Ndue Lazri
D¨åergoi për publikim: Gjin Musa, gazetar
– Rreth romanit “Biri i Botës” të Demir Gjergjit –
Të ndodhesh i vetëm përballë botës, që të bën shumë pyetje e ti mbetesh si memec, sepse nuk di të përgjigjesh, sepse nuk ke një përgjigje. Të mos dish atësinë, ditën e lindjes. Të të mungojë identiteti përballë një bote me identitet të ndërlikuar e që nuk të pranon lehtësisht në gjirin e saj. Sepse ti je ndryshe. Sepse je bir i mëkatit. E përpara të kesh rrugën e vështirë e të përpjetë drejt rritjes, plot pengesa e të panjohura, që do të të gjakosë jo rrallë herë këmbët, duart, bërrylat, por mbi të gjitha zemrën.
Ky është fati i protagonistit të romanit “Biri i botës”, që poeti dhe shkrimtari Demir Gjergji i ka servirur lexuesit kohët e fundit. Dhe është romani i tij i parë, por që vjen pas një përvoje mbi 40-vjeçare krijuese, produkt i së cilës janë 13 libra të mëparshëm, si vëllime me poezi, përralla, triptikë, monografi. Kësisoj, romani, si gjini më impenjative, vjen pikërisht në kohën e pjekurisë së plotë krijuese të autorit. E nuk vjen si një eksperimentim, por si nevojë e shprehjes në një nivel më të lartë artistik, e afirmimit të personalitetit të tij të plotë krijues.
Autori ka zgjedhur një temë delikate, por jo indiferente për një shoqëri si ajo shqiptare, qoftë ajo e djeshme, por akoma më tepër edhe ajo e sotme: Fati i fëmijëve të lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore, ose më saktë i bijve të mëkatit.
Fatlumi, apo Lumi, siç e thërret autori gjatë romanit, vjen në jetë si frut i një aventure pasionante të çastit, e një dobësie të së ëmës, Vajtimes, ndaj një bashkëfshatari që hynte e dilte si mik në shtëpinë e saj dhe mirëpritej nga bashkëshorti e zoti i shtëpisë, Bektashi. E kjo ndodh në një fshat të Shqipërisë së mesme, në një shoqëri tipike konservatore, ku asgjë nuk mbetet pa u zbuluar e ditur nga të gjithë e ku gjykohet ashpër nga të gjithë.
Përballë një opinioni të tillë Lumi do të ndihej i vetëm, i papranuar, i tallur e stigmatizuar me nofkën “kopili” nga bashkëmoshatarët e tij, por edhe nga të rriturit, i trajtuar me egërsi e dhunë fizike nga burri i mamasë, Bektashi, i dënuar me rrahje, qëndrime pa bukë, fjetje jashtë shtëpisë e tortura të përhershme shpirtërore, kur shihte se edhe e ëma trajtohej në të njëjtën mënyrë për hir të mëkatit të saj. Duket sikur fati i tij do ndryshojë kur Vajtimja detyrohet të ikë nga shtëpia me gjithë krijesën e saj, se nuk i duronte më shpirti dhe bashkohet me një burrë tjetër, pa grua e fëmijë, Tafil Gjikën. Por ditët e qeta për Lumin janë të pakta, sepse trajtimi i egër do të vazhdonte edhe nga Tafili, veçanërisht pasi ai arrin të ketë një djalë tjetër me vajtimen. Shfaqet ndjeshëm diferenca në trajtim midis djalit të vërtetë dhe djalit të sjellë nga gruaja “në pajë”. Edhe në fshatin e ri, me përjashtime të rralla të ndonjë bashkëfshatari që e trajton me dhembshuri si jetim, opinioni i birit të mëkatit e ndiqte hap pas hapi Lumin në fëmijërinë e tij të vështirë e traumatike.
Autori ka ditur të pasqyrojë bukur, me episode të shumta e detaje të dhimbshme jo vetëm atë që hiqte fëmija i papranuar nga shoqëria, por ka bërë mjeshtërisht edhe radiografinë e asaj shoqërie të kohës, me botëkuptimet, paragjykimet, prapambetjet mesjetare e tendencat e një zhvillimi që ecte me hapin e kërmillit. Qëndrimi i egër i opinionit ndaj frutit të mëkatit, bën që Lumi të rritet si ajo egërsira që ka për mbrojtje vetëm thonjtë e dhëmbët e vet. Gabimet e fajet e tij janë të përditshme e po ashtu edhe dënimet. E sa më të egra janë dënimet, aq më tepër rritet rebelimi dhe egërsia në shpirtin e djalit që gjendet krejtësish i disorientuar e pa busull në udhën e vështirë drejt rritjes. Në një shoqëri gati primitive, e vetmja mënyrë edukimi ndaj tipave të vështirë mbetej dënimi fizik, braktisja apo mbyllja në “shkollën e vagabondëve”.
Romani ngërthen një periudhë të gjatë kohore, që nga vitet ‘50 e deri në periudhën e rënies së regjimit komunist e eksodeve biblike drejt vendeve perëndimore. Duke ndjekur fatin e protagonistit, autori sjell natyrshëm e në mënyrë interesante evoluimin e fshatit shqiptar në periudhën e kolektivizimit e pas tij, tendencat për pak zhvillim industrial edhe në fshat (nëpërmjet minierës së qymyrgurit), të një zhvillimi embrional kulturor nëpërmjet ndonjë ekspozite artistike etj. Meritë e autorit është se ai na sjell të gjallë kostumin e shoqërisë së atyre viteve.
