Beteja e kotë me Berishën pro-sllav

0
49

Nga Andi Bushati, 13 Mars 2013

Sali Berisha një njeri i serbëve? Kjo pikëpyetje që ka gëluar herë në formë thashethemesh e herë në formë akuze, në të gjitha gojët e kundërshtarëve të tij, është shfaqur dje në ballinën e një gazete në ngritje, shumë e afërt me opozitën shqiptare. Në hulumtimin e saj, gazeta “Dita” vërente se në gjendjen civile, emri i nënës së bashkëshortes së kryeministrit, gjoja në formë lapsusi, është ndryshuar nga “Milica” në “Milika”. Dhe ky zbulim i gazetës i shërbente si pikënisje për një dossier të plotë lidhur me dyshimet që ekzistojnë për marrëdhënien e Berishës me serbët. Në fakt këto dyshime, herë në formë legjendash dhe herë në formë pikëpyetjesh, nuk mungojnë në mjediset e së majtës shqiptare. Kundërshtarët e përhershëm të Berishës janë mëkuar me historitë e njeriut në familjen e të cilit kullon gjak sllav. Për këtë, herë përdoren citime të së vesë së Enver Hoxhës, herë ato të hierarkëve të shërbimeve sekrete, herë episode nga aktiviteti politik i ish- presidentit të djeshëm dhe kryeministrit të sotëm.

Klisheja e një të majti të thekur që ka dëshirë të besojë në teoritë konspirative është pak a shumë kjo. Sali Berisha i ka ruajtur lidhjet me familjarët sllavë të shoqes së tij. Si pasojë e tyre ai ka në karrierën e tij politike jo pak akte që kanë shkuar në favor të interesave sllave. Ato fillojnë me thyerjen e embargos ndaj regjimit të Millosheviçit dhe mbylljen e një veshi dhe një syri, kur maunet e naftës kalonin nga Shqipëria. Ato kanë të bëjnë me thirrjen e mëpasshme të ish- shefit të opozitës, drejtuar delegacionit shqiptar në Rambouillet, për të mos firmosur marrëveshjen e cila do ta çonte Kosovën drejt pavarësisë. Ato vazhdojnë me trupat e dyshimta dhe me njerëzit që komunikoi Berisha për të bërë “puçin” (po të flasim me termat e tij të sotme) e 14 shtatorit 1998.

Këto pandehma janë pasuruar së tepërmi sidomos në mandatet e Berishës si kryeministër. Si shpjegohet lidhja e tij e ngushtë dhe e njerëzve të tij të afërm, më Damir Fazlliçin, nipin e Stanishiçit, e udba-shit famëkeq të regjimit të Millosheviçit?-pyesin kundërshtarët e tij? Po lulëzimi i bizneseve serbe në Shqipëri si asnjëherë më parë? Po sabotimi i linjës së interkonjeksionit të Shqipërisë me Kosovën, që i lejon kompanive serbe të na shesin energji me çmimet që duan ata?

I gjithë ky enumeracion faktesh dhe përkimesh ka bërë që shumë prej kundërshtarëve të Berishës të propagandojnë idenë e një “agjenti të Serbisë”. Pikërisht në këtë frymë është edhe fushata e këtyre pragzgjedhjeve, e cila kërkon të ushqejë të njëjtën pandehmë. Dhe në fakt, të paraqitura kështu, ato janë të afta për të ndërsyer imagjinatën paranojake të çdokujt që ka për qëllim të luftojë kryeministrin e sotëm. Por, me një qasje të ftohtë, të zhveshur nga konspiracioni, këto akuza rezultojnë qesharake dhe ndoshta shumë larg së vërtetës. Sepse gjithë sa u tha më lart, mund të shihet nga një këndvështrim tjetër: ai i një politikani që është i gatshëm të përdorë çdo lloj mjeti për të arritur qëllimet e tij.

