit poetik shpalosen rrjedhat e kohës, në ballë të së cilës janë heronjtë e saj. Janë ata të cilët ringjallen në verbin poetik mbrujtur me imazhe të lindura rishtas, imazhe të cilat shpalosen deri në përjetësi:
Ata që jetojnë
Për të vdekur vetëm një herë
Le të mos jetojnë fare
Në rrjedhën e kohës
E në frymëmarrjen e Tokës sime

Këngëtimi lirik i poetes Sevëme Fetiqi në vetvete është një lirikë e hollë në yllësinë e fjalës shqipe. Kjo yllësi e fjalës shqipe për poeten e ndjenjës së theksuar lirike, rrënjët i ka tek dheu dhe lashtësia e tij. Është shenjtëria e dheut dhe dashuria për të, ajo që poetes ia shtrydhë lotin. Është prandaj vargu ai që në vete ngërthen dhembjen dhe psherëtimën, klithjen dhe mallëngjimin. Për më tepër se kaq është një mall atdheu në një qëndismë mëndafshi e cila bie me butësi e ngashërim përmbi zemër-klithjen Dheu im. Pa dyshim një klithmë e si e arbëreshëve, si e simotrës së saj Kate Xukaros, por edhe e poeteve si Afërdita Skënderi apo edhe Flora Brovina.

Në poezinë e saj poetja Sevëme Fetiqi e shkrinë ndjeshmërinë e vet të skajshme, sa herë që flet për shenja të shenjta, sa herë që përmes shpalosjes së dhembjes mëton të zgjon shpresën, për të cilën ajo beson se doemos, një ditë edhe agon. Tek shprehja poetike e kësaj ndieshmërie lirike, vala e detit i përlanë lotët, e loti nuk pranë. Bulëzat e lotëve arrijnë deri në re, paskëtaj sërish në pika shiu, e më tej edhe në fjolla bore. Në një cikël të tillë të rrugëtimit të lotit, poetja e ka projektuar shtegun e shpresës. Ajo e ka shpalosur gjakimin e saj lirik:

t’ia freksojë etjen Dheut tim
tok me lotin e mallit

Zemër-klithja Dheu im, përkatësisht Dheut tim, nuk është një rastësi. Poetja dëshmon kështu se qëndron në vazhdën e traditës, se pi ujë nga gurra e frymëzimeve që ushqejnë letrat shqipe që nga lashtësia, e që përjetësohen në klithmat e poetëve, si fjala vjen tek Mikel Meruli (Vogëlush kam qenë,/ mërguar nga dheu i të parëve) apo edhe tek ajo e Zef Skiroit, i cili me zemër-klithjen e tij Tek dheu i huaj, shprehte në të vërtetë zemër-klithjen e njëjtë: Dheu im…

Por poetja Sevëme Fetiqi e ka thurur këngëtimin e saj edhe nga një prizëm tjetër, nga ai epik. Duke gërshetuar kështu të dy sfondet, atë lirik me atë epik, ajo shpesh u qaset katrahurave të historisë. E tillëështë poezia Kafkë stuhish, në të cilën me një gradacion të theksuar që realizohet aq bukur përmes shprehjes së latuar poetike, për të arritur deri tek ajo që poetja e quan në mënyrë simbolike: Ringjallje me dy gishta:

në lojë djalli

Kafkën time sa herë
e pashë varur
skenar i trishtë
qetim i brishtë
vorbull e vyshkur
apo mallkim
ndarje muresh
shenjtëri epokash
e varret kurrë s’u mbyllën
as këngëvaji s’pushoi

Ringjallje me dy gishta
fluturim
mbi krahë shqiponje
qiellit të blertë
në gjirin atmëmë

Duke vënë më tej kohët përballë njëra-tjetrës, e duke skalitur në yllësinë e fjalës shqipe portretet e atyre që vetes i ngrenë një piadestal në mermerin më monumental, poetja Sevëme Fetiqi ia ka dalur që nëpërmjet vargut emblemë ta shkrijë në njëgradacionin e shprehjes në funskion të pamjes që shpaloset gjithë therori e sakrificë me sfondin epik të ligjërimit të saj poetik.

E tillë është poezia Në fshatin e lindjes (kushtuar Adem Jasharit dhefamiljes së tij), ku përmes kryevargut Në fshatin e lindjes, të cilin kryevarg poetja e ka pëdorur me mjeshtëri në funksionin e një anafore e cila shkon aq bukur në strukturën poetike, arrihet shplaosja e imazheve të ringjallura si dëshmi për histori se sa shumë e kanë dashur fshatin e lindjes ata qëme aktin e flijimit dhe të martirizimit të tyre, u prinë breznive orëmira.

Sevme Fetiqi është poetja që beson se atdheu fillon tek zemra e nënës, prandaj përmes poetikës së shprehjes ajo ka shplaosur një heroizëm ilirësh, ajo ka ngritur një obelisk nga fjala që del prej palcës së zemrës. Gjithsesi, ajo ka lartësuar një monument për të gjithë ata që ranë me kokën sipër pragut, për të gjithë ata që e shkruan përjetësinë me shenjtërinë e zërit të gjakut të tyre.

Nga ky prizëm, gati çdo varg i thurur qëndron në vete me peshën e kuptimit që ka, me mesazhin që shpalos, me tablonë që ngërthen, me kronikën e gjakut të cilën poetja e shkruan në ballin e kohës sa tragjike, po aq edhe epike:

Në fshatin e lindjes
S’kishte grunaja
As fusha e luadhe
Çdo stinë pikonte lot
Lulet pikëlloheshin
Rrezet i vrisnin çdo agim
Për të zgjatur pafundësisht nata
Çdo ëndërr aty zgjaste shtatë shekuj

Nuk është e vështirë të kuptohet se ç’frymëzim epik gjen poetja menduar mbi vargun, me të cilin përjetëson gjakun e të rënëve për liri dhe për atdhe. Një poete që frymëzohet nga të bëmat e popullit liridashës, nuk mund të jetë indiferente. Përkundrazi. Ajo u kthehet imazhave të ringjallura për qëndismat e vashave. Ajo ka kthyer kokën kah honet e shekujve, ndërkaq që sytë e saj dhe vargjet e saj flasin për lenta të ylebrit. Ca imazhe ylebrore bien mbi tokën arbërore. Kush do të shkruajë për lavdinë tuaj? Kjo është zemër-klithja e kohës. E poetja kthehet sërish kah mijëvjeçarët për të përjetësuar flamurtarët e rilindur të cilët ia fshinë vuajtjet këtij populli martir, nga gjiri i të cilit dolën:

Në fshatin e lindjes
Qëndismat e vashave
I kalbin ftonjtë e harruar
Djemtë luanë kishin shkuar larg
Për të kapur fillin e ylberit
Për t’ua fshirë lotët shekujve

Në sytë e vargut rri një botë epike e cila ka hedhur shtat si kullat që rritën burrat. Sakaq një gjarpër i zi përdredh trupin e tij, gjë që poetja e ka shpalosur me një gdhendje aq të qëlluar të shprehjes poetike:

Në fshatin e lindjes
Netët mbështilleshin në lëkurë të vet
S’gjendej dot vend për dashuri
Mbillej liria edhe në sy fëmijësh
Lulet nuk vyshkeshin as në stinën
Kur u këputeshin gjethet

Në strukturën kompozicionale, vërehet mjeshtëria e poetes që në vargjet e para të secilës strofë të shpalosin një pamje ekspresive të një oguri tragjik. Ndërkaq, në pjesën e dytë të secilës strofë shprehet shpresa, shpaloset kthesa. Duke paraqitur kështu dy botë paralele: tragjiken dhe epiken, poetja kalon në një strukturim tjetër të vargut. Sikur mëton të dëshmon kështu me strukturën e vargut edhe për ledhet e kështjellave, edhe për trarët e kullave, edhe për bedenat e tyre:

Në fshatin e lindjes
Zjarri në vatra ishte shuar
Dhembja gacullonte në hirin e shkelur

Vetëm kullat flisnin me gjuhë zjarri

Çdokush në klithma rrëfente legjendën

Legjenda e bërë realitet. Miti që erdhi që nga lashtësia për fuqinë që Toka Mëmë u jep atyre që i lindi dhe i rriti. Epika legjendare në vargjet që përcëllojnë zjarre lirie në këtë tokë Ilirie:

Mes dy zjarresh në ethe
Këndonte këngën e gjakut dhe lirisë
Dhe vdiste në këmbë
Si lisat që i godet rrufeja

Mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe çekanit, mes hijenave tëçmendura – pre e lukunive të ujqve të Ballkanit! Kështu kanë qëndruar edhe ata që e kanë frymëzuar krye-heroin e lirisë së Kosovës: Zenel Gjoleka e Rrapo Hekali, Mic Sokoli e Oso Kuka, Jakup Ferri e Mehmet Shpendi, Elez Isufi e Zhujë Selmani, Bajo e Çerçiz Topulli, Nebih e Tahir Meha, dhe sa e sa të tjerë – sogjetarë amshimi në mbrojtje të lirisë dhe të tërësisë tokësore. Shkëmb në këmbë:

Në fshatin e lindjes
Një shtatore madhështore
Sodit pranverën që harliset
Me lule e grunaja

Një poezi-poemë. Një obelisk që ngre fjala. Një qëndismë që e thurë zemra. Një pranverë që ligjëron me zë lulesh. Një përmendore fjalësh. Sërish: Një Poezi. Një Poezi të cilës nuk ke çfarë t’i heqësh. Një testament brezash: “Netët mbështilleshin në lëkurë të vet…Dhembja gacullonte në hirin e shkelur”.

Vallë, ç’pamje tjetër a ç’tablo më epike do të ketë patur Ezhen Delakroa, kur pagëzoi një nga kryeveprat e tij me titullin aq domethënës: Liria i prinë popullit!?

E populli është nëna që e përkundë djepin e fatit të tij, të historisë së tij. Populli parakalon përpara flamurit të tij. Flamuri – krushku i parë. Parakalon edhe poetja duke përkujtuar se sa shumë gjak është derdhur “nëpër pore/të pëlhurës/së robërisë.”

Poetja bashkëbisedon me flamurin e kombit:

Në guximin tënd
zbret një shqiponjë
e zezë
të sjellë bardhësinë

Një brerore
stolis kokat
hyjnores së urtë
nga lufta në luftë

Poetja nuk ndalet por parakalon me krenarinë e saj të ligjshme në nderim të breznive orëmira (poezia Para Flamurit Kuqezi):

unë me gjakimin
krenarisht parakaloj

madhështisë sate

Mishërimi i qenies poetike me të pritmen, vërehet edhe në dy poezitë e radhës Natë e plagosur I dhe Natë e plagosur II. Duke e ndarë dhembjen në dy pjesë, poetja ka përdorur në funksion të vlerave të mirëfillta ideo-estetike metaforën dhe simbolikën e shprehjes, tek i ka thurur të dy poezitë në Motin e Madh 1981.

Poezia e titulluar Natë e plagosur I, në vete ngërthen simbolikën e agimit dhe të pëllumbave të bardhë:

Në shtegun e pritjes
me agim të bardhë
të gjeta
në lojëra stinësh
me pëllumba të bardhë
nga syri im lëshoje
në qiellin tënd të paskaj

Një sfond i tillë shfaqet në pjesën e parë të kësaj poezie, ndërkaq që pjesa e dytë në retrospektivë kujton natën:

Hiri yt pluhrosi shekujt
kur ra nata e plagosur
mbi fytyrat e përlotura
nata e pagjumësisë erdhi
heshtas gjurmëve të mia
nga ikën pëllumbat e agut

E veçanta e poezisë së Sevëme Fetiqit është mishërimi i syve me qiellin, si dhe i gjurmëve të poetes me pëllumbat e agut. Në një projekcion të tillë të shprehjes artistike, nuk është e vështirë të kuptohet se poetja flet me zërin e gjakut dhe se atdheut të vet ia falë ato hapësira dhe ato bardhësi, të cilat ajo i njëjtëson me sytë dhe me duart.

