Dëshmitarja Drita Cani, që humbi bashkëshortin nga shpërthimi tragjik, tha para gjykatës, se në Gërdec kishte incidente të vazhdueshme thuajse çdo ditë
Leonard Bakillari
TIRANË – Deri më sot, dëshmitarët kishin treguar për zjarre të vegjël që ndodhnin në ambientet e brendshme të fabrikës së vdekjes dhe gjithçka mbyllej aty për aty. Por askush më parë nuk ka treguar për punëtorët e plagosur gjatë punës, të cilët sipas dëshmitares ishin të shumtë. Për më tepër, secili prej tyre duhet të paguante vetë shpenzimet e mjekimit, ndërsa ngjarjet mbaheshin të fshehta, ose akoma më keq, askush nuk kujtohej për punëtorët e plagosur, të cilët mungonin edhe për disa ditë në punë. Drita Cani është një prej dëshmitarëve të paktë që ka treguar për dëmtimet e vazhdueshme të punëtorëve gjatë procesit të punës. Me lot në sy ajo ka treguar para gjykatës, se nga shpërthimi tragjik ka humbur bashkëshortin dhe i janë plagosur dy fëmijët, ndërsa vetë nuk ka shkuar në punë ditën e ngjarjes, pasi një ditë më parë ishte dëmtuar nga një predhë. Pas saj kanë dëshmuar edhe të paktën 9 ish-punëtorë të tjerë, kryesisht gra dhe të mitur, të cilët kanë treguar për kushtet skandaloze të punës dhe rrezikun e vazhdueshëm për jetën. Mes dëshmitarëve ka qenë edhe Alketa Hazizaj, një prej të plagosurve të Gërdecit, e cila ka depozituar në Gjykatën e Lartë një padi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Dëshmitë
Alketa Hazizaj, dëshmitarja që është plagosur gjatë punës nga një predhë, ka treguar se të gjithë shpenzimet e mjekimit i ka paguar vetë, edhe pse pasojat e plagëve të marra në tragjedinë e dy viteve të shkuara vazhdon t’i vuajë ende sot. “Një ditë në punë më ra një predhë në këmbë dhe ndenja dy ditë në shtëpi. Shpenzimet e mjekimit m’u desh t’i paguaja vetë, pasi askush nga firma nuk u interesua për këtë çështje”, – tha dëshmitarja, e cila tregoi dëmtimet e shumta që kishte marrë nga shpërthimi. Ajo ka pësuar djegie të rënda nga mesi e poshtë, ndërsa aktualisht është e paaftë për punë. Duke rrëfyer momentet tragjike të 15 marsit, dëshmitarja tha: “Nga shpërthimi i dytë u rrëzova në tokë dhe nuk e di sesi përfundova në spital. Më operuan, por ende vuaj nga djegia. Jam e paaftë për të punuar dhe të gjithë shpenzimet i kam mbuluar vetë, pa mbështetjen e askujt. Drita Cani, një tjetër ish-punëtore e fabrikës së Gërdecit, tha se çdo ditë kishte persona që dëmtoheshin gjatë punës, ndërsa ishin të detyruar të mjekoheshin në shtëpi ose spital, pasi në ambientet e fabrikës nuk kishte as kuti të ndihmës së shpejtë. Sipas saj, askush prej tyre nuk ka marrë ndihmë financiare nga kompania dhe të plagosurit detyroheshin t’i paguanin vetë shpenzimet e mjekimit. “Dy ditë para shpërthimit burri u plagos, pasi i ra një gëzhojë predhe te gishti. Janie Caka ka thyer krahun gjatë punës te larja e predhave. Një ditë para shpërthimit, një shufër baruti më ra në sy dhe shkova në spital për t’u mjekuar, duke i paguar vetë shpenzimet”, – Drita Cani.
Prej disa javësh, procesi ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit ka hyrë në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Fillimisht, prokuroria ka thirrur për të dëshmuar ish-punëtorë të fabrikës së demontimit të predhave, të cilët kanë treguar mungesën e kushteve dhe sigurisë gjatë proceseve që kryheshin në fabrikë, duke fajësuar për këtë drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje. Po ashtu, një nga qëllimet e prokurorisë në këtë pjesë të dëshmive është të provojë shkakun që solli tragjedinë e 15 marsit. Deri tani dëshmitarët kanë treguar se zjarri, që më pas solli edhe shpërthimin tragjik, ka ardhur nga një karrocë që ishte salduar në banesën e Qemal Deliut, e cila ndodhej vetëm pak metra larg fabrikës, që njëkohësisht mbeti edhe më e dëmtuara nga shpërthimi tragjik. Zjarri i ardhur nga karroca e salduar ka qenë arsyeja që përshkruajnë në raportin e tyre edhe ekspertët amerikanë të ATF-së, të cilët thonë se gjithçka erdhi nga një zjarr që ndodhi në një karrocë të saposalduar. Por disa nga të pandehurit e këtij procesi kanë dyshime se zjarrvënia në Gërdec ka qenë e qëllimshme, ndërsa dy herë në javë ata po përballen me dëshmitë e të mbijetuarve, të cilët tregojnë momentet fatale të 15 marsit, kur një zjarr i ardhur nga karroca që po transportonte një sasi të vogël baruti shkaktoi edhe tragjedinë, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë.
