Strasburgu refuzon “opozitën e emëruar” nga Berisha

0
44

Mero Baze

Mero Baze, 26.01.2010

Delegacionit shqiptar në Strasburg i janë ngrirë kredencialet për shkak të situatës absurde që është krijuar nga mungesa e balancimit politik dhe përpjekja e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli për të emëruar aty në mënyrë informale përfaqësues të opozitës së emëruar prej saj.

Është i dyti vit që Shqipëria ndeshet me një procedurë të tillë. Vitin e kaluar, Shqipëria sërish kaloi në procedurën e Komisionit të Mandateve për shkak të zëvendësimit arbitrar prej zonjës Topalli të Aleksandër Biberajt, i cili ndërkohë ishte dhe në pozicionin e Nënkryetarit të Asamblesë së Këshillit të Evropës, post të cilën e humbëm vetëm për shkak të tekave politike të zonjës Topalli. Sivjet situata është dhe më e rëndë.

Zonja Topalli ka emëruar formalisht dy deputetë të mandatuar nga Partia Socialiste, si përfaqësues të opozitës në Strasburg, gjë e cila duket se e ka rënduar dhe më tej situatën.

Ky deformim flagrant vjen në një kohë kur Këshilli i Evropës në këtë sesion parlamentar duhet të miratojë rezolutën për gjendjen e institucioneve demokratike në Shqipëri, ku i kushton veçanërisht rëndësi situatës së bojkotit të opozitës dhe jep rrugëzgjidhjet për daljen nga kriza.

Rezoluta parashikon që të ngrihet një komision hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, opozita të kthehet në parlament dhe të bëhen përmirësimet e duhura në Kodin zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE dhe Komisionit të Venecias.
Në këtë situatë shumë paragjykuese për gjendjen e demokracisë në vendin tonë, gjesti i emërimit të opozitës e rëndon dhe më shumë situatën.

Dyshimi kryesor që perëndimi ka aktualisht për Shqipërinë për standardet e demokracisë dhe fakti se pushteti po përpiqet të kontrollojë opozitën dhe median kritike. Gjesti i zonjës Topalli është një argument i rëndë në favor të dyshimeve të rënda që Perëndimi po krijon për situatën në vend.

Ngrirja e statusit të delegacionit shqiptar në Strasburg është një sinjal i keq, që tempulli i demokracisë evropiane i jep qeverisë shqiptare.

Dhe nëse Komisioni i mandateve i hap dritë jeshile një delegacioni të përgjysmuar, asgjë nuk e korrigjon gjestin e kryetares së parlamentit, e cila duke “emëruar” opozitën e saj, bile dhe pa i pyetur të emëruarit,, duke i fyer dyfish, i ka dhënë perëndimit një sinjal se këtu institucionet politike, konsiderohen vetëm si marioneta të qeverisë dhe jo si përfaqësuese të shoqërisë shqiptare.

Tani lajmi i radhës mbetet miratimi i rezolutës së KE për situatën në Shqipëri. Rezoluta në projektin e saj, njeh krizën politike shqiptare, kërkon hetim të zgjedhjeve dhe parashtron dhe skenarët e mundshëm të zgjidhjes së krizës.

Nëse qeveria shqiptare angazhohet përmes lobimit politik dhe financiar të përmbysë rezolutën, atëherë kemi edhe një lajm tjetër të keq për mentalitetin e pushtetit politik në Shqipëri. Nëse miratohet ashtu siç është atëherë kemi një lajm të keq për qeverinë e kryeministrit Berisha dhe mënyrën se si ai ka keqpërdorur votën e shqiptarëve më 28 qershor.