Në poezinë Natë e plagosur II, Sevëme Fetiqi shpalos sfondin e frymëzimit që për thelb ka motivin e kthimit. Përderisa fjala vjen, në baladat dhe legjendat shqiptare, kthimi vjen si pasojë e fjalës së dhënëapo të mallit të pafund, përderisa në një nga poezitë e Filip Shirokës janë dallëndyshet ato që shkojnë e vijnë- si simbolikë nëpërmjet të cilave poeti mërgimtar shprehte dashurinë për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë, në ligjërimin lirik të tablove ekspresive që shpalos poetja, janë pëllumbat ata që kthehen si një paraljmërim i cili në vete ngërthen një ogur të bardhë.

Paraljmërim për ca shenja të shenjta në të cilat beson poetja, për të cilat shpreson ajo dhe për të cilat gjakon me fjalën e gdhendur gjithëbardhësi.

Me dorën në zemër e zemrën në letër, Sevëme Fetiqi ka besuar dhe beson se do vjen një pranverë tjetër. Përkundër plagomës, përkundër zezonës, përkundër ankthit dhe psherëtimave që në vete i mbartë nata, poeten nuk e bjerrë shpresa:

Sërish u kthyen pëllumbat e mi
të agimeve të vrara

E dinin se dita po vjen
kur sqepat i ngjyrosnin
në lumin e përgjakur
të kësaj nate të plagosur

Në latimin e hollë të shprehjes poetike, në galdimin lirik, në frymëzimin dhe në përkushtimin e saj, poetja shkruan se është pagjumësia ajo e cila shërben “në rolin e dëshmitares së pagabueshme”, dhe në përvijim të mëtejshëm të një sfondi të tillë, pagjumësia:

me pëllumbat së bashku
i shkundin krahët e lodhur
nga pluhuri i shekujve puthnin guximshëm
plagët e muzgut të skuqur all

dhe krejtësisht në fund të këtij sfondi, Sevëme Fetiqi kujton me krenari se agu ngadhënjen përmbi natën:

nata e përlotur gjunjëzohej
para trimërisë së agut të bardhë

Pra, është bardhësia ajo që e mund natën, është shpresa ajo që e mund terrin dhe shqetësimin, është agu i një ditë të re dhe të një shprese të re për të cilin paraljmëron poetja.

Duke ia vënë kurorën një paraljmërimi të tillë, në poezinë e radhës Kurorë prilli (e shkruar po më prill të vitit 1981), kreshat e fjalës zbardhëllon edhe më tej duke përkujtar se në prillin heroik:

kur lulet
morën
ngjyrë gjaku

kur fjalët kurorëzuan
guximin e përjetshëm

Ishte prilli
kur apel i trimërisë
zgjonte djepin
të shkruaj historinë
maj plisit të bardhë

thurte kurorën
që s’vyshket

Poezia tjetër po me përmbajtje atdhetare, titulluar Ata ishin yje në qiellin e vet, kushtuar Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut, shquhet për ndërthurjen e bukur të vargut me pamjen që shpaloset nga kuptimësia e fjalës, me peshën e së cilës poetja ngre në lartësi një sfond epik nëpërmjet një ligjërimi lirik, i cili fillon me zemër-klithjen:

Ah Nënë
ata ishin yje në qiell
horizonteve të dritës nisur
drejt Kështjellës së Lirisë

Në këtë sfond, pena me vërtitjet e saj të holla vë përballë njëra-tjetrës shtigjet e shpresës dhe stuhitë e Karpateve. Janë bartësit e idealeve të lirisë, ata për të cilët ligjërimi lirik thur një himn nderimi e respekti, sepse siç thotë poetja, ata “bartën atdheun me vete”, “si zogjtë në erë/ nëpër natë acari e stuhie/hapësira ankthesh sfiduan/në kreshta trimërie u shndërruan”, “si lulëkuqe me këmisha të bardha”.

Duke e strukturuar këtë poezi kushtimi e nderimi në tri pjesë, poetja ka dëshmuar se në aktet e tilla madhore të flijimit, e veçanta bëhet e përgjithshme:

Ata nuk mbetën zogj me flatra të gjymtuara
as të plagosur si vargjet e mia të pakryera
ata u bënë shkëmbinj të thepisur
ku vetëm shqiponjat mund të ulen
qëndresën e tyre për ta përjetësuar
Buzëqesh nënë buzëqesh

me buzët tua të etshme
ata duan t’i puthin me shpirtin tënd
mermerët me epitaf Kosove

Me ligjërimin e saj poetik, Sevëme Fetiqi e ka përjetësuar gjakimin epik të martirëve të lirisë:

për lirinë tonë shkëlqimtare
në gjokset e krenarisë
lapidarët tanë të lavdisë

Një rreze drite e një fije shprese kërkon poetja më tej në poezinë Pak diell, për të sfiduar kështu nën simbolikën e dritës hijen që ndrydh. Nuk është pra rastësi pse poetët në këngëtimet e tyre gjithmonë kërkojnë pak diell. Nuk është rastësi pse Gëte në momentet e fundit të jetës së tij, klithte për më shumë dritë, për më shumë diell. Nuk është rastësi pse Lorka duke lëshuar zemër-klithjen e tij përpara togut të pushkatimit: Poetët nuk vriten, do të lëshonte njëkohësisht edhe zemër-thirrjen e tij: Ballkonin, lereni të hapur! Nuk është rastësi pse poeti i himnit kombëtar Aleksandër Stavri Drenova-Asdreni, do ta titullonte njërën prej përmbledhjeve më të bukura të poezisë shqipe, me titullin aq simbolik e aq domethënës: Rreze Djelli; ashtu siç nuk është rastësi pse gjeniu popullor do të këndonte nga thellësitë e shpirtit të tij:

Ç’kërkoi shqiptari ndër shekuj?
Pak bukë, pak dritë dhe pak hekur!
I erdhën njiherit te tria,
që ditën kur erdhi liria.

Liria dhe Kosova është frymëzimi që shpaloset edhe në poezinë e titulluar Jeta, strukturuar në katër pjesë: Lindja, Rrita, Pleqëria dhe Vdekja. Katër pjesë si të katër stinët.

Në pjesën e parë, poetja kujton:

Unë dhe Kosova
nga hiri lindëm

Ishim të vegjël
kur kafshuam
dhembjet tona

plagët i lidhëm
palë-palë me fasha
sa herë të përgjakura
me flamuj të bardhë
i përshëndetëm agimet
gjëmën u lamë
korbave krahështjerrë

Në pjesën e dytë, sërish përmes evokimeve lirike, fjala e latuar ka përshkruar rrugëtimin jetësor të një poeteje e cila atdheun e sheh me sytë kah dielli:

u rritëm gjer në ditën e lirisë
me blerim në pëllëmbët tona

Në pjesën e tretë shpaloset përballja mes kohës së venitur dhe kujtesës:

Kosovë kohë e venitur
rrokulliset çmendur
në flokun e bardhë

Edhe ti Kosovë
kurrë mos harro
kullën e gjyshit
dhe flokun e thinjur
mbi ballë

Dhe së fundmi, në pjesën e katërt (Vdekja), sërish nëpërmjet një latimi të hollë të shprehjes poetike gjithë durim dhe përkushtim, poetja e cila ndjenjën atdhetare di ta shpalos me fjalë lapidare, duke përdorur anaforën e ka shprehur sa shqetësimin po aq edhe dashurinë për kryefjalën e poezisë së saj-Kosovën:

E pas vdekjes Kosovë
kush do të shkruajë
epitaf mbi varrin tim
kush do të mbjellë
indin e gërshetit tim
në gurin shkëmbor
kush do t’m’i shartojë
dhembjet me gëzimet e botës

Kosovë
gjyshërit e mi
e lanë peng
këngën për rininë tënde
mos i shenjtëro
fjalët e kësaj nate
përkunde përrallën
e gjyshërve të mi
në qetësinë e një dashurie
lulëzo me lirinë tënde të bukur
Kosova ime
e lindur
…nga hiri
…nga gjaku
…nga eshtrat
e dëshmorëve.

Kosova pra në fillim të vargut a në mbarim të tij, është lajtmotivi jo vetëm i kësaj poezie, nëpërmjet të cilës shpaloset drama e një kombi të tërë.

Poetja Sevëme Fetiqi flet në emër të brezave e në emër të breznive orëmira edhe në poezinë e titulluar Metamorfozë, në të cilën shpaloset mishërimi epik i historisë, histroi kjo e cila për tokën bujare të gjakut që na lindi dhe rriti, shpesh ka qenë tragjike:

Vendi im prore ishte
kullë e ngritur
mbi gjakun e dëshmorëve
ku fjala ishte Betim
historia gjymtim
baroti gjoksflijim
këngë në pentagram
dielli paprarim
të vdekurit
legjendë frymim

Në poezinë e radhës, të titulluar Kush jam unë, shpaloset një monolog me kohën, duke vënë si prelud fjalët e atribuara një atdhetari: Mua më thonë: je një atdhetar i marrë! Ani, le të thonë, kokën ndoshta e kam të prishur, por gjakun assesi.

Më tej, nëpërmjet mëdyshjes dhe kontrastit shprehet njëkohësisht ironia e kohës:

A jam zjarr në akull
apo akull në zjarr
mes së vërtetës
e gënjeshtrës

A jam trëndafil në hi
apo Lizë në botën e çudirave
me mallin që djeg
ndër dhëmbët zgërdhirë

Një monolog i filluar si ironi me kohën, përfundon me një bashkëbisedim me tokën:

Vetëm ti më njeh
kush jam unë

Toka ime
kur një ditë
të prehem e qetë
me buzëqeshje epitafi

Ndërkazq, në prizmin e vrojtimit dje dhe sot,është e shkruar poezia Pasqyra e kujtimeve, në të cilën poetja thekson mendimin se pa lirinë Kosova ishte “në botën e hiçit”.

Kuptimin e një atdheu të cilin duhet lartësuar sa më shumë, atij ia kanë dhënë njerëzit e sakrificës por edhe ata të cilët ishin përkushtuar që me këngë të shpalosin kronikat epike të një kohe të trazuar. Nga një sfond si ky del poezia Pena dhe zëri i tij në çifteli (-Agim Gashit, poetit e rapsodittonë-), në të cilën shquhet përdorimi me mjaft zotësi i anaforës poetike: Aty, strukurë kjo mbi të cilën ndërtohet shpesh poezia e Sevëme Fetiqit.

Duket qartë se një strukturim i tillë, një procedim i tillë poetik, mundëson që të thuhet shumë e të shprehet një ndieshmëri e theksuar. Çdo fjalë qëndron bukur dhe me vend në ritmin e vargut, e çdo varg ka peshën e vet në strukturën e strofës, e cila nganjëherë përbëhet edhe nga dy pjesë kuptimore:

Aty ku brenga e tij përjetësohet
derisa të shndërrohet në dhembje
e dhembja sfidohet me këngë
Aty bashkohen lumenjtë
në një det të madh malli
siç bashkohet i biri me t’ëmën
dhe merren n’gryk me mall

Në penën e Sevëme Fetiqit, rapsodi shkrihet në një me tokën dhe me traditën e tij, kurse kreshta e fjalës është ajo e cila e ngre lart portretin e këtij rapsodi:

Aty ku pagjumësia e tij bën roje
si ujëvarë e bardhë për lulëkuqe

Aty ku qan e rënkon toka e tij
e larë në lot e djegur me flakë
ai e dërgon freskët këngën e ringjalljes
flamurin e fitoreve duke mbajtur lart
derisa të bëhet yll në qiellin e vet

Aty ku burrëria dhe trimëria
bëhen shpirt i krenarisë
Ai në ballë të oxhakut
i bën roje këngës dhe dashurisë
që do të na bashkojnë

Me bukë kripë zemër sofrën e shpirtit shtron
me ndjenjën e çiltërsisë

Duke e ngritur kështu lart figurën e rapsodit popullor, e cila në vete përmban tipare dhe virtyte fisnikërie e bujarie, poetja ia ka dalur që ta shtrijë në një plan më të gjërë sfidën me të cilët ndeshet shpesh tradita e lashtë:

Aty ku lakmia e zilia verbojnë arsyen
e ndjenja bëhet dëshmitare
e kohës së mëkateve të mëdha
ai i bën konak bujarisë
me fjalën mjaltë shëron
me zërin pushkë thërret horizontet e dritës
të arrijmë në pranverë

Me një latim kaq të hollë të verbit poetik, me një frymëzim kaq të thellë, me një përkushtim kaq të veçantë, Sevëme Fetiqi në fakt ka ngritur lart jo vetëm figurën e këtij rapsodi, por nëpërmjet tij edhe simbolikisht, figurën e dashur e të admiruar të rapsodit shqiptar në përgjithësi.

