Preç Zogaj
Berisha deklaroi parmbrëmë në një intervistë me gazetarin Çlirim Peka se 21 janari do të hetohet nga Kryeprokurori i ri . Domethënë, nga kryeprokurori i ri, që do të dekretohet nga Presidenti i ri, që do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga shumica qeveritare. Në terma konkretë, nëse gjithçka shkon sipas kësaj llogarie, i bie që hetimi që ka ndërmend kryeministri të fillojë nga prilli apo maji i vitit 2013.
Bashkë me afatin e ri, Berisha përcaktoi në të njëjtën intervistë edhe disa nga drejtimet e hetimit të ri. Do të hetohet kryeprokurorja Ina Rama, por do të hetohet edhe vëllai i të vrarit Ziver Veizi, i cili i paska deklaruar një gazete se Ziveri kishte ardhur nga Greqia të rrëzonte Berishën!! Por ky e rrëzoi përpara, – do të shtonte kronikani i ngjarjes. E rrëzoi me plumbat e gardistit Llupo teksa Ziveri po bënte në bulevard, me duart në xhepa, magjinë e tij të rrëzimit të kryeministrit.
A mund ta pranojnë këtë shteti shqiptar, opinioni publik shqiptar, familjet e viktimave të 21 janarit, Uashingtoni dhe Brukseli që asistojnë funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri? Në asnjë mënyrë. Si individ dhe si kryetar qeverie, zoti Berisha mund t’i apelojë në të gjitha instancat ligjore kombëtare e ndërkombëtare rezultatet e një hetimi apo gjykimi. Por ai nuk mund të vendosë afate dhe detyra hetimi që përkojnë me dëshirat apo synimet e tij politike. Shteti i së drejtës nuk është anëtar i asamblesë së PD-së që Berisha mund ta ngrijë sa herë të dojë.
Megjithatë, bëhët a s’bëhët , Berisha i foli fjalët e veta. Fjalë që nuk janë thënë e nuk kanë për t’u thënë ndonjeherë nga asnjë kryeministër i një vendi demokratik, ngaqë asnjë kryeministër i një vendi demokratik, sado i zemëruar, i revoltuar apo i lënduar të jetë, nuk e çon kurrë nepër mend të caktojë axhendën e institucionit të akuzës. Kuptohet: Sfida apo dorashka e hedhur nuk është për kryeprokuroren Ina Rama. Ka kohë që ky kryeministër nuk e njeh këtë kryeprokurore. Sfida e re ka lidhje me zhbllokimin e hetimeve për 21 janarin, pas ekspertizës së FBI-së. Kjo ekspertizë vendosi gurët e themelit në ngrehinën e së vërtetës së 21 janarit: Që është qëlluar nga forcat e Gardës. Që është qëlluar në lartësinë e trupit të njeriut. Që arma që ka vrarë Faik Myrtajn i përket ish komandantit të Gardës, Ndre Prendi. Që filmimet e asaj dite nga kamerat e kryeministrisë janë kopjuar e fshirë. Që prokuroria shqiptare është sabotuar e mashtruar edhe në këtë pikë.
Mjaft prej ketyre të vertetave publiku i ka ditur që para një viti, por është dashur çertifikimi profesional i FBI-së për t’i bërë të palujtshme dhe të pakonstestueshme. Falë tyre, 21 janari po tregon tani majën e ajsbergut. Kjo e ka acaruar Berishën. Ai e di mirë se zgjimi dhe zgjerimi i fushës së hetimeve është pasojë e ekspertizës. Thelbësisht sfida e tij u drejtohet amerikanëve. Berisha po replikon me zyrtarët amerikanë që kanë pohuar se hetimet e ndërmarra nga Prokuroria kanë qenë dhe janë të pandikuara nga politika. Më shumë se kaq, ai po kërkon t’u njoftojë atyre se nuk e njeh këtë hetim, se do të verë në lëvizje një hetim të tijin. Megjithëse është palë dhe jo mbi palët në tragjedinë e 21 janarit.
A e di vallë ky kryeministër peshën negative që ka kjo deklaratë në kancelaritë perëndimore dhe në opinonin publik shqiptar? Me sa e kam njohur unë mund të pohoj se e di. E di se në pikwpamje të artikulimit kjo që ka thënë është një gjë që nuk mund të thuhet, është një autogol i tmershëm që zbulon një koncept arkaik për shtetin. Nëse nuk e mendojmë kështu, ateherë duhet të mendojmë se gjithë sistemi perëndimor i ndarjes së pushteteve, për të cilin është derdhur gjak dhe dituri nga më e larta, paska një të çarë të madhe, që u zbulua në Shqipëri. E çara është kjo: po të mos dojë kryeministri i vendit nuk ka hetim për asgjë! Kjo sigurisht nuk është historia e Europës dhe Amerikës demokratike.
