Intelektualët diskutojnë mbi rolin e tyre në çështjen e Radikës dhe Rrugës së Arbrit

0
40

Debat në Dibër të Madhe:
Intelektualët diskutojnë mbi rolin e tyre në çështjen e Radikës dhe Rrugës së Arbrit

Bujar Karoshi
Tiranë, 12 Maj 2015

• Rruga e Arbrit i duhet një kombi e rajoni që i kanë dhënë aq shumë civilizimit evropian, por që janë akoma të distancuar nga Europa
• Kur rendisim argumentet se përse duhet Rruga e Arbrit, njëra prej tyre është pasuritë turistike të Dibrës. Por në qoftë se këto pasuri i shkatërrojmë, atëherë për çfarë do na duhej Rruga e Arbrit?
• Ngritja e diskutimit të Rrugës së Arbrit dhe Radikës në nivelin e intelektualëve ka efekt të jashtëzakonshëm për ata që bëjnë politikën

Shoqata “Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm të Komunitetit – Dibër”, duke shfrytëzuar udhëtimin në Shqipëri të profesorit Gëzim Alpion, iniciatorit të peticionit për Rrugën e Arbrit, organizoi më 13 prill, në Pallatin e Kulturës në Dibër të Madhe, një takim me intelektualë dibranë.

“Kjo është një tryezë e hapur,” tha në fillim të takimit Shuip Marku, drejtues i Qendrës. “Rruga e Arbrit dhe devijimi i lumit Radika, janë dy çështje që e shqetësojnë sot komunitetin dibran në këtë pjesë të rajonit, ndaj është një mënyrë e mirë për t’i diskutuar këto tema.”

Dr Gëzim Alpion, gjatë fjalës së tij, e vuri theksin tek nevoja e intelektualëve për të kontribuar për vendlindjen. “Peticioni që filloi para dy vitesh,” tha ai, “është faza e fundit e përpjekjeve të dibranë që kanë afro 20 vite që lobojnë për këtë rrugë. Përse na duhet kaq shumë kjo rrugë? Rruga e Arbrit i duhet një kombi e një rajoni që i kanë dhënë aq shumë civilizimit europian, por që janë akoma të distancuar nga Europa”.

Duke u ndalur në rëndësinë e integrimit europian të Maqedonisë dhe Shqipërisë, Alpion gjithashtu theksoi: “Ne themi se duhet të shkojmë në Europë, por Europa është në Ballkan. Ne nuk po kërkojmë t’i ngjitemi Europës; Europa jemi ne. Por ne akoma nuk kemi artikuluar në mënyrë bindëse se përse rrënjët e Europës janë shqiptare, janë ballkanike. Rruga e Arbrit, për mendimin tim, ka rëndësi si ekonomike ashtu edhe shpirtërore; kjo rrugë ka rëndësi për kombin tonë, ka rëndësi për Ballkanin, ka rëndësi për të gjitha etnitë në këtë rajon.”

“Duke bërë Rrugën e Arbrit,” theksoi Alpion, “ne mendojmë se krijohet një shans i madh në këtë pjesë të Ballkanit që të ketë një ingranim dhe integrim të një shkalle që nuk kanë ndodhur më parë, të zonës së Dibrës në Shqipëri dhe Maqedoni, duke mundësuar që Dibra të bëhet një pikë ndërlidhje unike për hapësirat shqiptare për të riafirmuar vlerat e saj nëpërmjet këmbimeve tregtare dhe shkëmbimeve kulturore.”

Duke falënderuar shqiptarët e Maqedonisë për përkrahjen e tyre për peticionin për Rrugën e Arbrit, Alpion tha: “Ne jemi të vendosur të vazhdojmë dialogun me politikanët edhe kur dyert të na mbyllen. Ne do vazhdojmë të trokasim paqësisht. Duke ndjekur këtë rrugë paqësore dialogu ne do të kontribuojmë që në Shqipëri dhe në Maqedoni, përmes Rrugës së Arbrit, përmes përmirësimit të infrastrukturës, të kuptojmë, se pavarësisht nga e kaluara, e ardhmja është e përbashkët. Rruga do të mundësojë të kuptojmë më mirë se çfarë i bashkon etnitë në Ballkan dhe kjo është më e rëndësishme se çfarë na ndan.”

Bardhyl Marku, njëri nga aktivistët kundër devijimit të Radikës mbajti një referat mbi historikun e kësaj çështje dhe nevojën e riorganizimit për ta ndalur këtë projekt me pasoja negative për Dibrën. Pasi solli në vëmendje disa nga veprimtaritë në mbrojtje të ekosistemit të Radikës, Marku theksoi edhe disa çështje të domosdoshme që duhen pasur parasysh në të ardhmen.

“Ministria e mbrojtjes së ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Ministria e ekonomisë, ELEM sh.a,” tha ai, “vazhdojnë në mënyrë të heshtur, pa bërë zhurmë, implementimin e të gjitha procedurave teknike dhe përgatitjen të parakushteve për realizim të këtyre projekteve”.

Më pas, Marku theksoi: “Përderisa nuk bëhet abrogimi i ligjit ekzistues për ndërtim të projektit “Fusha e Llukovës” në Parlamentin e Maqedonisë, rreziku i humbjes-tharjes së Radikës është potencial dhe real. Prandaj, në radhë të parë, Dibrës dhe dibranëve u duhen një strategji për të shpëtuar Radikën.”

