Gjenovefa Myrtaj Ferrari: Atë që të thotë zemra, e shkruan dora

1
38

Intervist me Znj. Gjenovefa Myrtaj Ferrari, E CILA PREJ VITESH PUNON DHE JETON NE ITALI.
Krejt rastesisht m’u dha mundesia qe te kontaktoja me z. Gjenovefa, nji poete e etur per te shkruar ate qe ja thote zemra.
Miku im i mire, gazetari dhe poeti Ndue Lazri u be inisiator i kesaj interviste, pasi ishte dhe redaktori i librit te fundit dhe po redakton librin e radhës.

E nderuara Gjenovefa, kam nderin dhe kënaqësinë, që t’ju marrë këtë intervistë për gazetën nëlinjë “Fjala e lirë”.

1. Ku keni lindur dhe jeni rritur, çfarë ju kutjojnë vitet e femijërisë?
– Kam lindur dhe rritur në Vlorë. Vitet e fëmijërisë, si për çdo njeri jane ato më të bukurat, ku nuk mendoje hallet dhe problemet që do të krijonte jeta kur të rriteshe.
Fëmijëria ime nis edhe me leximet e mia. Midis lodrave edhe pse të varfër nuk mungonin librat. Ndaj mund të them që nisa të rritesha edhe me librat dhe jo vetëm me kukllat.

2. Ku u arsimuat? Dhe si ju lindi dëshira t’i perkushtoheni poezisë?
– Kam kryer vetëm gjimnazin në qytetin tim të mrekullueshëm Vlorë. Librat i doja deri në atë pikë sa babai im shpresonte të më shihte të dipllomuar, gjë që nuk u realizua për shkak të kushteve ekonomike të familjes. Isha unë ajo që mora vendimin të filloj të punoj dhe mos të vazhdoj studimet.
Në ato vite nuk kisha menduar kurrë të shkruaja, veç si gjithmon lexoja dhe dashuroja artin në pergjithsi. Librat nuk m’u ndanë për asnjë çast të jetës sime.
Edhe këtu ku jetoj fillova te lexoj në italisht kjo per të mësuar dhe përvetësuar sa më shumë gjuhën italiane.
Në vitin 2010 isha në atdhe dhe u takova me miq të mi të vjetër. Takimi pas kaq vitesh me ta ishte një emocion i madh për mua.
Rastësishtë gjatë bisedave që zhvilluam, njëri prej tyre më thote: Vefi duhet të nisësh të shkruash poezi… nuk i dhashë rëndësi, mendova se po bënin shaka me mua, por jo ishin shumë seriozë. Sikur poezia te ishte një triko, o një palë çorape nga ato që bëja gjithë jetën time. Po guxova…
Kështu bëra, nisa dhe shkrova, pa regulla pa patur parasysh se si krijohej një varg. Dashuroja librat ëndërroja poetët që më kishin lënë pa gjumë mbi librat e tyre, por nuk kisha menduar kurrë te ishte kaq e vështire të shkruaje. U mbushën fletoret me fjalë rreshta, i lexoja dhe i rilexoja dhe i mbyllja përsëri në sirtarët e mi.
Por këto vargje ngelën të ngujuar në fletoret e mia deri në njohjen e disa miqve në FACEBOOK. Të cilët duke lexuar shkrimet e mia, më nxitën të vazhdoj të shkruaj më shumë. Ata patëm besim tek unë duke më thëne: Duke punuar do ta regullosh dorën. Dalëngadalë fillova të mendoja seriozisht të krijoja vargje edhe pse nuk mungojne redaktorët e mi.
…Nuk pretendoj të më quajnë poete, përkundrazi më jep bezdi kur ma thonë… Por dashuroj poezinë ashtu siç dashuroj artin në përgjithësi.

3. Ju jeni e martuar, një bashkëshorte e mirë, një nane shembullore, çfarë eshte familja për ju?
– Këtu në Itali kam krijuar një familje të dytë, (një rilindje për mua) familja është gjithçka kur ajo është e fortë dhe e pandarë siç është kjo e imja këtu në Itali. Kam dy femijë të mrekullueshëm dhe jam shumë e kënaqur prej tyre, dhe një bashkëshort që më mbështet kudo dhe gjithmonë.

