LIKUIDIMI I UDHËHEQËSVE FETARË NË ULQIN (1944-1946)

0
25

Me rastin e 70-vjetorit të krimeve të komunistëve në Ulqin

Dr. Nail Draga

Trajtimi i ngjarjeve dhe personalitetëve që ka të bëj me kohën e Luftës së Dytë Botërore ne lidhje mbi qytetin e Ulqinit dhe të rrethinës së tij paraqet një inspirim të veçantë për çdo individ dhe studiues. E dhëna se nga viti 1941-1944 tokat shqiptare iu bashkangjiten shtetit amë Shqipërisë dhe këtu u vendos administrata dhe pushteti shqiptar me tërë mekanizmin qeverisës paraqiste një sfidë për popullsinë vendore. Por, kjo periudhë kohore ndonse e shkurtër e cila njihet si koha e Shqipnisë është e mbushur me momente dhe ngjarje interesante të cilat deri më tash janë hulumtuar shumë pak. Andaj me ketë rast do të trajtojmë në mënyrë të veçantë rolin e dy figurave fetare si dhe likuidimin e tyre nga komunistët me vendosjen e pushtetit të tyre nga muaji nëntor i vitit 1944.

1. Hafiz Hasan Llunji

Hasan Llunji, i biri i Alushit, myfti dhe myderriz i qytetit, lindi në Ulqin. Ka dy data, vitet 1897 dhe 1900. U rrit dhe u formua në një familje arsimdashëse dhe përparimtare. Ne moshën 13-vjeçare kryen hafizllekun-merr thirrjen hafiz, ndërsa diploma e ti, e lëshuar në vitin 1916/17, dëshmon se ai kreu shkollën dyvjeçare kroate-shqipe të Ulqinit. Më tej dëshironte të vazhdonte shkollimin në mederesenë e Sarajevës. Nga të parët e tij trashëgoj një bibliotekë të pasur me literaturë sa fetare dhe artistike me alfabet arabo-osman. Pasi kreu kualifikimet shkollore, bëri njohuri solide nga lëmi së drejtës trashëgimore të sheriatit. Në këtë lëmë u diplomua dhe u specializua në Shkodër te Sabri Begu, atëbotë kryemyfti i Shkodrës.Gjatë shërbimit në vise të ndryshme si mësues i fesë, ofiçar, myderriz dhe myfti, ka qenë pajtues në disa revista që botoheshin në Sarajevë, në Shkup e sidomos çmonte lart revistën “Zani i naltë” që botohej në Shkodër. Nga ajo revistë informohej për të arriturat e ndryshme në fushëveprimin e tij sidomos për veprimtarinë e shumë emrave të dëgjuar të kulturës dhe të së kaluarës sonë kombëtare.

Gjatë veprimtarisë dhe shërbimit hafiz Hasan Llunji ka shërbyer ne disa vende nga viti 1918-1944. Ka shërbyer në Ulqin, në Krajë, në Anë të Malit, në rrethinat e Tivarit dhe të Tuzit. Ai nuk ka mundur për të qendruar imun ndaj disa dukurive antikombëtare që organizonte pushteti i kohës në Mbretërinë SKS. Kështu në pranverë të viteve 30-ta në Ulqin flitej së do te vinin disa anije turke për të marrë familjet ulqinake të cilat nga skamja ekonomike dhe shtypja nacionale bëhëshin gati për ta lëshuar Ulqinin e për të emigruar në Turqi. Ndaj një veprimi të tillë të strukturave të pushtetit që si qellim kishin shpërnguljen e shqiptarëve nga ky qytet me plot guxim reagoi hafiz Hasan Llunji, duke i bindur bashkëqytetarët e tij për te mos e lëshuar Ulqinin. Nga një qendrim i tillë ai ishte në shënjestër të pushtetit dhe u detyru për një kohë ta lëshojë Ulqinin dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, por po ashtu ka qendruar edhe në Durrës, ku pati takime edhe me Mujo Ulqinakun.

