Intervista e fundit me gazetarin MEJDAN ZHIVANI

0
32

NE KUJTIMIN TAN O KOLEGU I JON

Mejdan Zhivani një emër i njohur i GAZETARIS SPORTIVE

nga GJIN MUSA

Intervistë me gazetarin sportiv z. Mejdan Zhivani.

Z.Zhivani ju falnderoje qe pranuat te benim s’ bashku kete interviste.

1-Ku ka lindur Mejdan Zhivani?
Unë kam lindur në fshatin Curraj të komunës Nikaj-Mertur, të rrethit të Tropojës, më 28 qershor 1976.

2- Çfarë mund të na thoni për vitet e fëmijërisë?
Kam lindur dhe jam rritur në një familje të thjeshtë, ku prindëri qenë punëtor të thjeshtë në vitet e para 90-ës, në sistemin e atëhershëm, por me një dëshirë, vullnet dhe ambicje të paparë për të arritur sa më shumë dije dhe kulturë, shkollim dhe përparim. Nga ata ( prindërit e mi), unë së bashku edhe me 4 vëllezër të tjerë dhe dy motra, jemi rritur dhe edukuar me vlerat më të mira të një familjeje shqiptare, e për më tepër malsore. Ashtu siç çdo fëmijë tjetër, në ato vite e deri pas viteve 90-të, që filluam të merrnim rrugët e jetës, fëmijëria ime ka kaluar nëpër labirinthe normale të jetës së atyre viteve. Por gjithnjë të ushqyer me faktin se jeta ndërtohet dhe shijohet duke mësuar shumë në shkollë( gjë e cila mua dhe vëllezërve dhe motrave të mia nuk i ka munguar kjo gjë), pavarësisht sakrificave nga të gjitha llojeve dhe formave, duke ofruar respekt dhe dashuri të sinqertë për çdo njeri apo çdo gjë që të rrethon, duke pasqyruar përmes kulturës dhe dijes se kush mund të jemi. Dhe në fund ia kemi arritur. Sot, secili prej nesh, bën një jetë normale pranë familjeve të tyre të ndërtuara me shumë dashuri dhe pastaj në sofrën e madhe të familjes së madhe të prindërve tanë.

3- Ku i mbaruat studimet fillestare të jetës tuaj? Çfarë kujtoni nga ato vite?
Studimet fillestar, apo siç quheshin në atë kohë shkolla fillore, i kam mbaruar në fshatin e lindjes, Curraj Poshtëm. Më pas, ato të 8-vjeçares në fshatin Shëngjergj të Komunës Nikaj-Mertur. Më pas, mbarimi i studimeve 8-vjeçare, na gjeti në një kohë apo periudhë tranzicioni, siç ishin vitet pas 90-ës, ku fillimisht u duk sikur rëndësia e shkollës do të vinte, duke rënë. Madje pak kush shfaqte interes për të. Por kultura ime familjare nuk ma lejonte një gjë të tillë, për më tepër që në mësime deri në atë periudhë isha i shkëlqyer. (Disa vlerë vlerësuar me çmime të para në aktivitetet e ndryshme të grup-moshës tonë, në zonën tonë, apo edhe në rang rrethi.) Siç e thashë edhe më lart, prindërit tanë kanë qenë shumë të interesuar për ne, fëmijët, që të merrnin dije dhe shkollim, pavarësisht sakrificave të tyre për të na mundësuar neve një gjë të tillë. Kështu, përmes një burse shtesë, të nxjerrë në çastet e fundit, në shtator të 1991 unë vazhdova vitin e parë të shkollës së mesme ushtarake “Skenderbej”- Tiranë. Pasi mbarova vitin e parë të kësaj shkolle, unë u ktheva në vendlindje për të vazhduar tri vitet e tjera të shkollës së mesme, pra në gjimnazin e shkollës së Lekbibajt (qendra e komunës Nikaj-Mertur). (U shkëputa nga shkolla e mesme ushtarake “Skenderbej”, në gusht të 1992, pasi një vendim i qeverisë së atëhershme shqiptare, e mbylli këtë shkollë dhe vendimi i saj, ishte që ne kishim të drejtë të vazhdonim shkollën e mesme vetëm në vendlindje, apo në ato rrethe apo zona nga ku kishim ardhur më parë. ) Për mua, personalisht, nuk kishte asnjë problem. Në atë kohë në shkollën e mesmëe Lekbibaj kishte një staf pedagogjik të shkëlqyer, që ende nuk u kishte hyrë “krimbi” apo “visuri” i sistemit të pas 90-ës në arsimin shqiptar. Këtu, në vitin 1995, mbarova shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe më pas konkurova për shkollën e lartë, gjë të cilën, për arsye të ndryshme ( për arsye banale shqiptare), nuk e fillove menjëherë shkollën e lartë, të cilën e kam filluar pak vite me vonë dhe e kam mbaruar në Shkodër me rezultate mjaft të mira.

