Arben Rrozhani, 24.01.2010
Një tjetër gazetë e përditshme në Shqipëri u mbyll dy ditë më parë. Botuesi i saj, ish-aleat i ngushtë i PD-së dhe udhëheqësit të saj prej shumë vitesh, por vitet e fundit, kritik i ashpër i të dyjave u detyrua të mbyllte gazetën, që e kish ngjizur në ditët e qeverisjes së PS-së, kur askush nuk do të guxonte të ngrinte media sepse, ajo që në gjenezë ishte media kundër partisë-shtet. Ata që prej të premtes mbrëma kanë fërkuar duart për mbylljen edhe të një dritareje tjetër opozitare, po mundohen ta zhdramatizojnë situatën me motive personale të botuesit Mero Baze dhe pistën “kapitaliste” të mbijetesës etj.
Në fakt “Tema” nuk është gazeta e parë e përditshme që mbyllet në Shqipëri, por ajo si asnjë gazetë tjetër është mbyllur nga pamundësia për të mbijetuar në luftë kundër pushtetit ekzekutiv dhe levave të tij. Ato pak precedentë që kanë përfunduar me mbyllje mediash kanë qenë media pro qeveritare, me shumë pak ndikim në politikë-opinion-bërje dhe mbyllja e tyre aspak nuk u ndje nga lexuesit shqiptarë apo vëzhguesit e huaj.
Rasti i gazetës “Tema” dhe botuesit Mero Baze është diametralisht i kundërt. Tema ishte dhe do të mbetet gazeta që i hapi petët lakrorit të qeverisë, për ardhjen në pushtet të të cilës ai ishte dhunuar fizikisht që në verën 2005. Nuk është aq për tu qarë halli i z. Baze, sepse falë karrierës dhe jetëshkrimit, ai do të jetë kontribues i medias shqiptare, falë një dritareje, emisionit “Faktori Plus” në një televizion në Tiranë dhe shkrimeve therëse në shtypin e shkruar. Por mbyllja prej tij e gazetës është një këmbanë për fatet e pushtetit të katërt në Shqipëri dhe ajo do të jetë në vijim Tema e nxehtë e raporteve mes ekzekutivit dhe medias në vend. Pak ditë para se Baze të shpallte mbylljen e gazetës “Tema” një njësi e Task Force, levë e Ministrisë së Financave ishte shfaqur te botuesi i saj, duke njoftuar për gjobën e radhës, 100 mijë euro, të cilat duheshin derdhur për llogari të shtetit. Por mbi një vit Baze nuk kishte redaksi stabile, sepse ambientin që kishte e kishte sekuestruar me një urdhër të Ministrisë së Energjetikës, Tregtisë dhe Ekonomisë, kryeministri Berisha. Operacioni i shoqëruar me policë, që u stampuan deri në ditën e fundit në kokën e gazetës, i la brenda ambienteve të redaksisë edhe shtypshkronjën, një investim disa qindra mijëra euro dhe “Tema” u bë e vetmja gazetë në botën demokratike me staf-mobil.
Baze ishte shndërruar në vitin e fundit në penën më therëse që ngulej në pikat më të dobëta të klanit qeverisës përreth kryeministrit Berisha, aq sa ndaj tij u përdor edhe dhuna. Gazeta proqeveritare, prej ardhjes në pushtet të PD-së kanë marrë redaksi të bollshme dhe luksoze, i bëjnë hosana qeverisjes, fryjnë faqet me suplemente “life style” dhe gjysmën e faqeve e kanë mbushur me njoftime qeveritare, reklama që kalojnë në xhepat e botuesve, që janë partizanë të qeverisë së Berishës.
Aq hapur dolën këto gazeta, saqë në shënimet e tyre bëhej thirrje publike për eliminimin fizik të Bazes, madje duke shkruar edhe situata linçimi horror, që edhe Hitçkok, do t’i kishte zili.
“Tema” u mbyll prej dy ditësh por ajo do të jetë sërish tema e nxehtë e debatit politik dhe mediatik në Shqipëri. Se si do të ndikojë psikologjiksht dhe moralisht tek mediat e tjera opozitare në vend, që janë pasqyrë e mendimit ndryshe, dhe lirisë së fjalës. Se sa do të arrijnë ato të mbijetojnë në këtë diktaturë të re, që kërkon si 20 vite më parë, kur ende nuk kishte rënë komunizmi de jure, të ketë vetëm një RD, si ZP-ja e Alisë dhe disa gazeta të tjera si ato të bashkimeve Profesionale apo të Rinisë dhe gruas komuniste.
Rreth 15 vite më parë, kur kryetar shteti ishte kryeministri aktual, kishte një gazetë tjetër si “Tema” dhe liria për mediat ishte në pikën më të ulët. Nuk është më mirë sot, vetëm me ndryshimin se Berisha i sotëm nuk djeg redaksi joqeveritare dhe nuk dhunon gazetarë si atëherë, thjesht u heq “oksigjenin” për t’i shuar ngadalë dhe nga ana tjetër majm redaksi që e bëjnë Saliun, Skënderbeun e ditëve tona.
Në këto ditë kaq të trishtueshme për pushtetin e katërt në Shqipëri, këmbanat bien edhe për komunitetin ndërkombëtar. Raportet e “Freedom House”, Transparency International etj, janë shumë pak për të ruajtur ekzistencën dhe lirinë e medias joqeveritare në vendin anëtar të NATO-s që aspiron të bëhet anëtar i BE-së.