Njohja me dom Nikollë Tushën

Sipas shënimeve dhe dëshmive të njërëzve që e kanë njohur dom Nikollën dhe hafiz Hasanin, këto personalitete të ndritura fetare dhe patriotike, që vepronin në Ulqin, për herë të parë ishin njohur në vitin 1927 në fshatin Salç. Në atë kohë hasani sipas dokumenteve, Hasani kishte qenë mësues i fesë së fëmijëve shqiptarë në shkollën serbe të kohës. Por, ne ketë kohë në Salç kishte ardhur për të shërbyer edhe dom Nikollë Tusha. Që të dy kishin një bashkëpunim të admirueshëm që u bënë shëmbull edhe për qytetarët e zakonshëm. Të dy së bashku perveç së ishin në shërbim fetar me disa patriot të Ulqinit vazhduan aktivitetin kombëtar.

Me vendosjen e pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Ulqin në prill 1941 këto udhëheqes fetarë së bashku me disa atëdhetarë të tjerë iu bashkuan Mustafë Alibegut figurë e njohur atdhetare nga Ulqini i cili ne popull njihej me emrin Cafo Begu. Familja Alibegu, me tradita detare dhe tregtare, ishte me orientime të qarta kombëtare. Kjo familje ka dhënë kontribut të madh, sa në fushën kombëtare at edhe në atë arsimore, në lqin dhe më gjërë. Ai së pari ishte detar, pastaj tregtar dhe anëtar i disa partive, me kohë edhe kryetari i komunës së Ulqinit.

Ne kohën e Karagjorgjeviqëve ishte kryetar shumëvjeçar i komunës së Ulqinit, senator në oborrin mbretëror dhe deputet. Gjatë LDB, Cafo Begu ishte sërish kryetar komune në Ulqin, pastaj deputet e më vonë përfaqësues i shqiptarëve të Malit të Zi në parlamentin shqiptar. Ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës të udhëhequr nga Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, lef Nosi, me kryetar Rexhep Mitrovica. Ne ketë staf ai do ta lidhë aktivitetin në Ulqin, gjithnjë i ndihmuar nga shokët e tij dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë: dom Nikollë Tusha, hafiz Hasan Llunji e shumë të tjerë.

Tokat shqiptare i bashkohen shtetit amë Shqipërisë (1941-1944)

Fillimi i Luftës së Dytë Botërore solli ndryshime edhe ne hartën politike të ballkanit. Kështu pushtuesit e rinjë italian u angazhuan për të përmirësuar gabimin e mëparshëm duke ia bashkangjitur tokat etnike shqiptare nën Mal të Zi shtetit shqiptarë te kohës nga muaji prill i vitit 1941. Një veprim i tillë ishte një surprizë e këndshmë jo vetëm për dom Nikollen dhe hafiz Hasanin dhe Cafo Begun por për të gjithë popullin shqiptarë.

Ne rrethana të reja politike dhe shoqërore nga viti 1941-44 Ulqini ishte nënprefekturë e Shkodrës. Nënprefekt ishte Luigj Lufi, me origjinë nga Mirëdita i cili kishte te kryer fakultetin e historisë, ku përveç gjuhës amtare dinte edhe tre gjuhë të huaja. Truproje e tij ka qenë Rrok Shkreli. Zyrat e nënprefekturës kanë qenë afër Ranës në shtepinë e Bidin Selitës ku është sot pushimorja e pensionerëve. Gjatë kësaj kohe ne Ulqin për të parën herë vendoset administrata në gjuhën shqipe, hapet shkolla shqipe “Skënderbe” me arsmitarë vendas por shumica ishin nga Shkodra ndërsa drejtori i saj ishte shkodrani Jahja Domnori. Ne qytet ka funksionuar edhe gjykata, xhandarmëria, ushtria ku të gjithë ishin shqiptarë. Komandanti i qytetit të Ulqinit ishte Gjon Zefi Ivanaj.

Ne rrethana te reja ne një shtet të ri këtyre dy figurave të nderuara fetare në pranverën e vitit 1941, iu bashkohen edhe qytetarët vendas si Selë Lamoja, Cuf Brahushi, Hodo Alibegu, Rifat Alibegu, Riza Sula, Tahir Nikeziqi e shumë të tjerë. Nuk ka dilemë se ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar me 14.6.1941 paraqet ditën dhe datën me të shënjtë për popullin shqiptarë ne krahinen e Ulqinit. Atë ditë u mblodhen para kishës së Shën Zefit(Mal të Bardhë) rreth 5000 qytetarë pa dallim feje e krahine.

