Mustafa Nano: Maqedonia më e brishtë ndaj fanatizmit fetar

0
30

Mustafa Nano ResPublica.al | 18 PRILL 2015

“Në ditët tona ka ende fanatikë në ndonjë skutë të humbur, por kjo është sëmundje që moleps vetëm njerëz të ulët. Në Francë, arsyeja hedh rrënjë, si në dyqanet e tregtarëve, ashtu edhe vilat e zotërinjve. Ne duhen t’i kultivojmë frytet e saj, ca më tepër që nuk i pengon dot kush të rriten. Franca e ditëve tona nuk mund të qeveriset si në kohën e Garasit dhe priftit Meno. Sepse mbi të kanë hedhur dritë Paskali, Nikola, Arnoi, Bosyé, Dekarti, Gasendi, Bejli, Fontëneli etj”. Më 1763, Volter shkruante kështu në esenë “Traktat mbi tolerancën”, një libër që do të kthehej si një kushtetutë e pashkruar e ligjeve dhe shoqërisë njerëzore. Duke besuar te forca e arsyet dhe duke përjashtuar çdo prirje fanatike, Volter sjell në këtë ese filozofike jo vetëm një kronologji historike të raporteve fetare, por dhe një pamflet të mrekullueshëm kundër fanatizmit fetar.

Me vështrimin e hollë të një filozofi, Volter duket se parashikon të ardhmen kur na e përshkruan Europën me veshjen që mbajnë sot grupet ekstremiste fetare, si për të treguar pafuqinë e institucioneve dhe shtetit për t’i vënë fre çdo rritjeje të dominimit fetar. Por në thelb, ky libër i sjellë në shqip nga “Saras” nën përkthimin e Fari Laçkës, është një libër që të ndriçon, një literaturë që më shumë se në çdo kohë tjetër duhet lexuar tani. Mustafa Nano, njohës i mirë i kontekstit historik fetar, sidomos të raportit historik të shqiptarëve me besimin, gjë që e ka sjellë në librin “Pax Albanica”, ua sugjeron librin e Volterit sidomos besimtarëve. Më poshtë duke u nisur nga ky botim i Volterit, ai vjen në një intervistë në një kontekst më të gjerë të rolit që ka feja në hapësirën shqiptare, dhe në dy hapësirat e tjera shqiptare Kosovë dhe Maqedoni.

Le ta nisim bisedën nga rasti që Volter trajton në librin “Traktati i tolerancës” ardhur në shqip nga “Saras”. Është historia e një burri protestant 68-vjeçar që ekzekutohet nga Gjykata e Tuluzës (Francë) për një krim që nuk e ka bërë (akuzohej se kishte vrarë të birin se donte të kthehej në katolik). Gati 250 vjet më pas, kjo histori ku përzihet fanatizmi dhe pafuqia për të ndryshuar një të vërtetë, ç’ju zgjon?

Ky libër do të duhej të ishte përkthyer me kohë në gjuhën shqipe, pasi është një nga librat më të rëndësishëm të botës. Por më mirë vonë sesa kurrë. Në këtë rast duket se është më mirë që është vonuar, pasi ka ardhur në një moment shumë të përshtatshëm. Nuk mund të gjeje një moment tjetër më të mirë për ta publikuar këtë libër. Do t’ua sugjeroja të gjithëve që ta lexojnë, sidomos besimtarëve. Nuk është një libër kundër besimit, por një libër kundër fanatizmit.

Volteri parashikonte një Europë të trazuar vite më parë…”Sa bukur do të dukej Europa e veshur me kapuç e maskë dhe me dy vrima të vogla të rrumbullakëta për sytë! Vërtet besojnë se në vend të rrobave të zakonshme Zoti do të parapëlqente këtë lloj veshjeje? …”, shkruan ai. A është Europa e veshur me kapuç e maskë sot?

Po, thënia e Volterit duket tamam për këto kohë, në të cilat po jetojmë. E dini? Gjithmonë mendohet se përsosja e qytetërimit dhe përhapja e dijes do të sjellë vetvetiu dobësimin e fanatizmit, por duket se nuk është kështu. Ose le të themi se nuk është kështu, në çdo rrethanë. Fanatizmi, me sa duket, do të ekzistojë gjithnjë, beteja me të do të jetë vazhdimisht një sfidë për njerëzimin. Unë kam bërë pjesë – dhe ende bëj pjesë, më duhet të them – te njerëzit që e besojnë se lufta ndaj injorancës, dhe edukimi i njerëzve pra, janë kura më e mirë për t’u përballur me fanatizmin. Por kohët që po jetojmë duket se po ma përgënjeshtrojnë këtë besim timin. Është e dhembshme kjo gjë. Ka prova se njerëzimi sot është më i dijshëm e më i arsimuar sesa në çdo kohë të mëparshme dhe prapëseprapë, fanatizmi është më i frikshëm se kurrë. Ja, ky është sandwich-i mes të cilit jam duke jetuar. Nga njëra anë kam besimin se dija e mposht fanatizmin, e nga ana tjetër shoh faktin se fanatizmi është arrogant edhe në këto kohë, kur analfabetizmi e arsimimi i njerëzve është më i madh se kurrë.

