Diçka po ndodh në Malësi të Madhe

0
54

Life Hasa*, Dita16 Qershor 2015

Rruga drejt Evropës kalon nga Kopliku e Bajza, dhe kjo nuk është thjesht metaforë. Në garën për bashkinë e Malësisë së Madhe, qytetaria, vizioni, toleranca që rrezaton kandidati Tonin Marinaj, përbëjnë atribute të cilat janë në natyrën e tij, që në rininë e hershme, të cilën e kaloi në këtë vend. Në këtë rini do të ishte gjithnjë i shoqëruar nga intelektualë, çka la gjurmë në karakterin e tij, po aq sa edhe familja e mrekullueshme prej nga vinte.

Thjeshtësia dhe zemërgjerësia plotësojnë karakterin e imazhin e një djaloshari energjik, e më pas shpërthyes në metropolin shqiptar, Tiranë. Tonini gjatë bisedave me elektoratin, me miq e shokë, nuk flet për familjen, për babain Zef Marinaj, por malësorët pyesin, i tundon malli për këtë burrë. Pyesin edhe për Gjekë Marinajn, kushëririn që në kohë të vështira ekonomike, Tonini e mbajti pranë.

Ai kuptoi talentin e disidentit poet Gjekë Marinaj, ku me vargjet pamflet të poezisë “Kuajt“ do të shpërthente inteligjenca shqiptare e viteve 1989-1990.

Malësorët pyesin edhe për biznesin dhe arritjet e kandidatit në metropolin shqiptar. Të gjitha këtyre pyetjeve u përgjigjet më së miri me modelin si garues, kandidati për kryetar Bashkie i Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Përballja me sfidat e bën të bindshëm e realist, të besueshëm në elektorat. Pakti me zgjedhësit është dinjiteti njerëzor, humanizmi, saktësia, jo premtime boshe e mashtrime, por plane të realizueshme e konkrete. Ai garon me një etikë mbi politikën, etikë e cila duhet vlerësuar e marrë si shembull, pasi i ka munguar për vite e vite politikës e fushatave garuese në Malësi e më gjerë. Nëse shaj nuk them asgjë, nëse bëj diçka them shumë, kjo është motoja.

Një garë si e Marinajt, i duhej fushatave të kësaj ane. Është njeriu i duhur, në kohën e drejtimin e duhur. Janë reformat, vetëm këtu qëndron suksesi. Po a do ia besojë Malësia Bashkinë t’i bëjë këto reforma, t’i japë dritën jeshile të munguar prej vitesh? Janë 24 vite demokraci, e për të parë dorën e qeverisjes, shikoni midis vilave pafund ndërtuar nga dora e artë e malësorëve nga Shkodra në Han të Hotit… e nga ana tjetër shikoni Bashkinë Koplik, që po i merret fryma e po mbytet nga katranosja e qeverisjes së mëparshme.

Andaj Tonini, si biznesmen ka se çfarë të mendojë, të veprojë e të flasë. Standardet evropiane që duam të arrijmë, duan njerëz me vlera, njerëz me horizont e shumëdimensionalë. Malësorët do të dinë të thonë fjalën e tyre me 21 qershor, për këtë, pasi përgjegjësia për të ardhmen është e madhe.

Tonin Marinaj gjatë takimeve me grupet e interesit, bashkë me stafin e tij, ka bashkuar të gjithë alternativat, që japin një garanci të suksesshme për të ardhmen, si model i qeverisjes. Dhe pikërisht këtë alternativë, program i tij do ta bëjë të besueshme dhe ta çojë drejt fitores. Mbrojtja e individit do të jetë një nga prioritetet bazë, si dhe lufta për uljen e pabarazisë sociale e të pabarazisë gjinore. Këto do të arrihen falë një bashkëpunimi mes pushtetit vendor e atij qendror, falë punës për ndërtimin e politikave sociale, si dhe bashkërendimit të punës me OJF-të, në fushat e bujqësisë, turizmit, agro-kulturës e biznesit, të cilat marrin një tjetër vëmendje me ndarjen e re territoriale.

Nesër kandidati si kryetar bashkie ka për të bërë shumë, pasi të gjitha janë të rëndësishme e të lidhura me zhvillimin. Dhe ndarja e re territoriale hap mundësi financiare në lidhjet urbane e inter-urbane. Në Malësi bëhet fjalë pak e aspak për industri peshkimi, apo tekstilesh, industri e lehtë e ushqimore, apo diçka më shumë. Gjithë ai kontigjent njerëzor në qendër të Koplikut, apo rrethina duhet të angazhohet në vende të tilla pune, qoftë në konservim, tekstil apo fasoneri. Nga ana tjetër, turizmi familjar për Malësinë, ka shumë e shumë mundësi zgjerimi e bashkëpunimi, mënyra si do të punohet në zonat inter-urbane, me rrugët e qendrat, shkollat e ambientet në shërbim, do bëjë që qytetarët e Bashkisë Malësi e Madhe të ndihen të çliruar nga korrupsioni e pashallëku, që ekzistonte në komuna të vogla. E falë zotit, jemi të privilegjuar nga resurset natyrore.

A do t’u përgjigjet kapaciteteve njerëzore, elitës në Malësi me angazhime e bashkëpunime? A do të jetë një gur prove për demokracinë e kandidatëve në pushtetin vendor? Rrotacioni politik, një përmbysje totale në mentalitet e vlera njerëzore do të jetë zgjidhja e duhur për t’u hapur rrugë vlerave njerëzore, duke lënë pas antivlerat. Malësia është e të gjithëve, siç shprehet Tonini, prandaj duhet ta duam, ta ndërtojmë, ta bëjmë më atraktive, më shplodhëse, sidomos Koplikun e Bajzën, e në çdo anë.

Ky është misioni ynë, falë edhe bukurisë që nga Bjeshkët e Namuna të Kelmendit, Vermoshi, Selca, Leqet e Hotit, lugina e Shkrelit, Boga e Razma, Rapsha e Hotit, Reçi, Gruemira, bregu i liqenit, që jo vetëm e freskon, por i jep hijeshi, që çdo kush mund t’ia kishte zili. Programi tani po shpaloset fshat me fshat edhe në lagjet e Koplikut, ndërsa përgjegjësia qytetare bën një apel për votë të pastër, për votë të mençur dhe sigurisht do fitojë më i miri, më qytetari, më garuesi, ai që premton zhvillim e investime.

* shkrimtare nga Malësia e Madhe