4- Në çfarë viti jeni larguar nga vendlindja dhe ku u vendosët?
Nga vendlindja, përfundimisht, jam larguar në vitin 2000. Atëherë fillova edhe shkollën e lartë në Shkodër, ndërkohë që familja ime e madhe prej kohësh e kishte projektuar një lëvizje të tillë drejt qytetit më të madh verior të vendit tonë. U vendosëm në periferi të këtij qyteti, brenda unazës së qytetit, ku edhe banon akoma edhe sot familja ime. Ndërsa, unë së bashku me familjen time, që nga viti 2011 banoj në Tiranë, ku vazhdoj ta ushtroj profesionin e gazetarit sportiv.

5- Unë të kam patur para pak vitesh, në mos gabohem, para afro dy vitesh, në një nga emisionet e mia në radio. Unë pata kënaqësinë, juve nuk e di se si jeni ndier në këtë intervistë të gjatë prej afro 80 minutash?….
Ka qenë vërtet emocionuese dhe tepër të këndshme ato minuta që kam kaluar me Ju, në radhë të parë, kishim të bënim me një profesionist në të gjitha drejtimet, më pas ndërtimi i emisionit nga ana juaj, ishte aq bukur dhe aq interesant sa më janë dukur sikur 8 minuta dhe jo 80. Ka qenë diçka vërtet e bukur për mua dhe jam ndier shkëlqyeshëm. Madje, nëse njeriu ka diçka që veçon në jetë, kjo intervistë me Ju, ka qenë një ndër më të veçantat dhe më mbresëlënëset, siç është edhe kjo intervistë, që po bëjmë tani. Ju falenderoj me shumë sinqeritet për besimin që keni patur tek unë, për hapësirën dhe vlerësimin karshi meje, që nga kontakti i parë dhe deri më sot. Të jam shumë mirënjohës.