Dëshmia e plotë
Cani: Ditën e ngjarjes më zëvendësoi vajza, unë isha e plagosur
Më 18 qershor të vitit 2007 fillova punë në fabrikë dhe hapja arkat e fishekëve bashkë me burrin dhe djalin. Në punë na mori Vangjeli dhe Dritan Mixolli, por nuk kemi pasur kontrata pune. Procesi i punës na shpjegohej nga Dritani dhe përgjegjësi, Vangjeli. Na e rrisnin vazhdimisht normën e punës. Kur arrinim normë, të nesërmen ajo rritej përsëri. Jemi ankuar disa herë te përgjegjësi, Vangjeli, por ai na thoshte se nuk dinte gjë për këtë punë. Nuk kam firmosur asnjë rregullore pune. Njëherë më kanë pushuar nga puna, pasi në vend që të rreshtohesha me të tjerët, vajta dhe mora një karrocë. Vangjeli më pushoi nga puna dhe të nesërmen në mëngjes më mori prapë në punë. Baruti transportohej në magazinë me karroca dore me rrota. Sa herë që këto karroca prisheshin, ato çoheshin në shtëpinë e Qemal Deliut për t’u salduar. Qemal Deliu i merret udhëzimet nga drejtori Mixolli. Ka rënë zjarr disa herë te fishekët dhe fikej me kova uji. Dy ditë para shpërthimit, burri u plagos, pasi i ra te gishti një gëzhojë predhe. Vajti në shtëpi, e lidhi dhe u kthye prapë në punë. Mbaj mend rastin e Janie Cakës, e cila theu krahun teksa po lante predhat. Çdo ditë ndodhte që ndonjëri të priste dorën ose të vriste gishtat. Një ditë para shpërthimit më ra në sy një shufër baruti dhe shkova në spital për ta mjekuar. Ditën e ngjarjes isha në shtëpi dhe në punë vajti vajza në vendin tim. Ishte drekë, dëgjova një zhurmë, dola te dera dhe pashë një zjarr të madh. Dola me vrap përjashta, pasi doja të vdisja bashkë me vajzën, djalin dhe burrin. Por dikush më ndaloi dhe më tha se ata kishin dalë nga fabrika. Nga shpërthimi më vdiq burri, ndërsa vajza dhe djali u dogjën shumë.
Minxolli-dëshmitares
“Burrin tënd e pushova, se nuk punonte në grup”
Dritan Minxolli, i cili ka vendosur të jetë prezent në gjykatë prej disa seancash, ditën e djeshme ka replikuar sërish me një nga dëshmitarët që ka dëshmuar kundër tij. Ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit ka ndërhyrë gjatë dëshmisë së Rabie Gërdecit, e cila tregoi para gjykatës se Dritan Minxolli kishte pushuar nga puna bashkëshortin e saj, sepse ishte ankuar për normën që çdo ditë rritej. Në këtë pjesë të dëshmisë ka ndërhyrë Minxolli, i cili tha se ka qenë i detyruar të pushonte bashkëshortin e saj, pasi nuk ka pranuar të punonte në grup me persona të tjera. “Dëshmitarja Rabie Gërdeci është paraqitur me burrin dhe më ka kërkuar punë. Burri i saj nuk donte të punonte në grup me asnjë tjetër, përveçse me bashkëshorten e tij. Madje, ai nuk donte të punonte as me vëllanë e tij. Kjo ka qenë arsyeja pse e pushova. Por më pas ai punoi në grup me gruan e tij, dhe ka qenë rast unik. Të gjithë grupet kanë qenë katërshe, ndërsa ky ishte grup prej dy vetash. Madje atyre u kisha caktuar edhe një normë të veçantë pune”, – tha Minxolli.
Ngjeçi: Çmilitarizimi kryhet nga shteti
Sokol Ngjeçi, një nga katër të akuzuarit për vrasje masive, ka reaguar në seancën e djeshme, duke u kërkuar përfaqësuesve të akuzës të mos përdorin më termin “demontim armësh”. Sipas tij, forcat e ushtrisë nuk kanë çuar asnjëherë armë në Gërdec, por vetëm municione dhe për këtë arsye, përfaqësuesit e akuzës duhet të bëjnë kujdes me përdorimin e termave, pasi po thonë gjëra të pavërteta. “Dua të deklaroj me përgjegjësi të plotë, se forcat e ushtrisë nuk kanë çuar asnjëherë armë në fabrikë, por vetëm municione. Dhe përsa i përket termit “çmilitarizim”, ky proces nuk kryhet nga ushtria, por nga ana e shtetit”, – tha Ngjeçi.