Me një gjuhë të zgjedhur, me një leksik të lakmueshëm, me një kolorit shumë të pasur ai sjell jetën e gjallë e të vërtetë të fshatit, duke përshkruar ambientet familjare, doket e zakonet, bestytnitë e shumta, ritet e dasmave e të vdekjeve me këngët apo vajet, por edhe luftën për të mbijetuar në kushtet e vështirësive të pamatshme që krijoi kolektivizimi nga ana ekonomike dhe përballë asaj propagande groteske mbi lumturinë e vendit më të lumtur në botë përballë sulmeve imagjianre të imperialisto-revizionistëve. Demir Gjergji i ka përshkruar aq organikisht ato sa të gjitha duken si një veshje lara-lara në trupin e protagonistit që kërkonte të gjente e të ndërtonte identitetin e vet në një shoqëri që nuk i bëhej dot e dashur.
Tek lexoja faqe pas faqeje romanin me pasurinë gjuhësore që përcjell, më vinte vetvetiu njëfarë krahasimi me “Lumin e vdekur”, që na ka sjellë dikur ato thesare gjuhësore të krahinës së Myzeqesë. Përshkrimet e Demir Gjergjit vijnë vetvetiu, pa sforcime, lexuesi ndihet mirë midis tyre e gati bëhet pjesë e asaj jete që ka dinamikën e saj, qoftë edhe në prapambetjen e vet. Veçanërisht ne që kemi lindur në vitet 50 e që jemi rritur duke ndjekur apo duke pësuar ato procese që kaloi shoqëria shqiptare nën regjimin komunist, e gjejmë veten në shumë nga personazhet e veprës dhe risjellim në mendje pjesëza të jetës sonë, që duket sikur autori na i ka rrëmbyer për t’i hedhur në romanin e tij.
Autori, nëpërmjet personazhesh, por edhe episodesh të zgjedhura bukur, sjell me njëfarë grotesku, por pa teprime, edhe jetën politike të shoqërisë, reagimet e popullit e sidomos të intelektualëve ndaj asaj butaforie qesharake që ndërtonte kasta politike nga qendra deri në celulat në bazë për të paraqitur një realitet që nuk ekzistonte.
Kjo është klima në të cilën rritet e formohet protagonisti i veprës, Lumi. Si një dru, që ka nisur të rritet shtrembër, por që kërkon të arrijë hapësirën e vet e të formohet i drejtë në kërkim të ajrit e të dritës, ai zbulon se brenda vetes ka një dhunti: dashurinë për ngjyrat dhe talentin për të vizatuar. Kjo bëhet barka e shpëtimit, e cila do ta çojë atë nëpër rrjedhën e lakuar drejt limanit të jetës, duke e formuar si njeri, si krijues, si familjar. Duke ndërtuar një hero tashmë të vetëdijshëm, autori eviton melodramat e kërkimit të babait apo kthimin e kokës prapa, duke bërë që Lumi të shikojë veç përpara, në arritjen e synimeve të qarta, ndër të cilat më kryesori është ai i krijimit të familjes dhe të një çerdheje familjare që i ka munguar tërë jetës.
Përveç Lumit, autori ka realizuar e tipizuar bukur edhe personazhe si Vajtimja, nëna mëkatare, por e dhembshur që vuan tërë jetën gabimin e një çasti, Tafil Gjika që e ka inatin me tërë botën dhe kërkon të ecë gjithnjë kundra rrymës, duke mos hyrë as në kooperativë, Elira, vajza idealiste e dashuruar dhe bashkëshorte e Lumit, babai i Elirës që përfaqëson figurën e komunistit të ndershëm, Hamza Hasra kryetari i urryer i këshillit popullor me shpirtin katran të zi, Semi, i riu me ëndrrën për t’u arratisur që arrin ta realizojë apo Rina e Xana, dy personazhe të spikatur episodikë.
Në realizimin e romanit, autori ka alternuar stilin e tij në përputhje me rrethanat. Nga një narracion klasik e mjaft i këndshëm në përshkrimin e periudhave të para të viteve ‘50-‘60, ai kalon në integrimin e ditarit të protagonistit për të treguar atë pjesë të rëndësishte të jetës së tij gjatë formimit si krijues e si intelektual, fut si intermexo tregimet e shkrimtarit D.GJ. e atë të dërguar nga Semi, apo reflektimet e tij të shkurtra, duke e bërë romanin njëkohësisht një libër modern me frymë e stil bashkëkohor.
Shkrimtari thotë në hapje të librit: Në kërkim të burimeve Lumi gjeti Detin. Mendoj se në këtë frazë jepet sinteza e jetës dhe udha e birit të mëkatit. Me eksodin e madh të anijeve, tani familjar i sistemuar në qytet e baba me dy fëmijë, ai realizon ëndrrën e tij për të ikur në botën perëndimore nëpërmjet detit, për t’ u bërë qytetar i botës. Tashmë ai e ka të qartë identitetin e tij e di të përgjigjet kur e pyesin. Sepse nga bir i mëkatit është bërë Bir i Botës.