6- Mejdan Zhivani shpejt do të bëhej një emër i njohur në mediat sportive. Si erdhi kjo, që ju të bëheshit një gazetar sportiv?
Së parim, të falenderoj për vlerësimin që më bëni. Unë mendoj se më ka ardhur një shans në jetë dhe jam munduar ta shfrytëzoj për të bërë një punë profesionale, që do ta kisha si bosht orientues në jetë. Pastaj se sa ia kam arritur kësaj, këtë gjë më mirë se kushdo tjetër e vlerëson publiku.
Për hir të së vërtetës, që i vogël kam qenë i “dashuruar” me sportin, e kryesisht me futbollin. Në kushte të tjera dhe në rrethana të tjera, në moshën time, dhe në vazhdimësi, unë kam bindjen time personale se mund të kisha bërë karrierë si futbollist. Por kjo i përket të shkruarës, që gjithsesi ka një lidhje të fortë me të tashmen. Në vitin 1999 TVSH bënte disa emosioneve sportive në mëngjes, që drejtoheshin nga gazetari i mirënjohur Defrim Methasani. Këto emosione kishin larmi, pasi përveç kronikave dhe personazheve të ftuar në studio, merrej parasysh edhe letrat e dërguara në adresë të emisioneve, por edhe telefonatat. Një ditë prej ditësh, vendosa dhe unë të shkruaja një letër në një prej këtyre emisioneve, për qejfin tim, duke trajtuar në këndvështrimin tim, lidhjen e sportit me ekonominë e tregut. ( Këtë letër të parë që e nisa drejt këtij emisioni, unë ende isha në vendlindja, në Curraj.) Kjo letër u pëlqye (nga drejtuesi i emisionit(Defrim Methasani), që ishte edhe redaktor i sportit në TVSH), jo vetëm nga tematika dhe drejtimi i saj me profesionalizëm, por edhe nga mënyra e të shkruarit. Që këtu mora një ftesë nga drejtuesi i këtij emisioni, që unë të isha i ftuar në një nga këto emisione në të ardhmen. Më parë nuk kisha patur asnjë kontakt, fizik apo telefonik apo në mënyra të tjera, me drejtuesin e këtij emisioni, apo as me drejtues të tjerë në TVSH. Këtu ishte kontakti i parë, që u pasua më pas nga një letër e dytë dhe më pas me një telefonatë dhe në fund të vitit 2000, unë u shpalla fitues si letërshkruesi dhe telefonuesi më i saktë në të gjitha emisionet për këtë vit kalendarik. Gjithçka është meritë e mikut tim të ngushtë tashmë prej vitesh, Defrim Methasanit( që në atë kohë më njihtë vetëm nga letrat dhe kishim patur vetëm një kontakt të shkurtër bashkë, pas letrës së dytë), i cili besoi te shkrimet e mia dhe mendimet e mia, pa më njohur mirë më parë, dhe më ofroi mundësinë e bashkëpunimit me TVSH për sportin nga Shkodra, pasi në këtë kohë isha student tashmë. Ai nuhati pak elementë fillestarë tek unë, por ama besoi te këta element, por më pas u bënë shumë të rëndësishëm për vazhdimësinë e karrierës time. Më pas, me kalimin e viteve raportet me mikun në fjalë u shtuan, pasi ia u bë “udhërrëfyesi” i gjithë karrierës time të deritanishme, udhëzuesi dhe mbështetësi kryesor dhe i pandashëm edhe sot, pas 15 vitesh. Një njeri me zemër të madhe dhe i pakursyer për askënd.
…..Kuptohet pastaj se çdo profesion do përkushtimin e vet, do kohën e vet për ta kuptuar dhe për ta ushtruar dhe perfeksionuar. Por kam qenë me fat që fillimet e karrierës time i kam nisur pikërisht në Shkodër, në qytetin e dijes dhe të kulturës, në qytetin ku ka zanafillën çdo gjë që lidhet me sportin në Shqipëri, qoftë edhe gazetaria sportive. Kam qenë me fat gjithashtu që aty kam gjetur dhe kam bashkëpunuar për një periudhë prej më shumë se 10 vitesh emra të njohur të gazetarisë sportive shqiptare si Ymer Striniqi, Gasper Marku, Gjergj Kola, Admir Uruçi dhe për të vazhduar pastaj me një brez pak më të ri si Drilona Hoxhaj, Anton Zalli, Senad Nikshiqi, e mjaft të tjerë, mbi të gjitha edhe njerëz të mrekullueshëm. Shkodra më dha gjithçka sa i takon gazetarisë sportive, por jo vetëm, e sigurisht edhe njerëzit e medias dhe të sportit. Por me përkushtim dhe këngëmbulje arrita deri këtu ku jam sot, si pjesë e gazetarisë sportive shqiptare, pasi deri më tani kam një eksperiencë pune të konsiderueshme si në gazeta, televizion dhe radio.

7- Kam patur nderin të komunikoj me shumë miq të mi, ku njëri prej tyre është edhe gazetari i mirënjohur Gaspër Marku në Shkodër, dhe flasim me shumë dashamirësi për Juve. Ku qëndron sekreti?
Në radhë të parë i falenderoj të gjithë, përzemërsisht, për fjalët e mira që thëna në adresën time. E thashë edhe pak më lart se u jam mirënjohës të gjithëve papërjashtim për gjithë ato vite qëndrimi dhe bashkëpunimi me tan ë Shkodër. Nuk e them për të kaluar radhën, por grupi i gazetarëve sportiv në Shkodër, janë më të veçantit në Shqipëri, me një harmoni dhe komunikim të shkëlqyer me njëri-tjetrin, si askush tjetër, me një mbarë-vajtje dhe bashkëpunim të paparë, deri në atë shkallë sa nuk cënohet ana profesionale e secilit prej tyre.
E kam të vështirë të them se cili mund të sekreti i gjithë atij opinioni të mirë dhe pozitiv në Shkodër për mua, por mund të them vetëm kaq se në karakterin tim dhe të familjen time, në radhë të parë është korrektësia dhe ana njerëzore e komunikimit. Jam munduar të jem korrekt me çdo njeri, edhe me ata që ndonjëherë, me pa të drejtë, kanë qenë të pakënaqur me punën tonë si gazetar. Jam munduar gjithashtu të jem vetvetja në punë e kudo, të jem realist dhe profesionist dhe mbi të gjitha njerëzor. Ja munduar të jem gjithpërfshirës për çdo gjë që varen nga unë. Jam munduar të pasqyroj çdo gjë me objektivitet. …ndoshta mund të ketë ndonjë tjetër(qesh), por këtë më mirë se kushdo tjetër mund ta thonë kolegët e mi në Shkodër, apo edhe njerëz të tjerë, qofshin këta të thjeshtë që s’ka lidhje direkt me sportin, me të cilët unë mund të kem patur kontakte me ta, gjatë kohës që kam jetuar dhe punuar në Shkodër. Vlerësimi i publikut, qoftë edhe kritik, ai është më reali.

