“Protestat e dhjetorit ‘90, Berisha gjeti një vend në avion në minutën e fundit”

0
25

Dëshmia e shoferit të udhëheqjes, Jorgaq Thanasi

Në vitet 1990, në Perëndim filluan të vijnë shqiptarët që u futën nëpër ambasada në Shqipëri dhe zbarkuan në Brindisi. Televizioni shtetëror italian jepte lajme të shumta për këtë ngjarje, si dhe intervistat e imigrantëve. Vrasja e presidentit rumun Nikolla Çauçeskut dhe rënia e Mmurit të Berlinit e bashkimi i dy Gjermanive la të kuptohej se edhe në Shqipëri komunizmit po i vinte fundi.

Jeta në ambasadë filloi të ndryshojë shumë. Sigurimi i shtetit që punonte në ambasadë filloi të digjte dhe të zhdukte të gjithë dokumentet sekrete. Mbledhjet e partisë filluan të bëheshin edhe me pjesëmarrjen e personave pa parti. Me krijimin e Partisë Demokratike filloi të vijë edhe gazeta “Rilindja Demokratike” në ambasadë.

Unë si shofer i ambasadës në Romë kam pritur dhe kam përcjellë shumë figura politike dhe historike, por në kujtesën time ka mbetur i paharruar takimi me Nënë Terezën e Kalkutës.

Më jep urdhër ambasadori të shkoja e të merrja Nënë Terezën dhe ta sillja në ambasadë, pasi duhej pajisur me vizë për në Shqipëri.

Pasi m’u desh të kërkoja adresën në hartën e Romës për ta gjetur, nisem të marr Nënë Terezën, që kishte ardhur nga India para ca ditësh dhe jetonte në një manastir bashkë me motrat e saj.

Manastiri ndodhej pranë “Eurit”, që është qendra e kulturës dhe e shumë ministrive. Afrohem pranë manastirit në orarin e caktuar. Aty po më priste shoqëruesja, që më ftoi të hyja brenda. Në oborrin e madh pashë Nënë Terezën që po shëtiste vetëm. U prezantova me të, me këtë Nënë të të gjithë Botës dhe motrat më servirën çaj. Kur u ngritëm për të ikur në ambasadë, të gjitha suorat u mblodhën për të dalë në fotografi me Nënë Terezën dhe më ftuan edhe mua të dal me to, por këtë fotografi fatkeqësisht nuk arrita ta marr ndonjëherë. Nënë Tereza nuk dinte shqip, dinte pak italisht dhe në takim me ambasadorin foli anglisht. E shikoja Nënë Terezën me shumë emocion, veshur thjesht me atë veshjen e saj karakteristike, me një palë pantofla llastiku të veshura zbathur, pa çorape.

Në ambasadë ishte marrë vesh se do të vinte Nënë Tereza dhe kishim shumë studentë shqiptarë që kishin ardhur për ta takuar. Pas mbarimit të takimit ajo bëri fotografi me studentët dhe me personelin e ambasadës. Ky ishte i pari takim në ambasadë dhe i pari udhëtim i Nënë Terezën në Shqipëri. Gjatë këtij udhëtimi, Nënë Tereza vizitoi dhe bëri homazhe në varret e nënës dhe atë të motrës së saj që gjendeshin në Shqipëri.

Më kujtohet muaji dhjetor i vitit 1990, kur në aeroport prisja që të vinte nga një seminar për mjekësinë që ishte zhvilluar në një vend nordik zotin Sali Berisha. E prita dhe e çova në ambasadë, se donte që të shtunën të ikte patjetër në Shqipëri, por biletën e kishte në listën e pritjes.

Pasi bëmë pazarin, në një magazinë të madhe jashtë Romës, nisemi për në aeroport.

