Platoni i ka fajet!

0
25

Ese nga Jon Leka20 Qershor 2015Zëri

Pse duhet të tërbohemi kur ndonjë religjioz thotë Hëna është prej çokollate? Në fakt duhet të qeshim – me kushtin që të mos jetojmë në Ballkan. Gadishulli ende është zona, ku irracionalët e kanë fjalën dhe mund t’i çajnë saora shoqëritë!

I. Veprën e tij “Përvoja historike” (Groningen: 1993) profesori holandez, Frank R. Ankersmith, e hap me këtë citat të David Humes-it: “Gjitha gjërat e të menduarit dhe studiuarit njerëzor natyrshëm mund të ndahen në dy kategori: në raporte të parafytyruara (Relations of Ideas) dhe në fakte (Matters of Fact)”. Duke filluar që nga Kanti e deri tek Quine, Goodman, Kuhn, Rorty dhe Faoucault nuk ka mbetur gati filozof serioz që nuk i ka replikuar sensualistit dhe empiristit përherë të sëmurë e të vetmuar skocez. Sipas divizionit të listuar të mendimtarëve universalë, arkivat e dijes, kujtesës, ideve dhe artefakteve humane nuk shabllonizohen dot në këto dy kategori të ngurta, ngase as fakti nuk legjitimohet si i tillë pa parafytyrimin, idenë apriori që ai të jetë fakt dhe as ideja nuk regjistrohet si e tillë pa e siguruar së paku një corpus materialis, një subjekt bartës të saj.

E qartë: për gjithçka duhet ta kemi një ide, nga ku nis udhëtimi ynë për ta racionalizuar apo për ta ruajtur si pasuri irracionale për nevoja, ta zëmë, të ruajtjes së kohezionit grupor apo shoqëror. Bota nuk popullohet vetëm nga racionalë. Përkundrazi, racionalizimi i gjithçkaje – sado paradoks që të jetë – më shumë prish kompaktësinë e turmave, grupeve dhe shoqërive sesa i bashkon ato. Të paramendojmë shpendët, kafshët si qenie racionale; a do të shtegtonin në turma aq kompakte qiellit nga njëri cep në tjetrin të globit po të ishin specie racionale. Sigurisht se jo, nuk do të kishin kohë ngase do të debatonin, hulumtonin, përlaheshin, çaheshin dhe ndoshta në fund duke parafytyruar se çka mund të ishte e çka s’mund të ndodhte do t’i mbyste ndonjë papritshmëri klimatike.

Ne mendojmë se Ankersmith, Kanti, Foucault dhe kompani harrojnë (qëllimisht ose ne na duket ashtu) ta lexojnë Hume-n deri në fund se për çka e ka fjalën: Është absurd të sugjerosh se Hume ndarjen e aktivitetit mental e material human e paska bërë në dy kategori statike, ngase qenkan dy pista rrugës për në adresën e njëjtë. Hume para së gjithash si historian dhe ekonom dëshiron ta zgjidhë një problem tjetër të përbotshëm e të përhershëm; formulimin e një konsensusi që do t’iu shërbente dykëmbësorëve të egërsuar racionalë dhe irracionalë që të mos shkaktojnë luftëra e të prishin koekzistencën. Se përpjekja e Hume-t ende nuk ka kapluar as sot në shekullin 21 pjesë të mëdha të mentaliteteve e kulturave dëshmoi polemika e fundit shqiptare rreth hoxhës prishtinas që parafytyroi Sulltan Muratin të mos ketë ardhur me shpatë në Ballkan, por me hordhi sorrash për t’i sqepatur syve sllavët që i ngucnin shqiptarët. Si ide parafytyrimi mund të jetë sim- apo antipatik, mirëpo ç’t’iu bëjmë fakteve historike?

Me këtë fjali të fundit erdhëm te tri singularët: Histori, Realitet dhe Njeri – tre singularë që çuditërisht ende janë gjallë! Me këtë hyrje prekëm tri zona tejet ngucakeqe të pseudodiskursit aktual shqiptar.

II. Në një ceremoni turke primati legal i myslimanëve të Kosovës tha se Sulltan Murati është gjallë dhe se nuk ka qenë pushtues, ashtu si edhe Perandoria Osmane. Kjo do të jetë ide, parafytyrim i tij, sepse biografia studiuese e Naim Tërnavës nuk na jep asnjë element që ta besojmë të jetë marrë me fakte. Në Medresenë “Alaudin” ka mësuar bazat e Islamit. Në Kajro ka mbaruar filozofinë e shkollës “Usul-Ad-Din” që merret me bazat po ashtu të fesë islame, respektivisht pesë shtyllat: Tauhid (njëshmëria e Zotit), Adl (Drejtësia, barazia e tij), Profetia (Nubuwwat), Imamati dhe Ringjallja (Qiyam- kush?), respektivisht jeta e përtejshme (Maad).

