LARGIMI I ISMAIL KADARESË

0
70

Ismail Kadare Shkruar nga gazetari ROBERT GORO

DOSJA 1990-1991, deshmija e Kiço Mustaqit

Ndërsa në Tiranë ishte duke u zhvilluar (për herë të parë këtu), Takimi i Ministrave të jashtëm të Ballkanit- një tjetër shenjë se Shqipëria po bënte hapa për daljen nga vetizolimi, rrugëve të kryeqytetit u hap si buçimë rrufeje lajmi se Ismail Kadare kishte kërkuar strehim politik në Paris. Të nesërmen, më 27 tetor 1990, gjithë gazetat qendrore, nën titullin “Ismail Kadare dezertoi”, publikuan një njoftim lakonik që nënshkruhej nga ATSH, por që padyshim ishte hartuar në zyrat e Komitetit Qendror të PPSH:
“Nga njoftimet e shtypit të huaj bëhet e ditur se shkrimtari Ismail Kadare, që ndodhej prej afro një muaji në Francë, kërkoi dje strehim politik atje.
Me këtë akt të shëmtuar, që fyen rëndë ndërgjegjjen patriotike e qytetare të njerëzve tanë, ai braktisi atdheun dhe e vuri veten në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të kombit shqiptar”.
Me të njëjtin ton e komentonte largimin e Kadaresë edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve, e cila gjatë atij viti, nëpërmjet gazetës së saj “Drita” kishte treguar shenja shpresëdhënëse emancipimi. Sipas deklaratës së Lidhjes, Kadareja “me këtë veprim të turpshëm fyen sidomos intelektualët shqiptarë, krijuesit dhe ndërgjegjjen kombëtare të popullit, duke e vënë veten në pozita të njëjta me ata që nuk e duan Shqipërinë dhe përparimin e saj. Arratisja e tij nga vendi nuk përligjet as nga pozitat shoqërore, as nga ato letrare”.
Versione të ndryshme, përveç atij zyrtarit, qarkulluan për motivimin e largimit të Kadaresë. Diku u tha se iku ngase i rrezikohej jeta. Disa e komentuan si një akt spektakolar për ta ndihmuar që të fitonte çmimin Nobel. Dezertor e quajti Kadarenë edhe një pjesë e madhe e njerëzve të thjeshtë, natyrisht jo nga këndvështrimi që e kishte cilësuar të tillë shteti. Ata vlerësonin se prania e Kadaresë në Shqipëri në ato momente do të ishte një forcë lëvizëse dhe një garanci për proceset e demokratizimit të vërtetë. Muajt e fundit, nëpërmjet intervistave dhe artikujve, Kadare ishte bërë zëdhënësi i vetëm i ndjenjave mbarëpopullore, ndjenja që nuk përputheshin aspak me pohimin e Ramiz Alisë se “në veçanti populli kërkonte vazhdimin e politikës së mëparshme”, përkundrazi!
Nga gjithë versionet rreth motiveve të “dezertimit” të Kadaresë, më i mundshmi dhe më i besueshmi duket ai që jep vetë Kadareja në deklaratën e publikuar më 24 tetor 1990 në Paris: “Gjer më sot jam përpjekur të ndihmoj për zbutjen e rregjimit me ato mjete që kanë qenë të mundura në Shqipëri… Mirëpo premtimet e dhëna nuk u mbajtën dhe zhgënjimi im, ashtu si dhe i shumë shqiptarëve ishte i hidhur… Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër për të bërë të qartë pozicionin tim, meqenëse në Shqipëri nuk ekziston mundësia e opozitës legale, zgjodha rrugën që nuk do të dëshiroja kurrë dhe të cilën nuk do t’ia këshilloja askujt”.