Ja si përshkruan ketë moment historik Rrok Shkreli: ”Atë ditë ishte mbledhur popull i madh nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Shestani… Erdhen edhe krerët e iu bashkuan popullit, dom Nikollë Tusha, Cafo Begu, dom Ivo Bellashi, hoxhë Llunja, Lush Paloka, Dedë Gjo Nikë Delija, Selë Lamoja me të birin Elezin, Rexhep Dollari e shumë ulqinakë me ta.Së pari ka mbajtur një fjalim të fuqishëm atdhetari dom Nikolla, pastaj ka folur Cafo Begu e ne fund dom Ivo Bellashi në kroatisht pasi ishte kroat…Pas kësaj kemi kërkuar një shkallë për të hypur në kompanjel të kishës, shkallën e ka sjellur Kolë Lucë Ndoja që asokohe iu binte kambanave të kishës. Flamurin e kishte dom Nikollë Tusha, i cili ia dorëzoi Cafo Beg Ulqinit e ky ia dha Dedë Gjo Nikë Delisë; shkallët i solli dhe i mbeshteti fort për mur të kishës Kolë Lucë Ndoja, kurse Dedë Gjoni ma afroi mua shtizën e Flamurit, të cilin e valëvita disa herë në ajër e kjo ndezi zemrat e të pranishmëve, pastaj e vendosa dhe e shtërngova mirë në kompanjol.

Me rastin e ngritjes së Flamurit u ndez gazmendi liridashës e atdhetar ashtuqë të gjithë së bashku i kënduan Flamurit këto vargje:

O Flamur ti kuq e zi
po valon një bukuri
për Shqipni e për liri
në Kosovë e Çamëri
me gazmend e hijeshi
për të shtrejten këtë liri.

More djelt e Traboinit,
të Shestanit e t’ Ulqinit
banju bashkë e lutni i festë
për kufinin që u kanë hjekë,
shkoi kufini ku a kenë motit
n’ Sutorman e n’ Qafë t’ Kokotit “.

Gjatë tërë kësaj ko deri në vitin 1944 ne Ulqin edhe pse kanë pasur kërcnime dhe akuza nga qarqe të ndryshme këta dy figura fetare të nderuara ishin shëmbull me sjelljen, komunikimin dhe bashkëpunimin me popullin. Te dy dilshin vazhdimisht së bashku. Ishte kjo një shoqëri dhe tolerancë që nuk ishte ne favorin e individëve dhe qarqeve të ndryshme antishqiptare. Ata u gëzuan shumë kur ne vitin 1943 mësuan nga Cafo Begu për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ishin te bindur se ajo forcë politike dhe ushtarake do të ndikojë në realizimin e aspiratave shqiptare për bashkimin e trojeve shqiptare me shtetin amë Shqipërinë. Ne ketë drejtim ai grup veprimtarësh ulqinakë shkrinë tërë energjinë rreth organizimit të punës lidhur me formimin dhe forcimin e Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në Ulqin, në përpilimin dhe në sistemimin e dokumentacionit të tij.

Burgosja dhe pushkatimi

Bëhet më dije se më 24 nëntor 1944, Ulqinin e vërshuan njësitë lokale partizane. Me të hyrë të tyre fillojnë mënjëher ndjekjet, maltretimet, burgimet dhe vrasjet. Një pjesë e veprimtarëve nuk u gjet në Ulqin, një pjesë arratiset, e frikësuar nga hakmarrjet që tashmë ishin bërë skena të ditës, ndërsa një pjesë mbetet në Ulqin.

Ne grupin e atyre që mbeten në Ulqin ishte edhe hafiz Hasan Llunji. Natën e 26 nëntorit nga OZNA arrestohet në shtëpinë e tij dhe dërgohet ne një burg të improvizuar të tyre në Ulqin. Aty gjen edhe tre ulqinakë të tjerë të cilët i kishin burgosur më parë: Hodo beg Bushatin më të birin Ahmetin, notër i Gjykatës së Ulqinit dhe Rafo Goranën, oficier aviacioni. Këtu e turturojnë mizorisht duke iu kërcnuar me pushkatim. Kërkonin të fliste për aktivitetin dhe shokët e tij. Përkohësisht hafiz Hasanin e lëshojnë pasi nuk siguruan prova për akuzen që ia ngarkonin, por nuk vonoi shumë dhe e burgosen përsëri. Organet e OZN-ës përmes spiunëve të tyre përfundimisht realizojnë qellimin e tyre, sepse ata i detyrojnë për të mbledhur nënshkrime nga populli për gjoja krimet që ka bërë ky gjatë kohës 1941-1944. Dhe ne një gjyq të improvizuar në Ulqin, në mbeshtetje të nënshkrimeve të mbledhura, organet e OZN-ës gjoja në emër të “gjyqit të popullit” dhanë fjalen e tyre përfundimtare- deportimin e tyre në Cetinë, në vazhdimin e hetuesisë.

