PRAPË PO SHKON GJAKU I SHQIPTARIT!

0
77

Xhemail Peci

(Fragmente nga libri : Poemë për Shqiptarët e Amerikës)

Gjaku i Arbërit po shkon ! (Jeronim De Rada).
O popull ! Këta bij e këta bija, që t’i hanë gjarpërinj me sprija, që t’i grijnë skamja e varfëria, o popull: I ke bij e i ke bija ! (Viktor Hygo).
Jo Gjermnainë ta çojmë në Amerikë, po Amerikën ta sjellim në Gjermani ! (Johan Volfgang Gëte)

1.

Dridhen muzgjet,
si zërat e zemrave në përshëndetje,
dridhen !
E qepallat e syve,
përdridhen në ndarjen e fundit,
fluturim zogjsh me flakë trëndafilash,
me mall ushqehet Atdheu,
populli me lot,
me lot dhe me shpresa,
natë pa hanë n’Lugje t’Verdha,
kërkon djalin shamizeza!
E kënga e mjellmave vazhdon,
erë deti!
Puhi ledhatare-
në brigjet shqiptare,
zemrat akull,
e malli prush:
Rapsodi të një Poeme Shqiptare,
shi me vel vaji,
mbi qepallat rënduar,
si lulet zemrat,
si shiu shpirtrat,
ëndrrat dhe ankthi përzier me shpresat,
brigjeve të Jonit e brigjeve të Adriatikut,
aurora me sytë e shqiponjës çohet dheut,
Shqipëria përshpëritë në zemër,
zemra përshpëritë një emër,
Atdheu dhe poeti marrin frymë njësoj!
Njëlloj, pikon shi e pikon lot,
si valci vienez shiu,
si Simfonia e Trishtë e Ludvig Van Bethovenit;
Herë Zef Serembe:
Arbëria matanë detit na kujton,
e herë Jeronim De Rada:
Gjaku i Arbërit po shkon!…
Për se të venë nga deti,
mendimet, zemra ime?…
Zemra ime!
Shqipëria ime!…

2.

Ankthi i jetës e ankthi i shekujve,
prapë mbi kokat tona ra!
Në fundin e shekullit XX,
në fillet e shekullit XXI,
për një krodhe bukë,
për një strehë e për një shpresë,
kudo na gjenë,
metropoleve të Europës,
skutave e kontinenteve,
si nëpër legjendat,
përtej 9 maleve,
përtej 9 bjeshkëve,
si nëpër legjendat:
Nga Toka e të parëve ikur,
nga Dheu ku pamë Diellin,
si hija kur ndjek hijen!
Shqiptarët,
në kalvarin e përgjakur të historisë,
degdisur Trungu i Moçëm –
i Moteve të Mëdha;
katandisur skutave dhe strehëve,
qosheve dhe udhëkryqeve,
në mes të katër rrugëve,
kapitur detërave,
shtigjeve dhe horizonteve,
përpëlitur dhe cfilitur,
rendur, tretur a humbur,
kontinenteve,
shqiptarët…

3.

Shqiptarë!
Ku ta gjejmë një vatër tjetër-
si vatra shqiptare,
vallë ku ta gjejmë një copë qielli,
si Qiell i Atdheut,
një grusht dhe ku ta marrim me vete,
një grusht dhe e një grusht lotësh,
një grusht pëllumbash në ndërrim motesh?!
Një ëndërr me krahët e shqiponjës,
vallë ku ta gjejmë,
ku do të nisemi nesër,
ku do të shkojmë,
ku do vemi e ku do zgjohemi,
në dhera të reja,
e në toka të tjera,
në toka të huaja,
larg Atdheut,
në ikjen pa kthim,
në shtigjet pa fund,
ç’emër të gjejmë:
Për Ty Shqipëri,
Për Ty Kosovë,
Për Ty Çamëri?!

4.

Në tokat pa kulla!
E ashpër gjuha e gurit,
me duart e gjyshërve gdhendur,
e butë kënga e muzgut,
e gjurmët e dasmave me ritëm valltarësh-
nisin dhe etjen e kërkojnë tek krojet,
oshëtimë e shekujve krismat e pushkëve-
në frëngjitë e kullave rritur si kështjella!…
Imazh a hije,
në tokat ku s’ka kulla,
djeg malli për gjuhën e gurit,
dhe etja për krua,
dhe malli për trojet.

5.

