Ngjela: Lëvizja e Mendimit Ndryshe kërkon të rrëzojë Ramën

0
28

Edi Rama dhe Spartak Ngjela

Shekulli Online, 25.01.2010

TIRANË – Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, deklaroi dje se nisma e deputetëve të Lëvizjes së Mendimit Ndryshe në Partinë Socialiste, për të hyrë në Kuvend, para datës 6 Mars bëhet me qëllimin për të rrëzuar kryetarin e partisë, Edi Rama, përmes kundërshtarit politik Sali Berishës. Sipas Ngjelës, këta deputetë nuk mundën ta rrëzonin me vota liderin e tyre dhe tani kërkojnë ta rrëzojnë atë me ndihmën e kundërshtarit politik.

Duke iu referuar statutit të PS-së, kreu i PLiDr-së, theksoi se nëse deputetët e Lëvizjes së Mendimit Ndryshe në Partinë Socialiste, do të hyjnë në Kuvend, ata janë të përjashtuar nga grupimi politik që aktualisht bëjnë pjesë. “Këta deputetë të 6 ose 5 kanë humbur procedurën. Këta e kuptojnë që e bëjnë kundër kryetarit. Nuk e rrëzuan kryetarin me vota, kërkojnë ta rrëzojnë me kundërshtarin, nuk shkon. Pra, pasi të kenë hyrë në Parlament, lind pyetja, çfarë do të bëjnë? Nga do t’ia mbajnë? Sepse këta kanë një statut, i cili thotë qartë që në qoftë se del jashtë vendimit të partisë, përjashtohen dhe nuk do të jenë më anëtarë të Partisë Socialiste. Ata e kanë pranuar me koshiencë që të mos jenë anëtarë por si do të deklarohen në Parlament”,- tha dje Ngjela.

Sipas tij, këta deputetë do të hyjnë në Kuvend vetëm për të përfituar nga ofertat politike që mund t’u bëjë Kryeministri Berisha. “Ata s’kanë nevojë të rrinë në Parlament, të bëjnë një kërkesë dhe të rrinë me Saliun. Pra, çështja qëndron që ata nuk mund t’ia bëjnë një ftesë Berishës, pasi ai është një figurë e urryer. Ai mund të qëndrojë në pushtet vetëm me dhunë si tiran. Pra, ata do të shkojnë me mendimin se ky do të jetë një diktator i iluminuar, do të kenë një jetë të gjatë që do të shkojnë me të, për të marrë ndonjë benefic që t’u lëshojë ai. Kaq të metë janë këta”,- u shpreh ai. Por, nismën e tyre në Parlament, Ngjela e shikon edhe në një prizëm tjetër.

Sipas tij, grupi i LMN-së do të hyjë në Kuvend për të bërë ndonjë diversion, por sipas Ngjelës nuk do të mundin ta realizojnë këtë, pasi nuk zgjidhet kriza politike me një pakicë të tillë deputetësh kur kërkohet minimumi 15 deri në 20 deputetë. “Çështja qëndron se edhe në qoftë se hyjnë, hyjnë për ndonjë diversion, por përsëri nuk realizojnë dot gjë. Nuk realizojnë dot gjë sepse Parlamenti mbetet sërish në krizë. Nuk e zgjidhin dot 5 deputetë krizën parlamentare. E zgjidhin 15- 20 deputetë”,- theksoi Ngjela.

Ai vuri në dukje gjithashtu se Partia Socialiste nuk duhet të ndalet nga objektivi i saj, për të hapur kutitë e votimit, pasi në kundërt do të humbasë edhe mbështetjen e elektoratit. Sipas Ngjelës, kërkesa e opozitës nuk është kaq e rrezikshme, sa trumbetohet sepse sipas tij nuk po hapen centrale bërthamore, por thjesht kutitë e votimit. “Nëqoftëse PS-ja tërhiqet nga deviza e saj e protestave dhe e bojkotit humbet ngjyrën e saj në popull.

Kriza nuk mund të zgjidhet pa u hapur kutitë. Nuk po hapet centrali nuklear. Nuk po shpërthen bombën nukleare, po hapen 3 kuti, nuk janë 20 terroristë, që kanë thënë se do të vrasin 800 njerëz”,- tha Ngjela. Ai shtoi se kriza politike në vend është banale për faktorin ndërkombëtar, por nuk është e tillë për Kryeministrin, pasi sipas avokat Ngjelës, ai ka manipuluar zgjedhjet dhe tashmë është i kapur që e ka kryer aktin. “Kriza është banale për Perëndimin. Por nuk është banale për këtë Kryeministër sepse ka manipuluar zgjedhjet. Ai që kur ka ardhur në pushtet, ka shkuar me mendimin për të manipuluar zgjedhjet, sepse ai ka gjuhë urrejtje, ai nuk di të drejtojë, ai ka bërë gafa të tmerrshme dhe natyrisht që do të vidhte votat. Ai mbetet një ithtar i vlerave minimale sepse kërkon të gllabërojë me forcë dhe këtu u kap dhe e kanë kapur. Ai është i kapur. Ky Kryeministër u kap me sendin e vjedhur”, – u shpreh Ngjela.

Ai foli gjithashtu edhe për regjistrimin e popullsisë. Sipas tij, është mjaft pozitive që barrën e provës për të vërtetuar etnicitetin e ka vetë individi sesa shteti, pasi sipas Ngjelës ky është një shtet i shitur. “Unë e kam shprehur edhe në shtyp, se është më mirë që e ka barrën e provës individi pasi ky shtet i shitur gjithçka mund të bëjë. Më mirë që nuk e ka shteti barrën e provës. Individi e ka vetdeklarimin. Të drejtën e sjelljes së provës që të provojë që është ose jo shqiptar”,- nënvizoi Ngjela.