Ende ne varr të përbashkët

Por, me datën 15 dhjetor 1944 katër të burgosurit me duar lidhur: hafiz Hasan Llunji, Memin Resulbegu, punëtor i gjeodezisë, Caf Canka dhe Zyhdi Fici, me roje të maskuara dhe të armatosur përcilleshin gjoja drejt Cetinës që atje t’iu shqiptohej denimi përfundimtar. Dhe ne drejtim të Tivarit pranë fshatit Braticë arriten ne një kthesë ku iu ishte venë prita, ku i pushkatuan të gjithë.

Ne vendin qe sot quhet “Laku i Hoxhës” i varrosen ne një varr të përbashkët. Edhe sot janë mu ne atë vend pa asnjë shenjë dalluese, edhe pse e kanë merituar të zhvarrosen dhe të varrosen me ceremoni të veçantë.

2. Dom Nikollë Noga-Tusha

Ne sajë te të dhënave biografike që disponojmë Nikollë Noga-Tusha ka lndur në Shirokë(Shkodër) në vitin 1895. Sipas kërkesës së tij, nga kushrini dom Pjetër Noga(Tusha), mbasi kreu shkollen fillore në vendlindje u dërgu në Itali në Sarzana, ku kreu gjimnazin dhe filozofinë, ndërsa më vonë në Gjenova kreu teologjinë. Është shuguruar për meshtar në vitin 1919. Meshen e parë e tha në Genazzano tek shenjtorja e Zojës. Pasi erdhi ne Shqipëri u emëru famullitar në Dush të Pukës dhe më vonë në Qelez. Ne ketë kohë në Shqipëri u krijuan rrethana të reja shoqërore dhe politike sepse ne vitin 1924 ne pushtet vie Fan Noli i cili ne dhjetor të ati viti përmbyset nga Zogu. Ne këto rrethana së bashku me dom Gjon Gazullin organizuan opoziten popullore për rrethin e Pukës.

Largimi nga Shqipëria si kundërshtar i pushtetit

Pushtetarët e rinjë nuk e lanë të qetë sepse ai cilësohej sipas tyre kundërshtar i pushtetit andaj ndiqej nga xhandarmëria. Ne një situatë të tillë që u bë e papërballueshme nga xhandarmëria e Zogut detyrohet me lanë vendin e tij dhe gjen strehim ne Arqipeshkvinë e Tivarit. Më pas emërohet famullitar në Kllezën Poshtë(1927-1933). Por përveç së ishte famullitar ne ketë fshat ne mungesë të priftërinjëve ne vitet 1931-1934 ka administruar edhe famullin në breg të Bunës në Shëngjergj. Për kontributin e dhënë si meshtar i zellshëm nga Selia e Shenjtë në vitin 1933 i jepet titulli Imzot, latinisht “Monsinjor” në vitin 1933, që d.m.th. kapelan i Papës. Ne pragun e Luftës së Dytë Botërore, dom Nikolla shërbeu në Salç. Ne vitet 1940-1945 me shërbim ishte ne Ulqin në kishen e Shën Zefit.

Gjatë kohës së luftës ishte përkrah Cafo Begut dhe të gjitha forcave atdhetare duke përkrahur pushtetin e ri dhe bashkimin e tokave shqiptare shtetit amë Shqipërisë.
Me datën 14 qershor 1941 ishte ndër organizatorët për ngirtjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në kishën e Shën Zefit në Ulqin. Ai këtu mbajti fjalimin e rastit. Ishte ky një moment historik për ketë qytet sepse Flamuri kombëtar valvitej për herë të parë.