8- Juve kaluat disa momente të vështira të gjendjes tuaj shëndetësore para disa kohësh dhe sot, falë Zotit, jeni shumë mirë. Si është e vërteta dhe sa ishe i rrethuar nga kujdesi “hatëror” i miqve tuaj?…
E vërtetse para një viti kam kaluar situatën më të vështirë të jetës time. Përgjithsisht jam kam patur një organizëm të fortë dhe asnjëherë në jetën time nuk kam patur problem shëndetësorë, qoftë edhe gripale, por kjo mesa duket nuk është e thënë. Problemet në organet e brendshme, ku mjekët konstatuan gjendra tumorale, bënë që unë, pa pritur dhe pa kujtur, në periudhën prill-gusht 2013 t’i nënshtrohem tri operacioneve të njëpasnjëshme. Tani jam më mirë, por sigurisht që vazhdojmë të jemi nën përkujdesjen e mjekëve edhe për pak kohë.
….Sa i takon mbështetjes së miqve, ajo ka qenë e paimagjinueshme dhe e pakrahasueshme. Sinqerisht që nuk gjej fjalë për të shprehur atë që ata kanë bërë për mua dhe fjala “faleminderit” është fare pak në këtë rast për ta. Mbështetja ka qenë e gjithëanshme dhe e pakufijshme dhe nga çdo cep I Shqipërisë dhe përtej. Kam mbetur ka fjalë, por në të njëjtën kohë të gjithë miqtë e mi, u kthyer në një forcë të hekurt për mua, një një motiv të madh, që më dhanë forcë dhe kurajo morale dhe psikologjike për të kaluar dhe për të mos e ndier gjithë atë kalvar të gjatë problemesh shëndetësore dhe qëndrimi prej afro 8 muajsh në spital.
…Do t’u kërkoja ndjesë pjesës më të madhe, që nuk mund t’ua përmend emrat të gjithë, por me lejen e atyre që nuk u përmend emrat të gjithëve, pasi lista është e gjatë dhe nuk do të mjaftonte as një roman i tërë, unë do të përmed vetëm pak prej tyre. ai që ka qëndruar 24 orë nën “stop” pranë meje( e kam fjalën nga miqtë gjithnjë) dhe që e ka vuajtur shumë gjendjen time, ka qenë miku im i ngushtë, miku i jetës, që u kthye në vëlla, Defrim Methasani. Pastaj dua të veçoj të gjithë kolegët e mi në Shkodër, dhe mbarë qytetin verior, jo vetëm njerëzit e sportit, por solidaritetin e treguar ndaj meje. Ka qenë një suport shumë i fuqishëm njerëzor dhe psikologjik për mua në ato momente të vështira. Pastaj të gjithë kolegët e miqtë në kryeqytet, nëpër çdo rreth të Shqipërisë, Kosovë, Maqedoni dhe përtej. Janë shumë, vërtet shumë dhe nuk mund t’i them dot të gjithë me emra. Në memorien time janë të fiskuara të gjitha, qoftë edhe një sms i vetëm telefonik, apo një telefonatë. Këtyre njerëzve u jam mirënjohës gjithë jetën dhe u them “faleminderit” gjithë jetën.