Duke e gdhendur një portret të tillë, poetja ka shpalosur njëkohësisht të vërtetën e madhe se ndeshen kështu në rrjedhën e historisë lufta e pashpallur tinzare dhe përballja me të, në ndërkohë që poetika e shprehjes sfidon përthithjen:

Aty ku heshtja shndërrohet në harresë
e njeriu në rob në kamleon
ai i jep shpirt e jetëçiftelisë
e përjetësi ëndrrës dhe besës

Aty ku kurbeti di vetëm gjuhën e mallit
largësisë i shtohet shtati
e i thinjen flokët
ai lufton me harrimin
asimilimin konvertimin
në këngë duke përjetësuar flijimin

Në një vallëzim të këtillë fjalësh, të cilat shembëllejnë me një vallëzim lulesh në shpërthim të prillit, poetja ka shpalosur tablonë e dhembshme të plagës së mërgimit. Ajo ka ndërthurur aq bukur motivin e kurbetit me ëndrrën e kthimit, një pikë në të cilën sikur takohet balada me legjendën:

Atje ku rrudhat e ballit
skalisin dhembjen për nënën
që e la me kokë në dritare
me duar në gji te pargu i pritjes
ai synon të kthehet
t’i bëhet diell vendlindjes
dhe fole zogjve të braktisur
logjeve të mallit horizonteve të dritës

nga ëndrra të futet në histori

Pena dhe perla bëhet një, e si një pe i kuq përshkojnë një hapësirë hyjnore të shqipes dykrenore, në të cilën gjithmonë ka mbijetuar qëndresa shekullore.

Aty, aty, aty… Gjithmonë është Ai:

Aty ku pena e tij është kushtrim
është frymë e parë dhe e fundit
është perla e ujërave të ëmbla
që i vë emër këngës
ku atdhe e ka kullën e qëndresës
aty shndërrohet në ujëvarë
zemrat e strukura për t’i freskuar
me ëmbëlsinë e buzëqeshjes
me dritën e dashurisë
miqësi mbjell në të gjitha fushat e botës
ai ngrihet deri në maje
hapësirë e rrugë për t’i hapur fatit atdhetar

Nuk është rastësi pse kjo përmbledhje poetike është titulluar Imazhe të ringjallura. Poetja me fjalën e saj artistike ringjall imazhe ylberore. Pranvera gjallëron natyrën dhe gjallëria e gëzon jetën. Është pra e qartë se asgjë nuk e gëzon poeten më shumë se ringjallja e imazheve, përpunimi i parafytyrimeve, risjellja pranë e figurave të shquara që ringjallën një komb të tërë me flakën e shenjtë të atdhedashurisë së tyre. Dhe krejtësisht në fund, ajo kthehet tek dhembja e lashtë sa plisat e dheut, tek malli për gjakun e shprishur. Ajo bashkon kështu vijat dalluese të një portreti prej rapsodi, por jo vetëm të tij. Ajo bashkon epokat dhe shekujt me unazën e gjelbërt të verbit poetik. Me kreshtën e fjalës shqipe ajo mëto të zgjon bardhësitë dhe dashuritë e atdheut stërgjyshor:

Për fisin e ndarë për gjakun e shprishur
këndon si Naimi si qiriri i tij shkrihet
në përmendore të gjallë e ngre
guximin dhe shpresën që na duhen

Nuk ka dyshim se një hartues antologjie i lirikës shqipe e ka të vështirë dhe të pamundur për ta lënë jashtë saj, një qëndismë poetike si kjo. Një qëndismë lirike e cila shquhet me një ritëm poetik qëshembëllen me pikat e shiut që thërmohen në gurë. Një kronikë kohe. Pena dhe zëri i kohës…

Në sfondin e ligjërimit lirik dje dhe sot, është e thurur edhe poezia (“që u shpërblye me vendin e dytë në Orën e madhe letrare tradicionale në Koblenz më 2009, dhe e fitoi çmimin e tretë në Takimet e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri 2010”) me titullin Diellin e pashë (Kënga e lulediellit), në të cilën lëshohet zemër-klithja:

o Diell o lule
pa ty me shekuj isha

…dhe plumbat shekullorë
ballin ma qëlluan
sytë m’i verbuan
me hirin e robërisë
Me shtatëqind dimra
fjalën në gjuhë ma ngrin
petalet m’i shpërndanë një nga një
kah bota e largët

Shpërndarë në të katër anët e globit – si flatrat e Sibilave të Virgjilit, siç do të shkruante Elena Gjika. Por përmbi këtë tragjedi shekullore, shpaloset epika e plisave të dheut:

U bëra muranë në pritje
klithje në heshtje
u shëndrova
në nyjë të pamposhtur
me fije shpresash
thura kuotat e fitoreve
pikova lot të kuq
shqiponjat lajmëronin festën e pritur

Ngrita kokën
rrezet t’i putha
unë lulja jote e vuajtur
u ktheva kah ti
tash dhe në vdeksha
ndashtë

Poezia e Sevëme Fetiqit nuk është një poezi patetike e as deklarative. Ajo është poezi e ndjenjës sëçiltërt, e frymëzimit të thellë, e përjetimit të sinqertë, e dashurisë për atdheun, për gjuhën dhe kulturën, në të cilën fjala përdoret me peshën e saj e në vendin e saj. Fjala gdhendet bukur dhe qëndron hijshëm në funksion të ligjërimit lirik.

Herë si zemër-klithje e herë si zemër-thirrje, poezia e Sevëme Fetiqit është edhe një botë me zana e me shtojzovalle (poezia Eja), ajo është pjesë e pandarë e këngës çamërishte, këngë e cila nuk është gjë tjetër veçse gjakim për të qenë të lirë në hapësirën shqiptare:

Eja
shiko zanat shpleksin
gërshetat për fitoren e ëndërruar

Eja
merrja këngës
çamërisht drejt Tiranës

bëhu jetë mbi varret e Drenicës
ngjitu në freskinë e Bjeshkëve të Nemuna

Eja
kohës së gurit
palcën t’ia rrjepim

Eja
qiellit të lirë
t’ia qepim fustanin e mëndafshtë
as më të gjërë as më të ngushtë

Eja
këtu të lundrojmë
në lumenjtë e përtërirë

Sevëme Fetiqi është poetja e cila e shtron sofrën e atdheut në poezinë e saj. Dhe pasi e shtron këtë sofër dielli, shpalos lutjen, dëshirën, dashurinë dhe gjakimin e saj të përhershëm e të përjetshëm, në poezinë Më merr:

Kosovë
më merr çdo ditë
të shëtis damarëve tu

Pasdite më fal shi
në buzët e mia
që lëngojnë
për një fjalë shqip

Është ndjenja e mallit të mërgimtarit e shprehur në këto vargje, një ndjenjë e theksuar e mallit të përjetuar thellë:

Më merr mua
do gëzohem si kalama
në vatrën e kujtimeve
Kosovë

Në poezinë kushtuar Dr. Flora Brovinës, me titullin Ti shëron vuajtjet e fëmijëve, me një ndërthurje lirike shpaloset nëpërmjet prizmit dje dhe sot,një bashkëbisedim mes dy poeteshave: njëra përtej grilave (“je zënë peng rrezedielli/”me emrin tend fluturim”) e tjetra që e pret tek zemër-klithja e përbashkët: “deri në lashtësi/për Liri.”

Poezia Mitrovica, është një klithmë tjetër për qytetin e ndarë në dysh. Në këtë poezi shprehet shqetësimi i drejtë nëpërmjet një dialogu me qytetin argjend e flori:

ngrite zërin në pafundësi
të të mos mashtrojë gjumi

Ti që gurgullon dhembshëm
mallit tim
mos u ndal së dashuri

Krahu i shqiponjës i poetit çam Bilal Xhaferit shfaqet sërish si pjesë e tragjikes, si krah i shkëputur. Dheu i jugut e sheh ëndërr dheun e veriut|! Kështu do të shprehte zemër-klithjen e saj poeteja Afërdita Skënderi. Edhe Ernest Koliqi e shprehte shqetësimin e njëjtë: Këtu banon gjumi! E në ligjërimin lirik, shpaloset etja sepse siç shkruan poetja:

Krahu tjetër
çdo ditë vuan
për ujin tënd të ëmbël

Ndërkaq, në pjesën përmbyllëse të kësaj poezie, balada e murimit hedh shtat përmes ligjërimit lirik:

Ura jote do bëhem
mespërmes

Me gjakun tim
do të lidhë përjetshëm
Zemërarta e Kosovës
Mitrovicë

II.

Ah! Hija ime nuk më braktis
Edhe pse dielli në metropol perëndon
Hija ime besnike e lëvizjeve të mia

Hija shfaqet si metaforë, dhe hija është atdheu të cilin poetët e marrin me vete. Poezia Gjurmë, shpalos të vërtetën e hidhur të një plage të kamotshme: Mërgimi është shpellë e (t)errët. Ai shfaqet kudo:

Udhëtojnë këto ëndrra
me piktura malli nën sqetull
plot zemrën lecka të vuajtjes
zbresin me bagazh të pasigurt
imazhesh të ringjallura

Unë fëmija nëna e re nuse
ndez zjarrin e kujtimeve
ball vatrës
ajo më buzëqeshë malluar
m’i ngroh gjymtyrët e mërdhirë
nga asfaltet e metropoleve

Nëpërmjet tablove ekspresive shprehet malli, dhembja, vetmia, ankthi dhe shqetësimi:

Sa peshojnë ëndrrat e bukura
në flladin e pranverës braktisur
si gur i ftohtë më godet (mu) në zemër
ulur këmbëkryq afër vatrës ringjallur

Zemra shpellë terri
ku ëndrrat e mia
lozin stinët.

E tillëështë edhe poezia Ah, e cila në vete ngërthen një zemër-klithje tjetër: “e vardisja s’pranë/as edhe një shekull”. Duke e shpalosur një tablo të tillë, kjo poezi qëndron në mes dy klithjeve:

Ah…
hije e lënduar
në mjegull
Ah…

E përmasave të tilla është edhe poezia e radhës, titulluar Mërgimtare. Kjo poezi me motivin e mërgimit, shquhet për gjendjen emocionale të mallit e të klithjes në dhe të huaj:

E malli i ndezur si pishtar ngadhënjimi
në hapësirë nuk preket
gravitimi mba peng shpresën
pezull në ajrin e varfër
me trup e shpirt të ndarë

Jam mërgimtare or vëlla

Poetja flet në emër të brezave të tërë të cilët e kanë përjetuar ndjenjën e hidhur tëmërgimit. Ndërkaq, në poezinëMacja me virtyte(“Kjo poezi u shpërblye me çmimin e tretë në Takimin e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri, 2011”) e cila fillon me një mohim qësimbolikisht shpalos kohë zezonash, është shprehur në mënyrë alegorike një ndërthurje e qëlluar në mes fatit të asaj që poetja e quan macja mevirtyte dhe motivit të kthimit, e që në vete ngërthen vuajtje dhe brengë, mall dhe kujtime për pragun e shtëpisë:

Ndonjëherë e mllefosur
me thonjtë e mprehtë
gërryente
durimin e saj
mbi gur

Nuk e pinte
qumështin nga pjata
as ujin e shiut
tetë shpirtat e saj
këtu në këtë vend
i kishte lënë
shpirtin e nëntë
e mbante peng si kujtim
për kthimin e premtuar
sa herë ia mbyllën derën
sa herë
e humbën në largësi
çdo herë e gjeti
rrugën
deri te pragu
i shtëpisë
ku kishte lindur

E ngjashme me këtë poezi-për kah motivi, dhe e nagjshme me poezinë Dheu im – për kah procedimi poetik, është poezia Malli. Vërehet kështu tendenca e poetes që gati secilës pjesë të mërgimit, t’i qaset nëpërmjet vargëzimit lirik, pra që nëpërmjet shprehjes së gdhendur poetike të shpalos ndjeshmërinë e theksuar të brengës dhe të dhembjes së përjetuar:

Shpërfillshëm ndiej
mall si në thikë dy tehe
gjirit të natës
bredh në pagjumësi
mes mureve të ftohta

Të bëhem pikë shiu

si fjollë bore në krahnezë

Ende rrokullisem
në erërat e Perëndimit
si gjeth vjeshte
zverdhur pa Ty

Kosovë

Kosova është në fillim, në mes dhe në fund të poezive. Ajo është kudo. Kosova është lajtmotivi i poetes. Kosova është lajtmotivi i ligjërimit lirik, i gjakimit të saj poetik. Kosova është pjesë e pandashme e meditimit, është pjesë e përhershme e frymëzimit. Kosova është frymëzimi i gjallë, është loti i valë që pikon në fjalë. Kosova pra është parafjala dhe paralaksa e dashurisë së poetes Sevëme Fetiqi.

