Pazaret e pambaruara të familjes Berisha, si kauza politike

0
36

Nga Mero Baze

Një biznesmen me origjinë izraelito- gjeorgjiane që vepron në Shqipëri prej kohës kur Berisha ishte kryeministër, është përfshirë në një debat publik hapur nga medias afër Berishës, mbi lidhjet e tij politike në Shqipëri. Biznesmeni në fjalë, ndaj të cilit ka nisur një hetim për pastrim parash, thotë publikisht se ka filluar biznesin pasi ka bërë dy takime me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit dhe pas kësaj, ka shoqëruar dhe Berishën në vizitën e tij në Izrael.

Debati u bë i mprehtë, pasi shtypi i Berishës u fokusua tek fakti që Ajola Xoxe, e cila punon si pjesë e një studioje ligjore në Tiranë, është përfaqësuese ligjore e bizneseve të këtij tipit në Tiranë.

Pas qartësimit publik që bëri vet biznesmeni, i cili nuk e njeh as fizikisht atë që akuzojnë Berishët, zbulohet në të vërtetë dhe arsyeja përse familja Berisha sulmon disa ish-biznesmenë, të cilët i ka pasur të afërt.

Arsyeja e parë dhe kryesore është se Berisha dhe familja e tij, përmes studios ligjore dhe çantës së zezë të djalit që shëtiste zyrë më zyrë, i kanë rrjepur këta biznesmenë duke u kërkuar pjesën në çdo biznes. Tani që ata nuk janë më në pushtet, logjika e tyre është e thjeshtë dhe pyetja kryesore që i bren nga brenda është: “Kush i merr lekët që merrnim ne?

Dhe këtu fillon gjithë banaliteti i akuzave dhe baltosjes së Familjes, ndaj gjithkujt që ka vendosur lidhje me biznesmenët që ata i kishin si skllevër të tyre.

Në rastin konkret, Shkëlzeni përpiqet të gjejë të ngjashmin e tij me çantë të zezë në dorë, që i shkon tek zyra dhe i thotë “më tha “babi” po s’na dhe kaq lekë për fushatë, ke probleme”. Dhe në mendje ka shifrat e veta.

Njëlloj është po të shohësh reagimet e dhëndrit të Berishës, i cili në shumë nga konçesionet që Berisha jepte për investitorë strategjikë, merrte si gjobë studimin mjedisor me shifra marramendëse, përfshi dhe studimin për Tiranën. Dhe ai kur flet për akuza ndaj asaj se çfarë përfitojnë pushtetarët e sotëm, ka parasysh shifrat e veta.

Kudo ku ata kanë futur duart e tyre, që nga bregdeti i Vlorës e deri në Shëngjin dhe në çdo konçesion hidrocentrali apo biznes tjetër të madh energjitik, ata reagojnë për çdo zhvillim, sikur po u preken pronat e tyre.

Në rastin konkret, duke qenë dhe brenda industrisë së lojërave të fatit, të cilën i biri i ish-kryeministrit e kontrollonte makinë më makinë, i duket sikur i kanë ikur miliona euro nga duart.

E njëjta gjë ndodhi dhe me skandalin e recetave false, ku sot u arrestuan 8 persona. Kjo linjë korrupsioni është e vjetër dhe zë fill nga koha e Berishës, ku autorët nuk u prekën kurrë. Tani që dikush mesa duket tentoi të ndryshojë partner, pati reaksion dhe u denoncua rrjeti. Berisha nuk përgëzon drejtësinë që vuri në pranga hajdutët, por është i shqetësuar se kush ia hoqi punën nga duart njerëzve të tij.

Një tjetër detaj, që dëshmon se Berisha po kthen në kauza politike gjithë gjobat që ka humbur me ikjen e pushtetit, është dhe mënyra sesi reagoi vet ndaj këtij biznesmeni. Ndërsa vuri zarat e vet të shkruanin se ky njeri kishte lidhje me Ajola Xoxen, vet u tregua më i kujdesshëm dhe sulmoi drejtorin e Pastrimit të Parave, që e mbron. Në fakt, i vetmi që e ka çuar këtë çështje drejt Prokurorisë është drejtori i Pastrimit të Parave, por sulmi ndaj tij është një paradhënie që ai të mos merret me investimet e parave të Familjes në Lindjen e Mesme, përmes linjës Tiranë-Vjenë-Lindje e Mesme. I shqetësuar për këto hetime, Berisha është më sistematik se kalamajtë e tij në betejën politike dhe i del të keqes përpara.

E vërteta është se shumë biznese dhe biznesmenë vazhdojnë të paguajnë taksën tek Familja për shumë arsye. Mbi të gjitha se ata e kanë fituar atë biznes për shkak të Familjes, por dhe për shkak të ngathtësisë dhe pafuqisë së kësaj qeverie për të zbardhur lidhjet kriminale të familjes Berisha në biznes. Kështu që Familja sillet ende si taksadare e shumë biznesmenëve, që janë duke i dhënë akoma pjesën, që i kanë premtuar dhe reagojnë vetëm atje ku këto linja ndërpriten.

Nëse vëren me kujdes, qyshkurse kanë ikur nga pushteti, Berisha dhe fëmijët e tij flasin ose për sulme ndaj bizneseve që s’i kanë më nën kontroll, ose për kalin, qenin dhe tre macet që nuk kanë çuar në Suedi pas divorcit. Për të tjerat nuk janë të interesuar.

Berisha po kthen në kauza politike dhe po ia imponon PD-së si beteja, vetëm ato raste kur familja e tij është e rrezikuar të humbasë taksat që vjel nga bizneset që ka dhënë vet. Rasti i biznesmenit gjeorgjiano-izraelit është më ilustruesi për të kuptuar, përse është realisht e shqetësuar familja Berisha. Kauzat e saj politike janë vetëm kundër atyre bizneseve, që nuk i vjel dot më.