4. Kur keni mërguar nga Shqipëria dhe ku u vendoset fillimisht, sa arritet te pershtateshit me jetën italiane?
– Në Itali kam ardhur në Janar të vitin 1995. Ishte vëllai im i madh që tërhoqi pothuajse gjithë familjen time këtu, përveç prindërve të mi. Ata nuk donin të vinin në fillim, por me vonë filluan edhe ata të vinin duke ndenjur derisa mërziteshin. Kërkonin tokën e tyre (për më tepër kërkonin të ishin sa me afër djalit, vëllait tim që nuk jetonte më).
Jeta në Itali edhe pse vëllai na sistemoi menjëherë në punë, ishte e vështirë.
Njohja e menjëhershme me burrin që kam sot ma lehtesoi mallin dhe nostalgjinë për atdheun edhe pse qënka një mall që nuk u shuoka kurrë.
Jeta e qetë familjare, martesa, sistemimi i fëmijve, mbarvajtja e tyre bëri që të ndihesha si në shtëpinë time. Jam e qetë, për mos të thene e lumtur, sepse lumturia janë vetëm çaste të jetës dhe jo jeta.

5. Ju keni botuar disa libra me poezi ! Si ju lindi ideja qe ne emigracion, krahas punve te dites dhe ngarkeses tuaj si amvisë e familjes, gjetët kohe per doreshkrime në gjininë e poezisë?
– Siç ju thashe edhe më lartë, ishin miqtë që më nxitën të shkruaj. Herë them se më kanë futur në një qorrsokak, herë them se qënka bukur të shkruash. Kjo ndodh kur derdh diçka të bukur në rresht dhe anasjelltas ndjen zhgënjim kur vargu të del skarco.

6. Sa ju ka mbeshtetur bashkeshorti i juaj, dhe si jeni ndjere kur ne dore ke marre botimin e pare, mundin dhe djersen tënde krijuese?
– Bashkëshorti im është entuziast për librat, por është i pari që ka ndjerë zhgënjimim kur ka vërtetuar se si trajtohemi nga shtëpit botuese.
7. Si je ndjere me redaktorin, mikun tim te mire, gazetarin dhe poetin Ndue Lazri, si u lidhët me të? Rastesia apo… kete mundesh te na spjegosh ti e nderuar?
– Me Nduen u njohën në FB. Isha unë ajo që i kërkova ndihmë, u tregua shumë i gatshëm dhe jam shumë e kënaqur nga redaktimet e tij. Miqësia me Ndue Lazrin është një miqësi që vazhdon edhe jashtë FB-ut.

8. Sa ju ka mbeshtetur opinioni publik ne prezantimet e librave tuaj, nji pyetje direkte, i keni perballuar vete botimet apo keni patur ndonji sponsor?
– Librat e mi të parë i prezantova në qytetin tim të lindjes Vlorë. Mbeta shumë e kënaqur nga mikpritja e bashkëqytetarëve dhe poetëve të KLUBIT PETRO MARKO, që mori përsiper promovimin e librave të mi, dhe i falenderoj edhe në këto momente që po flas me ju.
Përsa i përket sponsorve, duhet të falenderoj familjen time dhe në veçanti fëmijët e mi. Janë ata që paguajë librat e mi.

9. Si ndiheni me miqte e tjere poetë, si jane maredheniet tuaja me ta?
Nuk kam pasur kurrë probleme me poetët që njoh, përkundrazi kam raporte shumë të mira me ta, respektojmë njëri tjetrin. Më japin kurajo dhe kjo është nxitje për mua, sepse nuk është e lehtë të nisësh e të shkruash në moshën, të themi jo shkollore por në prag të pensionit.
10. Cilet jane poetet e tu te preferuar?
Mos më pyet për poetët që janë edhe miqtë e mi këtu në FB? Poetët e mi të preferuar janë shumë do përmënd dy, një nga veriu dhe një nga jugu. MILLOSHI (MIGJENI) dhe FATOS ARAPI.