Kjo ndjenjë e theksuar e lidhjes së pashmangshme me vendlindjen, me atdheun dhe me gjuhën, shfaqet edhe në poezinë Hija në metropol. Një poete shqiptare kalon pranë bustit të poetit të madh gjerman Gëtes “me trishtimin e kohës moderne”. Vargu shpalos një përballje mes realitetit të hidhur dhe rrëmujës e rrëmetit. Kuadri poetik hapet me me shprehjen e gdhendur në një paraljmërim të monotonisë:

Në vijat e hirta të monotonisë
kërkoj drejtimin tim të humbur
nga njëzeteshtatë kate të rrokaqiejve
shikoj metropolin që prek qiellin

duke hedhur lulet në erë
përshëndes e huaj zvarritjen
e ditës së përshpejtuar
që zgjohet e fle harruar
nga njerëzit e ftohtë

Kontraste të një ironie të kohës shpalosen tutje nëpërmes verbit poetik:

Hija ime si skllave e përbetuar
besnike përcjellë shtatin tim

pështyj ajrin që ma zë frymën

vuaj për oksigjenin e vendlindjes
bijat e mia vërdallë më sillen
gjer në marramendje lozin me retë
drita i rrit me shpejtësi astronomike
në vend të huaj

Një botë kontrastesh dhe një botë e tërë shqetësimesh e dhembjesh, gërshetohen me njëra-tjetrën. Poetja me vete e bartë botën e vendlindjes, shpalos një horizont të kthjellët të saj, një frymëzim që zanafillën e ka në një natyrë të bukur shqiptare. E sakaq, kësaj bote i shfaqet dhe i rishfaqet si një sfidë e përhershme bota e mërgimit:

I buzëqeshin ato diellit të shkrirë
në asflatin e betonuar
që nuk tregon jetë
gjendem përnjëherë
në një udhëkryq vajesh
flisni shqip…shqip flisni
Të gjithë e kuptojmë fëmijërinë

Ah! Hija ime nuk më braktis
Edhe pse dielli në metropol perëndon
Hija ime besnike e lëvizjeve të mia

Poetja Sevëme Fetiqi i bashkohet mendimit të njohur të De Radës, i cili thoshte se vjershat janë bijat besnike të fatit tim! Nisur nga një pikëtakim si ky, ajo ndalet me verbin e saj poetik edhe tek trungu i përbashkët ilir, duke përkujtuar se “të të njëjtit trung jemi”, për të shprehur shpresën e mëtejme për atë që Ernest Koliqi me të drejtë e quante “ama e qumështit të përbashkët”:

Trungje të të njëjtës rrënjë
degë të të njëjtit trung

Duke u bulëzuar
me beharin e ardhmërisë
në bashkimin e bekuar

Në poezinë tjetër, titulluar Në kornizë të heshtjes, është vargu i një butësie të mëndafshtë ai i cili e përshkon shpesh poezinë e kësaj krijueseje. Ajo dëshmon qëllimin e saj të qartë: “ëndrrat për t’i përgëzuar/ për imazhe të ringjallura”. Kundruall këtij motivi, shfaqet edhe një gjendje e trishtë: “Në kornizë të verdhë të heshtjes”, përballur me “muret e vetmisë”. Pastaj është koha ajo që parakalon në mënyrë tinzare, ndërkaq që poetja në retrospektivë kujtimesh e ka shprehur shprehur shqetësimin me vend se shija e bukës në dhe të huaj është shumë më ndryshe:

Fëmijët e vegjël ishin rritur
të rriturit ishin moshuar
të moshuarit kishin vdekur

As vatër në dru s’ndizej
flaka e ngrohtësisë
rreth së cilës mblidheshim
ishte shuar

Duke kjutuar foton e vjetër e cila “ende qeshte”, poetja e ka shprushur kështu: “Hirin e kujtimeve të lumtura”, si dhe “mallin që ende vlon”.
Është e kuptueshme se në një sfond si ky, koha e bën të veten. Si rrjedhim i kësaj, gjithmonë diçka mungon:

Por veten më nuk e gjeta
tek ai prag

Modestinë e saj e ka shprehur edhe në poezinëme titullin Fatjete. Që në hyrje të saj, poetja ka lartësuar sërish vatrën kundruall luksit:

S’dua gjëra luksi shumëngjyrëshe
as stoli nga metrotë e botës
s’më ngacmojnë dot
sa tym’i vatrës

E në pjesën përmbyllëse që trajton një fat jete, shprehet dashuria për njerëzit e afërm:

Ku janë njerëzit e dashur
herë lëndohem herë zmbrapsem
janë shërim në plagën e regjur
dua çdo përshpërimë të ndjej
ku rri nyjë Fati
Jetënur i fal

Tregim i trilluar, është titulluar poezia e projektuar në prizmin e ligjërimit ato dhe ne, dje dhe sot. Duke vënë për shënim fjalët: “-Ky frymëzim poetik lindi mu në ditën e parë të mërgimit, kur mundohesha që bijës sime 7-vjeçare, Blertës, t’ia zbut mallin për Kosovën.”, poetja ka shpalosur sërish ironinë e kohës:

Koha tallej me ne
kur mbi supe mbanim rrugët e mundimit
me buqeta shprese se do të kthehemi

Blertë
loti në faqe ishte më i rëndë
se Bjeshkët e Nemuna në prehrin e Tokës

Fytyrat e zbehura
mbeten imazhe të kthyera

Pastaj zemër-klithja tjetër: Këtu dimrat janë të ftohtë. E më tej sërish ironia e një fati tragjik:

me kryeveprën tonë
sa bukur kemi vizatuar jetën e re

Lundra të bardha do të ndërtojmë
me to të lundrojmëçdo natë
në lumenjtë e lotëve tanë
deri te Edina Fitorja Lumnia
peshqeshe dhembjeje do t’u dërgojmë

E veçanta kështu bëhet e përgjithshme. Lumenjtë e lotëve si tek Lëndinae Lotëve (e Teodor Laços). Si tek Fusha e Korabit!…Dhe sërish ironia tallëse:

ajri këtu është i pastër
a e di ajri këtu blihet me të holla

Në pjesën e tretë të këtij dialogu me Blertën, dhe gjithsesi nëpërmes saj edhe me kohën, poetja shpreh ankthin e saj:

Deri kur do të qeshesh me fytyrë kah era
deri kur do të vizatosh lot
në vend të luleve të vendlindjes
deri kur do t’i shikosh yjet në qiell
me shikimin e lënë peng atje

Nëpërmjet shqiptimit të emrit Blertë, poetja ka artikuluar në funksion të imazheve zemër-klithjen e saj:

Nuk e di Blertë ku ta gjej atë pastel
t’ua japë ngjyrën e vërtetë
premtimeve të mia

E di vetëm këtë e di
çka qe ajo që përcaktoi fatin e këtij tregimi

me tërë kuptimin e hidhur të mashtrimit

Konotacioni poetik është i qartë. Nëpërmjet këtij ligjërimi lirik, poetja sikur e shtron pyetjen e vetvetishme: Blertë, kush na la pa atdhe?!

III.

Nuk isha kurrë më i ndershëm
se në çastin kur kisha frikë
që do të dështoj

Poezia e titulluar Një…shquhet për një konglomerat ngjyrash. Në fjalën që shpalos imazhe të ringjallura, ka klithje, dritë të vrenjtur, rreze dielli, por edhe pamje në të cilën herku i ylberit është i thyer:

…një hark i thyer ylberi
i njeriut që vdes

Ndërkaq, në poezinë tjetër Të jesh njeri, për Sevëme Fetiqin të jesh njeri, do të thotë:

Të ngritesh në lartësi pafund
me këngën e zogjve
mbi degë lisi
të prekësh
kaltërsitë
dhe buzëqeshjen e diellit
në rreze të strukesh
e këmbët t’i kesh
rrënjosur
në zemrën e Tokës amë.

Poetja beson në misionin aq fisnik poetik të shpalosur nga poeti Alan Gizenberg, se “bota ka shpirt”, se “universi është një lule e re”. Para së gjithash ajo beson në fuqinë e fjalës duke iu falur asaj, gjë që reflektohet edhe në poezinë Reçetë fjale. Në këtë poezi shprehet qartë adhurimi për fjalën dhe përkushtimi për të, duke përkujtuar se:

Çdoherë kur flitet
e para fjala
do pastrohet
në lartësitë e qiellit
në ujëmjelësi deti
të pikaset në nektar lulesh

Në pjesën e dytë të kësaj poezie, nëpërmes bukurisë së fjalës poetike dhe mendimit të ngjeshur, gjithashtu shpaloset misioni që ka fjala me peshën e saj. Këtë peshë dhe këtë mision që ka fisnikëria e fjalës, poetja e ka artikulur në një dimension që në vete ngërthen butësi dhe dashuri, bardhësi dhe ëmbëlsi të ndjenjës poetike:

Fjala gur që peshon në vend të vet
freski ere valëvit si flamur
të lidhet me fjongo mëndafshi
të dhurohet neuron’ i trurit
t’ngulitet në aortën time
Thuaje fjalën në fund
melodi cicërimë zogu

Me lakoninë e shprehjesështë ndërthur gjakimi për artin magjik të fjalës, është shprehur adhurimi për të deri në përmasat që mund të ketë një ajo, e për të cilat përmasa poetja ka përpunuar përfytyrimin si për një “melodi cicërimë zogu”.

Fjala dhe simfonia e saj është imagjinuar si një melodi a si një cicërimë zogu. Ky është edhe misioni poetik, kjo është sofra e fjalës, është odeoni i saj. Me këtë prirje, poetja ka gatuar fjalë zemre edhe në poezinë e titulluar Sofra, e cila u është kushtuar: “Fëmijëve të rritur para kohe në Kosovë”, poezi e cila përmes fuqisë së fjalës hapet me një kontrast:

Syrin e kanë
çdoherë të njomur
uria loz me (pa) ngopësinë
kur lëng u rrjedh nga gjuha
buzët shije të njelmët djerse
falënderojnë zotërinë
me zemër të thyer
“gjithmonë paç zoti të dhashtë”

Poetja nuk mund të rri kurrë indiferente përballë pamjeve migjeniane. Dëshmi për këtëështë fakti se ajo kundron tablotë e jetës, dritë-hijet e saj, kontrastet e theksuara. Ajo regjistron në mendjen e saj sfidat me të cilat përballet mosha njomëzake, fëmijët e një trualli të larë me gjak e të zhytur shpesh në pellgun e padrejtësive të panumërta sociale. Kalamanjtë e cfilitur të Kosovës martire bëhen pjesë përbërëse dhe e pashmangshme e vrojtimeve poetike. Pamjet dhe vuajtjet e tyre nuk shqiten nga mendja e poetes. Këto vuajtje dhe këto pamje bëhen bashkudhëtarë në rrugën e mërgimit . Nuk janë pamjet e shkëlqimit të luksit ato që mbeten shumë gjatë në mbamendjen e poetes. Përkundrazi, janë tablotë e një jete gjithë sfida, gjithë ndeshtrasha që nga dje e deri sot, ato që lënë gjurmë në botën poetike të Sevëme Fetiqit:

Kur çajnë copë buke të pjekur
në diellin e fëmijërisë
në hirin e kërkimit të shpresë
kore buke tharë e zbusin me lot

E më tej një psherëtimë prej poeteje sfidon shumëçka që në një mënyrë ose tjetër, drejtpërdrejt apo tërthorazi vret ardhmërinë e këtyre fëmijëve, për të cilët poetja me të drejtë përkujton se janë “rritur para kohe”:
Ju lutem mos ua përbuzni sofrën
shtruar mes dhomës
zogjtë të ulur përreth
me shije i mbledhin thërrimet e skamjes
ëndërrojnë për nesër blerës tregu
rriten e vështrojnë me një sy
në germat e abetares
e vrapojnë pas rrezeve

Në ligjërimin e lirikës së fjalës së latuar poetike, “në hirin e kërkimit të shpresës”, pamja e këtyre fëmijëve krahasohet me pamjen e zogjve të uritur të cilët ngarendin për ca thërmia buke. Është e qartë pra, se për pamjet prekëse, për pamjet të cilat e shqetësojnë skajshmërisht neurasteninë krijuese të një poeteje e cila i falet ligjërimit lirik, Sevëme Fetiqi e kërkon me një përkushtim të veçantë fjalën e një lirizmi të hollë, e gdhend ate dhe e vë pastaj në funksion të vargut e në shërbim të tablove ekspresive sa edhe prekëse.