* * *

Kushdo prej njerëzve të letrave dhe jo vetëm ata, e di shumë mirë se në periudhën 1975-1990, Ismail Kadareja, pavarësisht funksioneve të larta shoqërore (deputet marionetë si gjithë të tjerët, dhe nënkryetar [po ashtu kukull] i Frontit Demokratik), në sytë e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës e të shtetit ishte ndofta personi më i padëshirueshëm. Sot shumëkush duhet të bashkohet në mendimin se funksionet e mësipërme i ishin caktuar thjesht për ta pasur peng Kadarenë. Ndërsa në shumicën e kohës shkak për mërinë ishte krijimtaria letrare (e kjo vërtetohet prej faktit të stërnjohur se shumë vepra të tij mbeteshin pa u botuar, ndërsa disa të tjera botoheshin për t’u mbuluar nga një heshtje e çuditshme), në fund të viteve 1980 Kadareja nisi të bëhet i bezdisshëm, pse “filloi t’i fuste hundët aty ku s’i takonte”, dhe më keq akoma, këtë e bënte në mënyrë publike. Në majat e larta të piramidës shkaktoi komente të tërbuara shkrimi i tij në tetor 1989, në përkrahje të romanit “Thikat” të Neshat Tozajt, shkrim që ndofta Kadareja nuk e bëri aq prej ndonjë entusiazmi që i shkaktoi niveli artistik i veprës, se sa për shkakun që tema e romanit t’i përligjte atij kritikën për gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut dhe rolin obskurantist të Sigurimit të Shtetit dhe të theksonte se vetëm duke pranuar dhe ndrequr gabimet e së shkuarës, Shqipëria do të mund të ecte përpara.
Pak ditë më vonë, në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Kadare u ngrit me guxim kundër tutelës së vendosur nga PPSH mbi krijimtarinë letrare dhe artistike, duke theksuar se askush nuk ka të drejtën që të ndërhyjë dhe t’i japë apo t’i marrë lejen për të krijuar shkrimtarit e artistit.
Ndërsa retë kundër tij sa vinte e shtoheshin, më 21 mars 1990, Kadare boton në gazetën “Zëri i Rinisë” intervistën me titull “Letërsia, koha dhe qytetërimi shqiptar”, fotokopjet e së cilës, disa muaj më vonë, demonstruesit e ditëve të ambasadave i mbanin në duar si pankarta. Në këtë intervistë Kadareja shkund pluhurin e harresës së partishme ndaj tre korifejve të letrave e kulturës shqipe: Gjergj Fishtës, Faik Konicës e Ernest Koliqit. Fjalët e Kadaresë, i cili kërkonte që ata të ngjiteshin aty ku kishin vendin, në panteonin e kulturës kombëtare, ranë si bombë mbi opinionin e përgjumur shqiptar. Ishte hera e parë që dikush kërkonte publikisht rehabilitimin dhe rivlerësimin e këtyre figurave të sakrifikuara në altarin e ideologjizmave idiote që u ushtruan për gjysmë shekulli në Shqipëri. Madje edhe vetë Kadareja, nga mesi i viteve 1970-të, kishte bërë një sulm të ashpër ndaj Fishtës, duke e cilësuar si “konservatorin më fanatik kur ishte fjala për përparimin dhe revolucionin”, dhe “liberalin më të madh kur ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë dhe kufijtë”.
Intervista, pra, shkaktoi tollovi në ujërat e amullta të shoqërisë shqiptare dhe tërbim prej Zeusi në zyrat e Komitetit Qendror dhe vilat e Bllokut. Gazetari i njohur Marash Hajati, i cili në atë kohë ishte kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, tregon në kujtimet e veta se menjëherë pas botimit të intervistës e thirri Ramiz Alia dhe i tha: “E lexove Kadarenë? Domethënë ai filloi atakimin… Jo, këto mendime ai i ka pasur që më parë, tani gjen momentin për t’i servirur përsëri”. Më tej M.Hajati tregon se si Alia e porositi që mos të shkruhej asgjë për intervistën, por i sugjeroi që përgjigjja t’i jepej nëpërmjet botimit të një rubrike me krijime të autorëve të shquar të traditës dhe bashkëkohorë.
Sugjerimi i Ramiz Alisë sigurisht u vu në jetë, duke botuar edhe nga Kadareja “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Përse mendohen këto male”. Përzgjedhja e këtyre dy poemave, nuk ishte pa domethënie dhe mund të merret si një parathënie e denigrimeve të mëpastajme të Kadaresë, që do të bëheshin aq të shpeshta e do të vazhdonin edhe në vitin 2002, me fushatën spekulative për “Pashallarët e kuq”.