Atje e këndej Tërnava mund të ketë mësuar edhe paradigma perëndimore, si për shembull neoplatonizmin me dorën përpjetë, por jo historinë, historinë e filozofisë, metodat e hulumtimit shkencor, madje as të periudhës osmane në Egjipt, ashtu siç e parafytyron për shqiptarë, sepse në mësimet publike të vendit të atëhershëm postfaraonik, sekular pushtimi osman ka trajtim racional po si tek popujt tjerë. Nga ku pra Tërnava ka bazën faktike për konstatimin e tij konfliktuoz.

Se problemi nuk qëndron vetëm tek Tërnava irracional, por edhe tek perceptimi i medieve dhe publikut u pa nga reagimet. Pohimi i kryeparafytyruesit të magjive transcendentale tërboi mediet dhe shoqërinë civile. Pse? Sepse nuk e kapën si masturbëri fantazmagorike siç doli, por e trajtuan nga frika si kontigentë (në ndonjë botë mund të ishte e vërtetë).

Dilemë tjetër tash na shfaqet: se a duhet të reagojnë në atë mënyrë medie, dhe shoqëria kur një irracional lëshon një bombë sado absurde të jetë ajo?

III. Interesant në këtë kontekst është t’i shikojmë debatet e zhvilluara në shtypin francez pas skicës, vizatimit të piktorit Salvador Dali (1947), i cili duke u nisur nga erotologjia platonike përqeshi në një mënyrë përpjekjen e kontrahumëve për t’i shfaqur si diadë të harmonishme dy kategoritë e racionalistëve anglezë, dhe atë, për ta acaruar edhe më shumë diskursin, duke fuzionuar qëllimisht dy polet në mashkull e femër sipas stereotipive seksuale. Gjersa religjionet u shkrinë duke e përvetësuar si qëllim të mirë studimin e Dalit, shkollat e ndryshme filozofike apelonin që ekscentriku të mos merret aq seriozisht se irracional. Në fakt Dali, po të ishte gjallë të njëjtën sintezë do t’ia bënte edhe diskursit shqiptar, do ta përqeshte dhe do të shkoqej duke qeshur me dramën e mentalitetit ballkanik.

Veçanërisht pas debatit tjetër kontinental që shkaktoi filmi “The Rocky horror picture show – Give Yourself Over to Absolute Pleasure“ (1975) i Jim Sharman-it dhe Richard O’Brian, jo vetëm Dali por të gjithë do të alivanoseshin me sjelljen e inteligjencave ballkanike ndaj referateve të fetarëve. Filmi – që autorët hiperbolizuan skenat e Rok-skenave për ta bërë një “përrallë djallëzore që i ngjajnë përjashtimit nga parajsa“ – u kap nga konservatorët ngutazi për ta shpallur si dokumentar faktik mbi gjendjen dekadente të shoqërive perëndimore të viteve të 70-80-ta, dhe shkaktoi një polemikë intelektuale që zgjati me vite e që përfundoi me biblioteka të tëra.

Dakord, nëse shoqëritë perëndimore e kanë zgjidhur këtë problem ato ballkanike jo, prandaj edhe reagimi. Shembujt më lart i bëmë kronikë shkrimi për të dëshmuar se shoqëria shqiptare ende nuk ka ecur polemikave e diskurseve të tilla as me film, as me pikturë, e më hiç me filozofi. Prandaj, edhe reagimi i ashpër i medieve dhe opinionit ndaj një fetari jokompetent as në filozofi e as në histori.

IV. Seriozisht duhet të merren masturbime të tilla teozofike patjetër sepse siç pamë ato përçajnë shoqëritë skajshëm. Janë të rrezikshme. Çka do të thotë kjo? Të popullarizohet ideja humiane e ndarjes së zonave intelektuale: religjionet janë irracionale dhe s’kanë pse merren me fakte historike. Sulltan Murati nuk është shpallur nga Vatikani apo Muhamedi profet dhe figurë e shenjtë. Ai është dervish dhe figurë historike e dokumentuar deri në numrin e opingave hundëpërpjetë. Religjionet kanë për detyrë të interpretojnë çka shkruan Kurani e aty nuk është Sulltan Murati, as Erdogani e gjasa nuk ka të hyjë aty Tërnava sepse i nominuar në xhaminë e Sulltan Muratit, një emri vrasës dhe pushtues – për këtë nuk ka dilemë racionale. Instancat religjioze por të mos qenë mashtrues eklatant duhet të thonë gjithandej se mësimet e tyre janë irracionale, ide, parafytyrime, besim që më së thelli mund të rrejnë se Platoni me dorën përpjetë e kishte fjalën edhe për Allahun (çështje interpretimi), por më shumë jo.

Krejt fajet i ka Raffaeli që e vizatoi Platonin me dorën përpjetë. Apo vetë Platoni na i solli gjithë këto sherre? Përgjigje ndaj kësaj pyetje ka ngase kemi tekstet e Platonit: filozofët islamë dhe skolastikët në përpjekjen e tyre për ta bërë filozofinë skllave të besimeve të tyre përzien dy zona që edhe sot e kësaj dite të na shurdhojnë irracionalët me parafytyrimet e tyre!

Legjenda:
Dali, Salvador: Kompozicion harmonik: 1947