Kryeministrave apo Presidentëve mund të mos u pëlqejnë fare prokurorët dhe gjyqtarët. Madje mund të jenë edhe në konflikt me ta, siç e kemi parë në rastin e ish-kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni. Por kjo nuk e pengon shtetin ligjor të punojë. Konfliktet shtrohen dhe zgjidhen në aulën e drejtësisë. Nga ana tjetër nuk ndodh që për ketë shkak politikani të shtyhet në gabimin e madh që të kërkojë vota për të ndryshuar prokurorët e shtetit me prokurorët e oborrit të tij. Ky gabim ndëshkohet shumë rëndë nga zgjedhesit. Besoj se Berisha e di edhe këtë.
Pse atëherë ka rrezikuar kaq shumë me ato që tha në emisionin e Çlirim Pekës? Mos e kanë lëshuar nervat? Mos e ka marrë përpara zemërimi dhe nuk ka ditur në çfarë minash po shkel? Që kryeministri është shumë nervoz, kjo duket qartë. Që nervozizmi është një këshilltar shumë i keq për një qeveritar, edhe kjo dihet. Pa e përjashtuar rolin e nervozizmit në shkarjet e herëpashershme të Berishës, unë kam përshtypjen se deklarata e tij për hetimin e 21 janarit nga një kryeprokuror i ri është më shumë e menduar se sa emocionale. Në këtë moment kur ekspertiza e FBI-së ka rrëzuar gjithë tabllonë e tij të kërkuar për ngjarjet e 21 janarit, duke sjellë në fokus krimin e vrasjes së katër qytetarëve, shqetësimi i tij i vetëm është pengimi dhe sabotimi i hetimeve. S’ka rëndësi çfarë do të thuhet e si do të komentohen deklarata e tij antidemokratike në Bruksel apo në Uashigton. Me pak fat, këto aksidente të fatit rregullohen rrugës. Rëndësi ka të stopojë hetimi penal. Për ketë duhet denigruar, kompleksuar e kërcënuar Prokurorja e Përgjithshme dhe gjithë prokurorët që merren më hetimin e 21 janarit.
Kushdo që i ka ndjekur zhvillimet pas 21 janarit mund t’i drejtohet kryeministrit me një kërkesë të thjeshtë: Ju keni ngritur vetë një komision hetimor parlamentar me deputetë të partisë suaj. Përse nuk ia keni dhënë këtij komisioni sëpaku faktet që ju thoni se keni? Përse nuk ia keni dhënë policisë së shtetit që ka hetuar organizatorët e demostaratës dhe nuk ka gjetur asnjë fakt që t’i inkriminojë ata penalisht? Kërkesën e parë Berishës ia kanë berë edhe në komisionin hetimor parlamentar. Nuk është përgjigjur dhe nuk do të përgjigjet për arsyen e thjeshtë se nuk ka asnjë fakt. Fanitjet e tij të tipit të tabllove sinoptike nuk vlejnë në asnjë aulë drejtësie.
Hetimi i 21 janarit ka hyrë në hulli dhe po shkon përpara falë ndihmës amerikane. Ky hetim mund të thellohet në të ardhmen, por Berisha nuk e ka serjozisht kur flet për hetim nga prokurori i ri. E gjithë kjo është në vazhdën e trembjes së prokurorëve dhe zvogëlimit të efekteve që po krijojnë në publik provat e BBI-së. Kaq. Berisha mund të ketë fakte që rëndojnë edhe më shumë pozicionin e tij brënda kryeministrisë, por nuk ka asnjë fakt që nuk po hetohet. Berisha nuk ka asnjë garanci se do të zgjedhë ai një kryeprokuror të ri. Edhe po të ndodhë kjo, kohërat kanë ndryshuar, kryeprokurori i ri, cilido qoftë ai, nuk do të bëhet kamikaz i kërkujt.
Së fundi, Berisha ka kundër historinë në këtë mëtim politik dhe propagandistik. Gjatë këtyre dy dekadave ai është venë në konflikt të hapur me gjithë kryeprokurorët- me Maksim Haxhinë, Arben Rakipin, Dhori Sollakun dhe Ina Ramën- pavarësisht se tre prej tyre i ka votuar vetë. Por përvojën më të keqe e ka me të vetmit prokurorë me të cilët i qenë puqur interesat: Me ata që fabrikuan burgosjen e Fatos Nanos dhe i përgatiten Shqipërisë rrëshqitjen e tmerrshme të vitit 1997. Shqipëria dhe miqtë e saj i kërkojnë Berishës si kryeministër ta ndalojë dhe jo t’i japë një dorë tjetër të fuqishme rrëshqitjes së re të Shqipërisë. Siç është kjo që po mundohet t’i japë me pengimin e hetimeve për 21 janarin.