Mungesa e madhe

0
27

Nga Beqë Cufaj, 12 Nëntor 2011

Panairi i Librit në Tiranë, tashmë ka marrë epitetin e të qenit kryesori dhe më i rëndësishmi ndër shqiptarë. Sivjet, sidmos sivjet në pah doli një trend dhe nëse doni edhe modë që pos shkrimtarëve në skenë dhe me këtë edhe treg me botimet dhe librat e tyre të shfaqen autorë që shkruajnë “non-fiction”.

Pra, libra me tematikë që nuk është letrare. Autorë fushash të ndryshme përmes ‘belles-letres’ duan të depërtojnë te një shtresë shumë e veçantë, shumë e shtrenjtë lexuesish, të cilët nesër pasnesër do t’u hyjnë në punët si leva në përfytyrimet e tyre të historisë, politikës, medias, ekonomisë e çka jo tjetër.

Vazhdoj t’i qëndroj besnik mendimit që këtu nuk ka asgjë të keqe. Edhe kur histeria mediale herë më me dashamirësi e herë pa të, i përcjell këto ngjarje. Kryesorja: lexohet dhe flitet për libra e nuk përshpëriten e përtypen broçkulla që e kanë lodhur mikrokosmosin shqiptar që dekada e dekada me radhë. Tekefundit – më mirë të dëgjohen e shikohen gjëra që kanë të bëjnë me librin sesa aso që lidhen me gjinjtë a brekët e një “VIP”-i big-brother-ian.

Por, më e rëndësishmja në këtë fenomenin e këtij Panairi, t’i themi promovues, është që s’kemi të bëjmë me asgjë përjashtuese nga vende e popuj, kultura e kombe të mëdha e të fuqishme të fshatit global. Edhe në Gjermani, Francë, Britani, Amerikë apo rajone gjuhësore të mëdha gjithmonë shënohet dhe emetohet si ngjarje e madhe kur një politikan shkruan libër (që vyen diçka, kuptohet) por edhe kur për një të tillë po ashtu botohet libër. Të mos flasim këtu për formën e memoareve apo dialogëve…

Fakti se shkrimtarët shqiptarë, ata të mirëfilltit pra ose që provojnë ta mbajnë veten të tillë, që nuk kanë mundësinë dhe shkathtësinë e pushtimit të ekraneve televizive apo shtyllave të gazetave me librat e tyre, do të duhej të (vetë)ngushëllohen me një të përbashkët të madhe me kolegët e tyre gjithandej në botë. Janë të pakët, për t’u numëruar me gishta autorët francezë apo gjermanë, amerikanë apo spanjollë, që arrijnë të katapultohen në ekrane televizive me botimet e tyre në fushën e “fiction”.

Tekefundit, letërsia e mirëfilltë, ajo e madhja dhe e thella, ka diçka misterioze, elitare, periferike në vete – dhe nuk është e preferueshme për barkun e çdo lexuesi (edhe një ngushëllim ky? Ndoshta).

Gjithesi, një mungesë, do të merrja guximin bile ta quaja mungesë e madhe, është mosprania e të huajve edhe në këtë Panair ndërshqiptar – në Shqipëri por edhe në Kosovë, kur mbahet.

Tashmë tradita e moskomunikimit apo keqkomunikimit të letrave shqipe me letërsi dhe libra, autorë e botuesë, gjuhë e kultura të mëdha të Europës dhe botës (edhe) në këtë Panair do të duhej të na bënte të shtrojmë pyetjen sa të dhembshme aq edhe reale: jemi apo nuk jemi pjesë e kulturës europiane dhe perëndimore?! Sepse nuk arsyetohet me asgjë – më së paku me mungesa fondesh, që të vazhdohet tradita e pështirosur e vetkënaqësisë që u mblodhëm edhe këso radhe dhe festuam librin e autorët në mënyrë që të njëjtën gjë ta bëjmë edhe vitin që vjen.

Do të ishte guxim marroç ta them(i) a gjej(më) fajtorin për këtë vetizolim por fakt është që shqiptarët dhe sidomos titullarët e tyre të të krejt fushave që kanë të bëjnë me librin dhe kulturën përgjithësisht, ende nuk e kanë kuptuar mosfuqinë e këtij kombi të vogël në shumë e shumë fusha të politikës, prodhimit, ekonomisë e financave… dhe përparësinë që shkëmbimi pikërisht kulturor do të mund të ofronte për promovim letërsie e kulture, historie e gjeografie.

Doni një shembull? Fqinjët serbë këtë vit në Panairin e Librit në Leipzig, kanë promovuar as më pak e as më shumë se 53 tituj në gjuhën gjermane dhe me vete kishin marrë më shumë se 30 autorë. Po serbët, kanë fonde prej më shumë se 1 milion eurosh për përkrahjen e përkthimit të letërsive të huaja në gjuhën serbe.

Në Panairin e Librit në Beograd, të posakryer të ftuar kanë qenë më shumë se 23 autorë të Portugalisë, Brazilit dhe këtij rajoni gjuhësor, etj. etj. Të mos flasim këtu për kroatët e boshnjakët dhe nëse doni edhe maqedonasit e malazeztë. E për të shkuar tek austriakë a zviceranë, as që ia vlen.

Kësaj pune duhet nisur dikush dhe disi. Kush dhe si… Nuk e kam idenë. Por normalisht nuk është ky izolim dhe kjo vetëkënaqësi, e cila na bën kampion provincializmi në Gadishull…

Ndoshta si një ide do të ishte po qe se njeriu, në këtë rast shoqatat e shumta të botuesve ndër shqiptarë, ta shfrytëzonin këtë fenomen dhe politikanëve, sidomos politikanëve që kohët e fundit kanë “zbuluar” librin edhe si një armë të re për politikën, t’u bëjnë oferta e joshje por edhe projekte e propozime sesi të ndahen fonde shumë më të mëdha për përkthime librash të autorëve të huaj apo përkrahje të përkthimeve të librave të autorëve shqiptarë, pastaj që të krijohen rrjete letrare e kulturore ndërkombëtare, shtëpi për shkrimtarë e përkthyes nga rajoni, Europa e bota… gjëra të cilat të gjithë të tjerët i kanë. Vetëm ne – jo. E deri atëherë: mirupafshim në panairet tjera.