Mbi nenin 71 të kushtetutës

0
44

Luan Omari – Njazi Jaho, 26.01.2010

Kur Kushtetutëbërësi ka diskutuar dhe miratuar nenin 71 të Kushtetutës (1998), ku bëhet fjalë për mbarimin e mandatit të deputetit, rastet kur ai nuk bën betimin kur, heq dorë nga mandati apo mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend, mendojmë se ka pasur parasysh raste dhe jo një numër të konsiderueshëm deputetësh (afro gjysma e Kuvendit) dhe as qëndrimin bojkotues të një opozite të tërë.

Mosbërja e betimit

Deputetit, nuk mund t’i mbarojë mandati, siç mendon dikush, qysh në seancën e parë të legjislaturës së re, meqë ai nuk është paraqitur për të bërë betimin. E themi këtë, sepse në nenin 4 pika 4 të Rregullores së Kuvendit thuhet: “deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë, në të cilën marrin pjesë”. Në këtë dispozitë nuk përcaktohet ndonjë afat dhe as koha që duhet të kalojë nga seanca e parë e Kuvendit të ri.

Që mbarimi i mandatit ka të bëjë me persona të veçantë, del edhe nga përmbajtja e nenit 164 të Kodit Zgjedhor ku thuhet se …deputeti që nuk bën betimin ose heq dorë nga mandati, duhet ta deklarojë këtë “në mënyrë publike përpara Komisionit përkatës të Kuvendit”.

Pas seancës të parë të legjislaturës së re asnjë nga deputetët e opozitës nuk ka bërë ndonjë deklaratë të tillë. Për ilustrim mund t’i referohemi rastit të ish-deputetit, z. Sabit Brokaj, që publikisht në seancën parlamentare deklaroi se hiqte dorë nga mandati.

Dikush ka shprehur mendimin se mund të zbatohej nenin 4 pika 5 e Rregullores stë Kuvendit ku thuhet: “…Drejtuesi i seancës në këshillim me sekretarinë e përkohshme, deklaron mbarimin e mandatit të deputetit kur ai nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit…”

Kjo dispozitë mund të zbatohej, po kur, në cilin moment? Ajo mund të zbatohej në mbledhjen e parë të legjislaturës të re të Kuvendit që drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë i ndihmuar nga sekretaria e përkohshme që funksionoi deri në zgjedhjen e Byrosë të Kuvendit.

Mungesa pa arsye mbi 6 muaj

Siç duket, kohët e fundit, diskutimi është përqendruar te neni 71 pika 2 shkronja “d” e Kushtetutës, ku parashikohet mbarimi i mandatit të deputetit, kur ai mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend.

Ka pasur deklarata se në 6 mars të këtij viti mbaron afati 6-mujor që kërkon Kushtetuta dhe si rrjedhim nëse 64 deputetët e opozitës nuk paraqiten në Kuvend, mandati i tyre ndërpritet dhe KQZ-ja i zëvendëson ata me të tjerë. Mendojmë se një veprim i tillë do të binte ndesh me frymën e Kushtetutës.

Kemi mendimin se Kushtetutëbërësi në formulimin e dispozitës të mësipërme ka pasur parasysh rastin kur deputeti ka bërë betimin dhe pas kësaj (brenda periudhës të mandatit të Kuvendit) mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend.

Mund t’i referohemi rastit të ish-deputetit z. Nano, që për arsyet e tij, shfrytëzonte hapësirën që i lejonte neni 71 i Kushtetutës, mungoi në Kuvend, por nuk e kaloi afatin 6-mujor. Me shprehjen “mungon” mendojmë se duhet kuptuar momenti pas kryerjes së betimit, ndryshe do të duhej të përdorej shprehja “nuk paraqitet në Kuvend mbi 6 muaj rresht”.

Janë shprehur mendime se sistemi i ri i zgjedhjeve lejon zëvendësimin nga listat e kandidatëve për deputet të të gjithë atyre që nuk paraqiten në Kuvend mbi 6 muaj rresht, pa qenë nevoja që të bëhen zgjedhje të reja.

Mendojmë se ky argument nuk qëndron. Duhet pasur parasysh se Kushtetuta është miratuar në 1998. Ndryshimi i sistemi zgjedhor u bë në 29 dhjetor 2008, por neni 71 i Kushtetutës ngeli i pandryshuar.

Për një konceptim më të drejtë të këtij problemi e shikojmë të arsyeshme t’i referohemi Kodit Zgjedhor të shfuqizuar, i cili në mbështetje të nenit 64 të Kushtetutës parashikonte zgjedhjen e 100 deputetëve në zona njëemërore dhe zgjedhjen e 40 deputetëve, sipas listave shumemërore.

Si do të veprohej nëse PS-ja të themi do të fitonte në zonat njëemërore 45 mandate dhe sipas proporcionalitetit 19 mandate?
Nëse të 64 deputetët nuk do të paraqiteshin në Kuvend mbi 6 muaj rresht, çdo të bëhej?