Kur mbërrijmë aty, konsulli i thotë Saliut se nuk kishte vend avioni dhe duhej të nisej të mërkurën. Saliu u shqetësua së tepërmi dhe e mori t’i fliste veçmas konsullit, të cilit i tregoi gjerë e gjatë se ç’do të bëhej të nesërmen në Tiranë, në fushën sportive të Qytetit Studenti. Sigurisht e kishte fjalën për mitingun që do të bënte Partia Demokratike aty. Konsulli u detyrua të hiqte nga listat e udhëtimit një njeri të Skënder Gjinushit, që kishte ardhur në Romë për t’u mjekuar. Doktorët ia kishin hequr shpresat, pasi kanceri ishte shumë i avancuar dhe i kishin thënë të kthehej në vendin e tij. Domethënë se ky person pritej të vdiste nga momenti në moment dhe konsulli u tregua shumë i guximshëm kur e hoqi nga lista, për të vënë në vend të tij Sali Berishën.

Ky i sëmurë u nis pas katër ditësh në Shqipëri, ku vdiq pas një jave. Kështu u rregullua edhe historia e Sali Berishës, që desh mbeti pa marrë pjesë në mitingun e PD-së, në Qytetin Studenti. Ambasadori gjatë intervistave që jepte për gazetat italiane ishte shumë i matur.

Nga fundi i vitit 1990 dhe fillimi i vitit 1991, e gjithë vëmendja e punonjësve të ambasadës ishte përqendruar te zhvillimet në Shqipëri. Çdo ditë vinin lajme sesi po shkonin ngjarjet në Shqipëri.

Udhëtimi im i fundit jashtë Italisë ishte më 20 shkurt të vitit 1991. Bashkë me ambasadorin Dashnor Dervishi po udhëtonim drejt Strasburgut të Francës dhe gjatë gjithë rrugës radioja e “Benzit” ishte te radio “Tirana”. Në Strasburg ambasadori kishte vetëm 3-4 orë punë dhe ne u kthyem brenda ditës. Në kthim dëgjuam që gjatë demonstratave në sheshin “Skënderbej”, u hodh poshtë monumenti i Enver Hoxhës. Kur dëgjuam këtë, ambasadori tha se edhe në Shqipëri komunizmi mori fund. Gjatë gjithë rrugës ishim aq shumë të dhënë pas lajmeve që vinin nga Tirana, saqë edhe rrugën që ishte e gjatë prej 2500 kilometrash vajtje-ardhje nuk e ndiem fare.

Në Ministrinë e Jashtme në Shqipëri ishin bërë ndryshime. Muhamet Kapllani nga zëvendësministër i Jashtëm ishte bërë ministër i Jashtëm, në vend të Reiz Malilës. Nëpër ambasada filluan të bëhen shkurtime për mungesë fondesh. Ndaj më 31 mars të vitit 1991 unë kthehem në Shqipëri dhe filloj punë përsëri si shofer në Ministrinë e Jashtme. Me fitoren e Partisë Demokratike, në pranverën e vitit 1992, në Ministrinë e Jashtme vjen ministër Alfred Sereqi, i cili heq pjesën më të madhe të diplomatëve nga ministria.

Ndërsa pjesën më të madhe të personelit të shërbimit të ministrisë, si dhe në shoferëve Sereqi nuk na lëvizi, megjithëse e dinte se ku kishim punuar me përpara. Për sa iu përket njerëzve që zëvendësuan diplomatët që u larguan nga postet, nuk ia vlen të flitet, pasi koha e tregoi që ata që erdhën në Ministrinë e Jashtme ishin njerëz që nuk ia kishin fare idenë diplomacisë.

Sereqi ishte njeri kapriçoz dhe u mbylli derën deputetëve që vinin në ministri, me shpresën për të punësuar aty të afërmit e tyre.

Pas zgjedhjeve të qershorit 1996 vjen ministër Tritan Shehu dhe në këtë kohë ministria u bë si një dikaster pa vlerë. Ministri nuk vinte fare në ministri dhe më tepër merrej me punët e partisë. Në Shqipëri filluan rrëmujat për të mos u mbajtur zgjedhjet e vitit 1996.

Në prill të vitit 1997 unë emërohem shofer në ambasadën shqiptare në Bruksel (Belgjikë), ku në ambasadë gjej ambasadorin Bashkim Trenova, me profesion gazetar. Përveç tij kishte edhe një sekretar dhe një konsull. Që të tre ishin nga Partia Demokratike dhe që të tre pas zgjedhjeve të 1997 u larguan. Ambasadori dhe konsulli kërkuan azil politik.