Nuk di ç’të them. Ndoshta ky shpërthim fanatizmi në këto kohë është thjesht një aksident historik; apo me fjalë të tjera, një parantezë e parëndësishme historike. Ndoshta.

A ka qenë toleranca e rrezikshme, flas për tolerancën që shteti historikisht ka pasur me raport me fenë…?

Ky është një diskutim delikat. Fanatizmit duhet t’i vëmë frerë, apo frena, por këtë duhet ta bëjmë me mjete të kulturës. Duhet të mobilizohen të gjitha energjitë civile, intelektuale, laike, kulturore, akademike, deri dhe fetare, duhen mobilizuar të gjitha mendjet e hapura të shoqërisë, në këtë betejë, në këtë debat. Me fjalë të tjera, ne duhet ta mundim fanatizmin me ndihmën e të gjithë atyre që besojnë te toleranca si vlerë.

Në këtë kuptim, toleranca nuk mund të vihet në diskutim. Po erdhi momenti që të pyesim veten, nëse ia vlen apo s’ia vlen që shteti, apo shoqëria, të jenë tolerantë, atëherë kemi kapur fundin. Nuk mendoj pra se e keqja duhet kërkuar te toleranca e aktorëve publikë, mes të cilëve është edhe shteti, ndaj ekstremizmit. E keqja duhet kërkuar te rrethanat, kushtet, situatat, që e prodhojnë fanatizmin. E di që mora poza moraliste në këtë rast, por nuk kam përgjigje tjetër.

Shqipëria shihet si një vend me tolerancë të lartë fetare, megjithatë shpesh ndeshemi me terma si veri dhe jug. Ju vetë e keni cekur këtë problem në një nga librat tuaj. A e shihni një tendencë për të dominuar përmes këtyre dy identiteteve?

Dikotominë veri-jug nuk i shoh të rrezikshme. Kjo dikotomi ekziston, nuk e mohoj. Ka njerëz sa të duash që janë të dhënë pas identiteteve lokale, pas patriotizmit tribal, ashtu siç ka edhe të tjerë që ua ka qejfi t’i afirmojnë këto identitete mbi kurrizin e atij nacional (edhe në politikë vihet re kjo sjellje tribale), por nuk jam i shqetësuar kushedi se çfarë lidhur me këtë gjë. Në botën shqiptare, rezultantja e këtyre vektorëve identitarë ecën në drejtim, e në favor të identitetit nacional. Ne jemi një komb i ri, në formim e sipër dhe unë vë re që ka një gjallërim e eksitim të madh nacional, që nuk mund ta dëmtojnë e cenojnë pasionet patriotike lokale. Madje, në doni ta dini, mua më shqetëson më shumë eksitimi nacionalist, sesa eksitimi gegë apo toskë. Pastaj, identitetet lokale kanë për të ekzistuar gjithnjë. Ato ekzsistojnë kudo. Edhe në botën e qytetëruar. Njeriu është i lidhur në mënyrë natyrale me “strofullën a folenë” e vet të origjinës dhe kjo nuk e dëmton idenë e një shtëpie të madhe të përbashkët.

Myslimanizmin e Shqipërisë gjatë periudhës otomane, ju e keni quajtur një proces që shqiptarët, në një masë të madhe, e kanë bërë me vetëdije. Megjithatë, shpesh përballemi me zëra që kërkojnë të nxjerrin në pah një truall të hershëm otoman ku janë ngulitur shqiptarët. Vetëm një javë më parë një imam në Kosovë tha se kosovarët duhet t’u jenë mirënjohës turqve që i sollën në këto toka?

Pretendimi i imamit në fjalë nuk është i bazuar shkencërisht. Nuk ka prova që është kështu. Dhe ai vetë nuk jep prova. Me sa duket, i flet zemra, e jo mendja. Të gjithë autorët seriozë që janë marrë me historinë e Shqipërisë nuk kanë bërë nënvizime të këtij lloji. Madje, të gjithë ata theksojnë të kundërtën, theksojnë pra që në këto viset tona, në ndryshim me atë që ka ndodhur në disa vise të tjera, nuk ka pasur ngulime turke, nuk ka pasur kolonë turke. Ka përjashtime, sigurisht, por këto përjashtime janë të vogla e të parëndësishme. Të kuptohemi, këtë thotë shkenca deri më sot. Nesër mund të dalin prova që vërtetojnë të kundërtën, por puna është se deri më sot këto prova nuk ekzistojnë. Prandaj, imami sipas meje thotë një gjë që ai vetë ka qejf të jetë e vërtetë. Ngatërron dëshirën me realitetin.

