Kopliku, si shumë qyteza të Shqipërisë, dalin rrallë në lajme. Dhe kur dalin, kjo ndodh sepse: ka ndodhur një vrasje, ose një udhëheqës politik nga Tirana ka marrë mundimin ta vizitojë duke marrë me vete edhe shpurën e zakonshme të kameramanëve dhe gazetarëve.
Kopliku është një qytezë ku fëmijët duket se rriten shpejt, martohen pa mbaruar gjimnazin ose emigrojnë. Dhe përreth gjimnazit të qytetit duket se zhvillohet e gjithë jeta sociale, ose ajo pjesë e jetës sociale që përfshin “kontaktet” djem – vajza. “Kontaktet” në thonjëza për shkak se bëhet fjalë për shkëmbim shikimesh.
Zamira, mësuese prej vitesh tregon se shpesh nënat i sjellin vajzat në shkollë më shpresën se do të kenë mundësi të njohin ndonjë djalë me të cilin të ndajnë jetën. Dhe është e vërtetë. Kur hedhim sytë jashtë oborrit të shkollës shohin djem të shumtë të cilët qëndrojnë, duke biseduar më njëri-tjetrin, derisa vajza që ndonjëri prej tyre pëlqen të kalojë. Kjo është mundësia e vetme që ata mund të shkëmbejnë ndonjë shikim apo fjalë mes tyre. Vetëm brenda klasavetë shkollës së mesme të Koplikut, vajzat dhe djemtë mund të qëndrojnë e të flasin lirshëm bashkë.
Pjesa tjetër e jetës sociale është e ndarë. Djemtë në bilardo ose kafene, ose në të gjithëpërhapurat dyqane bixhozi. Vajzat qëndrojnë në shtëpi.
Në këtë qytet, rregulli i pashkruar është që vajzat nuk dalin dot nga shtëpia “të pashoqëruara”. Dhe shoqërimi nënkupton gjithmonë një mashkull të familjes.
Arsyet mund të interpretohen si çështje mentaliteti, por duket se janë edhe çështje praktike të sigurisë dhe mungesës së zbatimit të ligjit.
Mirela dhe Albina, janë nxënëse të vitit të dytë të shkollës së mesme “Sherif Hoxha”. Janë vajza plot jetë e me dëshirë për të qenë njësoj si bashkëmoshataret e tyre nëpër botë.
Mirela tregon se nuk kishte mundur të kryente një prej detyrave të shkollës, pasi i duhej të lëvizte e vetme në disa zona të qytetit për të bërë disa fotografi. Babai i saj e kishte ndaluar që ajo të lëvizte e vetme, pasi nuk ishte mirë as për vajzën as për të. Gjithsesi, ai dha leje që vajza të dilte në rrugë nën shoqërinë e mësueses dhe meje. Dhe këtu zbuluam se sa praktike është ndalimi i qarkullimit për vajzat.
Ajo shëtitje e shkurtër në rrugët e qytetit qe një eksperiencë më vete. Një makinë “të fortish” të qytetit me disa djem brenda e pa të arsyeshme të ecte krahas tri femrave të vetme në rrugë. Ata hodhën një pafundësi ngacmimesh seksuale dhe nuk na u shqitën pavarësisht se çfarë reagimi apo mosreagimi morën prej nesh. Në një situatë normale ngacmime të tilla duhej të konsideroheshin vepër penale e të përndiqeshin nga policia. Por për momentin, diçka e tillë është e pakuptueshme nga autoriteti shtetëror. Dhe kjo po, ka gjasa të jetë çështje mentaliteti.
Autoriteti i policit për momentin nuk duket gjëkundi. Gangsterë që kanë efektivisht nën kontroll rrugët e një qyteze e bëjnë jetën normale të pamundur për një vajzë adoleshente. E vetmja gjë që mund ta ndalojë një situatë të tillë është prania e një “mashkulli shoqërues”. Dhe këtu mbërrijmë te kanuni. Gangsterët lokalë duket se nuk kanë shumë frikë policinë por kanë frikë gjakmarrjen. Kodin zakonor që e bën të lehtë ruajtjen e dinjitetit të njeriut (qoftë kjo edhe të drejtën e një vajze adoleshente për të ecur në rrugë pa rënë pre e ngacmimeve seksuale të padëshirueshme), në kushtet kur kodi penal duket se nuk ndihmon shumë për sa kohë shteti nuk ka forcën apo vullnetin për ta zbatuar.
Ndaj izolimi është zgjidhja me e mirë në raste të tilla për shumë familje që kanë vajza, të cilat mesa duket, problemin e zgjidhin duke i gjetur vajzave burra për martesë dhe… rrjedhimisht për shoqërues në rrugë si garanci për mbrojtje nga gangsterët lokalë.
Shqetësimi i madh i familjeve është se vajza mund të cenohet, sulmohet apo dashurohet me ndonjë të gangster, i cili mund ta marri në qafë.
Por për vajzën… Për dëshirat, ndjenjat të drejtat e saj të shtypura me forcë kush pyet… Mesa duket askush… ato ajo duhet t’i mbylli brenda saj…
BIRN
E lexova dhe e rilexova kete shkrim! As une s’e di pse! Po me terhoqi nji e vertet e pa kontestuesheme e ketij shkrimi real, po nji realitet qe duhet shqetesojë mendjet e shendoshta. Kopliku dhe rrethinat e Koplikut kane nji histori shekullore, dikujt i leverdis ta mbulojë me nji çarçaf kete histori te Koplikaseve te vjeter dhe te sotem.
Shkrimi le te jete fillimi i nji realiteti, te gjithe intelektualet ta pasqyrojnë vertetesinë e Koplikut dhe te Koplikaseve.
Gjin Musa
Comments are closed.