Në poezinë e radhës Libri që vuan, poetja bën një monolog me librin, duke e vënë librin në përballje me kohën, dhe duke klithur njëkohësisht për fatin e librit në kohën tonë: “Sa vuaj/ të zbres nga rafti”.

Dritë-hijet e jetës, dromca dhe copëza jete, kundërshtitë e theksuara të një jete gjithë gjethe e lule, trëndafila dhe gjemba, vija dhe vrragë, e përshkojnë një varg të poezive të kësaj përmbledhje poetike. E tillëështë poezia Njerëz dhe fate, të cilët vihen kundruall njëri-tjetrit në ndërkohë që poetja dëshmon prirjen dhe zotësinë e saj që me pak fjalë të thotë shumë:

Rëndojnë në qepallë
Kameleon dritëvrarë
Botë e marrë
jetëvrerë
gur Sizifi
ndjenjë ferri

Ndërkaq, në poezinë e titulluar Si u bëra grua e keqe (kushtuar “-Vashave të mashtruara që trafikohen me dhunë-“), vihet në pah një plagë e rëndë dhe tejet e shëmtuar e një kohë tepër tinzare. Shpaloset tragjika e vajzave të mashtruara të cilat ngjasojnë me lulet e vrara, por njëkohësisht shprehet edhe ndjenja e dhembjes për fatin e qenieve të përdhunuara njerëzore:

Në labirintin
e dhembshëm të jetës
nuk gjeta një copëz dritë
askush nuk më tregoi
kuptimin e territ
shpirti m’u gjnujëzua
para mëkateve

Plagët
me helmin e gjarprit
i shërova
ku djajtë
kafshonin virgjërinë time

m’i kallnin fustanet
në të cilët ishin vizatuar
lulet e vendlindjes

Në poezinë tjetër me titullin Ëndrra, gradacioni i shprehjes së gdhendur poetike shkon aq bukur në funksion të semantikës së vargut nëpërmes të cilit shprehet ankthi dhe shqetësimi:

mbi kurriz bart lodhjen e ditës
me ëndrra syçelta
prehen mbi jastakun e bardhë
sytë e mekur
e ballin prush të hirtë
gacullojnë në errësirë

Fluturojnë ëndrrat brigjeve
valët pluskojnë shqetësimet
ku mrizon vetmia

Sa zgjat nata me (pa) sy
pse vjen i mugët mëngjesi

Me ngjyra të një kontrasti të theksuar është shtruar edhe pyetja në poezinë e titulluar E kujt është jeta, në të cilën paraqiten “rrathë purgatori vërvitur/labirineve dinake e të rrëpirta”, për të sjellur më afër një konrast tjetër:

dikush gjysmë i gjallë me lak në fyt
pret ekzekutimin e fatit
dhe pret të dëgjojë se bota është e të gjithëve

Në vargjet e poetes shpalosen kështu valët e jetës:

jeta është nyje e dritës
jeta as e elitës as klasikës
kërkuam e kënduam
telin s’ia akorduam

E kush bart botën nën sqetull
përtej vdekjes…!

Mbi po të njëjtin sfond është shkruar edhe poezia Antonim, që në vete ngërthen një luftë kontrastesh, që paraqet një gjendje patologjike:


Sot qesh me palaçon
nesër qaj me lot
për botën e sëmurë

Tani pikturoj një shëmti
nesër ujis lulet

Ëndrrat shpalos
në sheshin e përjetimeve të lira

Sot mallkoj jetën
nesër gatuaj ëmbëlsirë

Sot shigjetoj një dashuri në shëtitore
nesër fëmijëve dhembje u shpërndaj

Ironia e kohës dhe tragjika e saj qëndrojnë krah për krah me njëra-tjetrën:

Në pasqyrën e thyer
buzë jetës
fytyrën s’e njoh

Befas
tjerët me adhurim
pranojnë të lozin
me maska

Sot vras një zog
nesër më quajnë bamirës

Duke këshilluar me ironi: “Vetëm natën vrite djallin/ do kesh më pak dëshmitarë”, në poezinë e titulluar Të këshilloj, përmes vargut poetik është thënëqartëse: “Lumi nuk fle as natën”, për të porositur krejtësisht në fund:

ti rri zgjuar
gjithnji shiko pas
mos bjer pre

Shpirti i saj aty fle. Kjo është zemër-klithja e nxjerrë nga thellësitë e vargut e cila shquan poezinë me titull Syri:

Kurrë nuk e kuptova
thellësinë tënde
sa deti
as ngjyrën që ke
në bebëz
shpirti i saj aty fle
O botë e krisur

Në projekcionin poetik të thellësive të syrit dhe detit, të cilëve u atribohet edhe përmasa e shpirtit dhe e kërkimit që ka vasha, gjakimi i katarsisit dhe i përsosmërisë shprehet pikërisht përmes dlirësisë së lotit, i cili vetëkuptohet se i ka të gjitha:

Dikush tha
vasha kërkon atë
të humbur
në thellësitë e tua
do të gjejë
të të rrëfejë
vallë
në dlirësinë e lotit

Në poezinë e radhës Kullë vashërie, ështësërish kreshat e fjalës ajo që ka ngritur një kullë vashërie:

Diku thellë në mua
njiherë në Unin tim
ndërtova një kullë
të Vashërisë

Beatrisë e quajta
aty ne të dyja
fshehëm dashurinë
gjarpërinjtë
mos ta helmojnë

Nëpërmes fuqisë së fjalës, poetja shpalos nga prizmi i vrojtimit dje dhe sot përballjen, shpalos mjaltin kundruall helmit, dritën përballë errësirës, zjarrin kundrejt akullit:

Dikush m’i fikte yjet
dikush deshi dashurinë
që kishte formën e zemrës
të ma shndërrojë
në acar shikimesh
e vullkanet me shpirt zjarri
t’i balsamosë
në gjuhën e akullit

Nëpërmjet një lirizmi të theksuar, nëpërmjet butësisë së fjalës dhe bardhësisë së vargut, në poezinëHije vargu, e që mba për shënim fjalët kushtim: Rritës së fëmijëve, përzgjedhja e fjalëve në funksion të epiteteve dëshmon për një ndjenjë tepër subtile sa dhe të natyrshme:

Jeni dritë në bebëzat e syve të mi
lot i shpresës së rritës
engjëj të dritës
këngë në jetë rinimi
buzëqeshje agimi
hije e vargut
këngë e zogut

Ledhatim ëndrrave të shtigjeve
idil buzë brigjeve

Uratë shpirt nëne
aromë në cep hëne

Nuk është rastësi që një frymëzimi si ky, që një sfondi si ky, poetja ia ka falur si një emblemë titullin simbolik Hije vargu. Nuk është rastësi as fakti që poezia kushtuar gjyshes, mba titullin Testamenti. Përmes shpalsojes së memoareve, riakltualizohet porosia-testamenti:

Kodin e mëndafshtë
të arkës së dellit
mos e zbulo
të zë pritë djalli

Po u zure merimangë në mur
bëhu trim burrë

Ndërkaq, nëpërmjet poezisë tjetër Numrat, është paraqitur jo vetëm ironia dhe tragjikja, por edhe një e vërtetë e madhe sa lashtësia:

Numrat janë
netët e kaluara në vetmi
motet e zbrazëta

Numrat janë
fëmijët që rriten
të uritur në skamje
e bota mundane fle
në kadifetë e trëndafilta

Vetëm numër një është dashuria
çdo stinë çdo epokë
pa numra tej për lojë
një e papersëritur në kohë

E pamjeve ekspresive dhe e një dëshmie të ndërthurjes së shprehjeve të goditura poetike me ato të përpëlitjes për jetën, është poezia e titulluar Patologji, kushtuar: “Shoqes së dashur F.K.” Kjo poezi është poezi e shprehjes së dashurisë për shoqen e dikurshme të klasës, dëshmi e shprehjes së dashurisë për një lule të këputur në pranverën e jetës së saj:

E agu ngadalë hap krahët
përqafon
valët e lodhura nga nata

Si hije shqiponjë
më fanitet buzagaz
me plagët palëfshehur

Stuhitë qiellit retë copëtojnë
përdhunshëm deri në amshim
e zërat e korit të klasës
luten me dashuri
për Dashurinë e humbur
në skaj të globit

Stinët sillen vërdallë
kujtesa mbetet gjallë
e në zemrat prush mall

Ndërkaq, në poezinë Mandolina, jo vetëm që dëshmohet intuita për të gjetur në valët e kreshpëruara tëjetës motivet e frymëzimeve poetike, por njëkohësisht shprehet edhe delikatesa e ndjenjave, e cila krahasohet me atë të melodive të veglës muzikore:

Zemra ime
është një mandolinë

Mos i bjer nëse s’din

Sepse
Në vend të melodise së dashurisë
Do të vërshojnë
tinguj pikëllimi

IV.

Mos më trazo
jam heshtja jote
që fle vetëm
në zemrën tënde

Duke e gdhendur fjalën e cila përmbi çdo gjë shpreh mallin dhe dashurinë, nëpërmjet këtyre vargjeve të cilat qëndrojnë si prelude për secilin cikël, poetja ka thurur një kurorë fjalësh. Këto emblema poetike gjithsesi se shpalosin një botë të ndieshme lirike, shpesh tëshqetësuar nga erërat e kohëve, të cilat shpërndajnë në të katër anët si zogj shtegtarë shpirtat e engjëjve të trazuar.

Në këtë cikël të fundit poetja i kthehet sërish vendlindjes, dashurisë së saj të madhe: Vushtrrisë. Në një ligjërim të hollë lirik, në poezinë e titulluar Vendlindja ime, fillon bashkëbisedimi me vendlindjen:

Vushtrria ime
Ti je drita ime e parë
nga u nisa në jetë
në Ty
qava për herë të parë
kur në qeprikë pikoi loti
dhe buzëqeshja e bardhë
për herë të parë
në buzën time foshnjore
rrodhi akoma
e kopshteve të magjishme
për herë të parë
shkela kalldrëmin tënd
ecejake hapmbarë
freski rrite e malli
dashuri e pasosur për Ty

Në kalldrëmet e kujtimeve e nëpërmjet zemër-klithjes Më kujtohet, e cila vihet në funksion të anaforës poetike, shpaloset gjithë detaje një bashkëbisedim lirik me urën:

Më kujtohet
zbathur kaloja
Urën e Gurit
e ajo ëndërronte lumin
e tharë për shekujt
betohesha në pranverat e tua
me freskinë e luleve
se do të bëhem lum
e t’i ujis ditët e ardhme

Më kujtohet
kur me përqafimin tim
barta në gjoks kalanë
e lartësinë e saj
e masja me rritën time
lakmoja të bëhem gur
i palëkundur në kohë
duke larë fytyrën
e fëmijërisë së hareshme
në burimin e saj nga bjeshkët

Ura dhe Kalaja, dy simbolet e qytetit bëhen simbole të një poezie e cila është e ngritur në sfondin e shpalosjes së kujtimeve kalldrëmeve të kohës. Sërish shfaqet sfondi i imazheve të ringjallura:


Imazhet e trimave të Drenicës i shihja
zërin e legjendave dëgjoja
që ishin rrënjosur
bërë trung lisash të gjatë
me prekje në liri

Ti je epiqendra ime
rreth së cilës
zhgrehem e përpëlitem
në vaje e gëzime

Fëmijët e lagjes sime
festojnë tash kaq shumë
festë pa mua
e unë tretem me mallin
si gjeth i këputur
vërvit nga stuhia
në të panjohurin vend

Dhe në pjesën e pestë të këtij kushtimi lirik, sërish stacioni i fundit:

Ti je stacioni im i fundit
në vallen e molisur të jetës sime

ma tregoni mesin e botës
do të zbres nga kurbeti
e në flokun tim të bardhë
ti do t’i numërosh
vitet e humbura

Apo si epitaf ende gjallë
me vuajtje e mall
do shkund nga qepalla
lotin tim të fundit
për Ty
duke u përqafuar
përlotur
si Amë e bijë
Vushtrri.