Agimeve të trëndafilta tëShqipërisë,
e tokave të lara me gjakun më të kulluar,
mu në zemër të Dardanisë: Ikja!
Ikja lë vrragë nëankthin prapa,
me sy dhembshurie përzier me lot!
Po zbardhin përmbi qepalla,
agimet e Shqipërisë,
e vendin e poemave të Naimit!
Shqiptarë,
e lamë prapa,
e shpinën ia kthyem,
Baba-Tomorit!
Shqiptarët lënë tokat shqiptare,
vatër e mëmëdhe,
në rrugën e re,
me kokën në duar,
me foshnjet mbi krah,
me trena-dje në kohë lufte,
me autobusa-sot në kohë paqe,
ekranet televizive gjithë zemërklithje:
Për ku po shkojmë,
O Perëndi!
O Zot!
ç’Atdhe,
ç’dhe i ri,
e
ç’gjuhë e re,
ç’shpresë e re?!
Ne ikim nga Ti,
Ti ikë nga ne,
lëkura jonë:
Atdhe!

6.

Ekzod !
Pikat e shirave,
dhe bulëzat e lotëve,
qiellit dhe syve,
si një simfoni
në një orkestër frymore,
marshin e ekzodit-
përcjellin me ritmin e tyre.
Shi dhe lot,
e diku thellë refkëtimat,
klithjet dhe psherëtimat,
thirrjet dhe përgjërimet:
O Zot!…

7.

Dje me një shtet,
e sot me dy shtete!
Prapë zemër-klithja:
Mbrëmë ka vdekur një fshatar i fshatit tim!
Mbrëmëështë ngrirë një pjesëtar i kombi tim!
Edhe parmbrëmë, edhe dje, edhe pardje, edhe sot,
për çdo shekull e për çdo mot toka që u la me gjak,
sot-si mollëzat e faqeve prapë po lahet me lot!
Dje zemër-klithja: O vëlla, me sharrë në krah!
E sot, edhe sot e kam parë një plisabardhë,
me fytyrën e rrahur nga vuajtja, me ballin e çarë,
me plisin e larë nga djersa, me shpresën e vrarë:
me dhjetëra duar kam parë të zhytura në konteniera,
kam parë me mijëra zemërbardhë me shpirt duke qarë:

O Zot, a del edhe për neve ndojherë pranvera?
Apo fajtor jemi pse Zoti na fali me qenë shqiptarë?!

8.

Ekzil.
Prapë deti?!
Përzier me shqiptarët,
e kaltërta e qiellit,
e kaltërta e Adriatikut,
dhe blu e Joint,
si në shekullin XV,
si në shekullin XX,
si në shekullin XXI,
ekzod masiv,
deti dhe populli,
e prapa:
Kujtimet,
Toka,
Lotët
dhe
Ankthi.

9.

Shi shpirtash!
E loti faqen e prekë,
rrëshqasin bulëzat e lotëve,
tek stacionet,
kufijve dhe aeroporteve:
Ndarjet,
pasaportat,
vulat,
apo edhe ikjet pa viza,
tek lumi Tisa,
a tek Subotica,
ekzodet,
e prapa-
muzgun,
zëri i një kënge
e dridhë:
O moj Fusha e Korabit,
e mjera unë, o për ty!
Shi shpirtash,
e loti faqen e prekë,
zemra nënash,
kaq vite dhe kaq mote,
kaq ikje dhe kaq morte,
këngë e lashtë,
si dhimbja,
sa dhimbja !
Si nëpër mitet e lashta,
si nëpër legjenda e balada!
Vegim vdekjeje:
U fikën yjet,
siç fiken dhe dritat e syve,
u fikën,
me sytë e mbushur lot,
me vështrimet kah deti,
e puthja mikeshë e buzëve-
muzgjeve dhe agimeve u qaset,
ngushëllimi një grusht dhe,
e bucat e dheut lagur me shi,
zhgënjim që gërryen çdo dashuri,
ankth dhe lot shkri në një melodi,
kur tha Gëte: Nënë Muzash-MËRZI!
Nëpër terr të natës si në teh të shpatës,
prapa sy të përlotur dhe toka e Kosovës,
përpara shfaqen ca agime të zymta,
dhe më tej pamjet me kampet në Hungari,
sa ëndërr e largët – si të ishte kontinent i ri,
ne na del përsëri nëçdo shekull Europa,
e tutje në zemrat si gropa ca bulëza loti,
ca shpresa të vakëta në sy e faqeve bie shi,
Lamtumirë, o Toka Nënë!?
Dhe thënia e Shandor Pëtefit:
S’ka Atdhe,kush s’ka Liri!…