8 janar 2015
PARIS: Ismail Kadare
Shkrimtari më famë botërore, Ismail Kadare, ka folur shkurt, pas atentatit që ka ndodhur në Paris, me ç’rast kanë mbetur të paktën 12 të vdekur e disa të plagosur.
Në një bisedë ekskluzive për Gazetën Express, Kadare ka thënë se populli shqiptar s’duhet të vuajë më nga komplekset e identitetit të dyfishtë dhe as të ndihet përgjegjës për veprimet e të tjerëve.
Sipas tij, shqiptarët identifikohen dhe janë europianë me rrënjë, gjuhë e histori.
“Është një komb i vetëdijshëm, është një komb me identiteti europian, ka lindur në kontinentin europian, midis qytetërimit europian. Është në gjuhë, kulturë, mentalitet e kujtime kombëtare europian. Kombi shqiptar s’ka pse të vuajë nga komplekset e identiteti të dyfishtë”, ka thënë Kadare, për Gazetën Express, të enjten.
“Kombi shqiptar duhet të bindet se është europian dhe s’ka të bëjë me këto. Është europian, ka rrënjë europiane, ka histori europiane, ka kulturë europiane, ka kujtesë europiane, ka gjuhë europiane. Kjo është. Asgjë tjetër”, ka shtuar ai.
Kombi shqiptar duhet të bindet se është europian dhe s’katë bëjë me këto. Është europian, ka rrënjë europiane, ka histori europiane, ka kulturë europiane, ka kujtesë europiane, ka gjuhë europiane. Kjo është. Asgjë tjetër
Shkrimtari më i përkthyer shqiptar, në më shumë se 45 gjuhë të huaja, disa herë është përfshirë në debate sa i përket identitetit të shqiptarëve dhe ndikimin e Turqisë në Shqipëri e Kosovë.
Kadare në paraqitjen e fundit kishte kritikuar deputetë, udhëheqës të Shtetit për tjetërsim të identietit të shqiptarëve.
“Dhe pyetja: ç’po ndodh? është e natyrshme”, ka shkruar Kadare, në librin “Mëngjeset në kafe Rostand“.
Në të njëjtin libër shkruan edhe: “Në 620-vjetorin e Luftës së Kosovës, një deputet nga parlamenti e shpall Gjergj Kastriotin vrasës të myslimanëve, pra tradhtar të kombit. Kryeqyteti tjetër Tirana shpallet i themeluar nga një oficer osman. Në një xhami të Kosovës kryeministri turk lëshon thirrjen “Kosova është Turqi”. Së fundi, qershia mbi tortë, vijnë lajmet për shqiptarët e rekrutuar nga qendrat terroriste për të luftuar si xhihadist në Siri. Të dy krahët, njëri qetësues (gjëra të rastit marrëzira qe s’duhen marrë seriozisht) tjetri alarmues (ç’gjëra të rastit, ky është fundi i botës), e shoqërojnë pa pushim këtë mishmash. Ka gjasë që të dy teprojnë, çka është gjithmonë më e lehtë në gadishullin tonë. Megjithatë, zhurma nuk është pa gjë”.