Vushtrria dhe zemër-klithja me moshë biblike: do të zbres nga kurbeti. Në mes është poetja, e cila në poezinë e shfaqur në formën e një nëncikli të titulluar Viti, (të ndarë në katër pjesë: Pranverë, Verë, Vjeshtë, Dimër) kthehet tek kujtimet e së kaluarës, tek Ura e Gurit, e cila në vargun lirik merr një simbolikë të veçantë:

Të kujtohet
kur zbathur e kalonim
Urën e Gurit
të stinëve tona plot behar

Në pjesën e dytë të këtij nëncikli poetik (Verë), pamja e natyrës shpaloset kundruall qenies poetike në përmasa të një kontrasti që në vete ngërthen ekstazën kundruall pagjumësisë:

Hëna sillet me elegancë
në ekstazën e vet verore
në delirium
gjurmët e mia të pluhurosura
nga pagjumësitë e mekura
humben në petalet
e luleve në errësirë

Malli, koha dhe mërgimi përshkojnë kujtimet e fëmijërisë:

Fëmijët e lagjes sime
buzë lumit të frikshëm
festojnë agimet ngjyrë verdhë
derisa qepallat shkundin
edhe një kohë tëëmbël
nga kornizat e verës
ku rrjedhin dejtë e përvëluar

Ndërkaq, në pjesën e tretë (Vjeshtë), për dallim nga qepallat të cilat “shkundin/edhe një kohë tëëmbël/nga kornizat e verës” (Verë), këtu “qepallat shkundin/edhe një kohë tëëmbël/me fruta të pjekura/nga degët e vona.” Me një përshkallëzim të tillë të shprehjes poetike, të vënë në funksion të ekspresivitetit të tablove të natyrës paralel me ato të jetës, poetja e ka projektuar paraqitjen e radiografisë së shqetësimeve:

Një nëntor është
varur në degë bebëze
dhe palca e trungut
ndjen zbrazëti në shpirt
një verdhësi gjethesh
gjaku zbeh ngjyrimin
blerimi humb aromën
nga zjarri i shqetësimeve

Gjuha e simbolikës dhe e metaforave të poetes Sevëme Fetiqi shpesh shkon përtej simbolikës individuale, duke paraqitur kështu edhe një gjendje kolektive. Ajo përkujton me verbin e saj poetik se “është kohë e ngrirë”, e megjithatë ndonëse dimër (pjesa Dimër):

Vetëm një oazë shprese
ka mbetur në heshtjen
e vetmisë së Saharasë sëçmendur
në akullin e shpirtit
balerinat majëgishti
vallëzojnë jetën nga fillimi

Në poezitë në vijim, një lirikë dashurie përvijohet me ca çaste kontemplative melankolike. Poezia e titulluar Në duart e tua, në vete ngërthen një lirizëm të theksuar nëpërmjet të cilit poetja kërkon pjalmin si dhuratë:
Pjalmin dua dhuratë
nga buzët tua
dëshiroj ta pi
si pikën e fundit të verës
në gotën e shpresës

E sakaq përballë butësisë, ajo sikur don ta vë në sprovë dashurinë si një përjetim me një sfidë të re:

Në aromën e flokëve
që vërshëllejnë në erë
dua t’i përjetoj stuhitë

Pasi ka kaluar kështu nëpër butësinë dhe në ashpërsinë e jetës, është sërish ndjenja subtile ajo që triumfon me sinqeritetin e saj:

Në duart e tua
dua e lumtur të vdes

Kjo ndjenjë subtile dhe universale, është shpalosur edhe në meditimet tek poezia që mba titullin Dashuria…në të cilën vërehet dukshëm shprehja e kontrastit të thellë. Nëpërmjet butësisë së fjalës lirike, poetja ia ka dalur ta shpalos trajtën e dashurisë në shumësinë e saj dhe me të papriturat e saj. Në ligjërimin lirik të poetes Sevëme Fetiqi, dashuria:

…është një botë joshëse
në hapësirë universi
ëndërr e ëmbël
skenar i bardhë

por gjithsesi, kjo botë e veçantë sa ka hiret, po aq ka edhe huqet e saj. Ajo është:

stuhi që godet
bebëz syri djeg

pasion i vrarë
tingull në kitarë

Thikë me dy tehe

herë qelq kristal
herë gotë e thyer
le vragë në shpirt
djeg pa mëshirë

Në artikulimin poetik të ndieshmërisësë theksuar, ajo është:

Si buzëmbrëmje
e me të gdhirë
përrallë e mpirë
në gërmadhat e dhembjes

Nga një gjendje e përafërt psikologjike në të cilën kërkohet përmes vargut poetik të gjendet kodi për ta thyer heshtjen – të cilën poetja e quan një heshtje prej varri, shquhet edhe poezia Kodi i zemrës. Nga një gjendje e tillë, e veçmas nga një pamje ku shquhet kontrasti bardh e zi, zbërthehet kodi i zemrës:

bie vetëm nata
dhe fjollat e borës
mbi flokët e mia

Vetëm kodi i njëjtë
me zemrën time
mund ta hapë këtë portë

Kodi i njëjtë me zemrën mund t’i hapë portat e dashurisë-thotë poetja. E portat e poezisësi prelud i dashurisë, i hapë edhe më shumë kodi i fjalës, të cilës Sevëme Fetiqi i falë flatra, sa poezia e titulluar Gërshetim (e ndarë në pjesë) është një gërshetim fjalësh që anon kah poema:

Hesht zemër
vetmia vetmisë i shtrinë
shallin e bardhë
në ëndrrat e zgjuara
fjala merr flatrat
dashurisë fllad i bëhet
në fshehtësinë e natës
në cep të hënës

Tik-taket e zemrës
orët e dashurisë
dikton vegimet
në petale lulealli
qoftë rigë tetori
a fllad marsi
kur dita agon

Poetja sikur thërret sërish pamjet e natyrës si dëshmitare të një gjendjeje të thellë psikologjike:

A lulëzon behari
bora pa shkri
e klithja jote
në heshtje ngel
peng në zemër
s’dua që fjala
të rrëshqas greminës
si atak pas shpinës

Në pjesën e dytë ritmi i ligjërimit lirik merr ritmin e pikave të shiut:

Erdhe dhe shkove si çdo stinë
e kujton ardhjen tënde
pranverë e quaja
syri rob më zuri
në shikimin e parë
në qerpikët e mi
të kujtohet hapja e qiellit
nga fjalët rrufe

unë dhe ti
i vëmë kurorë
natës së errët
në parkun halor

Mallin ia falëm errësirës
mbase yjet i grabitëm
terri mbi terrin ra
nata mbi natën zbriti
bebëzat peng më morën
shkëmbinjtë pluhur bërë
në sytë e mi sytë e tu
brengat lidhën
e vjeshta e përlotur
s’po gjen ikjen
e zogjve shtegtarë
mbi gur gur u bëra
heshtja ime nga turpi
mure të ftohta thuri
pikë loti
mbi hirin e pikëllimit
vetmia loz vallen e harrimit

Labirinthet e jetës shoqërohen sërish me pamjet e natyrës. Sërish fjala dhe kodi i saj i shenjtë për të thënë shumëçka nga ritmi i valëve të jetës:

Në mua gjithë zërin
e valëve të jetës kërkoj
detet kanë shterrë
buzët janë tharë
digjen prush në pritje
nga horizonti
s’dëgjohen shenjat e ardhjes

Malet na ndajnë
ikja në horizonte
e di se mali me mal s’takohet
njeriu me njeriun po
në trillin e gënjeshtrave
mëkatet mbyllin portat
nëse kthehesh
nga atje ku shkove
Të kujtohet
ardhjen tënde e quaja pranverë
të kujtohet
shpirti shpirtit dritë reflekton

Lirika e shprehjes sakaq befason me paraqitjen e gjendjes së ndieshmërisë, e cila papritur lëshon një zemër-klithje të re:

Mos u kthe
gjithë kafazet
i theva me mundim
në thellësi oqeani hodha
retë largova në pafundësi
nuk do të pikoj
në shuplakën tënde
as si shi i ngrohtë vere
mos u kthe të lutem

Trëndafilat qepen në kopsht
fluturat i japin krah ditës
çdo mëngjes këngët e dashura
që perkëdhel më zbehen
e pabesia jote si vello
e zhveshur e braktisur
mbeti në shkallë

Zemër-klithja mos u kthe këtu zë vendin e një anafore dhe bëhet më shumë se kaq, bëhet më shumë se një psherëtimë. Ajo bëhet kështu një akuzë gjithë dramacitet:

Mos u kthe
të harroj mundin e shpresës
mos u kthe

e dashuria le të lëshoj shtat
edhe pa ty

Shih vetmia është më e bukur se ti
vetmia është më e sinqertë se ti
heshtja është më e fortë se fjala

Mos u kthe
edhe pse si hije më fanitet kthimi
shtegut të mundimit
ku malli pikëllueshëm
përpjek ditët e kujtesës.

Poete e cila beson se “heshtja është më e fortë se fjala”, Sevëme Fetiqi në poezinë e radhës, të titulluar Heshtja e pathyer, e ka zbërthyer edhe më shumë kodin e heshtjes:

Mbaje shikimin drejt yllit polar
gjen ngjyrën e syrit tim

Dëgjo erën
është ftesa ime

Ruaje zjarrin
aty digjet dashuria ime

E heshtja kur dikton
jam heshtja jote

Kontrasti i thellë i shprehjes si përjetim i ndjenjës, vërehet edhe tek poezia Ikja, ku shquhet një ritëm poetik me “shi melankolik”:

Ika buzëmbrëmjes
nga vetmia
gjurmoja shtigjet e ikura
mos të takoja
ecje si re e bardhë
mbi kurora malesh
duke më ndjekur
si hije e fanitur
drejt zemrës së zhuritur

Ika nga vetmia
vragë e heshtjes
grimos kujtimin
në shiun melankolik

Sa do të doja sonte
të zhytem në detin
e syve tu

E përballjes së përmasave Unë dhe Ti është edhe poezia Hijet, ku në një përballje të tillë nëpërmes lojës së fjalëve shprehet një ballafaqim i vështirë:

Ti hija ime
unë hije e dashurisë
me vellon e natës
kameleon i fshehur
gjysmëerrësirë e nusërisë

Unë
përcjellëse besnike
e hijes tënde

E ti hijen time
shigjeton

Mos shko, është poezia e cila për dallim nga zemër-klithja Mos u kthe, në vete ngërthen lutje dhe përgjërim butësie e besnikërie, e megjithatë në kujtimet e thadruara në mendje shkuarja nuk u ndal:
Mos shko
lëre vjeshtën
gjethe veshur
Ti prapë ike
portat u mbyllën
gjethet ranë
gjurmët tretën

Si borë e vjeme

Deskriptive është edhe poezia Imazhi yt, në të cilën nëpërmjet një monologu lirik shpaloset një imazh nga i cili del një portret:

Të mashtrojnë vitet e brishta
lum miku
për të arritur një copë jetë
i tejkalon aromat mahnitëse të luleve
nga loti i tharë i mallit të venitur

Fjala e shtrydhur ka gdhendur një imazh të zverdhur:

