Leksioni tjetër

0
47

Ndër mejtime Arlinda Çausholli, 15 Mars 2013

Bëra disa telefonata dje. Ndava me njerëz të afërt shqetësimin për një situatë të pabukur dhe të papritur që më gjeti thuajse të papërgatitur. Po them e pabukur, se edhe gjërat e bukura vijnë papritur. Siç kanë ardhur. Siç shpresojmë gjithmonë.

Në përgjigje të pështjellimit që më kishte kapluar, një nga zërat më dritësoi dhimbshëm: “Jeta është shantazh dhe spiunazh Arlind. Kush ka informacione më shumë mbijeton. E kush është më shantazhues, spiun dhe lëpirës mbijeton dhe përparon“. Heshta gjatë, ndërkohë që zëri i një prej miqve të mi më të mirë vazhdonte të përparonte në mendjen time me lehtësinë e bletës që ngjitet pas luleve.

U gjenda pak në faj. Mendova…nëse nuk do mungoja në një servilosje time – me sa duket të domosdoshme – për të vjelë pak informacion, mund të kontribuoja për ta shpëtuar situatën apo për ta lehtësuar disi. Por nuk është kaq e thjeshtë. Rritur me udhëzime të skrupullta dhe të forta që në embrion për të respektuar veten, kjo bëhet gati-gati e pamundur. E traumatizimin në kësi rastesh nuk e shmang dot. Kush ka shansin të jetë i fortë, e kalon me ca dëmtime shpirtërore, kush ka fatin e keq të jetë më i dobët, e kalon me dëmtime mendore, dhe kjo e dyta është vërtet e rëndë.

Ti, lexues i çmuar, do thuash çfarë ka ndodhur? Asgjë ndryshe nga fenomenet që dëgjojmë përditë: Njerëz të paaftë që bëjnë ligjin. Të kompromentuar ata që duhet ta zbatojnë. Shantazhues varfanjakë, me pozita të palëkundura, për shkak të informacioneve të marra nëpër skuta të errëta dhe jo. Njerëz të dalë nga hiçi që kanë fryrë barkun dhe kanë zbrazur trurin. Qënie të vogla që kanë bërë dëm dhe krekosen me lafshën e flashkët të një gjeli të plakur (kanë shpëtuar paq). Ushqyes të papushimtë të sistemit tonë politiko-social gati-gati primitiv, që i jep mundësinë e kaosit dhe mjegullnajës duarve që e ushqejnë.
Një si këta thotë jam i paprekshëm. Akili i mijëvjeçarit të tretë. Pa thembër.

Jeta është shantazh? Jeta është spinuazh? Kam frikë se kjo e vërtetë e hidhur, është forma reale e ditëve tona sot. Nuk e di a ka shërim. Sepse nuk është sëmurë lëngueshëm vetëm sistemi me të gjitha shtresat që ka. Mentaliteti ynë me të cilin përballim jetën, duket i helmuar nga sëmundja e pashërueshme dhe thuajse ngjitëse, e varfërisë mendore, e primitivizmit tribal, e dembelizimit, e kompromentimit dhe e korrupsionit, në përmasë të vogël apo të madhe, pak rëndësi ka.

E shpesh gjendemi në udhëkryq. Vlerat që na i mësuan hershëm, dhe më pas i veshëm butësisht me kohën, na ndihmojnë të jetojmë mirë dhe qetë individualisht. Apo të jetojmë në harmoni me rrethin e ngushtë të të afërmve – thesar, që ndan këto vlera bashkë me ne. Por nga ana tjetër, të gjithë, jemi pjesë e një shoqërie të përbashkët dhe kahet janë mprehur për të bashkëvepruar për një qëllim të mirë, dhe jo për t’ia ngulur njëri-tjetrit.

Zëri i mikut tim nuk më tha asgjë të re nga ato që nuk dija, por fakti që e kishte formuluar përkufizimin e jetës në këtë mënyrë, dhe për më tepër të transmetueshëm në 7 sekonda, më hidhëroi dhe më trishtoi. Jo se do t’ia zbehë bukurinë jetës me të gjitha gjërat e bardha dhe të gëzueshme që ka, por ndërsa këto të fundit duhet t’i kërkojmë shumë dhe të kemi guxim t’i jetojmë, mendjet e varfra i hasim çdo ditë. Nuk i kërkojmë pa as më të voglin mundim.

Çekuilibër i jetës? Apo i shoqërisë sonë? Apo bota është e njëllojtë dhe dallimi gjendet vetëm në ciflat e sipërfaqes….Njerëzit që njoh unë dhe njoh të mirë plot, nuk duan të mbijetojnë. Duan të jetojnë.