“Disa nga pikat më të rëndësishme të kësaj strategjie, theksoi Bardhyl Marku, janë sigurimi i informatave zyrtare nga institucionet përkatëse në Maqedoni, planifikimi i mjeteve financiare në kuadër të buxhetit të Komunës së Dibrës për qëllim të mbështetjes së aktiviteteve lidhur me mbrojtjen e Radikës, dhe inicimi i procesit gjyqësor kundër Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, me qëllim të hapjes së rrugës për të kërkuar drejtësinë në institucione ndërkombëtare, sensibilizim dhe kontakte me strukturat kompetente në Republikën e Shqipërisë, si dhe aktivizim më i gjerë dhe permanent i sektorit joqeveritar në Dibër, Maqedoni, Shqipëri dhe më gjerë.”

Bashkim Mashkulli, Kryetar i Këshillit Komunal, gjatë fjalës së tij theksoi: “Është për të ardhur keq që qeveria e Shqipërisë nuk e shikon aq sa duhet Rrugën e Dibrës”. Përsa i përket Radikës, ai tha se faktori kryesor për mbrojtjen e Radikës jemi ne, dibranët. Po të jemi ne dibranët së bashku, ata kurrë s’do ta bëjnë, se ne do ta mbrojmë.”

Bujar Karoshi, redaktor i gazetës “Rruga e Arbërit”, në fjalën e tij theksoi rolin që ka luajtur gazeta në krijimin e hapësirave për sensibilizim, përsa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me rrugën dhe ujërat. “Rrugët ose të afrojnë, ose të largojnë, por Rruga jonë është krijuar dhe vazhdon të jetojë me synimin që t’i afrojë njerëzit, t’i afrojë Dibrat. Rruga e Arbrit duhet të ndërtohet për ta afruar Dibrën me Tiranën dhe për ta kthyer Dibra në një qendër të rëndësishme të tregtisë, turizmit, ekonomisë dhe jetës.”

“Ajo që është e nevojshme,” theksoi Karoshi, “është që shoqëria civile duhet të flasë me një zë, sepse kështu do t’i tregojnë atyre që bëjnë politikë, se nuk mund të gënjejnë dhe të mashtrojnë popullin, me të njëjtën gënjeshtër, vit pas viti. Peticioni këtë synon: Tu tregojë partive që qeverisin se nuk mund të gënjejnë më, sa dibranët dhe ata që na përkrahin nuk do ta pranojnë më këtë gënjeshtër, se përderisa ju si politikanë keni premtuar ta bëni këtë vepër, ne do t’ua kujtojmë pareshtur në mënyrë që këtë radhë ju të mbani fjalën e dhënë”.

Duke folur për Radikën, Bujar Karoshi theksoi se situata është e frikshme edhe në Shqipëri. “Para se të ndërtohet rruga, po turren bizneset, shumë prej tyre të dyshimta nga origjina, për t’i rrëmbyer Dibrës pasuritë e saj: ujin, tokën, malin. Kur rendisim argumentet se pse duhet Rruga e Arbrit, njëra prej tyre është pasuritë turistike të Dibrës. Por në qoftë se këto pasuri i shkatërrojmë, atëherë për çfarë do na duhej Rruga e Arbrit?”

Diskutantët që morën fjalën theksuan nevojën e shkëmbimeve të informacioneve, qoftë edhe në rrugë informale, për të qenë në korrent të zhvillimeve e vendimeve politike, për t’i dalë të keqes përpara dhe për të mos lejuar që Dibra ta pësojë nga këto vendime kundër saj.

Argëtim Fida, ish kryetar i Komunës së Dibrës, tha se “roli i këtij forumi është shumë i rëndësishëm. Politikanët, vetëm kur ngjiten për muri, u japin zgjidhje problemeve”. Përsa i përket Radikës, ai kërkoi që “partitë shqiptare në Dibër të kushtëzoheshin për votim nga qëndrimi që do mbajnë për këtë çështje”.

Abdyl Koleci, profesor i inxhinierisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ndër të tjera tha: “Lidhur me projektin e Radikës duhet të kyçen në bisedime të tre shtetet: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në qoftë se bëhet fjalë për një projekt ekonomik, atëherë ujërat e Radikës, duke u derdhur në detin Adriatik, shfrytëzohen 5-6 herë më shumë.” Sipas Kolecit, ky projekt është politik. Koleci gjithashtu theksoi: “Bota bën projekte që t’i nxjerrë fitimet për 5 apo 10 vjet, ndërsa ky projekt i parashikuar nga Qeveria e Maqedonisë, nuk është i vlefshëm nga pikëpamja ekonomike edhe 100 vjet.”

Profesor Zamir Dika, Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, theksoi se “qëllimi i një diskutimi apo një argumentimi nuk duhet të jetë fitorja por progresi, dhe këtë gjë dibranët e kanë arritur. Ky është një element jashtëzakonisht pozitiv në mënyrën se si po reagohet, sidomos ngritja në nivelin e intelektualëve, diskutimi siç është kjo tryezë e sotme, ka efektin e jashtëzakonshëm për atë që bëjnë politikën.”

Nisur nga ky debat, Dika tha se Universiteti që ai drejton, do të vërë në dispozicion kapacitetet shkencore për t’i studiuar rastet në mënyrë shkencore. Gjithashtu, ai theksoi nevojën “e bashkërendimit të veprimtarive të shoqatave, të informojmë njëri-tjetrin për zhvillimet që ndodhin, në mënyrë që çështjet e shtruara për diskutim të marrin zgjidhje”.

Në takimin e Dibrës së Madhe folën edhe mjaft intelektualë të tjerë, mes të cilëve Adelina Marku, diplomate në Ministrinë e Jashtmë të Maqedonisë, Ibrahim Kolari, biznesmen, Mërsim Marku, Kryetar i Gjykatës së Dibrës, gazetari Rexhep Qormemeti, etj.

Foto nga Atli Dema.
————————

“Rruga e Arbërit, arterie e rëndësishme për Dibrën”
http://al.play.mrt.com.mk/play/59830/rruga-e-arberit-arterie-e-rendesishme-per-dibren