9-Mejdan Zhivani, keni lënë pas një muaj të ngarkuar pune, pikërisht me kampionatin botëror. Çfarë mund të thuash për këtë kampionat? Ku ndryshoi nga kampionatet e kaluara, …golat e shumtë, apo diçka tjetër?…
Kësaj radhe kam qenë i angazhuar çdo ditë, me orë pa limit, në radio-Tirana, me komente, analiza dhe çdo gjë tjetër që lidhej me kampionatin botëror, që u zhvillua në Brazil. Sigurisht që ka qenë një ngarkesë e madhe në punë, por falë përkushtimit dhe këmbënguljes çdo gjë arrihet.
Kampionati i parë botëror, që kam ndjekur, ka qenë ai i vitit 1986. Megjithëse, i vogël në moshë atëherë, por mbaj mend me detaje çdo gjë nga ai kampionat e në vazhdimësi çdo kampionat të zhvilluar nga ajo kohë e deri tani. Edhe me ato çfarë kam lexuar dhe studiuar për kampionatet e mëparshme, mendoj se ky kampionat botëror, pra “Brazil 2014”, është më i bukuri i zhvilluar ndonjë herë. Një kampionat që i ka patur të gjitha brenda; garë, rivalitet, gola të shumtë, portierë që shkëlqejnë, sulmues të shkëlqejnë e zhgënjejnë, skuadra të mëdha që eliminohen, sepse dikush do të eliminohet i pari, surpriza, ku skuadrat e nënvlerësuara kanë bërë histori, penallti, gafa arbitrash, me një fjalë çdo gjë që i shërben një gare të bukur futbolli i ka patur ky kampionat botëror. Futbollistë të panjohur, por që pas këtij botërori nuk janë më të tillë, falë shkëlqimit të tyre e mjaft elementë të tjerë. Prandaj mund të them se edhe përfundimi i tij ashtu siç erdhi, me ata fitues dhe renditje nga vendi i parë dhe deri në fund. Mendoj se çdo gjë ka qenë e merituar dhe në bazë të asaj çfarë skuadrat kanë dhënë në fushë; spektakël apo taktikë loje, trajnerë të njohur që dështuan, apo të tjerë që u rikonfirmuan apo u bënë më të njohur, e kështu me radhë.

10- Ju jeni një gazetar model i të mirës, por jeni edhe një familjar shembullor. Si ndihesh mes këtyre dy pozicioneve? Çfarë është familja për Ju, z. Zhivani?
Ju falenderoj për vlerësimin që më bëni. Përgjigja e kësaj pyetje, për mua personalisht, është fare e thjeshtë: familja është e shenjtë dhe e pakompensueshme. Ajo është motivi dhe frymëzimi i çdo gjëje në këtë jetë. Familja është gjithçka dhe të jep gjithçka. Më pas vijnë “aksesorë” të tjerë. Sigurisht që edhe puna, profesioni, është një tjetër domosdoshmëri në jetë për të jetuar dhe për t’u ndier akoma më i lumtur. Gjithsesi, ndihem shumë mirë dhe shumë i lumtur dhe i motivuar për jetën, mes këtyre dy pozicioneve: familja dhe profesioni.

11- Planet tuaja për të ardhmen, besoj që për ju Z.Mejdan janë të shumta. Çfarë mund të na thoni?
Natyrisht që njeriu që është aktiv mendon për të bërë gjithnjë gjëra akoma më të bukura dhe më të rëndësishme se ato që ka në dorë për momentin. Normalisht që kemi mjaft ide për të ndërtuar apo ndërthurur plane për të ardhmen, por këto t’ia lëmë kohës dhe momentit të duhur për t’i zbuluar. Për momentin sapo ka mbaruar kampionati botëror dhe ndoshta kemi nevojë për pak pushim dhe pastaj, të ushqehemi me energji të reja dhe pozitive dhe të shikojmë drejt së ardhmes.

12- Çfarë ju sugjeroni kolegëve tuaj gazetar dhe reporter sportive, gjithashtu edhe sportëdashësve të futbollit shqiptar?
Eh! Do t’u sugjeroja?!….Do t’u sugjeroja në radhë të parë, apo më mirë të themi, do të dëshiroja që të kenë sa më shumë punë, ta ushtrojnë profesionin e tyre me sa më shumë përkushtim dhe profesionalizëm, siç e kamë bërë deri tani. Dhe për sportëdashësit uroj që skuadrat e tyre të zemrës t’i kënaqin në sezonin e ri futbollistik, duke shpresuar që niveli i futbollit shqiptar të vijë në rritje nga sezoni në sezon.
Së fundmi, ju falenderoj ju, i nderuar Gjin Musa, për mundësinë e shejtë që me dhe’ për të komunikuar edhe me diasporën, por edhe për të komunikuar edhe me Ju, si një profesionist i vërtetë.

INTERVISTOI: GJIN MUSA