Në ngjyrë mjalti buzët të shkrihen
mbi muzgun e purpurt të mbrëmjes
kur puthjet flenë të harruara
e imazhi yt i zverdhur në molisje
larg diku këndon pa zë
këngën e pendimit

Ky portret kundrohet nga anë të shumta dhe se ështëprapëfuqia e fjalës ajo që shpalos konturet e një portreti si ky:

Në një mëngjes të mjegullt
shikimi i hirtë të humbet pa mëshirë
shtigjeve të padukshme premtimesh
s’mund t’i mbledhësh siluetat e shpërndara
si copëza jete në foto të rreme
fjalët të prehen në tehun e thikës
ashtu të përgjakura
s’mund të depërtojnë
shesheve të krenarisë tënde
ku ti defilon si një hero

Poetja e zbret nga piadestali të cilin mëkatari ia ka ngritur vetes. Ajo lëshon thirrjen:

të shkrihesh së bashku me shkëmbinj
në avullin e afshit tënd mëkatar
të bëhesh copë-copë

të kthesh
bukurinë e humbur
ku imazhi yt zbehet për çdo ditë

Si vdes shpresa, është gjithashtu poezi e thurur mbi bazën e kontrastit e që për thelb ka motivin e dashurisë:

Sa herë të kujtoj ty
shiu bie mbi gjokset e dridhura

Jeta merr ngjyrën e pikëllimit
në mes turma njerëzish
më gllabëron zbrazëtia
në hiçgjënë e pulseve të shpirtit
imazhi i dëshirave të mia
pikturon buzëqeshje tënde
ku unë ironikisht kërkoj harrimin

Sa herë të kërkoj ty
vdes nga mashtrimet e botës
e pse të të kërkoj
kur s’je më loti im

Vetmia e përballur me natën, pagjumësia dhe kurthet e kohës, përbëjnë sfondin e poezisë së titulluar Peng nate, në të cilën fjala e gdhendur e shtrydhë lotin në paralajmërim të një agimi të bardhë:

Kohë e pamëshirë
pa sy pa zemër
bile edhe pa emër
Më mban peng nate
e kohë e çmendur

zgjon dëshira që vallëzojnë
si fjollë bore
mbi zjarrin e anktheve

E ti zgjohesh e kotesh
në jehonën time
thyen heshtje varri
e loti në sy
pikon mbi agimin e bardhë

Meditimin e saj të thellë poetja e ka shprehur edhe në poezinë me titull Në Galerinë e Arteve, ku siç thotë ajo: “çdo pikturë rrëfente/ngjyrën e ndjenjave tua”, e në poezinë tjetër të titulluar Dialog me veten, është shpalosur ironia e kohës (“si skenë aktrimi/pispillosur engjëjt/derdhin lot krokodili”) përmes thirrjeve drejtuar oqeanit:

Unë nuk digjem
as nuk dridhem
të kam ty
o oqeani im paqësor

E tillëështë edhe poezia Hyjnim, e cila shquhet për zemër-klithjen e saj se:

Vdiqën hyjnitë mistike
bardhësitë fisnike

Ato na bashkuan mua dhe ty
ku shpirtrat loznin si fëmijë

Kurse poezia Kjo shtëpi, shpreh mallin e dhembjen për mungesën larg saj:

Kjo shtëpi nuk u mësua
me mungesën tënde

Terri kafshon muret
tendoset veç në ditën e re
e hijet vallëzojnë harrimin


Dhe këndet mallkojnë
e vjeshtat sjellin aromën
si dikur
erë dashurie

Një bashkëbisedim gjithë mallëngjim shpaloset më tej nëpërmjet një lirizmi të theksuar në poezinë Lule për ty (Nënës sime), e cila hapet me një buqetë fjalësh rrethuar me lule të blerta:

Në lule të blerta
ngjyrat e dashurisë sime
shpërthyen
në zemrën tënde
pranverat e humbura
desha t’i kthej
në shpresë të kahmotshme

Në përkujtim të butësisë dhe të ngrohtësisë së perkëdheljeve që falur ka dora e nënës, poetja evokon pafajësinë e fëmijërisë por edhe mallin e pathënë për bardhësinë e një shpirti gjithë etje:

Pafajësia e fëmijërisë sime
lozi me shpirtin tënd të etur
përkëdheljet e tua
u zbehën në largim
mbi qepallat e rinisë sime
më nuk lulëzon asnjë kthim

Kujtimet që nuk shuhen qëndrojnë si një pe i kuq, i cili i lidhë lulet e blerta në kohë të ndryshme:

Lulet e blerta i vura në mur
në hijen e fotografisë së heshtur
fjalën tënde të ngrohtë
duke kërkuar
që të lulëzojnë
sytë e tu të ujiten me shikimin tënd
duart e tua t’ia gjej vetes
shpëtimin nga humnera e vetmisë

Duke u vënë në kërkim të gjurmëve të tilla të pashlyeshme, poetja futet thellë në përmasat e një bote të pandashme që në vete ngërthen mallin dhe dashurinë për nënën, shpalosur në një mënyrë tepër subtile nëpërmjet një ylberi fjalësh që gjithmonë kthehet tek zanafilla e të gjithave, tek pafajësia e fëmijërisë:

Do t’i gjej këto nëna ime
në pajtimin e urave të thyera
në mallin e zemrave të djegura
atje ku balerinat mbi akull
lënë gjurmë jete
ku fëmijët i vjedhin
të papjekura pjeshkat
e fëmijërisë së tyre

Përderisa në këtë poezi duket qartë se Sevëme Fetiqi është poete tek e cila atdheu fillon tek zemra e nënës, në poezinë e titulluar Zemra dheëndrrat, gjithashtu vërehet një lidhje e veçantë e ndieshmërisë së theksuar në mes të ëndrrave dhe zemrës, madje deri në ato përmasa sa që të dyja shkrihen në një:

Ëndrrat e mia janë ishull magjik
ku mund të zgjasë pa kufi një mrekulli

Zemra ime është një vend i shenjtë
ku mund të zgjasë amshueshëm një dashuri

Ndërkaq në poezinëMos më fto, shpaloset një parandjenjë e dhembjes dhe e ankthit. Që në vargun e parë, poetja paralajmëron për një pamje ekspresive që rëndom në vete ngërthen një shqetësim:

Kur mesnata bie

Pastaj përmbi teknikën e vargut që qëndron kuptimplotë në veten e vet si një mendim që zakonisht shquan aforizmin, procedimi poetik përvijohet gati njëlloj deri në vargun e dhjetë:

Mbi shpirtin vetmitar
Mëkatet na vishen
Si rrobe të mëndafshta
Ftesa jote e purport
Ma zgjat dorën e zjarrtë
Më lut të jemi bashkë
T’i presim agimet
Në bregun e bleruar
Më fton të vij

Ndërkaq, në vargjet e mëposhtme tabloja shfaqet e re dhe shumë më komplekse. Paraqitja e darkës solemne në këtë pjesë të poezisë, merr një konotacion të veçantë, të cilin poetja e zbërthen si motiv deri në vargun e fundit, varg që në vete ka një zemër-klithje, një paraljmërim:

Gjurmëve të afshëta
Kur ti shtron darkën solemne
Të drithërimave të harruara
Në emër të syve të mi të zi
E në qerpikë të rri
Një shkëlqim loti
Vardis ngjyrën e buzëve
Apo dukem më hyjnore për ty
Unë poet që sëmurem
Nga vargjet e tua
Të dhuroj dhembjen time
Edhe buzëqeshjen ta falë
E të lus në emër
Të darkës solemne
Mos i besdis mëkatet

Një portret tjetër të cilin poetja e ka shpalsour nëpërmjet verbit të saj të theksuar lirik, është ai i vëllait. Poezia e titulluar Te varri i vëllaittim (Merastin e 12-vjetorit të vrasjes), dëshmon se poetja Sevëme Fetiqi bashkjeton me imazhet e ringjallura, duke përkujtuar dhe duke gjakuar për të përjetësuar kujtimin dhe nderimin e tyre. Nuk ka dyshim se kjo poezi është e shkruar nga parzma e zemrës, gjë që e përmbanë edhe strofa e parë e saj:

Lotët në qepallë
relikte të dhembjes
që më mbajnë peng
për ty o vëlla i motrës
në parzëm më qëllojnë
kujtimet fëmijërore
të lidhura nyje
më godasin si rrufe

Duke e shprehur kështu përmasën e dhembjes së pathënë të motrës për vëllanë e vrarë, poetja si në një vegim të një imazhi të ringjallur kujton zërin e të vëllait dhe shpalos sfondin i cili ngërthen zemër-klithje mitesh e legjendash proverbiale të dashurisë së motrës për vëllaun:

zëri yt më vjen së largu
si puhizë që valëvit
perde e mallit tim

Një poezi zemër-klithjesh e zemër-thirrjesh, poezi e psherëtimave të thella që përkujton kohët tinzare të cilat shpesh kafshojnë dhe gllabërojnë shumëçka:

Në gjysmë të rrugës
mbeti çdo gjë
mbuluar nga dëshpërimi
ura të rrënuara
kujtime përgjakë nga pabesia
verbuar nga grykësia

Pjesa e dytë e këtij kushtimi poetik, nëpërmes të cilit shpaloset aq bukur dashuria dhe dhembja e pashuar që ka motra për vëllaun e vrarë, në vete kanë nurin e fjalëve më të përzgjedhura lirike, me të cilat poetja thërret në kujtesën e saj imazhet e ringjallura:

Ah sikur të dija
do bëhesha mburojë
për ty
vdekjen tënde ta ndërroja
me jetën time
që s’më duhet pa ty

Po ti heshtur
shkove rrugës pa kthim
u trete pa më thënë lamtumirë
sa ishim larg aq larg
shtatë male e dete
shtatë konaqe mitike

plagët as sytë nuk arrita t’i shoh
të qëndisja kujtimet e mia
të ruaja freskët nurin tënd
më kujtohet vetëm urimi yt
për lirinë e atdheut
të cilin e recitoj përditë
për të mos harruar kurrë

Duke e lexuar një poezi si kjo, nuk ka se si të mos kujtohet dhembja dhe lotët e motrës së Gjergj Elez Alisë nga eposi i kreshnikëve. Ndërkaq, duke e rilexuar një poezi obelisk siçështë kjo poezi, dhembja e motrës del sërish nga epika legjendare e shtrihet në vargje të cilat burojnë nga thellësitëdhe që fjalën e kanë frymën më të shenjtë, vargje të cilat lënë të kuptojnë më mirë përgjigjen në pyetjen e shtruar kaherë se kush e solli Doruntinën:

Më fal o vëlla i motrës
për vonesën

tridhjetëeshtatë karafila
t’i solla mbi varr

të ujitur me treqind e shtatëdhjetëmijë lot
që ta përjetësoj rininë tënde

M’u bë se u takova me ty
kur lexova epitafin mbi varrin tënd:
“Duaji njerëzit dhe fëmijët
kah të shkosh ndërto kulla mirësie”
ndërsa shpirti yt mbi re
ishte shndërruar në dritë të engjëjve

Më fol diçka o vëlla i motrës
e thyeje këtë qetësi varri
vetëm mos më thuaj
mos qaj

Trëndafilat e fjalës bëhen një me lotët e fluturave dhe me pikat e shiut që nuk prajnë. Poetja ka të drejtë në besimin e saj, kur shkruan për të vëllanë e vrarë, se “shpirti yt mbi re/ ishte shndërruar në dritë të engjëjve”, sepse fjala është kreshta më e bardhë mbi majën e së cilës gjithmonë përhapet një dritë përjetësie.