* * *

Në të vërtetë, Kadareja gjatë gjithë atij viti kishte përdorur tërë reputacionin e tij dhe raportet e mira me Ramiz Alinë, me qëllim që ta inkurajonte e bindte udhëheqësin e plotpushtetshëm që të ndërmerrte reforma të qenësishme. Më 3 maj 1990 Kadare shfrytëzon një ngjarje të rastësishme, dorëzimin e librit të V.Gjeorgjeviçit “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”, që ia kishte dhënë një libanez për Ramiz Alinë, dhe me këtë sebep i shkruan Alisë një letër të gjatë, ku pasi me 2-3 rreshta e përgëzonte për vendimet e plenumit të 9-të e të 10-të, i shprehte shqetësimin për “një grusht njerëzish që nuk e deshën, dhe janë e do të jenë ndofta deri në fund të jetës kundër demokratizimit”. Duke denoncuar shefin e atëhershëm të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizin, që e cilëson si njerin nga frymëzuesit e psikozës antidemokratike, Kadare i bën Alisë një ekspoze të shkurtër por të qartë të gjendjes së të drejtave të njeriut në Shqipërinë e asaj kohe, por edhe shpreh skepticizmin për efektivitetin dhe sinqeritetin e reformave ligjore. “Përse për demokratizimin e ligjeve merren pikërisht ata “specialistë” që më tepër se kushdo kanë përgjegjësi për deformimin e tyre?”, pyet Kadare dhe i referohet kryetarit të Gjykatës së lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Më tej, duke denoncuar vrasjet pa arësye të ndodhura në kufi gjatë muajve të parë të atij viti, Kadare tërheq vëmendjen se “kërkimi dhe dënimi i fajtorëve (për vrasjet), do të ishte më i logjikshëm se sa kënaqësia e shprehur andej këndej prej ithtarëve të dhunës me fjalët cinike “Ç’ua bëmë mirë””.
Ismail Kadare natyrisht ia drejtoi Ramiz Alisë këtë letër (përmbajtja e së cilës fare mirë do të mund të interpretohej edhe nga shtetari më liberal si “tepër armiqësore”) me dëshirën për ta inkurajuar e për t’i thënë se “Ne, (domethënë populli), jemi me ty”. “…ju i keni hapur një horizont të ri kombit shqiptar dhe në emër të këtij horizonti, që ai të mos errësohet, të ngushtohet, të mos mbyllet, ne, të gjithë qytetarët e këtij vendi kemi për detyrë t’ju ndihmojmë e t’ju mbështesim… Historia do t’ju japë juve meritën e madhe, meritën e njeriut që në momentin e duhur historik zgjodhi rrugën e vetme, alternativën e vetme që mund të zgjidhej”, e përfundon letrën e vet Kadareja.
Mirëpo, Ramiz Alia nuk e thithi dot këtë mesazh të rëndësishëm (për të cilin normalisht kishte nevojë), për arësyen e thjeshtë pse nuk arrinte as ta konceptonte atë. Pavendosmëria e vendosur e tij (nëse mund të shpreheshim kështu), në atë periudhë dhe refuzimi apo mungesa e aftësisë për të kuptuar realitetin konfirmohen në atë çka Alia ka shkruar disa vjet më pas në librin “Ditari i burgut”:
“Në atë kohë isha i mendimit se ndryshimet duheshin bërë me kujdes të madh që të mos krijohej opinioni se po ndryshonte vija e Enver Hoxhës, gjë që do të mund të keqkuptohej nga forcat konservatore, të cilat ndonëse nuk përbënin një grup të organizuar, ekzistonin brenda në parti. Domethënë, ishte e domosdoshme që ndiqnim rrugën e një kompromisi të heshtur. Çdo ndryshim të inkurajohet në emër të vazhdimësisë dhe me referime në përvojën e së kaluarës. Atë periudhë udhëheqja e partisë, por në veçanti populli, kërkonin njëzëri vazhdimin e politikës së mëparshme. Aq sa shpeshherë njerëzit numëronin se sa herë e kisha përmendur Enver Hoxhën në fjalimet e mia. Pati një opinion krejt të pabazë, se gjoja në fillim të reformave demokratike nuk pati faktorë që pengonin dhe forca konservatore që nuk e donin erën e ndryshimeve dhe të demokratizimit. Në të vërtetë, veçanërisht deri në vitin 1990 ekzistonte një rezistencë e fuqishme ndaj ideve të reja”.
Ramiz Alia është shumë i sinqertë në pohimin e mësipërm, pse ai dhe gjithë udhëheqja e PPSH-së e ndiqnin realitetin nga kupola prej qelqi ku ishin rehatuar dhe ku britmat e pakënaqësisë e revoltës popullore dëgjoheshin ndofta si muzikë e partishme baritore që shprehte “kërkesën e njëzëshme për të vazhduar rrugën e Enverit”!… Sado potencë që të kishin forcat konservatore, Ramiz Alia nuk e kishte problem t’i bënte zap, përderisa kishte plotësisht nën hyqëm Sigurimin e Shtetit (e dimë tashmë se çështjet e “armës më të dashur të Partisë” nuk u diskutuan kurrë as në Byro Politike as në Këshillin e Mbrojtjes, pikërisht pse ato i drejtonte sekretari i parë), atë strukturë që, sipas Misha Glenit-njohësit të shkëlqyer të periudhës komuniste të Europës Juglindore, “ishte e vetmja që mund të krahasohej me Securitate-n e tmerrshme të Çausheskut në Rumani”.
Ramiz Alia është gjithashtu i sinqertë pse, as në vitin 1990 ai nuk kishte lëvizur nga “instikami” i tij ideologjik e mental. Është pikërisht ky mentalitet që i privon atij shansin për të përforcuar përkushtimin e tij ndaj reformave dhe t’i fliste Kadaresë me zemër në dorë, e jo t’i drejtonte një leksion bajat, që bëhet aty-këtu interesant vetëm prej nënteksteve kërcënuese.
Qysh në fillim të përgjigjes, që ia dërgon më 21 maj 1990, pra pasi kishte”përcjellë” sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Simos Peres de Kuejar, Ramiz Alia i shkruan Ismail Kadaresë:
“Letra nuk më la përshtypje të mirë, jo për paragrafët “e zymtë”, po për shpërthimin inatçor ndaj atyre forcave që ti i quan konservatore… Unë nuk marr në mbrojtje asnjë forcë regresive, nga çdo anë që të paraqitet… Por nga këto raste të përqëndrohet tërë meraku yt vetëm te “konservatorët”, duke harruar anën tjetër, reaksionin e huaj dhe atë të brendshëm, që përpiqet të na shtyjë drejt mohimit të lirisë e të pavarësisë si popull e të vetvetes si komunistë, e them hapur, më shqetësoi… Në letrën tënde me mbi 3 mijë fjalë, nuk ndesha asnjëherë në fjalën “Parti””.
Në përgjigjen që e fillon me “I dashur Ismail”, për të vazhduar më tej me “shoku Ismail”, Ramiz Alia thekson se pluralizmi partiak do të çonte në ndarjen e kombit.
Ramiz Alia nuk toleron asnjë prej “devijimeve” të Kadaresë, madje nuk harron t’i përmendë atij se ç’kanë bërë “Partia, shoku Enver dhe unë vetë” për shkrimtarin, për t’i përkujtuar ndofta se tani është koha që ky të lajë borxhet… Pasi i kujton veprat “kushtuar Enver Hoxhës, mbrojtjes së atdheut, lirisë e pavarësisë”, Alia thekson: “Kjo të nderon jo vetëm si shkrimtar, por mbi të gjitha si luftëtar, si patriot e komunist… Mos harro atë që ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favorin tënd. Bile, nëse të shkruaj kështu hapur, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe nisur nga ai kujdes që partia vazhdimisht ka treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam shkrimtar të madh po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë e të popullit”.
Në fund Alia që duket se e ka interpretuar si sfidë letrën e Kadaresë, i drejton këtij sfidën e vet:
“… dëshiroj që kushdo, populli e intelektualët tanë, si dhe opinioni publik jashtë te Kadareja të mos shohë një njeri që herë bën një kritikë për sigurimin ose sistemin gjyqësor e dogmatikët e mediokrët në fushën e arteve, por të shohim një shkrimtar komunist që në këto kohë të vështira lufton bashkë me partinë për mbrojtjen e lirisë e të atdheut dhe zhvillimin e socializmit në Shqipëri”.
Ndofta u zgjatëm me citimet dhe analizën e këtij letërkëmbimi, por kemi mendimin se ia vlen, përderisa autorët e tij janë dy figurat më kulmore përfaqësuese të dy kampeve të kundërta në Shqipërinë e 1990-s; dy kulme që ato ditë maji mendonin ndofta se i kishin dhënë njeri-tjetrit, e rrjedhimisht demokratizimit, shansin e fundit…

