SHKRIMTARE E RE, ME TË ARDHME NË LETËRSINË PËR FËMIJË

0
92

Me rastin e dorëzimit të “Çertifikatës së Mirënjohjes”, nga Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, autores së re Alketa Dervishaj, për ndimesën e vaçantë, që ka dhënë në lëvrimin e përrallës për fëmijë

Nga: Bardhyl Xhama, shkrimtar, “Mësues i merituar”

Ceremonia e organizuar në një lokalin e bukur “Muza” të kryeqytetit tonë, ishte një ngjarje e gëzuar festive, që do të mbahet mend. Përveç poetëve, shkrimtarëve e publicistëve të tjerë, ndërmjet nesh ishte Alketa Dervishaj. Ajo është një nga shkrimtaret më të reja të letërsisë për fëmijë dhe më prodhimtarja e viteve të fundit, që ka krijuar personalitetin e vet, me veprat e saj cilësore. Mjafton të përmendim se në harkun kohor, prej gati 8 vtesh, ajo ka botuar 6 libra, me këta tituj:

1.”Princesha Kaltërinë”, përralla, 2007;
2.” Mbretëria e trëndafilave”. përralla, 2009;
3.”Çadrat fluturuese”, përralla, 2010;
4.”Cirku i yjeve”, përralla, 2012;
5,”Dedikuar ty”, poezi për të rritur, 2013;
6″Dy mbretëri”,. përralla, 2015.

Ndërsa ka gati për botim librin e shtatë, “Kërkuesi i thesareve”(përrallë).
Sikurse shihet, i bie që, gati për çdo vit, ajo ka botuar një libër. Dhe dihet se sot, në këtë periudhë të gjatë tranzicioni, sa vështirë është jo vetëm të shkruash libra, por sidomos të botosh.

Nga titujt e këtyre librave, kuptohet se, nga librat e botuar të Alketës, 6 janë me përalla për fëmijë, ku ajo e ka gjetur më mirë veten dhe ka arritur suksesin.

Po, me që do të merremi kryesisht me gjininë e përrallës letrare, po themi dhe disa fjalë për librin me poezi për të rritur,“Dedikuar ty”, sipas vlerësimit të Hasan Hasanit, nga Prishtina. Ndërmjet të tjerash, ai shkruan: “…Alketa Dervishaj është një krijuese e talentuar për fëmijë…Por, se është një talente e rrallë edhe si poete për të rritur, këtë e dëshmoi që në start, pra me librin e parë me poezi, që e botoi në vitin 2013. Me këtë libër, jo vetëm ka tejkaluar parashikimet, që një poete mund të sjellë me librin e parë, në këtë sferë të krijimtarisë, por me vlerat e saj ideoartistike, që i hasim në faqet e vëllimit poetik, “Dedikuar ty”, lë prapa krijues e përvoja shumëvjeçare të krijimeve të poezisë intime, së cilës iu përkushtua me mish e me shpirt. Kështu, pra, mendoj se kjo ia arriti qëllimit, që ia kishte parashtruar vetes, në heshtje, pa u rrëfyer para askujt, madje, as para miqëve të këtij lloji të poezisë”.

Le të kthemi tani te tema e ditës. Vëllimet me përralla të Alketa Dervishaj janë pritur mirë, jo vetëm nga kritika letrare, por sidomos nga vetë fëmijët, të cilëve u drejtohet. Dhe vlerësimi i fëmijëve, për mendimin tim, është më i madhërishëm, se i kujtdo tjetër.

Në tre drejtime, shkurt, dëshiroj t’i paraqes vlerat e përrallave për fëmijë të Alketës:
1.Vlerat edukative, çka përbën dhe një nga drejtimet kryesore të letërisë për fëmijë, janë të pranishme në të pesë librat me përralla të kësaj autoreje. E kam theksuar dhe më herët se, përmes perosnazheve njerëz, kafshë e sende, në përrallat e Alketës shtjellohen dukuri jetësore, ku virtyti fiton mbi vesin dhe e mira mbi të keqen.Që të mos zgjatemi, po citoj se ç’ka thënë për këtë Adem Abdullahu, nga Tetova: “Ana morale e përrallave të autores Alketa Dervishaj është e pranishme kudo, ajo flet për vështirësitë jetësore, dëshmon për punën, si faktor themelor për të jetuar dhe për të arritur lartësitë, për respektin dhe autoritetin, si dhe vendosmërinë për t’i arritur të gjitha këto…Autorja, me sukses ia del që lexuesin e saj ta mbajë aktiv, gjatë leximit të përrallës, t’i lexojë me një frymë njëra pas tjetrës, duke pritur befasira të njëpasnjëshme”.

2. Vlerat artistike e gjuhësore ua rritin nivelin vëllimeve me përralla. Kjo autore, e shkolluar për gjuhë e letërsi shqipe, ka shënuar në krijimet e saj arritje artistike, aftësi të veçanta në stilin e gjuhën e të shkruarit, të cilat janë në përshtatje me moshën e fëmijëve, që u drejtohet. Personazhet janë të larmishëm, dialogu i qartë, frazat të shkurtëra e të kuptueshme, figuracioni i pranishëm, kudo.

3. Vlerat njohëse e shkencore janë, gjithhashtu, të pranishme në vëllimet me përralla. Autorja i ka gërshetuar me vëmendje, përrallën tradicionale me përrallën e re të kohës sonë. Fëmijët marrin njohuri praktike e shkencore për botën e larmishme të kafshëve-personazhe, të sendeve e të dukurive të natyrës, por dhe për shpikjet e fundit të njeriut.
Në këto kënvështrime, përmes leximit të përrallave, fëmija edukohet me cilësi të mira, mëson të shijojë të bukurën artistike në letërsi, pasuron fjalorin gjuhësor me fjalë e shprehje të reja, njeh më mirë botën që e rrethon etj.

Kjo krijuese ka dhe ca cilësi të tjera, që do t’ia kishte zili gjithkush nga shkrimtarët. Alketa ka fituar aftësinë që, disa nga ballinat e librave dhe ilustrimet t’i kompozoje vetë; bën redaktimin dhe korrekturën gjuhësore; i shpërndan vetë librat në pikat e shitjes dhe i fnancon botimet e reja të saj me te ardhurat që siguron nga shitja e tyre etj. Ndërsa, nuk është e zëshme, nuk bën shumë reklamë për krijimet e saj cilësore. Pra, gjithmonë tregohet e qetë, modeste dhe dashamirëse, me të gjithë ata, që e përkrahin dhe e ndihmojnë.
Është vendi këtu për të falëndruar edhe shtëpitë botuese ,për mirëpritjen e librave të saj dhe botimet cilësore.

Ja, pra, këto janë shkurtimisht arsyet se përse Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj e ka përkrahur dhe do ta përkrahë Alketa Dervishaj. Ndërsa, në shenjë nderimi e vlerësimi, i dorëzoi asaj “Çertifikatën e Mirënjohjes”.

Tiranë, 6 qershor 2015