Është e qartë se në 45 zona do të bëheshin zgjedhje të reja, ndërsa 19 deputetët e tjerë do të zëvendësoheshin nga kandidatët që pasonin në listat shumemërore. Kaq për sa i përket mundësisë hipotetike që ky skenar të zhvillohej në kushtet e sistemit të mëparshëm të zgjedhjeve.

Po t’i rikthehemi gjendjes aktuale, duhet pasur parasysh nenin 164 të Kodit Zgjedhor në fuqi që shtjellon paragrafin 2 të nenit 71 të Kushtetutës, i cili përcakton rastet kur mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm. Neni 164 i Kodit Zgjedhor trajton konkretisht vetëm rastet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të nenin 71/2 të Kushtetutës.

Shkronja “a” parashikon mbarimin ose pavlefshmërinë e mandatit kur deputeti nuk bën betimin, ndërsa shkronja “b” përmend rastin kur deputeti “heq dorë nga mandati”. Në të dyja rastet, Kodi përcakton se deputeti duhet të deklarojë në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati.

Në këtë rast Kuvendi brenda 30 ditëve, duhet të njoftojë KQZ-në për krijimin e vakancës. KQZ merr vendim që mandati i ndërprerë t’i kalojë kandidatit vijues në listën e të njëjtës parti politike (në rastin konkret është Partia Socialiste) në zonën zgjedhore përkatëse.

Në rast refuzimi të marrjes së mandatit vakant nga të gjithë kandidatët e PS në zonën përkatëse, ky mandat i kalon partisë me herësin më të lartë e kështu me radhë edhe eventualisht, partive të tjera të koalicionit.

Kodi Zgjedhor nuk bën fjalë se si do të veprohej për rastin e parashikuar në shkronjën “d të nenit 71/2 të Kushtetutës që humbjen e mandatit të deputetit e lidh me mungesën pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend.

Por le të mendojmë se, për analogji, edhe në këtë rast si Kuvendi edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të veprojnë njësoj si për rastet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”.

Shtrohet pyetja: çdo të bëhet nëse asnjë nga kandidatët vijues nuk do të pranonte mandatin vakant ose këtë mandat do ta pranonin vetëm një numër i kufizuar kandidatësh dhe si rrjedhojë numri i deputetëve të Kuvendit, nuk do të arrinte në 140, siç e përcakton neni 64 i Kushtetutës?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, mund të thuhet se Kuvendi do të humbiste çdo legjitimitet. Ai nuk mund kurrsesi të funksionojë deri në shtatorin 2013, kur mbaron mandati i tij me një numër poshtë kufirit të caktuar në Kushtetutë.

Në kushtet kur deputetët “e përjashtuar” nuk mund të rikthehen sepse atyre u është hequr mandati dhe kandidatë të tjerë për të zëvendësuar nuk ka, zgjidhja e vetme e përligjur do të ishte shpërndarja e Kuvendit, i cili nuk mund të veprojë në shkelje të një norme themelore të Kushtetutës dhe caktimi i zgjedhjeve të reja.

Në këtë konkluzion të çon interpretimi logjik i dispozitës përkatëse të Kushtetutës, si dhe asaj të Kodit Zgjedhor.

Në këtë vështrim është kuptimplotë, ajo që thuhet në nenin 53 pika 2 të Kushtetutës greke se: “Për një vend deputeti që ka mbetur vakant gjatë vitit të fundit nuk bëhen zgjedhje të pjesshme kur kjo kërkohet nga ligji, në qoftë se numri i vendeve nuk e kalon një të pestën e numrit të përgjithshëm të deputetëve”. Nga kjo del se në vitet e tjera të mandatit, numri i deputetëve duhet të jetë i plotë.

Ka interes të përmendim këtu edhe nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që si shkak për mbarimin e mandatit të deputetit parashikon mungesën prej 6 muaj rresht “në seancat e Kuvendit”.

Por, në raste të veçanta, siç theksohet në këtë dispozitë, “Kuvendi i Kosovës, mund të vendos ndryshe”. Mendojmë se ky formulim nënkupton mungesën në seancat e Kuvendit pas bërjes së betimit. Madje edhe në këtë rast “Kuvendi mund të vendosë ndryshe”.

Në përfundim mund të thuhet se ndërprerja e mandateve të të gjithë deputetëve të opozitës që nuk kanë marrë pjesë, në Kuvend do të ishe një precedent që nuk mund të justifikohej me interpretime të sforcuara të nenit 71 pika 2 shkronja “d” të Kushtetutës, gjë që mund të shoqërohej me pasoja të dëmshme.

Prandaj del nevoja që, ashtu siç rekomandojnë edhe institucionet ndërkombëtare zgjidhja më e mirë, më e qëndrueshme dhe më e efektshme do të ishte dialogu që do të ngjallte besimin dhe do të ndikonte pozitivisht në veprimtarinë parlamentare.