* * *

Muajt e vjeshtës 1990 në Tiranë e më shumë në qytetet e tjerë të Shqipërisë qenë muaj të një apatie që më shumë buronte te zhgënjimi i njerëzve se diçka e mirë do të ndodhte për vendin e për ata vetë, pas retorikave të moderuara të Ramiz Alisë dhe pas çlirimit që vërehej në jetën e përditshme apo në programet e radiotelevizionit. Sot të vjen për të qeshur kur mendon se si njerëzit ngazëlleheshin dhe e quanin ogur të mirë transmetimin e videoklipit të Lambadës (këngë braziliane shumë e përhapur në atë kohë). Por në një shoqëri të mbyllur prej gjysmëshekulli, ku gjithçka ishte rreptësisht e kontrolluar si në një fjetinë ushtarake, edhe ato pak rreze të mezishquajtshme merrnin përmasa hiperbolike. Megjithatë, njerëzit qenë të zhgënjyer dhe zhgënjimi rritej edhe më kur nga goja e “Gorbaçovit të Ballkanit” (siç ishte cilësuar nga shtypi perëndimor Ramiz Alia), vazhdonin të dëgjonin shprehje të tilla si “forcimi i pushtetit popullor fuqizon veprimet demokratike”, apo “komunistët shqiptarë kanë besimin dhe do të zotërojnë mendimin ideologjik e politik më të përparuar bashkëkohor, ashtu siç janë në gjendje ta vënë atë në jetë”. Aq më tepër që këto shprehje dëgjoheshin pasi sistemi kishte marrë rrokullimën dhe forca e parë opozitare, partia Demokratike, ishte krijuar.

DERGOI PER PUBLIKIM: GJIN MUSA