Për botëkuptimin islamik nuk ka vend në këtë Europë!

1
33

Nga Gilman Bakalli, 09 Janar 2015

Çdo individ, pavarësisht racës apo fesë që i përket, mund të ndjehet në Europë si në shtëpinë e tij, me kusht që të pranojë vlerat perëndimore të civilizimit europian. Këto vlera janë fituar përmes një beteje të ashpër disashekullore midis shtetit dhe fesë, midis individit dhe shoqërisë, midis filozofisë, shkencës, artit dhe besimit. Thelbi i iluminizmit europian është liria e individit, e cila nënkupton, mes të tjerash, edhe lirinë për të kritikuar traditën dhe për të zgjedhur një formë të ndryshme jetese nga ajo që propozon kolektivi. Kjo liri është paguar shpesh me jetë. Në emër të kësaj lirie u masakruan edhe gazetarët satirikë të “Charlie Hebdo”.

Pikërisht para kësaj lirie, Islami si botëkuptim dhe ide civilizuese shkërmoqet përfundimisht. Pikërisht për shkak të dështimit të tij para idesë së lirisë, ky Islam nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe. Sepse europianët nuk janë të gatshëm të heqin dorë kollaj nga ideja e kësaj lirie. Siç e dëshmon kuraja e gazetarëve të “Charlie Hebdo”.

Islami si botëkuptim nuk ka vend në këtë Europë, sepse ai nuk dëshiron t’i shohë fenë, kulturën, shoqërinë dhe politikën si të ndara nga njëra-tjetra, por kërkon me forcë unitetin e tyre. Kjo ide unifikuese nuk është e re. Si judaizmi ashtu edhe krishterimi e njohin idenë e unifikimit të shtetit me fenë nën flamurin e besimit fetar. Vetëm se Europa, përmes një beteje të gjatë e të përgjakshme, ia ka dalë të çlirohet nga ideja e superfuqisë fetare. Për këtë arsye, Islami si botëkuptim nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe, sepse ai vë besimin mbi shkencën, nuk njeh periudhë reformatore, nuk e ka kaluar atë betejën e ashpër e të dhimbshme midis filozofisë, shkencës dhe kishës.

Me gjithë tolerancën kundrejt besimeve fetare, civilizimi europian nuk mund ta pranojë superioritetin e besimit ndaj filozofisë, shkencës dhe artit. Prandaj Islami si botëkuptim nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe, sepse në thelb s’ka arritur ta ndajë politikën nga feja. Pavarësisht Ataturkut. Islami mbetet një teologji politike, në thelb të të cilit mbetet ideja zanafillore e Sundimtarit të Botës.

Ky Islam nuk mund të jetë europian, sepse vendos kolektivin mbi individin, nuk është i gatshëm ta mbrojë individin nga kolektivi, përbuz të drejtat e pakicave dhe mbahet fort pas idesë së superioritetit mashkullor. S’ka burrë ta mohojë faktin e padiskutueshëm se pjesë e këtij botëkuptimi është inferioriteti i gruas.

Ky Islam nuk mund t’i përkasë Europës, sepse ai nuk pranon të kritikohet, sepse herezinë e ndëshkon si krimin më të rëndë, sepse, në praktikë, nuk është i aftë të tolerojë “të ndryshmen”, sepse, në fund të fundit, Islami nuk mjaftohet të jetë thjesht një vokacion fetar.

Duhet të dallojmë qartë midis islamit si fe dhe si civilizim. Ky Islam nuk mjaftohet thjesht si një vokacion fetar, por rrezikon civilizimin sekularist europian me projektin imagjinar të një civilizimi islamik. Europa, besoj unë, nuk është e gatshme ta tolerojë këtë projekt. Rezistenca kurajoze e gazetarëve satirikë të “Charlie Hebdo” e dëshmon këtë.

Duhet theksuar fort dhe qartë në debatin publik, se nuk bëhet fjalë për fenë; gjithsecili prej nesh është i lirë ta ushtrojë besimin e tij fetar. Çështja është se çfarë është në gjendje aktualisht të na ofrojë botëkuptimi islamik. Cilin civilizim na propozon ai? Cilin sistem të së drejtës? Cilin rend publik? Cilin sistem arsimor? Çfarë infrastrukture? Cilat përgjigje ndaj të drejtave të minoriteteve dhe problemeve ekologjike na ofron? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve ndajnë civilizimin nga prapambetja dhe barbaria. Kudo ku këto 600 vitet e fundit Islami ka patur ndikim “civilizues”, ka mbjellë (dhe korrur) analfabetizëm dhe prapambetje. Si botëkuptim civilizues, Islami ka dështuar totalisht. Aktualisht, ai nuk mund të konsiderohet si trashëgimi shpirtërore, por thjesht si opium për popujt.

1 COMMENT

  1. Një shkrim me vlerë si shumë shkrime të Gilmanit!
    Shqipëria është kapur peng nga islami. Shqiptarët duhet të zgjedhin në mes islamit dhe Evropës, ose, ose. Nuk ka me islam jo-tolerant dhe imponues të marrisë as zhvillim të vendit e as integrim në Evropë. Për shkak të pushtimit turk dhe fesë islame kemi mbetur njëri nga kombet më të rrënuara në Evropë dhe nuk ka gjasa të zhvillohemi si të tjerët, për aq kohë sa i japim kaq shumë vend fesë islame! Një popull i paditur, injorant, që nuk është në gjendje as të zgjedhë se çfarë i duhet e i shërben, është i destinuar të mbesë prapa të tjerëve në zhvillim! Kjo është arsyeja pse jemi në këto kushte si shqiptarë! Mos u habisni, si ne janë shumica e vendeve islame. Ndonëse kjo komentohet sikur, nuk e ka fajin islami!

Comments are closed.