A nuk mund të interpretohet thyerja e fshehtë e embargos si një manovër për të pasuruar njerëzit e tij, pikërisht ata që vidhnin votat dhe masakronin opozitën në vitet e para të pluralizmit? A nuk mund të shihet thirrja e dëshpëruar për të mos firmosur Rambujenë, si dufma e pashpresë për të rënë në sy, e një njeriu të lënë në harresë nga të gjithë të mëdhenjtë e globit, që atë kohë të luftës së Kosovës, parakalonin në Tiranë, pa u kujtuar se ai ekzistonte? A mund të besojë kush se Damir Fazlliçi nuk do të ish zëvendësuar sot me ndonjë pakistanez apo tip të ngjashëm, nëse këta të fundit do të kishin qenë më inteligjentë për të paguar dhe për t’u lidhur me personat e duhur? A nuk do të kishin sot Kosova dhe Shqipëria një linje të re energjetike mes tyre, nëse për projektin do të kish pasur edhe përfitime private?

Të gjitha këto kundërpyetje mund të qëndrojnë të forta përballë pandehmave të mësipërme. Sepse ato, sipas meje, janë më pranë thelbit të politikanit Berisha. Të këtij aktori mbi 20- vjeçar të jetës së vendit, i cili më shumë se me klishetë që ekzistojnë rreth tij, duhet përballur me bilancin real të politikës së vet.

Dhe bilanci i ushtrimit të pushtetit nga Sali Berisha nuk është për t’u pasur zili. Pjesa e tij e parë është një përpjekje e dështuar për të instaluar një regjim autoritar. Ndërsa pjesa e dytë (me një përjashtim të shkurtër në vitet 2006-2008) është tentative për të krijuar një sistem pa konkurrencë të lirë në biznes, korruptiv dhe klientelist, me media të tredhura dhe pa institucione të pavarura. E përbashkëta e të dyja këtyre përpjekjeve është e njëjtë: instalimi i një regjimi ku liria është e cunguar dhe ku e vërteta është gjithnjë përgjysmë. Dhe në sisteme të tilla fantazitë konspirative gjejnë truall më të begatë për tu harlisur.

Po t’i shtosh kësaj edhe faktin se jetojmë në një vend ballkanik, ku legjenda shpesh i mbivendoset të vërtetës, ku paranoja vlen më shumë se analiza, atëherë nuk ka si të mos zënë vend pandehma të tilla si ajo e një Berishe pro-sllav. Për fat të keq, sistemi që ngre Berisha është paradoksalisht edhe katalizatori më i frytshëm i akuzave që ekzistojnë rreth tij.

Politikanë të tjerë të ngjashëm në këtë vend, që nga Ahmet Zogu e deri tek Enver Hoxha, janë përballur gjithashtu me të njëjtat teori konspirative, sepse ata kanë pasur të përbashkët një gjë: për ata i rëndësishëm ka qenë gjithnjë qëllimi dhe jo mjeti. Për ata më i rëndësishëm ka qenë fitimi i pushtetit apo rikthimi tek ai, sesa ndihmësit qoftë dhe sllavë që të shpinin drejt tij. Por ata kanë treguar se kur pushteti i vihej në lojë, mund t’i braktisnin pa kokëçarje edhe ndihmësit e dikurshëm, pa u ndjerë aspak pengje të tyre.

Ky është edhe rasti i Berishës. Ndaj debati për lidhjet e tij sllave, më duket një debat i pavend. Ashtu sikurse preokupimi për të kaluarën e tij ish komuniste, për fotot që i kanë dalë me fëmijët e Hoxhës dhe për ato që nuk i janë publikuar ende. Në të dyja rastet, ato janë rrethana dhe fakte që e plotësojnë portretin e Berishës, por që ka pak gjasë të kenë luajtur rrol në vendimmarrjet e tij politike. Në këtë kuptim, ato do të përbëjnë lëndë hulumtimi për biografët e këtij personazhi, për historianët e tij të nesërm, por kurrsesi nuk mund të jenë armët e kundërshtarëve të tij të sotëm. Për këta të fundit, sidomos tani në prag të zgjedhjeve, më i rëndësishëm duhet të jetë debati I vërtetë i shoqërisë shqiptare. Ai i bilancit të Berishës real, të sistemit që ka ngritur dhe të modelit që ka ofruar. Vetëm kështu mund të shpjegohet më mirë, e pse jo të tejkalohet, Berisha i vërtetë. Vetëm kështu madje, mund të qetësohen edhe ata, që rreken më kot prej vitesh, të bëjnë beteje, me një Berishë tjetër, fryt të paranojës së tyre.