Bota Sot | 25.01.2015
Mustafa: Pse kemi nevojë të thërrasim se “Trepça është e jona”, kur ajo është në territorin tanë

Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa e konsideron si dy fytyrësi i protestën e djeshme të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës lidhur me Kombinatin Trepça. Sipas kryeministrit Mustafa këto subjekte politike votuan kundër ligjit i cili e shpëtoi Trepçën nga falimentimi.
Ky është postimi i dytë për sot nga kryeministri Mustafa:
Xehetarë të dashur
Qytetarë të Kosovës
Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, më 19 janar 2015 votuan kundër ndryshimit të ligjit, i cili duhej të nxirrej në momentet e fundit në Kuvend, për të pamundësuar një vendim gjykate e cila e qonte Trepçën në likuidim. Këta që dje thërrisnin Trepça është e jona dhe bartnin pankarta, atë ditë ishin të gatshëm që Trepçën t’ua dorëzonin kreditorëve, të cilët janë nga Serbia e Greqia, shqiptarë e serbë të korruptuar dhe me dokumente të dyshimta. Kjo është e vërteta jonë për Trepçën në këto momente dhe dyfytyrësia jonë.
Ky është postimi i Parë për sot nga kryeministri Mustafa:
Ata, që iu mbet merak me e dërguar Trepçën në likuidim, për ti zhdukur të gjitha gjurmët e vjedhjeve, kontrabandës, keqpërdorimeve dhe manipulimeve, tani e quajnë të shantazhuar Qeverinë e cila së bashku me shumicën e deputetëve të Kuvendit e shpëtoi në momentin e fundit nga falimentimit dhe nga mbetja pa punë e mbi 5,000 punëtorëve.
Pse kemi nevojë të thërrasim se “Trepça është e jona”, kur ajo është në territorin tanë, siç janë të gjitha pronat e tjera. A duhet të thërrasin në protesta që Kosova është e jona?!. Mos u frikësoni nga fjalët që vijnë nga Serbia, sepse ato janë fjalë e kjo është tokë, e jona. Frikësohuni nga ata që manipulojnë me emocionet e qytetarëve për ta shkatërruar pasurinë dhe për ta rrënuar demokracinë, edhe ashtu të brishtë, të këtij vendi./M.L.