Ndjekja ndaj figurave kombëtare

Vendosja e pushtetit komunist ne Ulqin me 24 nëntor 1944 për figurat kombëtare ishte fatale sepse atyre iu pengonte çështja kombëtare shqiptare dhe ngirtja e kësaj vetëdije tek masa e popullit ne ketë mjedis. Andaj te ndodhur ne një situatë të tillë figurat kombëtare u detyruan të shpërndahen sepse filloi ndjekja e tyre. Kështu dom Nikolla e detyru me u largu nga Ulqini dhe u strehu te kushërini i tij në fshatin Juban afër Shkodrës. Por, as këtu nuk ishte i sigurtë sepse sigurimi shqiptarë i cili kishte bashkëpunim të ngushtë me ate jugosllav, zbuloj qendrimin e tij dhe pasi e arrestoj iu dorëzoj jugosllavëve.Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm ku shtetasi shqiptarë iu dorëzohet organeve të ndjekjës së një shteti tjetër.

Por, një veprim i tillë nuk është për çuditur sepse për pushtetarët e rinjë parësore ishte orientimi ideologjik e jo ai kombëtar.Ngjajshëm kanë vepruar edhe me Hodo Alibegun të cilin e burgosin në Shqipëri dhe e sjellin në burgun e Tivarit, ndërsa më pas të dy i sjellin në burgun e Ulqinit. Pas hetuesisë së rëndë, u mbajtë gjykimi publik në sallën e hotelit “Jadran” të Ulqinit.

Procesi gjyqësor dhe pushkatimi

Me qellim që ta komprometonin para masës, dom Nikollë Tushës, ne petk fetar, i jepej në dorë makina e shkrimit që ta barte nëpër rrugët e qytetit deri në sallën e gjykimit. Nga disa fëmijë të porositur përjetoi fyerje derisa kalonte rrugës. Gjyqi këta dy patriotë i dënoi me nga 20 vjet burg të rëndë. Pas shpalljes së denimit dom Nikollë Tusha dhe Hodo Alibegu dërgohen për të vuajtur denimin në burgun e Cetinës. Atje ne burgun Bogdanovkraj pati qendrim burrëror, por pikërisht për ketë qendrim dom Nikollë Tusha edhe pushkatohet më 4 nëntor 1946, në Bjellashka Papretina. Po ashtu janë pushkatuar edhe Hodo Alibegu nga Ulqini, Vasë Filip Mirdita nga Pistulli, Ali Beqir Bajrami nga Krytha, Merush Halil Omeri nga Krytha, Ali Veli Kalimani nga Kalimani, Lekë Maci Perkolaj, Vukë Pjetër Malaj, Gjon Zef Malaj nga Shestani etj. Ende sot nuk dihet gjë për ështrat dhe varrin e tyre.

Përfundim

Me vendosjen e pushtetit të ri te quajtur komunist nga fillimi u dëshmu se kemi të bëjmë me një sistem të diktaturës ku fillimisht filloi me ndjekjen e figurave kombëtare dhe nacionaliste e po ashtu edhe me burgosjen dhe likuidimin e tyre. Pjesëtarët e pushtetit gjatë LDB ne nënprefekturën e Ulqinit me ne krye kryetarin Cafo Begun-Alibegaj u larguan nga qyteti duke dalur ne mal e qendruar kaçakë për disa vite, ndërsa disa te tjerë u burgosen dhe u denuan me gjyqe te improvizuara me burg dhe pushkatim. Ne sajë të autoritetit që kishin dy figurat fetare te Ulqinit hafiz Hasan Llunji dhe dom Nikollë Tusha u pushkatuan.

Nuk ka dyshim se mekati i tyre nga pushteti komunist kishte të bënte me ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar ne Ulqin me 14.6.1941 si dhe ngitjen e vetëdijes kombëtare të populli shqiptar i kësaj krahine. Pushtetarët e rinjë diçka të tillë nuk mund ta përballonin sepse pushteti i tyre ishte me plot demagogji dhe se premtimet e dhëna gjatë luftës i mohuan me të përfunduar ajo. Ishte ky një mashtrim perfid dhe gënjeshtër transparente që dëshmohet me shumë argumente te kësaj kohe. Sepse pushteti i ri komunist dëshironte te mos degjohej zëri i shqiptarëve të cilët deshironin të jenë të barabartë si te tjerët, sepse atyre iu konvenonin individ anonim dhe servil ne shërbim të tyre.

Nuk ka dilemë se trajtimi kompetent i kësaj periudhe kohore meriton një qasje të veçantë sidomos për personat të cilët janë denuar, persekutuar dhe likuiduar vetëm së ishin shqiptarë dhe kishin bindjet dhe pikëpamjet e tyre politike e shoqërore.

Dhjetor 2014