11. Cilat jane objektivat tuaja ne te ardhmen? Sa jeni perkrahur nga shteti shqiptar? Ju mungon vendlindja? Si e parashikoni te ardhmen e Shqipërisë?
Objektivat e mia janë të vazhdoj të shkruaj me sa të mundem.
Shteti shqiptar nuk mbështet poetët e komfirmuar, dhe nuk pyet për fillestarët.
Sigurisht që më mungon atdheu, por familja ime është këtu dhe kjo më detyron të shkoj shumë rallë në atdhe.
E ardhmja e Shqipërisë është dhe do të mbetet ajo ëndërr që kanë pasur emigrantët e parë, duke filluar nga rilindasit dhe deri tek fëmija që lind sot, ta shohim sa më të begatë. Sepse Shqipëria është vëndi më i bukur në botë.

Duke te falenderuar perzemersisht per kete intervist do te doja dy nga krijimet tuaja ma te perzemerta per ty, ti botonim ne vazhdimesin e kesaj interviste, uroj qe te takohemi ne intervista dhe pronovime te reja.

Intervistoi: GJIN MUSA.

Poezi në YouTube


Gjenovefa Myrtaj-Ferrari POEZI “Sa te desha”

SA TË DESHA TY!

Kur dritën e hënës të shikosh ca çaste,
Ti natyrisht do të ndjesh mall për mua.
Në gjirin tënd do t’i flas gjithë asaj nate,
Duke të thënë ty shpirt, sa shumë të dua.

Dhe nesër kur ti të jesh vetëm përsëri,
Kur rrezet të puthin ëmbëlsisht në ballë,
Ti prapë mendo mua të më kesh në gji,
Dhe unë të të pëshpërit ty vetëm mall.

Me dritën e mëngjesit do vij si e marrë,
Të strukem në shpirtin tënd të rri pak.
Të ndizem me ty, të të përvëloj zjarr,
Dhe në heshtje të skuqem të digjem flakë.

Nga do të shkosh, në çdo udhë sigurisht,
Mall kur të ndjesh për mua, mos harro.
Mos u lodh të kërkosh me merak të trishtë,
Se unë aty, jam me ty kudo, të ndjek kudo.

Ditë qoftë, a natë, do të vij tek ti o shpirt,
Sa herë ti të ndjesh mall e zjarr për mua.
Se ti ma ndeze shpirtin, ma bëre dritë,
Dhe unë të desha, të desha si asnjë grua!

SHKËMBI DHE VALA

Shkëmbi gjithmonë aty kish qenë,
Krenar, i heshtur dhe krejt pa faj.
Vala që derdhej më tej si një hënë,
E mbulonte atë me shkumën e saj

Një ditë vala i tha atij :Të dua!
Dhe eja më mua bashkë në thellësi,
Të të përqafoj, të puthesh me mua,
E të bëjmë përjetësisht dashuri”.

Shkëmbi i besoj asaj e shkoi me të,
E kurrë nuk u duk, ngeli atje tutje.
Qysh atëherë ata përqafuar, pa zë,
Buzë më buzë, humbën pa lutje.

Gjenovefa Myrtaj Ferrari

NË KUJTIMIN TËND

(profesor DANIEL GAZULLI)

Në mendje ty dhe loti ndihet keq,
Duke kërkuar të dijë sekretin tim.
Dhe nuk e mohoj, të kujtoj shpesh,
Shpirti për ty mbushet drithërimë.

Nuk mendoja se do më ikje,
Nuk mendoja se s’do të shihja më.
Më kot tani për ty rri në pritje,
Ti ke ikur i humbur, pa frymë, pa zë.

Sonte nuk mundem mos lotoj për ty,
Ndërsa pres të thuash “natën e mirë”.
Jo, nuk mundem t’i mbaj lotët në sy.
As klithmën që humbet në shkretëtirë.

Por loti ndoshta është i bukur,
Dhe dhimbja një shpirt e bën fisnik.
Eh, miku im, pse ike, pse ngutur,
Pse ma vrave shpirtin, i dashur mik?

1 COMMENT

  1. Gjenovefa eshte nje krijuese e mirfillte, magjia e fjales qe perdor ne vargje percjell emocion te veçante, i kam lexuar e rilexuar shume herë krijimet e saj dhe çdo herë kam thene: krijues te tille e pasurojne artin e te shkruarit, i japin nje tjeter dimension poezise.
    xh.gjonaj

Comments are closed.