Poezia tjetër e radhës, me titullin E përditshmja në të përditshmen tonë “Rilindja” (Në faqet e para të faqeve të para), përbëhet nga kontraste të thella shpalosur nga faqet e para, por që në fjalën e gdhendur poetike marrin një kuptimësi të veçantë, në të cilën nuk mungon as ironia:

Kalkuta përshëndetet për herë të fundit
me Nënë Terezën
shqiptarët mbeten jetim
në Gostivar shqipes ia thyejnë krahët
ia ndërrojnë vendin në hartë

zhveshin lëkurët e buta
nga mishi dhe dejtë nga gjaku
kryetarë në krye të kresë
Perëndi të Erës Shiut Dashurisë

të dërguar nga vetë Zoti
apo të zgjedhur nga populli

E veçanta e këtyre vargjeve është aktualiteti që përmbajnë ato, jo vetëm në relacion me faqet e “Rilindjes” së asaj kohe por edhe të kohëve të mëpastajme. Poetja është dëshmuar se ka një shije të veçantë të përzgjedhjes së faqeve nga gazeta apo edhe tëtablove nga jeta –Në faqet e dyta të faqeve të para:

kafshatat e mërgimit hapin vatra diturie
fantazmat me maskat e zeza
korruptojnë kripën e djersëve tona

në Kanalin e Otrantos me vonesë
peshkatarët peshkojnë prenë e tyre
me rrjetën e shpresave të humbura
luleborat lëshojnë rrënjë në fundin e deteve

ne ikim nga vetvetja
për të mbetur në vetvete
për t’u takuar me vetveten
në pranverën e plumbave dhe ikjeve

Dritë-hijet e një jete gjithë vija dhe vrragë shpalosen nga fjala poetike edhe Në faqet e para të faqeve të mesme:

gjenive iu shpëtojnë fjalët e shëmtuara
ju falet prapë se janë gjeni dhe shqiptarë
studentët nga këmishat e bardha
i lëshojnë zogjtë e lirë
të marrin cicërimën dhe i përqafojnë
trëndafilat e heshtjes

Në një përvijim poetik si ky, Në faqet e dyta të faqeve të mesme, gjuha e ironisë vihet nëfunksion të spjegimit të tragjedisë:

Realizohet drama shqiptare
“Ku është çelësi” i të gjitha këtyre tragjedive

E Në faqet e para të faqeve të fundit, shprehet nëpërmjet kontrastit rishtazi shqetësimi:

Kush do të mbërrijë i gëzuar në cak
Drita Besëlidhja Vëllazërimi

Flamurtari apo Uniteti
cili është luftëtar më i fortë
mbi gjelbërimin e tharë
Minatori lufton me forcën e fundit
dhe fotografon mjerimin e vet
topin e mban në dorë një njeri

Ky kontrast thellohet edhe më sepse jeta zvetënohet edhe më shumë, gjë që shprehet aq bukur në pjesën e fundit të kësaj poezie-Në faqet efundit të faqeve të fundit:

Sigurojeni jetën tuaj
çdo çast ju kanoset rreziku

agjencitë turistike

si këpurdhat pas shiut
ofrojnë fluturime të lira dhe komode
deri në Kosovë
buzëkuqe me kurorë të artë në kokë
zgjidhet Mis Kosovarja e vitit

E përditshmja jonë me ngjyra kontrasti
në letrën e bardhë me durim shumë

E një meditimi të thellë janë poezitë në vijim. Tek poezia Ëndrra, poetika e shprehjes gërshetohet me atë të ndjenjës:

Mbi kurriz bart lodhjen e ditës
me ëndrra syçelur
prehen mbi jastëkun e bardhë
sytë e mekur
e ballin prush të hirtë
gacullojnë në errësirë

Sa zgjat nata me (pa) sy
pse vjen i mugët mëngjesi

Tek poezia tjetër Mbretëri bote, poetja pasi ka konstatuar me verbin poetik se “Është ndalur koha”, njëkohësisht ka shtruar pyetjen:

apo tradhtohen njerëzit
duke pritur diellin pas shiut
oqeanet trazohen
dhe valët s’njohin
kohë mëshirimi

Ndërsa në pjesën e dytë të poezisë, shpaloset një botë e re gati-gati si dëshira e Kiplingut në poezinë e tij të njohur njohur Nëse. Lirika e vargut është vetë zëri i gjakut:

Me buzët e thara
kërko të puthësh largëistë
nën mollën shartuar
me dashuri e dhimbje
bëhu këngë e re
aromë lulemolle
Thuaja prajshëm vargut
heshtja nuk e mund brengën
mbulo dashurinë me puthje
të shenjtën shpirtërore
vetëm atëherë je mbret bote
mbush jone dashurie
qetëson me urti
oqeanet e trazuara

Sevëme Fetiqi është poete e cila vargut e thotë prajshëm, gjë që vërehet edhe tek poezia Shiu s’po ndalet. Në të shprehet dëshira që: Ky shi le të bjerë, shi i e cili në ligjërimin lirik bëhet një me lotët:

Kur të zgjohet
ajo stinë e pestë
unë e ti
do t’i pimë lotët tanë
të padukshëm
Fillin e ylebereve
do ta mbajmë
në pëllëmbë

Poezia Lumturi gënjeshtare, është poezi e shprehjes së meditimit dhe pikëllimit përmes kontrastit të tablove ekkspresive të gjendjes psikologjike, por është edhe poezi e poentës së qartë se “lumturia nuk ndërtohet/mbi dhembjen e dikujt”.

Poezia tjetër, e titulluar Unë jam dëshmitare, është një akuzë ndajpadrejtësisë, akuzë e dhembjes, e cila është ngritur sërish mbi bazën e kontrastit të fortë:

Ke pasur duar të bardha
të buta si pambuku
duar hyjnore
po unë jam dëshmitare
e kishe zemrën gur të rëndë
pa mëshirë pa falje

e që përmbyllet me ndjenjën e një triumfi të sinqeritetit njerëzor nëpërmjet pohimit: Unë jam dëshmitare.

Poezia e fundit e cila e përmbyllë këtë vëllim poetik, është poezia Frymëzimi në të cilën poetja thekson se i fal të gjitha:

Vetëm mos m’i kërkoni
ëndrrat dhe mrekullitë

Gërshetat
se me to
mbrohem nga stuhitë

Mos ma kërkoni
dashurinë
me të e rrezatoj shtëpinë

Të gjitha të tjerat ua jap
pullë dhe monedhë
teshë dhe koteshë

Por lotin
pagjumësinë
mallin
jo

Poezia
pa to s’më do

Pra, pasi e ka ngritur përmbledhjen e saj poetike mbi lotin, pagjumësinë dhe mallin, mbi dhembjen dhe dashurinë për imazhet e ringjallura, poetja e ka përmbyllur vëllimin e saj poetik me poezinë Frymëzimi. Me një dëshmi të tillë, ajo sikur mëton të përkujton se në fillim ishte fjala, dhe se magjistarët e fjalës ashtu si edhe ata të zjarrit, besojnë në misionin e tyre tepër të veçantë. Ajo i kthehet frymëzimit sepse në alkeminë e fjalës prehen zemrat e zgjohen agimet.

V.

Në fillim ishte fjala!

Fjala është galdim i shpirtit poetik, është kreshta më e bardhë që ngritet përmbi universin, e rimat janë si krahët e fluturave në shpalosje të ca imazheve të ringjallura, të cilat nuk janë vetëm një psherëtimë lirike e një poeteje të mërguar nga vatra e të parëve.

Më shumë se kaq, këto imazhe të ringjallura janë testament brezash e imazhe ylberore të breznive orëmira.

Poetja jeton për fjalën sepse beson në të dhe se me të shpalos sa ndjenjat po aq edhe shpresat, sa kujtimet po aq edhe dhimbjet, sa sfidat po aq edhe ëndrra agimesh të bardha.

Ajo kthehet dhe rikthehet tek fjala, për ta shuar etjen e saj dhe për ta thënë gjakimin e saj.

Ajo kthehet tek fjala sepse fjala është një kurorë me të cilën ngre një kullë me ëndrra vashërie, sepse ajo e di se: Në fillim ishte fjala!

Fjala është kreshta më e bardhë dhe më e lartë. Është fryma e shpirtit, ashtu siçështë shiu vetëpoeti – bardi i lashtë me moshë biblike që shkruan kronikat e dhembjes ndër shekuj.

Pikat e shiut janë rimat e bardha të poemave për mallin e pathënë.

Ka shekuj të tërë që ritmi i pikave të shiut shëmbëllen herë me ritmin e zemrës e herë me ritmin e një valci vienez.

Pikat e shiut e kanë butësinë e tyre në bekimin që ua fali Krijuesi i Universit, këngët e kanarinave e kanë magjinë e zërit për dhembjen që nuk thuhet, cicërimat e zogjve e kanë melodinë e tyre të përsosur për mallin që nuk shuhet, lotët e fluturave e kanë bardhësinë e tyre për dhembjen që nuk duket, e fjala është një sogjetar amshimi sa herë që del nga një thellësi frymëzimi dhe sa herë që shkruhet me ndjenjë të theksuar përkushtimi.

Të tjerat janë ritëm, janë psherëtima të thella, janë zëra që vijnë nga thellësitë e shekujve, janë lenta ylberi që bien mbi harkun e fjalës.

Fjala është një zë që hesht në letër por edhe një zemër që flet, një ndjenjë që thuhet, që shkruhet.

Fjala është ndoshta bekimi i parë që u fal si një ogur i bardhë, shpalosur gjithmonëme flatrat e saj:

Në fillim ishte fjala!

Prandaj poetja kthehet dhe ri-kthehet tek imazhet e ringjallura, sepse ajo e di se të gjithë shpirtat e bardhë kanë diçka nga butësia e trëndafilave.

Shpirtat e bardhë: Nëna, Vëllai, Gjyshja…

E bebëzat e syve që në kërkim të mallit e hapin harkun e lakuar të qepallave, janë më të shpejta se sa një rreze drite dhe se një tingëllimë poezie me rima dhembshurie ia kalon çdo përjetësie, në drejtim të së cilës malli rri si një kith i kaltërt shpalosur mbi gjethe dafine.

Malli dhe shpresa, dhembja dhe dashuria rrijnë së bashku si një kurorë poezie, sepse janë poetët gjithmonëata të cilët rrugëtojnë më shumë se të tjerët dhe se ata i bashkon koha të cilës i prijnë.

Në këtë rrugëtim të tyre, ka edhe lodhje, kapitje e sfida në udhën e gjatë, e megjithatë vargu i poetes si një ogur i bardhë, na bëhet bashkudhëtar. Një varg elegant e me kulturë, varg që shpalos ndjenjën e butësisë dhe të dhembshurisë, të mallit e të dashurisë për atdheun e për jetën. Buqetat e fjalëve nuk janë gjë tjetër veçse një kurorë e kaltërt në të cilën ka sa dhembshuri po aq edhe shpresë, duke mëtuar kështu t’i bashkojë copët e ndara, për t’i bërëëndrrat një, për t’ibërëbashkë thërmiat e bukës në sofrën poetike, duke e thyer edhe heshtjen – sa herë që jetës i flet me zërin zemrës.

Në ligjërimin lirik të kësaj poeteje shkrihen në një fjalët me petalet, dhe tek flet kështu për trarët e shtëpisë a për sofrën që pret, vargu është vetë zëri i gjakut që flet për mallin e prakut. Dëshmi e gjallë se poetja Sevëme Fetiqi i është falur misionit fisnik të fjalës.

Duke shkruar Letrën e nëntë, Shileri fliste edhe për magjinë e fjalës. Pasi përkujtonte se arti zgjon shpirtra, ai e linte të nënkuptohej vetvetiu pjesa tjetër të kësaj të vërtete të madhe, sipas të cilës është Zoti vetë ai që falë dhe bekon shpirtat.

Arti i zgjon ata.

E fjala është unazë e verdhë që lidhë tokën me qiellin.

Fjala është lutja dhe përgjërimi mes shpirtave dhe Zotit.

Mes jetës dhe përjetësisë.

Zoti është ai që i sheh zemrat e fjala është ajo që i prekë ato, ashtu siç shkruante Shileri: “Përpara se e vërteta ta depërtojë dritën e saj ngadhënjyese në thellësitë e zemrës, poezia arrin t’i kapë këto rreze, duke bërë që edhe majat e njerëzimit të shkëlqejnë nga një dritë lëbyrëse, teksa nata e zymtë dhe ende e lagësht qëndron si e varur nëpër lugina.”

E në një rrugëtim të tillë, fjala rri si një buqetë me lule të cilën e mba në duar poetja.

Fjala dhe hijeshia e saj rri si një trëndafil mbi bokërrima.

Yllësia e fjalës shqipe dhe imazhe të ringjallura.

Në mes: Poetja…