Në fakt, dëshira me realitetin duket sikur po ngatërrohet me kast në Kosovë…si e sheh realitetin atje…ku numri i kosovarëve që i bashkohen ISIS është rritur?

Nuk besoj se duhet të shqetësohemi prej numrit të atyre që rekrutohen nga ISIS-i. Këta mund të ishin edhe më shumë sesa kaq, por prapëseprapë nuk do shqetësohesha. Ashtu siç nuk do më ngushëllonte situata hipotetike, në të cilën nuk do kishim asnjë shqiptar të rekrutuar nga ISIS-i. Problemi për mua është flama e fanatizmit fetar, sepse është kjo që kap masa të mëdha të popullsisë, e që prodhon më pas edhe mish për topat e ISIS-it. Më duhet të them se në Kosovë nuk ka shumë fanatizëm të këtij lloji. Ka, por jo aq sa bëhet.

Megjithatë, ju jeni marrë me historinë e raporteve fetare në vend…Si e shihni terrenin ku operojnë fetë…është një terren i brishtë?

Është një terren, në të cilin, më lehtë sesa gjetkë, mund të kultivohet fanatizëm fetar. Por edhe ky fakt nuk është i vërtetë kudo njësoj në botën shqiptare. Ka treva ku fanatizmi fetar depërton më kollaj, si p.sh në Maqedoni, e ka treva ku ky fanatizëm gjen më shumë vështirësi për të depërtuar, si fjala vjen në Shqipërinë e Jugut.

Le të ndalemi pak në Maqedoni, aty ku shqiptarët duket se kanë përpara besimin pastaj kombin?

Është një argument që kërkon një thellim e fokusim të veçantë, por mendoj se më së shumti shpjegimi duhet kërkuar te historia e shqiptarëve atje. E kam fjalën për historinë e kohëve moderne, të këtij shekullit të fundit. Shqiptarët e Maqedonisë kanë pasur e kanë ndjesinë e vetëdijen e të qenët të margjinalizuar. Në fakt, kanë qenë e janë të margjinalizuar. Të margjinalizuar në botën shqiptare, e të margjinalizuar në shtetin maqedonas. Janë të harruar prej shqiptarëve e të shtypur prej maqedonasve. Fanatizmi i tyre fetar është një koracë mbrojtëse. Isha para disa javësh në Shkup. Dhe atje pashë qendrën e Shkupit, ku ishin ngritur monumente kolosale të Aleksandrit të Madh e të Filipit, të atit të Aleksandrit(vetëm një mendje e sëmurë mund të ngrinte monumente të tilla të çmendura, do thosha). E në anën tjetër, ishte lagja shqiptare e zhytur në një mjerim biblik. Çfarë mund të presësh në këto rrethana. Në këto rrethana edhe unë do isha bërë fanatik e ekstremist. Në mos ekstremist fetar, me siguri ndonjë ekstremist i ndonjë lloji tjetër.

Volteri do të thoshte se këtu duhet të ndërhyjë shteti?

Nuk e di cila do mund të ishte zgjidhja në këtë mes.

Megjithatë, le te ndalemi te një event gati provokues juaji. Është show juaj me titull “Dhe profetët dinë… të puthin” që do të realizoni më 24 prill?

Po, kam vendosur të bëj një show timin, një one-man show, ku do të flas po për këtë argument: fetë dhe shqiptarët. Nuk është show televiziv. Është një show në skenë. Provokativ? Nuk e di. Di që do të jetë një show ku do të tentoj të bëj një “desakralizim” të feve, ku do të hedh një vështrim laik e historik, më saktë historicist, mbi fetë. Për rrjedhojë, do t’u bëhet një kritikë doktrinave fetare, por do të jetë një kritikë e balancuar (nëse ky fakt vlen për të qetësuar ndokënd). Në përgjithësi, e kam menduar si një show për jo fetarë, ose për besimtarë që kanë një marrëdhënie të shpenguar me fetë.

Lidhur me leximin që ju i bëtë titullit (“Dhe profetët dinë… të puthin”), më duhet të them se puthja e profetëve nuk duhet marrë në mënyrë literale. Por nuk po ju them më shumë …. Duhet të vini ta shihni show-n më datë 24 prill, në Akademinë e Arteve, ora 19.00.

Alda Bardhyli, Shqip